Metropol, 27/11/2008

Ekonomia nuk konkurron as fqinjët

Raporti për konkurrueshmërinë globale e rendit ekonominë tonë në vendin e 106-të

Politikat antimonopol dhe dominimi i tregut na renditin të fundit në rajon

Ekonomia shqiptare është më pak konkurruese. Kjo edhe në raport me fqinjët e rajonit. Sa i përket situatës globale ajo lë pas vetëm 21 vende. Ky është rezultati i raportit të konkurrueshmërisë globale, ku vendi ynë renditet i 106-ti nga 130 shtete të marra në shqyrtim. Mungesa e konkurrencës është një nga problemet e ekonomisë shqiptare, por gjithashtu komuniteti i biznesit përballet edhe me nivele të larta të korrupsionit, infrastrukturës dhe burokracisë së administratës shtetërore. Problem i mprehtë është edhe rritja e deficitit tregtar, që sipas ekspertëve ka arritur në rreth 320 miliardë lekë gjatë vitit 2008.

Të dhënat

Nga vendet e rajonit Shqipëria vjen pas Bosnjës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Moldavisë. Sipas ekspertëve të ekonomisë shqetësues është fakti se në vendin tonë vijon rritja e çmimeve, ndërkohë që bursat jashtë reagojnë ndryshe. Shpjegimi lidhet me treguesin e dominimit të tregut dhe efektivitetin e politikave antimonopol, që na rendisin shumë poshtë. “Në të dyja këto tregues ne rreshtohemi të fundit në rajon. Mund të jemi dobët në nivel botëror, por është shqetësuese që jemi në vend të fundit në rajon për treguesit kryesorë, përfshi këtu stabilitetin ekonomik që konsiderohet për Shqipërinë si pikë e fortë. Ndërkohë që renditemi të parafundit për eficencën e tregut dhe institucionet”, - tha Selim Belortaja, gjatë prezantimit të raportit.

Problemet kryesore

Korrupsioni, infrastruktura dhe burokracia shtetërore janë tre problemet kryesore të ekonomisë së vendit. Në studimin e qendrës për tregtinë ndërkombëtare theksohet se ekonomia vendit vuan mungesën e konkurrencës. Indeksi për këto tregues është në nivele shumë të ulëta. “Raporti i konkurrueshmërisë globale e ka pasur këtë shqetësim e ka matur eficiencën e tregut në përgjithësi dhe na ka rreshtuar ndër vendet e fundit në rajon lidhur me eficiencën e tregut”, - theksoi Belortaja.

Deficiti tregtar

Deficiti tregtar ka shënuar një rritje prej 40 miliardë lekësh në krahasim me vitin e kaluar, gjë sipas ekspertëve të ekonomisë është një tjetër shqetësim, pasi ka kapur shifrën prej 320 miliardë lekësh. “Qeveria u tregua entuziaste për raportin e Bankës Botërore ‘Doing Bisness’, që e rendiste Shqipërinë si vendin e dytë në botë për nga reformat. Por sipas këtij raporti, ekonomia shqiptare ka shumë probleme”, - tha Belortaja. Rritja e deficitit, sipas tij, kërkon burime financimi konkrete. Burime këto që janë aktualisht të rrezikuara nga pasojat e krizës financiare globale. Edhe sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë rënie mund të pësojnë jo vetëm të ardhurat nga emigrantët, të cilat financojnë këtë tregues, por edhe investimet e huaja.