Kisha serbe kërkon varret e ushtarëve në Shqipëri
Mitropoliti Amfilohije Radoviç, viziton papritur Shkodrën
http://gazeta-shqip.com/artikull.php?id=52720
Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije Radoviç, pa shumë zhurmë ka vizituar dje disa fshatra të Shkodrës, që banohen nga minoritete serbe,në kërkim të eshtrave të ushtarëve serbë të rënë në kohen kur rajoni ka qenë i pushtuar nga osmanët. Ajo që ra në sy në këtë vizitë të mitropolitit, ishte fakti se, për të pasqyruar këtë aktivitet, ishin lajmëruar një numër tepër i kufizuar mediash, bazuar në preferenca. Mitropoliti serb njihet si kundërshtari i madh i pavarësisë së Kosovës dhe Malit të Zi, përkrahës i kriminelëve të luftës, të cilët organizuan masakrat në Kosovë.
Dje, ai shoqërohej nga përgjegjësi i kishës ortodokse të Shkodrës, At Nikolla
Petani, famullitari i Kishës së Vrakës, Radojca Nikqeviç dhe disa anëtarë të minoritetit sllav, që përkrahin politikën antishqiptare të mitropolitit. Në fillim, mitropoliti ka vizituar objektet e kultit dhe varrezat e ushtareve
serbë të rënë gjatë luftërave ballkanike dhe pushtimit malazez të Shkodrës. Fillimisht, Radoviç ka vizituar kishën e Vrakës dhe atë të Rrushkullit, themelet e së cilës i përkasin shekullit IX, një kishë katolike, e njëjtë me atë të Laçit për sa i përket pelegrinazhit.
Më pas, vizita e Amfilohije vijoi në Bardhaj, rrëzë Liqenit të Shtodrit, ku sipas
tij ndodhen të groposur trupat e rreth 10 mijë ushtarëve serbë të rënë gjatë viteve 1912-1914. Pas riteve të bekimit të varreve dhe lutjeve, Amfilohije u shpreh: "Ne jemi pelegrinë dhe kemi ardhur të vizitojmë vendet e shenjta që datojnë që nga kohërat e Apostujve të Krishtit. Kemi vizituar kishën në Rrashkulle, e shekullit IX, themelet e së cilës i përkasin kristianizmit të hershëm.
Më pas kemi ardhur për të vizituar varrezat e ushtarëve serbë të rënë gjatë luftës ballkanike, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman. Këta ushtarë, së bashku me të tjerë, kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Shqipërisë. Këtu në Bardhaj, kanë rënë më shumë se 10 mijë ushtarë serbë. Unë do doja të thosha edhe diçka tjetër, se ata kanë rënë në kohën kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë moment vendimtar historik për lirinë e vendit. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1941, kur serbë dhe shqiptarë së bashku, në këto vende, luftuan kundër pushtuesit nazifashist. Është koha që të kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën në
rininë e tyre, pasi ata kanë qenë kryesisht djem të rinj dhe të pamartuar". Duket se pas grekëve, janë serbët ata që janë vënë në kërkim të varreve të ushtarëve në territoret shqiptare dhe përsëri është kisha ortodokse ajo që okupohet me këtë mision.
Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një figurë të njohur të antishqiptarizmit.
Një nga bëmat e fundit të mitropolitit serb ishte mallkimi që ai i bëri qeverisë së Malit të Zi, pasi kjo njohu Kosovën si shtet të pavarur. Ky veprim i mitropolitit frymëzoi protestat e dhunshme në Mal të Zi, që përfunduan me dhjetëra të plagosur.
Krijoni Kontakt