Një ditë në shtëpinë e të moshuarve. Lojrat që luajnë, ushqimet dhe shtypin e ditës që lexojnë.
E martë, 28 Tetor 2008 11:03
Shpeshherë në jetë kemi dëgjuar teksa u thuhen të moshuarve fjalët të tilla: "bën si fëmijë". Në jetë, janë dy grupmosha, të cilët duan më shumë përkujdesje, janë fëmijët dhe të moshuarit. Të vegjëlit duhen mbajtur prej dore që të ngrihen, ndërsa të moshuarit duhen mbajtur prej dore që të mos rrëzohen.
Ka fëmijë të porsalindur, të cilët braktisen nga prindërit e tyre dhe përfundojnë në shtëpinë e fëmijëve, por nga ana tjetër, janë dhe të moshuarit, të cilët dëbohen nga shtëpia nga fëmijët e tyre, duke përfunduar në shtëpinë e të moshuarve. Pikërisht për këtë fenomen, vendosëm të kalojmëm një ditë me të moshuarit në Shëtëpinë e tyre në Tiranë,
Aktualisht, në këtë shtëpi të përbashkët, ndodhen rreth 30 të strehuar, nga të cilët, 22 burra dhe 8 gra që janë bërë pjesëtare të reja kohët e fundit, duke sjellë për herë të parë praninë e femrave në azil. Ajo është një godinë dy katëshe, e cila është përshtatur për të jetuar të braktisurit. Dhomat kanë nga dy krevate tek, një televizor për secilën dhomë, dollapë, që ata e ndajnë gjysmën njëri dhe gjysmën tjetri, për të vendosur veshmbathjet e tyre.
Një ditë në shtëpinë e të moshuarve nuk mundtë themi se nis si një ditë në një familje të zakonshme, pasi secili prej të moshuarve, pasi zgjohet në mëngjes, sipas dëshirës, shkon në lokal për të pirë kafenë e mëngjesit ku, në fakt, duhet t'ua bënte nusja e djalit në shtëpi. Ashtu, aty të ndarë në grupe, duke shijuar aromën e kafesë, nën tymin e cigares, ngacmohen me njëri-tjetrin, duke diskutuar për një lojë shahu, apo dominoje, të cilën e kanë luajtur një ditë më parë.
Rreth orës 9:00 të mëngjesit, ata bëhen gati për të ngrënë mëngjesin, i cili është gatuar nga kuzhinierja e shtëpisë së të moshuarve. Mëngjesi për ta, pothuajse është i ndryshëm, ka ditë që është: vezë, gjalpë, qumësht, por ka ditë të tjera që hanë dhe pilaf. ata duhet të kujdesen për veten e tyre, që nga shërbimi i kafesë, e deri te larja e rrobave. Pasi ushqehen, ata shkojnë nëpër dhomat e tyre, pasi dikujt i duhet të të lajë rrobat e veta, dikujt tjetër të hekurosë, por ka dhe të tjerë, të cilët shkojnë në dhomën e ndenjes dhe shikojnë televizor, ndësa të tjerë dalin nëpër qytet për të bërë xhiron e ditës.
Në shtëpinë e të moshuarve, një gjë të bën përshtypje, pasi ata çdo ditë, porositin shtypin e shkruar, sipas preferencave. Atyre u pëlqen të lexojnë shumë se çfarë ndodh me politikanët dhe politikën shqiptare. Kjo gjë, shpeshherë, krijon debate midis tyre. Por ajo që u intereson vërtet atyre, është të dinë se çfarë ndodh më pensionet e tyre. Në orën 13:00, ata të gjithë gjenden në shtëpi për t'u mbledhur pranë tavolinës dhe, secili prej tyre, duhet të ulet në tryezë për të drekuar. Sot për drekë të moshuarit do të shijojnë gjellë me mish me patate, më pas një nga një ata dalin në kopësht me gazeta nëpër duar, për të tymosur.
Dikush i lexon dhë i komenton më zë të lartë, të tjerët e shfletojnë në faqet e fundit të gazetës për të plotësuar fjalëkryqin. Kështu kalon dhe pjesa tjetër e ditës për të për të mbërritur ora 20:00 e darkës, orari kur ata ulen për të ngrënë vaktin e tyre të fundit për atë ditë. Ata asnjëherë nuk pyesnin se çfarë ka për të ngrënë, por hanin çfarë t'u gatuanin.
Në darkë, duke ngrënë makarona, secili prej tyre shprehte nga një dhimbje në fytyrë, pasi tashmë ata do të flenë dhe nuk ndodhen pranë familjes, nuk ndiejnë aromën e bijve të tyre. Por kishte dhe nga ata të moshuar, të cilët kishinmarrë nga një telefonatë nga familjarët e tyre dhe, në darkë, do ta bënin gjumin e qetë. Nga 30 të moshuarit, ne na ra në sy personazhi ynë, i cili nuk ndihej fare kur të tjerët flisnin, i veshur me një palë pantallona të asaj kohe dhe një këmishë, mbi të cilën kishte një triko të zbehtë
Kamber Çuçoli tregon se si përfundoi në azil ndonëse ka familjarë dhe të afërm. Jeta kështu më dënoi:
Me tre fëmijë përfundova i braktisur në azil
"Punova gjithë jetën dhe tani kam përfunduar në shtëpinë e të moshuarve". Kështu nis bashkëbisedimin 74-vjeçari, Kamber Çuçoli, i cili, që prej 9-vjetësh, është i strehuar në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë. Ai pohon se rrjedh nga një familje tiranase e vjetër, por kjo nuk e ka ndihmuar aspak për të pasur një vazhdimësi normale të jetës, me një familje të bashkuar dhe me banim në Tiranë. Nga martesa me bashkëshorten, që 74-vjeçari nuk dëshiron t'i përmendet edhe emri tashmë, ai pati tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
Por, kjo martesë, do të përfundonte disa vite më vonë. Për disa probleme familjare, ai është ndarë nga bashkëshortja e tij, e cila vazhdon jetën së bashku me tre fëmijët e saj. Çuçoli shprehet se: "Kam punuar tërë jetën për t'u siguruar një jetë më të mirë fëmijëve. Ata ma shpërblyen duke më lënë këtu në shtëpinë e të moshuarve. Sistemi i atëhershëm na dha një banesë, tek e cila kam jetuar unë për shumë vite me radhë, edhe pas divorcit, pasi të tre fëmijët, vinin herë-herë dhe jetonin me mua", - shprehet i moshuari.
Por, në vitin 1996, sipas tij, ndodhi edhe fatkeqësia më e madhe. Dy djemtë e tij kishin vendosur që ta shisnin shtëpinë dhe paratë që do të merrnin nga shtëpia, do t'i fusnin më pas në firmat piramidale, për t'i shumuar. "E shitëm shtëpinë 12 milionë lekë të vjetra dhe të gjitha paratë i futëm në firmat rentiere.
Në kushte jo të mira ekonomike dhe me një pension që nuk më dilte as për ilaçe, i thashë djalit të madh që të jetoja bashkë me të, pasi edhe shtëpinë me qera nuk e mbaja dot, por ai më refuzoi pasi, sipas tij, nuk mund të më mbante dot, sepse ishte i papunë dhe nuk i dilte llogaria as për të mbajtur fëmijët e tij", - pohon i moshuari, duke shtuar se, djali i vogël, ende nuk ishte stabilizuar, por edhe ai, kur u martua, nuk pranoi që të më mbante, pasi do të jetonte në shtëpi me qera dhe nuk mund t'i përballonte dot shpenzimet dhe kështu, vendosa që t'i drejtohem shtëpisë së të moshuarve, ku kam afro 9 vite që jetoj me bashkmoshatarët e mi.
Tushi: Fluks kërkesash për t'u strehuar në shtëpitë e të moshuarve
Fatkeqësisht, ky fenomen, po gjen gjithnjë e më shumë terren, pasi vetëm në 9-mujorin e fundit, ka patur një shifër rekord kërkesash për t'u strehuar, ku numërohen mbi 400 të tilla. Nga ana tjetër, jo të gjithë e kanë këtë "fat", pasi shtëpitë e të moshuarve, nuk ua ofrojnë këtë mundësi, por të moshuarit përzgjidhen me anë të një komisioni dhe ata që plotësojnë kriteret, pranohen.
Këtë e pohon specialsiti i Shërbimit Social Shtetëror, Gëzim Tushi, i cili shpjegon për gazetën shkaqet e këtij fenomeni. Kështu, duke patur parasysh numrin e lartë të kërkesave për strehim në këto qendra, specialisti Gëzim Tushi, pohon se, çdo muaj ka më shumë se 30 këkesa për strehim. Sipas tij, në vendin tonë, janë pesë intitucione për strehim që janë të ngritura në qytetin e Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës, Kavajës dhe në Tiranë, ku numri i pjesëtarëve, sa vjen e shtohet.
Të pamajftueshme për të pritur fluksin e kërkesave, Tushi shpjegon se, për të ulur sadopak krizën që ka pllakosur familjet shqiptare, janë gjetur edhe zgjidhje të tjera, për të mos i larguar të moshuarit gjithmonë nga familjet e tyre, që janë pikërisht qendrat ditore. Të moshuarve në këto qendra, u ofrohet strehimi, ushqimi, si dhe argëtimi, kundrejt çmimeve fare simbolike. /gazeta shekulli/
Krijoni Kontakt