Edi Rama, hakmarrje politike me Polici Bashkiake ndaj dy vëllezërve Kokona
» Vendosur: 29/10/2008 - 09:53
•
Aristir Lumezi
Kryetari i njësisë bashkiake nr. 3, Ilir Kokona, i cili u gjend i rrethuar në banesën e tij nga forcat e Policisë Bashkiake të Tiranës dhe Ndërtimores, shprehet se më parë ishte kërcënuar nga Edi Rama. Sipas tij, pretendimi i bashkisë për t’i prishur shtëpinë, e cila është në proces legalizimi, ka prapavijë politike për shkak se ai u largua nga PS-ja dhe i është bashkuar “PS ’91". Debatet e tij me Edi Ramën, sipas Kokonës, kanë nisur kur kryetari socialist i kërkoi manipulimin e votave të delegatëve të kongresit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
Zoti Kokona, çfarë ka ndodhur dje në banesën tuaj?
Rreth orës 2.00 mbasdite më merr në telefon im atë dhe më thotë se rreth shtëpisë tonë kanë ardhur furgona të bashkisë dhe policë të saj. Shkoj dhe shoh se ishin policë bashkiakë, të inspektoratit të ndërtimit dhe pyes se përse kanë ardhur. Më thonë se kemi ardhur të prishim shtëpinë. Unë i kërkova një dokument zyrtar, një shkresë ku bazohej ky aksion i tyre. Nuk kemi asnjë shkresë dhe nuk të japim llogari ty, më thanë. Kërkoj në telefon Ramën, drejtorët e bashkisë dhe askush nuk më përgjigjej. Deri në mëngjes furgonat e Policisë Bashkiake kanë pasur nën rrethim shtëpinë time, policë që qeshnin dhe bënin gallatë në mes të natës me zë të lartë.
Shtëpia juaj është cilësuar një objekt i paligjshëm për t’u shembur. Prish ajo një plan urbanistik të zonës?
Aspak, shtëpia ime është ndërtuar që në 1997 dhe është me leje dhe me firmën e zotit Rama dhe shtesa që ne kemi bërë është në proces legalizimi.
Para se ju t’i bashkoheshit “PS ’91" ka pasur ndonjë kërkesë për prishjen e shtëpisë tuaj?
Absolutisht, zoti Rama ka ardhur disa herë në shtëpinë time, po ashtu dhe dy kryeinspektorët e Bashkisë së Tiranës dhe s’kemi pasur asnjë problem. Para tre muajsh kam dorëzuar tek inspektorati ndërtimor shkresat e mia, kjo ndërtesë është nën emrin e vëllait tim dhe në të banojnë katër familje ku kemi investuar të gjithë.
Ju mendoni se këtu ka një prapavijë politike. Përse këmbëngulni tek ky shpjegim?
E them këtë, sepse ditën që unë zyrtarisht jam shkëputur nga PS-ja, kam takuar zotin Rama ku edhe jam kërcënuar prej tij.
Si është zhvilluar biseda juaj e fundit me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe kryetarin e PS-së?
Ditën që unë i thashë Edi Ramës se po iki nga PS-ja, ai u shpërfytyrua dhe madje më ka kërcënuar.
Ju i kishit kërkuar takim atij?
Jo, takimin ma kërkoi Rama dhe unë e takova në selinë e PS-së.
Ndërkohë ne kishim bërë shumë debate të mëparshme që kulmuan me largimin tim nga PS-ja. Që në çastin që ai me disa miqtë e tij, që është turp t’i thuash socialistë, sepse nuk janë të tillë, edhe pse janë deputetë, pasi shumë vonë kanë hyrë në PS, më thërret dhe më kërkoi që unë të manipuloja kongresin e fundit kur do zgjidhej Asambleja Kombëtare. Unë nuk pranova të bëja këtë kompromis me ta, pasi kisha besuar te “një anëtar, një votë”, nuk pranova të futesha në një zyrë në godinën e PS-së dhe të vendosja kush duhet të jetë dhe kush nuk duhet të jetë në Asamblenë Kombëtare, ashtu siç u bë. Ky ishte një zhgënjim i madh për mua dhe unë dhashë dorëheqje nga gjithçka, pasi votova në kongres. Më pas u përplasa me Ramën për sharjet që ai i bënte qeverisjes socialiste për tetë vjet rresht. Ai hidhte poshtë gjithçka qeverisjet e PS-së kishin bërë në emër të politikës së re. Ndërkohë që ai ka rreth vetes ata ministra socialistë që nuk paskan bërë asgjë për tetë vjet.
Cila ishte biseda juaj e fundit me Edi Ramën?
Rama, pasi e kishte marrë vesh se unë po kaloja tek “PS ’91", më kërkoi ta takoja në zyrën e tij në PS. Unë i paraqita të gjitha rezervat që kisha për gjithë drejtimin e partisë prej tij dhe gabime të rënda përbaltëse. Ai arriti të më thotë që nëse do të rrish me mua, rri si duhet, nëse jo derën e ke të hapur. Madje, ai më tha se më mirë të kishe shkuar tek PD-ja sesa vajte tek “PS ’91". Unë i thashë se tek PD-ja e kishte ai vendin dhe jo unë, sepse unë jam socialist prej kohësh. Pasi më dëgjoi të gjitha arsyet pse unë largohesha nga PS-ja, më tha: “Mendohu mirë! Jam menduar i thashë. Do pendohesh, do kesh pasoja, do të shkatërroj!, më tha. Në ato momente ai ishte shpërfytyruar, ndërsa unë nuk ia mora shumë për bazë këtë kërcënim. Më pas ca miqtë e tij, që ai i mban si Man Kukaleshi nëpër bashki, erdhën më takuan dhe më bënë presione që unë të tërhiqesha, duke më kujtuar familjen, fëmijët etj. Edhe këta nuk i mora për bazë. Pastaj ndodhi kjo e djeshmja që ishte një akt fashist.
Cili ka qenë reagimi i socialistëve për këtë situatë?
Sot kam pasur shumë telefonata, nga ata që nuk kanë ardhur në “PS ’91", madje dhe nga përfaqësues të lartë të PS-së, që me kurajo më thanë se “Çfarë po bën ky i çmenduri?!” Më vjen keq për ta, sepse s’kanë ç’bëjnë asgjë më tepër.
Hakmarrje me Polici Bashkiake
Fatos Mahmutaj
Një polic i Policisë Bashkiake kishte mbetur ditën e djeshme i vetëm për të bërë roje pranë banesës së familjes Kokona në rrugën “Qemal Stafa”. Kolegët e tij të Policisë Bashkiake dhe ata të Policisë Ndërtimore ishin larguar paraditen e djeshme njëri pas tjetrit, pasi kishin kaluar gjithë zhurmë natën aty në pritje të fillimit të operacionit për shkatërrimin e dy kateve të banesës së Muharrem Kokonës. I zoti shtëpisë, Muharremi, ende nuk e ka marrë veten nga ai që e quan terror të policëve të Edi Ramës. Pasi na tregon policin që qëndron pa lëvizur në trotuarin e rrugicës, nis të rrëfejë se një ditë më parë, rreth orës 12:00, kishin mbërritur gjashtë persona në banesën e tij, të cilët i ishin prezantuar si inxhinierë të bashkisë. “Pronari i shtëpisë je?”, i ishin drejtuar ata, dhe pas përgjigjes pohuese nga Kokona i kishin komunikuar se dy katet e sipërme të banesës ishin pa leje dhe duhet të prisheshin.
Debati
“Ikni, se shtëpinë e kam mbaruar prej kohësh së ndërtuari dhe tashmë banoj në të, - ua ktheva”, thotë Muharremi, ndërsa pak minuta më vonë aty kishin mbërritur një grumbull policësh dhe civilësh që i kishin komunikuar se do të nisnin menjëherë nga puna për prishjen e dy kateve të banesës. “Pasdite rreth orës 17:30, në ndihmë të policëve erdhën edhe dy furgonë të Policisë Bashkiake dhe mjaft policë dhe civilë të tjerë, me mjete civile, që i filmova me celular”, pohon Kokona, të cilët, pasi i kishte pyetur se çfarë kërkonin aty, i ishin përgjigjur: “Kemi urdhër të rrimë këtu”. Duke komentuar këtë bisedë dhe veprimet e bashkiakëve dhe ndërtimorëve, Kokona tha se janë të papëlqyeshme, për më tepër që djemtë e tij njëri është i zgjedhur bashkiak, ndërsa tjetri ishte kreu socialist lokal, por që pak ditë më parë ishte shkarkuar nga Rama.
Arsyet varfanjake
“Nuk kishin shkresë zyrtare për të argumentuar prishjen e dy kateve të banesës, madje asnjë arsye sado varfanjake që të ishte”, tha Kokona duke shtuar se kishte këmbëngulur në bisedë me ta që t’i tregonin arsyet pse kishin zbarkuar rreth shtëpisë së tij. Përgjigjja për këtë kishte qenë e thjeshtë: “Kemi ardhur të mbikëqyrim shtëpinë”. Në këtë kohë, Muharremi, i ati i kreut të njësisë bashkiake, duke iu shmangur të gjitha provokimeve të tyre tregon se u kishte thënë: “Nuk i lejoj vetes të bëj apo krijoj incidente me juve”, ndërsa kishte telefonuar Policinë e Shtetit në numrin 129. Pak minuta më vonë, sipas tij, aty kishte mbërritur një grup i gatshëm që kishte marrë kontakt me policët bashkiakë. Pas kësaj policët e rendit i kishin thënë Kokonës se bashkiakët ndodheshin në detyrë dhe se nuk kishin asnjë kompetencë për t’i larguar që andej.
Banesa
“Djali im Iliri, që ditët e fundit braktisi Partinë Socialiste për të kaluar me ‘PS ’91’, ka vetëm një hyrje në këtë banesë”, thotë Kokona, duke shtuar se nëse kishte probleme për ndërtimin e banesës së tyre, atëherë duhet të thërritej ai dhe jo djemtë që kishin veç nga një hyrje. “Po këta nuk thirrën asnjë, por erdhën direkt për ta prishur”, tregon Muharremi. Sipas tij, problemet e partisë që Edi Rama ka me djemtë e tij duhet t’i zgjidhin me mënyra të tjera dhe jo duke prishur shtëpinë. “Edi Rama është autori i gjithë kësaj rrëmuje”, tha Kokona, ndërsa tregonte për ndërtimin e shtëpisë, e cila sipas tij ka përfunduar vite më parë dhe se dispononte të gjithë dokumentacionin e duhur. Djali tjetër i Muharremit, Arjani, pohon se në kohën kur kishte parë që banesa e tij të rrethohej nga policë dhe civilë të shumtë i kishte dërguar mesazh celular kryebashkiakut Edi Rama. Ky e kishte marrë në celular dhe i kishte thënë të mos e shqetësonte pasi nuk dinte asgjë për këtë. “Po ti sa herë më ke marrë në telefon dhe më ke dërguar sms shqetësuese, dhe unë nuk paskam të drejtë të të them se po më bën presion duke më dërguar gjithë Policinë Bashkiake”, pohon se i ka thënë Arjani kryebashkiakut Edi Rama, ndërsa tregoi në celular mesazhin që i kishte dërguar kryesocialisti pas kalimit të Ilir Kokonës te “PS ’91".
Thirrja për Edi Ramën:Na sqaro publikisht
TIRANE – “Edi Rama të më sqarojë publikisht dhe jo gojarisht për këtë sjellje që ka bërë ndaj familjes time, duke më terrorizuar fëmijët e vegjël, (nipër e mbesa), nëpërmjet presioneve të vazhdueshme që u bën djemve dhe që kulmuan me ‘zbarkimin’ e Policisë Bashkiake dhe Ndërtimore ditën e djeshme (të hënën) në banesën time”. Kështu pohoi dje Muharrem Kokona, pasi policët bashkiakë ishin larguar njëri pas tjetrit, duke mbetur aty vetëm një prej tyre. Duke i mëshuar faktit se gjithçka ishte hakmarrje politike e Edi Ramës, Kokona tha se pikërisht për këtë kryesocialisti dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës duhet ta sqaronte publikisht këtë situatë që kishte krijuar. f.m.
Dokumenti, banesa u hipotekua në 2000
TIRANE – Banesa e familjes Kokona, sipas dokumenteve që disponon Muharrem Kokona, është hipotekuar tre kate në vitin 2000. Sipas vërtetimit hipotekor, kjo pasuri e ndodhur në zonën kadastrale 8140 mban numrin 3/279. Objekti është përshkruar në certifikatë të jetë tre katesh i destinuar për banim. Sipërfaqja e ndërtimit është 115 metër katrorë, ndërsa trualli i ndërtimit është 184 metër katrorë. Më tej thuhet se banesa që ndodhet në rrugën “Qemal Stafa” në katin e parë ka sipërfaqe ndërtimi 121 metër katrorë, ndërsa dy katet e mësipërme kanë sipërfaqe secili 138 metër katrorë, të ndara në apartamente tre plus një. Më pas familja Kokona ka shtuar edhe dy kate të tjerë të banesës, të cilët së bashku arrijnë në 274 metër katrorë. Në bazë të një vërtetimi të lëshuar dje nga ALUIZNI, rezulton se objekti pesëkatësh i Muharrem Kokonës është përfshirë në procesin e legalizimit. Kjo vërtetohet nga një dokument i ALUIZNI-t, ku thuhet se pas verifikimeve të kryera në bazë të të dhënave të administruara nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, rezulton se më 23 janar 2008 Kokona ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit për legalizimin e dy kateve pa leje.
panorama
Krijoni Kontakt