Kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”
Z.Kryeministër, para 41 vjetësh Shqipëria u largua nga Traktati i Varshavës. Para 20 vjetësh ajo ishte edhe më e izoluar se Koreja e Veriut sot. Pas dy javësh Shqipëria do të jetë në NATO. Çfarë i sjell Shqipërisë anëtarësimi në NATO?
Shqipëria është një vend i vogël me 3 milionë banorë. Nga këta, 96% mbështesin anëtarësimin në aleancë, pra më shumë se çdo vend tjetër i NATO-s. Nga ana strategjike, krahu juglindor i NATO-s do të bëhet edhe më i fortë. Për frymë të popullsisë Shqipëria jep një kontribut të lartë ushtarak në botë: 420 ushtarë shqiptarë shërbejnë aktualisht në Afganistan, Irak, Çad dhe Bosnje. Ne jemi gati për më shumë. Por para së gjithash, sepse qëllimi i NATO-s është që prej armiqve të fitohen miq. Në këtë kontekst është një fitore e jashtëzakonshme, që vendi më i egër komunist i botës të jetë pjesë e Aleancës.
Është arritje e shqiptarëve apo e Xhorxh Bushit?
Sikur të mos na kishte mbështetur Presidenti Bush, ne sot nuk do të ishim në NATO. Ne i jemi shumë mirënjohës atij për këtë mbështetje. Megjithatë, Shqipëria vitet e fundit ka bërë reforma impresionuese, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Pa përpjekjet tona, të gjitha fjalët apo premtimet, qoftë edhe të Xh. Bushit, nuk do të kishin mjaftuar.
Edhe pse ekonomia shqiptare në vite është në rritje, ajo akoma vazhdon të jetë nga vendet më të varfra. Pse?
Sepse ne ishim vërtet Koreja e Veriut e Evropës. Kur unë u bëra President i vendit pas rënies së regjimit komunist, rroga ime ishte 16 USD në muaj – si President. Sot si kryeministër unë marr rreth 2000 euro në muaj. Ky raport në rritjen e pagave vlen për të gjithë vendin dhe vlen gjithashtu edhe për pensionet. Duhet të shihet gjithnjë, se nga çfarë niveli të ulët u bë ristartimi i Shqipërisë.
Më 1997 ju dhatë dorëheqjen si President për arsye të kolapsit të firmave piramidale, që premtonin përqindje të larta. Sa u ngjall kujtimet e asaj kohe kriza globale sot?
I krahasueshëm është shkaku: Babëzia e njerëzve për pasurim. Populli im atëherë, me një të kaluar komuniste, nuk dinte asgjë për financat. Nga 1991 e deri më 1997, askush, as institucionet ndërkombëtare nuk dinin gjë për tullumbacen që më në fund plasi. Mungonin pothuajse fare mekanizmat e kontrollit, të cilat duhet të integrohen tani.
Pas zgjedhjes suaj si kryeministër më 2005, ju thatë se Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së më 2010. Me sa duket deri atëherë nuk do të bëheni dot. Kur do të bëheni anëtarë të BE-së?
Shpejtësia varet nga shumë faktorë. Njëra prej tyre është kriza ekonomike aktuale. Për të folur tani për plane kohore, do të ishte një gjë e gabuar. Por populli im i është drejtuar Perëndimit dhe BE-së.
CDU-ja, të cilën ju e konsideroni si parti konservative, dëshiron të përfundojë momentalisht zgjerimin e BE-së me Kroacinë. A jeni ankuar për këtë gjë tek miku juaj i vjetër Helmut Kohl?
CDU-ja ndodhet para zgjedhjeve dhe kjo gjë duhet parë në këtë kontekst. Nuk kam as dyshimin më të vogël, se Gjermania dhe CDU, nën traditën e Helmut Kohl-it, me të cilin kam akoma kontakte, do të mbetet fuqia motorike për integrimin e gjithë Evropës në BE.
Ju keni qenë kardiologu i diktatorit Enver Hoxha, që vdiq më 1986 pas 40 vjet sundim stalinist. A ju vret ndërgjegjja që keni punuar për zgjatjen e jetës së këtij njeriu dhe vuajtjeve të popullit tuaj?
Faleminderit për pyetjen. Unë kurrë nuk kam qenë mjeku i Enver Hoxhës. Unë kam punuar në spitalin qeveritar dhe atë e kam parë ndonjëherë. Por ai kurrë nuk më ka thirrur për ta vizituar. Nëse unë do të duhej ta trajtoja atë nga ana mjekësore, atëherë unë do ta bëja. Si mjek i jam i detyruar të kujdesem për jetën, pavarësisht se e kujt është. Shokë të mi e kanë trajtuar Enver Hoxhën, edhe unë nuk do të refuzoja. Hoxha kishte parkinson, vuante nga demencia (plakje e hershme e trurit, humbje e logjikës) dhe para së gjithash paranoid. Paranoja e tij ishte shkaku i vërtetë për vuajtjet e gjata të shqiptarëve.
Një nga politikanët e rrallë ishte Franc Jozef Shtrausi që e vizitoi atë para 25 vjetësh.
Më kujtohet mirë ajo ngjarje. Kishim shpresë se vendi ynë do të hapej pakëz. Por Hoxha e dinte më mirë se kushdo tjetër, se hapja më e vogël do të ishte fundi i regjimit të tij. Ai nuk kishte qenë kurrë mik me Stalinin dhe unë dyshoj nëse ai pati mundësinë të rrinte e të takohej ndonjëherë me të. Por ai ishte i kënaqur që e trajtonin si stalinist, sepse ai e konsideronte respekt frikën e njerëzimit kundrejt kriminelit Stalin.
E veja e Hoxhës është sot 87 vjeçe. Ajo ka thënë së fundi se për Shqipërinë nuk ekziston alternativa e anëtarësimit në NATO.
Ajo ishte mentori i tij në 15 vjetët e fundit të jetës. Ajo kishte pushtetin e vërtetë dhe e mbështeste atë në paranojën e tij. Kanë qenë njerëz të tmerrshëm.
Çfarë do të thoshte Hoxha 100-vjeçar për zhvillimet që ka marrë Shqipëria?
Oh, kjo do ta kishte shembur fare. Ai ka qenë edhe atëherë i çmendur. Por nuk do ta kishte mbijetuar dot lidhjen tonë me Perëndimin
http://www.panorama.com.al/index.php?id=26361
Krijoni Kontakt