Me synim rregullimin e sektorin dhe përfshirjen e tij në pjesën formale të ekonomisë së vendit, Ministria e Financave ka bërë disa ndryshime në ligjin "Për TVSH-në". Rishikimi i ligjit, nuk solli kundërshti nga grupet e interesit, ndërsa udhëzimi për zbatimin e tij, ka alarmuar organizatat jofitimprurëse. Udhëzimi i nxjerrë për zbatim më 22 korrik, me firmë të drejtorit të Përgjithshëm të Tatim-Taksave, detyron OJF-të të paguajnë TVSH 20 për qind për grantin që do të marrin nga donatori. Të njëjtën detyrim ka dhe donatori, i cili, edhe pse po dhuron diçka, i duhet të paguajë taksën e TVSH-së. Nisur nga ky udhëzim (në kokën e saj shënohet "qarkore"), tatimorët kanë nisur kontrollet nëpër zyrat e OJF-ve, duke kërkuar zbatimin e aplikimit të TVSH-së. Sipas pikës të 3 të udhëzimit, i cili kundërshtohet me të madhe nga organizatat OJF, thuhet se, "në rast se çdo fond apo grant i dhënë kushtëzohet që të marrë si këmbim një furnizim me para, mall apo shërbim, atëherë ky fond është si çdo furnizim tjetër i tatueshëm dhe po ashtu dhe furnizimi i bërë nga OJF-ja në këmbim të vlerës së fondit ose grantit. Të dy furnizimet tatohen të ndara me shkalla tatimore 20 për qind". Juliana Hoxha, drejtuese e një OJF-je, e konsideron udhëzimin e tatimorëve tepër abuziv dhe i palogjikshëm. Duke folur për "Shqip", në emër të OJF-ve, që kanë shprehur shqetësimin, Hoxha thotë se do të kërkohet me anë të një letre, drejtuar të gjitha instancave, rishikimi i udhëzimit për zbatimin e TVSH-së. "Qarkorja lë shumë për të dëshiruar për sa i përket profesionalizmit në interpretimin ligjor, duke krijuar një seri kontradiktash me legjislacionin në fuqi (p.sh., TVSH e dyfishtë) dhe keqinterpretim të koncepteve bazë që janë subjekt i ligjit. Por, ajo që ka alarmuar më shumë sektorin dhe komunitetin donator, ka të bëjë me interpretimin e dyshimtë të vendosjes së TVSH në vlerën 20 për qind mbi grantet dhe sponsorizimet", shprehet Hoxha. Ndonëse udhëzimi i brendshëm ka dalë në korrik të 2008-ës, në zbatim të udhëzimit mbi TVSH, maj 2008 nuk është bërë asnjë informim nga ana e zyrës së taksave, megjithëse OJF-të vizitojnë këtë zyrë çdo muaj për të depozituar format mujore të detyrimeve. "U desh një kontroll i ditëve të fundit nga ana e Zyrës së Tatim Taksave në disa OJF të Tiranës që kjo gjë të bëhej e njohur. Aplikimi i TVSH për grantet dhe dhurimet do të shkaktonte një anomali të plotë në veprimtarinë e përditshme të organizatave jofitimprurëse, duke e rënduar pa asnjë arsye buxhetin e tyre me 20%, në një kohë kur s‘duhet të harrojmë që aktiviteti i tyre është jofitimprurës. Qarkorja udhëzon vendosjen e TVSH mbi totalin e grantit, duke e konsideruar këtë si një pagesë për marrjen e shërbimit nga donatori prej OJF-së, sqaron Hoxha.
Krijoni Kontakt