www.atafili.wordpress.com
Ti kur epërsinë kundërshton!
“E mos u dobësoni dhe mos u dëshpëroni derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.” – Kur’an, 3:139
Shkruan: Avni Tafili
Le ta dijë pra secili musliman, se epërsinë, të cilën Allahu i Madhëruar ia premtoi, nuk mund ta arrijë, e as ta shijojë, veçse duke qenë i zgjuar, i urtë, gjakftohtë, mendjendritur, largpamës, durimtar, e punëtor.
Epërsi, epitet, jo, por premtim për njerëzit që i binden të vërtetës, janë të sigurt në fitore, të përkushtuar në rrugëtimin e tyre, asgjë fare nuk ua thyen rrugën, janë të përqendruar në atë që thonë, mendojnë dhe veprojnë. Janë plotësisht të bindur se të jesh në epërsi, do të thotë, të jesh me të vërtetën. Epërsia nuk është për njerëzit që frikë i kanë edhe hijes së tyre! Jo, kurrsesi! Epërsia është për njerëzit e fuqishëm. Jo të fuqishëm fizikisht, por të fuqishëm shpirtërisht! Po këta, nuk kundërshtojnë epërsinë e premtuar!
Epërsia i takon njerëzve të pastër, të ngritur moralisht, të ndritur mendërisht. Nuk mund të jesh në epërsi, përderisa dyshon në forcat tua. Jo, po s’mund të jesh më i mirë se të tjerët ndërsa ti dobëson vetveten duke luftuar me njerëz që nuk i thërrasin arsyes e kanë zemra të verbëta! Ti me mendje synon epërsinë, por ti në realitet synon krenarinë vetjake. Po, ti e tërë ajo që bën, është t’ua dëshmosh të tjerëve, sesa në epërsi ndaj tyre je!
Jo, ti je i pafuqishëm. Ti nuk mund të ndryshosh asgjë. Ti rri i vetmuar ndaj të tjerëve, që ti ndaj tyre ndihesh i epërm. Ndërsa, “të tjerët” bëjnë punën e tyre. Jo, nuk ke për të shijuar epërsinë, përderisa ti epërsinë tënde nuk e dëshmon me vepër që fryte jep! Çdo kush mund të thirret në epërsi, por jo çdo kush mund ta dëshmojë atë! Të epërm nuk janë njerëzit që rrinë në xhungël, e as ata që rrinë në periferi, por ata që depërtojnë në shoqëri, depërtojnë aty ku jeta lëvizë, aty ku gjuha dhe dora vepron!
Ti je njeri që paragjykon! Kundërshton të komunikosh. Kundërshton të rrish me njerëz që në duart e tyre është pushteti, qoftë edhe i përkohshëm. Si mund ta dëshmosh epërsinë, kur ti vetë epërsinë e nëpërkëmbë duke qëndruar mbrapa syve të njerëzve. Njerëzit flasin, ndërsa ti gjithnjë u kundërvihesh mbrapa krahëve. Jo, kjo nuk është cilësi e njerëzve që kanë epërsi ndaj të tjerëve.
E epërsia për të cilën po flitet, nuk mund ta kenë njerëzit që burimin e kësaj epërsie nuk e shfrytëzojnë! Jo, e shfrytëzojnë, por vetëm për të ushqyer egon, për të ushqyer emrin e tyre! Ti ke fuqi të pashfrytëzuar, ke shpalljen dhe udhëzimin hyjnor, burim të pashtershëm kurrë! E që ti me to mund të prekesh çdo gjë që qëllon syri i mendjes sate! Por jo! Ti ulë vetveten duke menduar se po ulë të tjerët; shter fuqinë, duke menduar se po shter fuqinë e të tjerëve!
E të tjerët, derisa kryejnë operacionet e tyre, ti rri duke vështruar! “Je i epërm”, por në ëndrrat tua!
Le ta dijë pra secili musliman, se epërsinë, të cilën Allahu i Madhëruar ia premtoi, nuk mund ta arrijë, e as ta shijojë, veçse duke qenë i zgjuar, i urtë, gjakftohtë, mendjendritur, largpamës, durimtar, e punëtor. Allahu është me durimtarët! E ti pra durim s’ke, apo fare pak! E ç’di ti, ç’do të thotë durimtar të jesh! Durim: është pritje e frytit; fryt që ti e ke mbjell! Jo, ti s’ke pse duron, sepse s’ke ç’pret, një fjalë, një ofendim, ti shpërthen, ti largohesh, ti vetmohesh, ti izolohesh! Po, edhe vetes i thua: jam në epërsi ndaj të tjerëve!
Musliman, fjalë që ka peshë! Jo fjalë që thjesht e thotë gjuha, kur njeriu me nguti e pakujdesi flet! Është përgjegjësi. Është vendosmëri. Është këmbëngulësi! Ti kur vetes musliman i thua, dije se, je pjesë e Ummetit! Nuk je më vetëm. Prej teje varet edhe zgjimi, varet përmirësimi, varet çdo gjë! E muslimanët janë në epërsi, përderisa ata durojnë, edhe kur fyhen! E kur fyhen, presin fryte, pasi fyesit, mashtruesit, të padrejtit, fundi i pret çdo çast. Por atë çast, ti, mund ta ngadalësosh ose ta përshpejtosh! E ti epërsinë e premtuar mund ta prekësh, kur çdo herë e më tepër i afrohesh atij çasti!
Mos më fol për vlerat që ke! Mjaft më duke pëshpëritur atë që ndjen, a mendon! Depërto e vepro! Nderi i muslimanit çdo ditë nëpërkëmbet, sepse ti ende mendon se diçka nga qielli do të zbres, e do të të ngrejë lartë! Vetëm nëse je duke pritur pra çastin e vdekjes! Por edhe atë e shijojnë, shijim ngadhënjyesi, vetëm të epërmit duke u përpjekur që nderi dhe dinjiteti i muslimanit të mos cenohet. Jo ti, ti s’je i epërm! Të epërmit nuk dorëzohen, nuk dobësohen, nuk lodhen, nuk ftohen. Të epërmit e kanë zemrën gjithnjë plot vrull, e mendjen plot zgjim, e shpirtin plot shpresë në Allahun e Madhëruar!
E pra, ti lartësoje Zotin tënd, Allahun e Gjithëpushtetshëm, prej agimit deri në mbrëmje, e përkujto se, t’u është premtuar se do të jesh prej të lartëve, përderisa ti Atij i përulesh, Atë e lartëson, dhe askujt nuk i trembesh, e askujt nuk i përulesh, as vetvetes sate! Duke qëndruar kokulur, por mendjezgjuar, duke qëndruar syulur, por dritëgjatë, po kështu do të jesh prej të lartëve në virtyt e në vepër, e do të çash gjithçka në paqe e në heshtje, me urtësi!
Përgjigjja është dituria dhe shkalla e urtësisë! Nuk ka lartësi e as epërsi, po s’patë zgjuarsi e strategji!
“All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni.” – Kur’an, 58:11
O Allah! Na udhëzo të ndjejmë dhe të arrimë të shijojmë dhuntitë Tua ndaj nesh!
Ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem
Krijoni Kontakt