Milkani dhe Ferri, gënjejnë!
VIOLETA MURATI
Dokumenti zyrtar që të faktojë selektimin e filmit të Milkanit për konkurrimin në “Oscar” ka humbur. Dje Pango ka deklaruar se letra i është ndërkallur nga Milkani, dhe se kjo është një marrëveshje që ka bërë regjisori me drejtorin e QKK-së, Xhevdet Ferrin.
Drejtori i bordit të QKK-së, Kiço Blushi, e quan një histori skandaloze, që ka manipuluar opinionin publik, dhe janë përdorur në mënyrë të jashtëligjshme emrat e tyre, pasi të gjithë anëtarët e saj nuk janë mbledhur dhe nuk kanë hedhur firmën për të shkuar filmi i Milkanit në Amerikë. Milkani dhe Ferri, gënjejnë. Ministri i Kulturës ka deklaruar dje, se do të ngrejë një komision me kineastë për të parë situatën
Në Ministrinë e Kulturës kanë vazhduar edhe dje kërkimet për letrën “imagjinare” që ka bërë të mundur përfshirjen e filmit të Pirro Milkanit në listën e konkurrimit për “Oscar”.
Por pa sukses. Letra, meqë nuk është firmosur nga ministri mund të jetë kthyer vetë mbrapsht për tek Qendra Kombëtare Kinematografike, pasi iu ka humbur përsysh të gjithë punonjësve të administratës së Ministrisë së Kulturës.
Janë zbrazur, dje, të gjitha sirtarët e zyrës së Drejtorisë së Kulturës, por letra nuk u gjend.
Nuk kishte bërë vaki që të humbnin në mënyrë të atillë letra në ministri. Ja që për Milkanin bën vaki. Dhe, si përfundim, dokumenti zyrtar që të faktojë selektimin e filmit të Milkanit për konkurrimin në “Oscar” ka humbur.
Por të gjithë këtë përmbysje e ka shpëtuar dje vetë ministri i Kulturës, Ylli Pango, duke larguar gjithë përgjegjësinë në këtë situatë, duke na zbardhur të paktën një anë, se nuk ka firmosur asnjë letër-kërkesë që do ta çonte filmin e Milkanit zyrtarisht në konkurrimin hollivudian. Ky është një nga emrat, që regjisori Milkani ka kompromentuar për ta bërë sa më të besueshme, gati në verbëri, procedurën e kërkesës për në Akademinë e Çmimit “Oscar”.
Letra, le të bëjmë kompromis me fjalën “imagjinare”, me firmën e Xhevdet Ferri ka ekzistuar, madje është lexuar nga ministri i Kulturës, por vetëm me një bisht të vogël se nuk gjendet më, është zhdukur si dokument, dhe mbi të gjitha nuk është firmosur nga Pango. Pra ajo letra zyrtare, për të cilën Pirro Milkani luajti mediatikisht se është firmosur nga autoritetet e larta nuk qenka e vërtetë. Ndërsa ministri i Kulturës, Ylli Pango, ka deklaruar hapur se është Pirro Milkani që gënjen në gjithë këtë histori, dhe se letra e mbërritur në zyrën e tij nuk ka qenë e protokolluar zyrtarisht.
“Letra më është ndërkallur nga Milkani”, - ka pohuar dje për “standard” ministri Pango. Kjo më hapur do të thotë se Milkani ka dashur që të gjithë procedurën për në Akademinë e Çmimit “Oscar” ta kryejë me manipulim, me miqësi, tinëz.
Meqë dhe firma e kryetarit të QKK-së është një çështje më vete, krejt arbitrare, ministri i Kulturës është shprehur se “Ferri dhe Milkani e kanë rregulluar mes tyre çështjen e kërkesës për t’u pranuar në listën e çmimit “Oscar”. Është, pra, vetë ministri që distancohet i pari në këtë histori të quajtur tashmë histori manipulimi.
Aq më tepër që Pango ka deklaruar se nuk ka dijeni farë në lidhje me procedurat ligjore për këtë konkurrim, nëse është aq e domosdoshme firma e ministrit, duke e konsideruar këtë vetëm si një firmë honorofike nga ana e tij, pa qenë kompetencë e tij për të vendosur mbi filmin. Gjithsesi, reagimi që ka bërë dje ministri i Kulturës ka qenë sugjerimi për ngritjen e menjëhershme të një komisioni me kineastë për ta parë dhe shqyrtuar gjithë këtë situatë.
Ndërsa në frontin e brendshëm të QKK-së zbulohen të gjitha të vërtetat, ku vendimi i bordit të saj është vendimtar dhe përcaktues për t’u pranuar në listën e konkurrimit të çmimit “Oscar”. Në letrën e vetme që arritëm të nxirrnim nga ministria, si dëshmi e gjithë kësaj kakofonie, është një kërkesë drejtuar me pak radhë Akademisë së Çmimeve “Oscar”, ku thuhet ndër të tjera se filmi i Milkanit është selektuar nga Komiteti i Selektimit të Filmave, pra që nënkuptojmë bordin e QKK-së. Pa firmën e anëtarëve të bordit filmi nuk mund të shkojë në Amerikë, si një nga kërkesat kryesore për të hyrë në konkurrim. Edhe këtu regjisori Pirro Milkani së bashku me drejtorin e QKK-së kanë mashtruar, kanë gënjyer. Këtë e ka pohuar dje për gazetën “standard”, kryetari i bordit të QKK-së, Kiço Blushi. Të gjithë anëtarët e bordit, - ka thënë Blushi, - nuk kanë dijeni për filmin e Milkanit dhe asnjë prej tyre nuk ka firmosur një kërkesë të tij, që mund të njihet si aplikim për në konkurrimin e çmimit “Oscar”. Blushi e ka quajtur skandal edhe faktin që emrat e tyre janë çuar në Akademinë e “Oscar”-it, duke manipuluar kërkesën zyrtare që ka paraqitur Milkani, ndërkohë që bordi nuk e ka miratuar dhe as nuk ka diskutuar se cilët filma mund të konkurrojnë. “Ky është një manipulim i opinioni publik, praktikë që duhet diskretituar, gjë që tregon se kryetarët kanë pushtetin e plotë dhe brodet janë formale. Është luajtur me emrat tanë, dhe kjo është një shkelje”. Kjo ka qenë deklarata e Kiço Blushit, si kryetar i bordit të QKK-së, duke na treguar formalitetin e bordeve dhe njëkohësisht duke na justifikuar veprimet e Ferrit, si njeri arbitrar me fuqinë që i jep mandati. Nëse kjo mund të jetë aq e vërtetë kur do të reagojë bordi i QKK-së, në të cilin bëjnë pjesë emra publikë si Ndriçim Xhepa, Elvira Diamanti, Fatos Baxhaku, Todi Bozo etj., cili është autoriteti dhe sensibiliteti i tyre për këtë situatë gënjeshtrash, dhe manipulimi?! Kiço Blushi, që na flet në emër të të gjithë bordit, thotë se në mbledhjen më të afërt do të diskutohet, por kjo mbledhje sërish është në kompetencën e Ferrit.
Nëse nuk do Ferri, edhe për nja një vit të mbledhë bordin, atij nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë për gjithë këtë përgjegjshmëri. Ndërsa në të kundërt, sikur historia të nisej nga e para ne do të kishim fatin të dëgjonim për herë të parë se çfarë mendimi do të jepte ky bord, për të paktën tri filma, që mund të diskutoheshin për konkurrimin në “Oscar”.
Por Milkani ka e vendosur bashkë me Ferrin, vjedhurazi, për të shkuar në “Oscar”, që kërkuan të manipulonin ministrin, opinionin publik dhe në finale mashtruan bordin e QKK-së. Tani të gjithë rrinë sus, sepse ministri e pohoi: Milkani ka gënjyer se ka firmën e autoritetit më të lartë me vete. Ndërsa letra që mban firmën e vetme për të shkuar “Trishtimi i zonjës Shnajder” në “Oscar”, është zhdukur.
30/10/2008
standart
Krijoni Kontakt