Konsumimi i hakmarrjes politike të Edi Ramës ndaj Ilir Kokonës
Katër ditë më parë, kryetari i njësisë bashkiake nr. 3 në Tiranë, Ilir Kokona, u gjend i rrethuar në banesën e tij nga forcat e Policisë Bashkiake të Tiranës dhe Ndërtimores, me pretendimin se banesa e tij aktuale ishte një ndërtim pa leje dhe se për këtë duhet shembur edhe pse ndërtesa ashtu si shumë në proces legalizimi shprehet se më parë ishte kërcënuar nga Edi Rama.
Vetë Kokona deklaroi se ky akt ka pasur prapavija të qarta politike për shkak se vjen vetëm pak kohë pas largimit të tij nga Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama, duke iu bashkuar projektit të ri të nanoistëve pagëzuar me emrin PS ’91.
Kreu i njësisë bashkiake nr. 3, është njoftuar fillimisht me telefon rreth orës 14.00 të ditës së diel nga i ati i tij, Muharrem Kokona se disa fugonat të policisë bashkiake kishin rrethuar godinën. Kur Kokona i ka kërkuar një dokument zyrtar se ku bazohej aksion i prishjes së shtëpisë së tij, ata iu përgjigjën: nuk kemi asnjë shkresë dhe nuk të japim llogari ty.
Tentativat e tij për të kontaktuar në telefon me Ramën kanë qenë të kota ndërsa, fugonat e Policisë Bashkiake kanë pasur nën rrethim ndërtesën deri mëngjesin e ditës së hënë. Madje Kokona është shprehur gjithashtu se ditën që zyrtarisht u shkëput nga PS-ja, ka takuar kryesocialistin Rama që e ka kërcënuar hapur këtë lëvizje.
“Pasi më dëgjoi të gjitha arsyet pse unë largohesha nga PS-ja, më tha, ‘Mendohu mirë!’ ‘Jam menduar i thashë’. ‘Do pendohesh, do kesh pasoja, do të shkatërroj!’, më tha. Në ato momente ai ishte shpërfytyruar, ndërsa unë nuk ia mora shumë për bazë këtë kërcënim. Më pas ca miqtë e tij, që ai i mban si Man Kukaleshi nëpër bashki, erdhën më takuan dhe më bënë presione që unë të tërhiqesha, duke më kujtuar familjen, fëmijët etj. Edhe këta nuk i mora për bazë. Pastaj ndodhi kjo që ishte një akt fashist”, deklaroi Kokona pas këtij incidenti.
Në bazë të dokumenteve që disponon familja Kokon, ndërtesa trekatëshe është hipotekuar që në vitin 2000. Sipas vërtetimit hipotekor, kjo pasuri e ndodhur në zonën kadastrale 8140 mban numrin 3/279.
Gazeta 55
Krijoni Kontakt