-
Një rrugë për Mirosllav Kërlezhën!
Kohët e tranzicionit janë edhe kohë të provincializmit. Kjo shihet edhe në tabelat e rrugëve të Kosovës, të cilat aty-këtu janë stolisur me emra krejtësisht të panjohur derisa janë lënë anash personalitete të rëndësishme dhe miq të shqiptarëve. Njëri prej atyre që vazhdon të injorohet është autori kroat Mirosllav Kërlezha. Ndërsa në Prishtinë duartrokitet kasapi Enver Hoxha
I.
Këto ishin ditë për t’u mbajtur mend. Një grumbull komunistësh shqiptarë në Prishtinë i thurën lavdi diktatorit Enver Hoxha me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Nuk do të ishte befasi nëse së shpejti simpatizantët e terrorit të madh komunist në Shqipëri të kërkojnë që ndonjë rruge në Prishtinë t’i vendoset emri i Enver Hoxhës.
Kështu figura e diktatorit do të lartësohej edhe më shumë në sytë e dashnorëve të tij. Dhe kësisoj do të zhvendosej vëmendja e opinionit nga fakti i pamohueshëm historik se Enver Hoxha është figura më e errët e historisë shqiptare. Një stalinist që e shndërroi Shqipërinë në Gulag të Mesdheut. Vetëm një vend si Kosova, ku nuk ka as rend, as moral publik, as përgjegjësi institucionale mund të lejojë që në qendër të Prishtinës të vijë ndihmëskasapi Ramiz Alia, dora e djathtë e diktatorit, dhe të thotë: “Enver Hoxha e kishte Kosovën në zemër”.
Dhe një turmë kosovarësh me tru të shpëlarë i duartrokasin kësaj gënjeshtre të madhe. Sikur Kosova të ishte vend vetëm pak demokratik, ditën kur madhërohej Enver
Hoxha në Prishtinë një njësi e policisë do të duhej ta arrestonte dhe ta dëbonte jashtë territorit të Kosovës ndihmëskasapin Ramiz Alia dhe çetën e tij komuniste.
Por, asgjë nuk do duhej të na befasonte, sepse sikur në Pishtinë të mbahej një akademi përkujtimore për Hitlerin dhe Stalinin, shteti i Kosovës nuk do të ndërhynte. Sepse ky vend shpesh nuk ka tru politik, as empati për viktimat, as ndjenjë turpi. Kësisoj, para syve të opinionit, Adem Jashari, të cilin Kosova e konsideron hero kombëtar, u krahasua dhe u barazua me Enver Hoxhën, shqiptarin që ka qenë armiku më i madh i shqiptarëve.
Pushtetarët dhe opozitarët e Kosovës nëse vazhdojnë të heshtin gjithsesi e miratojnë këtë fyerje të rëndë që iu bë në zemër të Prishtinës vetë sakrificës së Adem Jasharit.
II.
Gjasat që të hapet një debat që një rrugë në Prishtinë të marrë emrin “Enver Hoxha” janë jo të vogla në botën shpeshherë iracionale kosovare. Fundja nuk do të ishte diçka e re. Para disa vitesh një grusht simpatizantësh të diktaturës hoxhiste hodhën një iniciativë të tillë në Ferizaj. Për fat të mirë komuna e Ferizajt nuk lejoi që emri i Enver Hoxhës të vendoset nën pullazet e shtëpive të këtij qyteti.
Nga ana tjetër: Pse të mos hapet edhe ky debat i dreqit, kur vetë mënyra se si janë emëruar rrugët në Kosovë pas luftës së viteve 1998/99 tregon se sa thellë dhe me çfarë vetëdëshire të pakuptueshme e çoroditëse shoqëria kosovare fundoset në provincializëm? Shumë të flijuar në luftën e fundit, por edhe mjaft viktima e kanë merituar të nderohen - dhe emrat e tyre fisnikë sot qëndrojnë në tabelat e rrugëve në shumë qytete të Kosovës.
Por, po ashtu, jo pak emërime të rrugëve janë bërë pa asnjë kriter, duke favorizuar njerëz krejt të panjohur përtej lagjes apo katundit të tyre. Kosova nuk ka rrugë për emrat e të gjithë të rënëve në luftën e fundit, jo pak prej të cilëve janë vrarë në rrethana tragjike dhe jo në fushëbetejë. Po të ecësh sot nëpër secilin qytet të Kosovës, emrat e rrugëve do të kujtojnë vetëm luftë, gjak, tmerr, heroizma të qena dhe të paqena.
III.
Njëkohësisht shumë personalitete të njohura të kulturës janë injoruar. Dhe si të mos injorohen, kur komisionet për emërime kryesisht janë përbërë nga historianë injorantë e provincialë, të cilët në këtë botë nuk shohin asgjë tjetër përveç se një mal me patriotë shqiptarë. Ndoshta këta historianë kujtojnë se edhe sahatin e botës e kurdis një shqiptar.
Medet, çfarë do bëhej sikur këtë shqiptar sahatkurdisës një ditë ta zinte gjumi. Bota do fundosej! Do bëhej kjamenti! Qameti, si thonë shqiptarët e Toskërisë. Pasojë e kësaj mendjeshkurtësie është se sot në Prishtinë asnjë rrugë e vetme nuk e mban emrin e intelektualit, shkrimtarit, eseistit dhe humanistit të madh kroat Miroslav Kërlezha.
Emrin e tij çdo rrugë e shesh i Prishtinës do ta kishte për nder. Kërlezha ka qenë një mik i madh i shqiptarëve kudo në Ballkan. Ka shkruar me admirim për Fan Nolin, të cilin e ka njohur personalisht. Madje ai thotë se në kohën e tij Noli ishte ndër njerëzit më të kulturuar në Evropë.
IV.
Kosova gjatë Jugosallavisë së Josip Broz Titos zyrtarisht është quajtur Krahinë Socialiste Autonome. Por, nuk ka qenë provincë kulturore! Falë shtëpisë dikur të famshme botuese “Rilindja” në Prishtinë janë përkthyer e botuar këto vepra të Miroslav Kërlezhës: “Novela” (1960, ribotim 1978), “Kthimi i Filip Latinoviqit” (roman, 1966), “Glembajët” (drama, 1974), “Ese” (1979). Në esenë “Mbi të vetmit flamuj të kohë sonë” Miroslav Kërlezha shkruante në vitin 1924 kundër terrorit që ushtrohej mbi shqiptarët në Jugosllavinë e posathemeluar mbretërore. Fuqia formuluese e Kërlezhës është vërtet impresionuese.
Dhe kjo fuqi tingëllon edhe në gjuhën shqipe falë përkthimit në pjesën më të madhe mjeshtëror nga Vehap Shita. “U ngrit ushtria dhe i vrau me topa dyqind qytetarë të vet, për t’i treguar rajës shqiptare ad oculos, çka do të thotë e Drejta e Shpatës. (…) Ndodhi që prapë menjëherë, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, e ndjeva çka do të thoshte të jesh një nga dyqind Mustafa Abazët ose Adem Beqirët njëzet e pesë vjeçarë dhe çka do të thoshte të bjerësh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar lojal nga mitralozi i shtetit tënd, vetëm nga mendjelehtësia e faktorit parlamentarisht të papërgjegjshëm, që krenohej se sundonte me Vullnetin e Perëndisë”.
Duke ecur rrugëve të Beogradit, në atë kohë kryeqytet i Mbretërisë serbe, kroate dhe sllovene, Kërlezha kishte parasysh terrorin mbi shqiptarët dhe në esenë e tij pyet nëse mund të “gjendej dikush që do t’ia kalonte kësaj bande dhe t’ia shpjegonte se nën rrotat e asaj tollovie të marrëzishme ishin shtrirë sot pasdite dyqind Mustafa Abaza të rinj e të pafajshëm, me kafta të çara e brinjë të thyera?”
V.
Në vitin 1924, njëmbëdhjetë vjet pas botimit të librit “Serbia dhe Shqipëria” të Dimitrie Tucoviq, ku denoncohen masakrat e trupave serbe kundër shqiptarëve, Kërlezha e përkujtonte këtë socialdemokrat serb me famë evropiane me admirim të thellë. “Mu kujtua Dimitrie Tucoviq dhe libri i tij për Shqipërinë e vdekja e tij e trishtueshme, si kishte mbetur i shkelur si zhelan nën rrotën e po atij mekanizmi kundër të cilit luftoi trimërisht dhe burrërisht. Në figurën e tij të ndritshme na shfaqet ngushëllimi se as në horizontet tona ende nuk janë rrëzuar pa shpresë të gjithë flamujt”.
Dimitrie Tucoviqi është njëri prej personaliteteve të pakta të shteteve fqinje që i ka mbijetuar fushatës alla kosovarçe për ndërrimin e emrave të rrugëve. Diçka më shumë nuk është bërë për këtë figurë të ndritshme, e cila, për dallim nga majtistët e shpifur që simpatizojnë sot Enver Hoxhën, ka qenë ithtar i madh i drejtësisë sociale dhe kritik i ashpër i dhunës shtetërore.
Janë mbajtur me qindra promovime për përmbledhje poetike groteske të poetëve të vetëshpallur nga të gjitha kthinat kosovare, por nuk është organizuar në gjithë këto vite të pasluftës asnjë simpozium as për Tucoviqin, as për Kërlezhën. Dhe as për Danilo Kishin, poetin e madh hebre nga Serbia (ose më mirë të themi nga Jugosllavia), mbështetësin e popullit të Kosovës, mikun e disa intelektualëve të Prishtinës, të cilët janë aq mendjezbehtë saqë kurrë gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës së fundit nuk u ka rënë ndërmend të kërkojnë që një rrugë të bart emrin Danilo Kish. Ose që një shkollë të mbante emrin e tij. Secili institucion arsimor apo kulturor në Kosovë do ta kishte për nder të mbante këtë emër. Fama e tij, ndërkaq, nuk ka nevojë për Kosovën.
VI.
Siç nuk ka nevojë as fama e Mirosllav Kërlezhës. Por, për kujtesën e një kombi, sidomos të një kombi të ri, siç është kombi kosovar, është me rëndësi të nderohen ato personalitete që kanë bërë publike para botës së interesuar fushatën e terrorit mbi shqiptarët pas Luftës së Parë Botërore, atëherë kur nuk ka pasur as Internet, as NATO. Falë Miroslav Kërlezhës ne sot me saktësi të madhe mund të kuptojmë se çfarë ka shkruar shtypi i Beogradit në fillim të shekullit të kaluar për shqiptarët.
Këtë atmosferë urrejtëse Kërlezha në vitin 1924 e përshkruante kështu: “...shtypi i Beogradit (...), opinioni publik radikal, kabinetet e Beogradit (...) dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideroin shqiptarët rajë të paemër, që banon në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor.
Qysh para disa vitesh udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, “me bisht të kalit ose të dhisë”, dhe këta bastardhë të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe theret ndër vete në anarki skëterrëse.
Në këta shkrepa të egjër, të zez dhe të pashkelshëm, shtatëdhjetë për qind të burrave vdesin nga hakmarrja, kurse vdekja prej sëmundjes në shtrat është turp. Këta të egjër gjakpirës, këta lëkurëkuq evropianë, intolerantë fetarë deri në ekstrem, te të cilët fjala cub dhe bandit është sinonim për kalorës, këto bisha të egra me fytyrë njeriu, ditëve të festave gostiten me miell misri të zier, nuk dinë çka është kripa, kurse për sheqerin mendojnë se është borë.
Banojnë nëpër shpella si njerëzit e Neandertalit, jetojnë nëpër kulla të gurit pa dyer, pa dritare dhe pa oxhakë; flejnë në dritën e pishës, të veshur, me pushkë në dorë, kurse para kasollës kafka e kalit e ngulur në hu është trofe lufte. Për zotin besojnë se u ka dhënë pushkët që të vriten midis tyre, kurse ka vise në veri, në të cilat perëndive të vjetra ende u shugurohen njerëz të gjallë.
Shqiptarët e pijnë gjakun e nxehtë të viktimave të veta të therura, i prejnë hardhitë, i rrënojnë kullat, zhduken me pasion ndër vete, duke vrarë gratë nga lakmia, kurse kuptimi i dashurisë nuk ekziston tek ata dhe fjala dashuri nuk gjendet në gjuhën e tyre. Nuset blihen e shiten për pajë prej disa lugësh, nevojtore nuk ka në këtë vend, të gjithë janë të ndytë e me morra, dhe këta vjedhës të kuajve, tradhtarë, banditë, rrenancakë e tipa të poshtër, që i lëshojnë sytë për toke si qentë para njeriut, jetojnë në retë e tymit, tifos, malarjes, lisë, dizenterisë dhe sëmundjeve venerike (...)”.
VII.
“Kështu”, vazhdon Kërlezha, “shkruanin për shqiptarët akademikët e paraluftës me orientime liberalodinastike ose revolucionarorepublikane, ministrat e majtë dhe të djathtë reaksionarë ose nacionalë revolucionarë, politikanët dhe i tërë shtypi i kabineteve të shumëllojshme dhe të panumërta, dhe kështu zhvillohej me vetëdije propaganda mbi politikën kolonialiste, e kur ushtria ngadhënjimtare zbriti nëpër shkrepat shqiptare deri në Durrës, deri në Lezhë dhe deri në Shën Ivanin e Medovanit, opinioni publik prej graniti, i krijuar nga propaganda kolonialiste i përshëndeti sukseset ushtarake në disponim ngadhënjimtar”.
Duke qenë intelektual i sinqertë Kërlezha me ton kritik përshkruan entuziazmin e tij dhe të gjeneratës së tij për idenë që Beogradi të jetë qendër e popujve të Ballkanit. “Për mendjet tona të krisura djaloshare Beogradi shkëlqente me dritën magjike të fanarit të piemontit në ishullin e Utopisë. (...) Këtë Qytet të bardhë, të vërshuar nga ujërat e bardha dhe drita e fortë e mëngjesit, e përshëndetnim nga treni hungarez pas natës së rëndë të pagjumë si haxhinjtë Qabenë”.
Në një rast tjetër, duke përkujtuar momentin kur Sllovenia dhe Kroacia, dy provinca austrohungareze, në vitin 1918 u bashkuan në një Mbretëri me Serbinë, Kërlezha ka theksuar: “Realiteti ynë austrohungarez u rrokullis i dehur nën fronin e Karagjorgjeviqëve si një shishe e zbrazët birre në bërllok”.
VIII.
Në parathënien e librit të Kërlezhës me ese politike dhe letrare, prej të cilit cituam gjerësisht në këtë tekst modest, përkthyesi dhe kritiku i letërsisë Vehap Shita na tregon se kur redaktorët e “Rilindjes” e njoftuan shkrimtarin e madh kroat për botimin e veprave të tij në gjuhën shqipe ai tha: “Çdo përkthim i veprës letrate në gjuhën tjetër është një lindje e re për autorin dhe për veprën e tij. E si dihet, lindjet gjithnjë sjellin lumturi”.
Në atë kohë, para botimit të librit të tij “Ese” në vitin 1978, Kërlezha kishte premtuar se do të shkruante diçka për atë se “si e përjetova një shfaqje të dramës shqipe të Teatrit Popullor Krahinor të Prishtinës në vitin 1960... Ishin këta “Cubat” e Shilerit (Schiller). Edhe pse nuk merrja vesh asnjë fjalë, i përcillja me vëmendje artistët në skenë dhe shikoja vjedhurazi reagimet e publikut.
Në mua lindi një shfaqje e re, të cilën nuk do ta harroj kurrë, në mua u rrënjos diçka e madhe, të cilën mund ta tregoj vetëm unë. Këto përjetime nuk durojnë përfolje, prandaj do t’i shkruaj vetë dikur...”.
Pra, në vitin 1960, para plot 48 vjetësh, para gati një gjysmë shekulli, në Prishtinë, në teatër, ka qenë Miroslav Kërlezha! E sot, cili autor i famshëm po e viziton Republikën e Kosovës?
Shekulli
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt