Le të ngrejmë një gjeneratë dinjitoze


Mirsad Sylja / Shkodër

Rinia gjithmonë ka qenë baza e ummetit islam dhe si e tillë, ajo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm e vendimtar për sa i përket ardhmërisë së fesë. Rinia është vlerësuar shumë në çdo pikëpamje, sepse në të gjendet forca, vullneti, dëshira, entuziazmi, vrulli, etj. Mirëpo, sot është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme që kjo rini të marrë drejtimin e duhur. Është domosdoshmëri që kjo gjeneratë të marrë edukimin e saktë, në mënyrë që t'i shërbejë vetvetes, familjes, fesë dhe vendit ku jeton. Mos harro: Vetëm nga njerëzit e edukuar, punëtorë dhe të aftë, pritet hajri!

Besoj dhe mendoj se ka qenë edukimi i gabuar i këtyre të rinjve që ka sjellë sot gjendje jo të këndshme në mesin tonë.

Alija Izetbegoviq, në një shkrim të tij, thotë: "Ne me shekuj e edukojmë gabim rininë tonë, si pasojë e të mos kuptuarit të mendimit burimor islam. Derisa armiku, i arsimuar dhe i pamëshirshëm, nënshtronte një nga vendet muslimane, ne i mësonim të rinjtë tanë që të jenë të mirë, që 'mos t'ia mendojnë të keqen as mizës', që të pajtohen me fatin, që të jenë të dëgjueshëm, që t'i nënshtrohen çdo pushteti, sepse 'çdo pushtet është nga Zoti'."([1])

Nga kjo që u tha më lart dëshiroj të marr vetëm thelbin, pikërisht: "Të mos kuptuarit e mendimit burimor islam", frymës edukative që jep tamam feja islame. Ajo i nxit të jenë punëtorë, të aftë, aktivë, të arsimuar, të pastër, jo të nënshtruar (madje edhe atëherë kur nuk kanë se nga t'ia mbajnë dhe detyrohen të nënshtrohen, jo të nënshtrohen lehtë), etj, etj. Mirëpo ajo që vlen të shikohet është 'forma e transmetimit' të këtyre këshillave. Gjithashtu duhet të kemi të qartë se në qoftë se këta të rinj, nuk edukohen (nuk këshillohen, nuk punohet me ta) për mirë nga njerëzit e kulturuar me moral të lartë, ato do këshillohen dhe do edukohen nga njerëz jo të kulturuar dhe të pamoralshëm. Në qoftë se këtyre të rinjve nuk u zihet koha me gjëra të dobishme e të hajrit, me siguri dhe pa as më të voglin dyshim, do t'u zihet koha me gjëra të padobishme, të dëmshme për veten e tyre, për fenë dhe kombin. Natyrisht, të nxitura nga idetë e njerëzve të prishur, sepse për çdo gjë në këtë botë ekziston edhe kapësi i saj!... Për ta vërtetuar këtë po iu sjell një shembull të një ateisti harbut që i verbuar nga urrejtja për fenë Islame thotë: - "Duhet të kujdesemi me të rinjtë e zgjuar. Po ta takoni ndonjë në vendet tuaja, menjëherë interesohuni për të. Në qoftë i varfër, jepini bursë, në qoftë i pasur, jepini dhurata! Por mos harroni se para se t'i fusni në dorë studentët e suksesshëm, duhet t'i fusni në dorë drejtorët e shkollave të tyre. Zgjidhja më e mirë për këtë është që të formojmë çdo lloj shoqatash dhe t'i nderojmë ata me lloj-lloj titujsh, shpërblimesh e dhuratash. Njerëzit e pakarakter do t'i bësh për vete edhe me një dhuratë të pavlerë. Edhe qeveritar po të jetë, ai do të dëshironte që të lakmohet nga ata të cilët i japin. Kështu, ai do t'ua dorëzojë nxënësit më të mirë të shkollës. Tutje, mendjen e logjikën e tij do t'i vendosë në shërbimin tonë."([2])

Pra, nëse njerëzit e moralshëm dhe punëtorë nuk do të punojnë me këta të rinj, janë të aftë njerëzit e tjerë si ky i mësipërmi, që t'ua shpërlajnë trurin e të vënë çdo potencial të tyre në shërbimin e vet.

A ka gjë më normale se popujt muslimanë të udhëhiqeshin nga njerëz të edukuar sipas Islamit dhe të frymëzuar me mendime islame?! Por, ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë nga një arsye e thjeshtë: Janë edukuar jo të udhëheqin, por të jenë të udhëhequr.([3]) Të rinjtë, duhet të edukohen, ose më saktë, t'u transmetohet se ata me çdo kusht duhet të jenë vetë udhëheqës, dhe jo të jenë gjithmonë të udhëhequr. Jeta është lëvizje, ajo nuk është që të rrish i qetë e të bëhesh si i vdekur. Jeta është që ti ta ndjesh kënaqësinë me lodhje, jo ta ndjesh kënaqësinë duke qëndruar pasiv si parazit. Jeta është ta mbrosh nderin, jo ta shesësh nderin tënd rrugëve. Jeta është që ti të jetosh si musliman në tokë, puna jote është që ti të sundosh, e jo të sundojnë vetëm të tjerët. Jeta është të thuash 'po' dhe 'jo' dhe, qëndrimin tënd ta kesh të vendosur dhe të palëkundur. Pra kemi shumë nevojë për njerëz të tillë. Kemi nevojë për njerëz të arsimuar që të na përfaqësojnë denjësisht kudo. Kemi nevojë për njerëz të qytetëruar e të edukuar mirë, jo për njerëz që harlisen kot së koti me gjëra të pavlera, a thua se kanë marrë mbi supe misione "impossible" e do të shpëtojnë vendin e fenë për sa të jetë jeta! Kemi nevojë për ekspertë në shumë fusha, që të krenohemi me ta për arritjet dhe suksesin e tyre. Kemi nevojë që edukatorët t'i edukojnë të rinjtë që të jenë krenarë dhe t'i mësojnë të jenë të zotët e vetes, sepse edukimi më i mirë dhe mësimi më i mirë është në praktikë. Jo të rrinë gjithmonë pas tyre, me frikë se çfarë po ndodh me ta, por duhet t'i lënë të bëhen të zotë të vetvetes. Kemi nevojë që të ecim në vija paralele me të tashmen dhe me të kaluarën e Islamit! Me fjalë të tjera, sot kemi nevojë për kulturë e arsim në njërën anë, dhe për besim të pastër në anën tjetër!

Kemi nevojë për shumë gjëra, por më kryesorja është që të ngrejmë të gjithë së bashku një gjeneratë dinjitoze, të devotshme dhe fisnike, që ta ketë për nder të jetë ajo që është.

Shkodër, më 10. 10. 2008


--------------------------------------------------------------------------------

([1]) Alija Izetbegoviq, "Edukojmë myslimanë a poltronë", http:// www.mendime.net, duke iu referuar: "Preporod, islamske informativne novine, izbor tekstova 1970-2000", përktheu: Muhidin Ahmeti.

([2]) Emine Shenlikoglu, "Marija", New York, 2006, përktheu: Dhulkarnejn Vardari, botimet AICC, fq. 20.

([3]) Alija Izetbegoviq, "Edukojmë myslimanë a poltronë", http:// www.mendime.net, duke iu referuar: "Preporod, islamske informativne novine, izbor tekstova 1970-2000", përktheu: Muhidin Ahmeti.