Arrihet marrëveshja Bruksel – Beograd për sistemimin e EULEX-it në Kosovë
Bashkimi Evropian është i gatshëm që mandati i misionit të tij civil në Kosovë të miratohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar ambasadori francez në Beograd, Jean Francois Terral, vendi i të cilit kryeson BE-në. Ai ka thënë se, përkundër disa pohimeve në Beograd, BE-ja nuk do të kërkojë nga Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë edhe Pjer Mirel dhe Goran Svilanovic kanë deklaruar se BE ka pranuar kushtet e Beogradit për sistemimin e EULEX-it në Kosovë.
Jemi pajtuar me propozimin që mandati i EULEX-it të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, që ai të jetë neutral ndaj statusit dhe se të mos e zbatojë planin e Ahtisaarit, ka thënë Terral. Ai po ashtu ka shtuar se gjatë viteve të ardhshme duhet të gjendet një zgjidhje për çështjen e Kosovës dhe për marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Kjo, sipas tij, do të marrë kohë, mirëpo, Brukseli konsideron se procesi i integrimeve evropiane, në gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor, është në tërësi i lidhur për stabilitetin e rajonit.
Ndërkohë, pas takimit të sotëm me nën/kryeministrin e Serbisë, Bozhidar Gjeliuq, edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për shtrirje të BE, Pjer Mirel ka thënë se Bashkimi Evropian (BE), i ka pranuar kushtet e Beogradit për sistemimin e Misionit të BE (EULEX) në Kosovë –
"BE ka pranuar se sistemim i EULEX-it duhet të miratohet në KS të KB, të jetë neutral ndaj statusit dhe nuk do të ketë lidhje me Planin e Marti Ahtisarit", u ka thënë Mirel gazetarëve pas takimit me Bozhidar Gjeliuqin.
Zotëri Mirel ka shtuar se për këtë shkak është e rëndësishme që të arrihet kompromisi në mënyrë që EULEX-i të sistemohet në Kosovës dhe të jetë i dobishëm për të gjithë banorët e saj.
Ndërkaq Gjeliq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse është arritur marrëveshja me Brukselin për sistemimin e EULEX-it, ka thënë se negociatat po zhvillohen nën patronatin e KB dhe se "zgjidhja duhet të gjendet në Nju Jork".
Svillanoviq: BE ka pranuar të gjitha kushtet e Beogradit për sistemimin e EULEX-it në Kosovë
Ndërkohë edhe anëtari i Komisionit ekonomik të KB për Evropën, Goran Svillanoviq, ka konfirmuar se BE i ka pranuar të gjitha kushtet e Beogradit për sistemimin e Misionit EULEX në Kosovë, dhe ka shfaqur shpresën se ky vendim i BE do të konfirmohet javën e ardhshme edhe në KS të KB.
KS i KB do të debatojë më 11 nëntor mbi gjendjen në Kosovë, përfshirë edhe modalitetet e sistemimit të EULEX, por diplomatët në Ist River kanë paralajmëruar edhe mundësinë që anëtarët e këtij trupi më të fuqishëm të organizatës botërore, me pëlqimin paraprak të Serbisë, ta miratojnë kumtesën presidenciale me të cilën do të hapeshin dyert për sistemimin e Misionit të BE.
Marrëveshja ndërmjet Beogradit e Brukselit është arritur pas negociatave të gjata të zyrtarëve të BE dhe autoriteteve në Beograd dhe të dërguarit të posaçëm të KB, Endrju Ledli, shefit të UNMIK-ut -Lamberto Zannieri dhe zyrtarit të lartë të BE, Shtefan Lene.
Negociatat janë zhvilluar rreth gjashtë pikave që i ka përkufizuar Sekretari i Përgjithshëm i KB, respektivisht mbi funksionimin e policisë, doganave, kontrollit të kufirit në veri të Kosovës, trafikut, infrastrukturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë fetare e kulturore serbe.
Marrëveshja rreth këtyre gjashtë pikave ka qenë njëri nga katër kushtet që negociatorëve ndërkombëtar ua kanë parshtruar zyrtarët e Serbisë.
Përpos këtyre kushteve, Beogradi ka kërkuar që EULEX, para sistemimit, të marrë "dritën jeshile" nga KS i KB, të jetë neutral ndaj statusit dhe të mos e zbatojë Planin e Marti Ahtisarit.
Javën e shkuar mbi problemet lidhur me EULEX-in kanë biseduar me zyrtarët e Beogradit, Shtefan Lene, Pjer Mirel dhe ministri i Jashtëm britanik, Dejvid Miliband.
Krijoni Kontakt