Progres-raporti i Komisionit Evropian, i cili pritet të bëhet publik në datën 5 nëntor, e vlerëson përsëri Shqipërinë me nota negative.
Zbardhen pikat e progres-raportit. Qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit
TIRANË - Progres-raporti i Komisionit Evropian, i cili pritet të bëhet publik në datën 5 nëntor, e vlerëson përsëri Shqipërinë me nota negative. Korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiku i qenieve njerëzore, janë tre fushat ku qeveria shqiptare ka mbetur në “klasë”. Sipas raportimeve të medieve, të akredituara në Bruksel,raporti i Bashkimit Evropian për vendin tonë, nuk ka dhënë vlerësimet e pritshme për Shqipërinë, duke evidentuar si problematike arritjet, pikërisht në ato fusha, të cilat qeveria jonë i ka propaganduar si më të suksesshme.
Konstatimet
Raporti bën një sërë konstatimesh negative për progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj të forcimit të demokracisë, por më kryesoret janë pikërisht ato që kanë të bëjnë me ato fusha, që qeveria Berisha i ka paraqitur si më të suksesshmet. Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, megjithëse vlerësohen përpjekjet që ka bërë në minimizimin e këtij fenomeni, raporti evidenton se, “korrupsioni mbetet i shtrirë gjerësisht dhe se përbën një problem shumë serioz”.
Gjithashtu, një çështje tjetër ku duket se qeveria ka dështuar në përpjekjet e saj, është edhe lufta kundër krimit të organizuar, për të cilën vlerësohet se “mbetet problem serioz, pasi progresi ka qenë i kufizuar” për shkak të korrupsionit dhe mbrojtjes së dobët të dëshmitarëve. Pika e tretë, kritike, është lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, ku progres-raporti vlerëson se mbetet ende një problem serioz, me të cilën qeveria dhe shtetit shqiptar duhet të merret seriozisht.
Progres i kufizuar raportohet edhe për luftën ndaj pastrimit të parave dhe trafikut të drogës. Sipas raportit, megjithëse Shqipëria ka vazhduar të shënojë progrese në demokraci dhe sundimin e ligjit, përsëri institucionet e shtetit kërkojnë përforcim të mëtejshëm për të qenë plotësisht të depolitizuara. “Reforma kyçe u miratuan nga konsensusi ndërpartiak, por kultura e dialogut mes partive politike dhe funksionimi i duhur i institucioneve të shtetit kërkojnë përforcim të mëtejshëm”, - vlerëson Komisioni Evropian në raportin e tij.
Sipas raportit ka pasur progres në reformimin e sistemin gjyqësor, por funksionimi vazhdon të jetë i varfër dhe mbetet shumë punë për garantimin e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit.
Fqinjët
Vlerësime jo pozitive ka marrë edhe shteti më i ri i Ballkanit, Kosova, e cila sipas raportit, shënon progresin më të ulët në rajon. Pas shpalljes së pavarësisë, dhe miratimit të kushtetutës, Komisioni vlerëson që i gjithë legjislacioni mbetet për t’u zbatuar. Sfidat kryesore për Kosovën shtet janë vlerësuar se janë përforcimi i sundimit të ligjit, politikat antikorrupsion, lufta kundër krimit të organizuar dhe rritja e dialogut dhe pajtimit mes komuniteteve. “Pas vendosjes së qeverisë së re, janë vonuar reformat edhe për shkak të statusit dhe deklaratës së pavarësisë”, - thekson raporti.
Ndërkohë, për Maqedoninë, siç dhe pritej, Komisioni nuk rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim. Problemet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2008, mungesa e dialogut politik mes partive kryesore dhe përmbushja e pjesshme e prioriteteve kyçe, janë arsyet kryesore që rendit raporti për këtë vend.
------------------------------------------------------------------------
Jones: Reformat të mos prekin ekuilibrat e pushteteve
TIRANË - Shtetet e Bashkuara të Amerikës këmbëngulin se, respektimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, mbetet një kusht i domosdoshëm që garanton funksionimin e demokracisë. Qëndrimin e shprehur disa ditë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon ëidhers, e ka ripërsëritur dje zv. ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Stuart Jones, gjatë një takimi që ka pasur me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Duke biseduar në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe debatet mbi reformat, kryesisht në fushën e drejtësisë, zyrtari i lartë amerikan, ka theksuar se këto reforma nuk duhet të prekin ekuilibrat mes pushteteve. Gjithashtu, Jones, u shpreh se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kërkon thellimin dhe forcimin e reformave politike dhe ekonomike, duke nënvizuar faktin se, ky proces i rëndësishëm angazhimesh, nuk përfundon me nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit.
Lidhur me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, zv.Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, Shtetet e Bashkuara, dëshirojnë të shohin zgjedhje të suksesshme, të lira dhe demokratike. Duke u ndalur në reformat kryesore, bashkëbiseduesit vlerësuan reciprokisht ecurinë e deritanishme të reformës zgjedhore. Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste, i shprehu zv. Ndihmëssekretarit Amerikan të Shtetit, Stuart Jones, falenderimet më të sinqerta për ndihmën dhe mbështetjen që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë dhënë Shqipërisë dhe aspiratës së shqiptarëve për integrim Euro-Atlantik. Zv.
Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Stuart Jones, ka zhvilluar dje një takim edhe me kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimit, kreu i ekzekutivit theksoi se, ngjarje madhore për vitin e ardhshëm, janë zgjedhjet e përgjithshme dhe se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka është e mundur për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, në mënyrë që vendi të shkëputet përfundimisht nga tradita e diskutimit për cilësinë e zgjedhjeve. Kryeministri siguroi se qeveria po përgatit regjistrin dixhital të shtetasve, kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike.
Enjte, 30 Tetor 2008
Fejzi Braushi
Shekulli
Krijoni Kontakt