Ne jemi viktima, shqiptarët janë fajtorë!

Evis HALILI

Shkup, 20 tetor - Maqedonasit, serbët dhe bullgarët, vuajnë nga të njëjtat paragjykime, stereotipa dhe kanë një këndvështrim të ngjashëm ndaj botës. Të dhënat publikohen nga një hulumtim ku ndër të tjera, në pyetjen se cili prej popujve kryeson grupin e shkaktarëve të konflikteve - 38.7 për qind e të anketuarve në Maqedoni kanë akuzuar shqiptarët dhe grekët, shqiptarët dhe boshnjakët (18 për qind) dhe më pak grekët e boshnjakët.

Hulumtimi sociologjik "Stereotipat në brenda familjes dhe fqinjëve tanë" i realizuar në territoret serbe, maqedonase dhe bullgare dhe që organizohet nga Ministria e Shkencave e Serbisë ka treguar se serbët mendojnë se shqiptarët dhe kroatët janë fajtorët kryesorë të konflikteve (44 për qind), ndërsa te afro 36 për qind e të anketuarve bullgarë dominon opinioni se popujt më destabilizues janë shqiptarët dhe boshnjakët. Të pyetur se cilët janë dy popujt që kanë kontribuar më shumë për konsolidimin e paqes, të anketuarit në Maqedoni janë përgjigjur se këtu merita kanë maqedonasit dhe serbët, ndërsa pas tyre radhiten maqedonasit dhe romët.

Në Serbi pohojnë se janë dyshja - serbë e grekë, në vend të parë grekët, maqedonas dhe grekë, ndërsa një pakicë mendon se janë maqedonasit dhe serbët. Në Bullgari besojnë se më shumë paqedashës janë bullgarët dhe grekët si dhe bullgarët dhe rumunët. Hulumtimi i publikuar nga agjencia e lajmeve "Makfax" tregoi po ashtu se të anketuarit në tre territoret, kombësinë e tyre e trajtojnë me ekskluzivitet, ndërsa të pyetur nëse janë të gatshëm të sakrifikojnë për interesat dhe dinjitetin e atdheut të tyre, shumica dërmuese i janë përgjigjur pozitivisht.

Një nga kokluzionet e hulumtimit është se shkaktarë për konfliktet e dy dekadave të fundit të ndodhura në Ballkan, janë forcat e mëdha dhe popujt e tjerë ballkanas. Kështu mendojnë 72.3 për qind e të anketuarve në Maqedoni, 76.3 për qind në Bullgari dhe 91.5 për qind e të anketuarve në Serbi. Të pyetur nëse këto konflikte janë shkaktuar nga nacionalizmi i vetë popujve, shumica e të anketuarve e kanë pohuar si të vërtetë, 69.3 për qind në Maqedoni, 61.7 për qind në Serbi dhe 53.2 për qind e të anketuarve në Bullgari. Ndonëse në këtë rast nuk kanë kritikuar nacionalizmin vetjak. "Nga njëra anë, të gjithë të anketuarit shfaqin një ksenofobi tradicionale ndaj të tjerëve, po ashtu jetojnë me ndjesinë se iu është rrëmbyer diçka që u takon", vëren sociologu serb Gjikoca Jovanoviç.

Ai shton se paralelisht me këtë, ata janë të bindur në ekskluzivitetin e tyre dhe vuajnë nga konfuzioni i vlerave. "Për këtë shkak ekziston një shqetësim i përligjur që eurointegrimi i tyre do të ndodhë pa një integrim të vërtetë dhe dialog mes tyre". Sociologu Jovanoviç është profesor në Fakultetin Filozofik në Beograd dhe pjesë e projektit "Kultura e paqes, identitetet dhe marrëdhëniet ndëretnike të Ballkanit në proceset eurointegruese". Projekti në fjalë zgjat deri në vitin 2010, ndërsa ka publikuar edhe të dhënat e para të hulumtimit sociologjik. Ky hulumtim rreket t'u japë përgjigje enigmave të Ballkanit. Si janë ballkanasit? Sa janë të prirur për konflikte, të gatshëm për tolerance dhe sa janë "të pjekur" për integrimin evropian mes tyre. Në pjesën e parë të hulumtimit që është mbyllur dedikuar stereotipave dhe paragjykimeve, dominon mendimi "ne jemi viktima".

Mes stereotipave të brendshëm, kryeson opinioni "historia jonë ka qenë përherë e lavdishme" dhe "për problemet tona janë fajtorë të tjerët, ne jemi vetëm viktima". Pas hulumtimit, sociologët kanë arritur në konkluzionin se këto stereotipa dhe të tjerë, të ngjashme me to, në të ardhmen do të jenë pjesë e mendësisë shoqërore të Ballkanit.

GAZETA KOHA - MAQEDONI