
Postuar më parë nga
Albo
Thaçi: Serbia de fakto dhe de jure ka filluar ta njohë Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar si një fillim të mirë takimin e mbrëmshëm me kryeministrin serb, Ivica Daçiç.
Thaci vlerësoi se çdo shtet e ka një Mitrovicë ose pjesë problematike të vendit, por tërësia territoriale e Kosovës, sipas kryeministrit kosovar, është e njohur dhe e garantuar ndërkombëtarisht. Thaçi tha se marrëveshja e mbrëmshme për doganat, është një arritje e re e shtetit të Kosovës. Me këtë marrëveshje, sipas tij, Serbia de jure e njeh Kosovën.
“Serbia de fakto dhe de jure ka filluar ta njohë Republikën e Kosovës. Në veri më në fund duhet të ketë rend dhe ligj, duhet të ketë gjykata, duhet të mbahen zgjedhje të lira dhe autoritet e Kosovës të shtrijnë funksionin në të gjithë territorin e vendit” ka theksuar Thaçi.
Ai edhe njëherë ka përsëritur se Rezoluta e Serbisë, është e pa vlerë për Kosovën dhe është vetëm për konsum të brendshëm të Serbisë.
Thaçi ka thënë se strukturat paralele që kanë kryer krime do të dëbohen dhe ata që kanë bërë krime do të dënohen. Kreu i ekzekutivit ka thënë se Kosova ka hyrë në procesin e bisedimeve dhe kthim prapë nuk ka.
Duke folur për problemin e përmendores së UÇPMB-së, kryeministri Thaçi ka thënë se beson në vendimet e urta dhe të drejta të liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
“Qeveria e Kosovës do të mbështet avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon. Kemi biseduar me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës se shqiptarët e Luginës do të bëhen me Universitet” ka thënë Thaçi.
(RTK/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt