Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Greqia si spiunoi Shqipërinë në NATO

    Sa janë shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë? Sa janë minoritarët grekë në Shqipëri? Përgjigja befasuese vjen nga një dokument zyrtar i prodhuar nga ministria e jashtme greke: “... të përqënduar në jug (grekët) përbëjnë tre të pestat e popullsisë, pa përfshirë vllehët greqishtfolës”. Ky dokument nuk është përpiluar nga “segmente të caktuara nacionaliste të fqinjit, anëtar prej vitesh në BE e NATO, siç thuhet rëndom për to, ai është një dokument zyrtar i vetë qeverisë greke. Ky fakt është shkëputur nga një letër zyrtare e firmosur nga ish-ministri i jashtëm grek Maliviotis dhe i është dërguar ish-homologut të tij holandez Bernard Bott, në javën e dytë të qershorit 2004. Në datën 1 korrik të të njëjtit vit, Hollanda merrte presidencën e radhës të BE-së dhe një letër e tillë synonte të vinte atë në dijeni për probleme të mundshme që një vend anëtar i BE-së kishte me një vend tjetër. “Çdo gjashtë muaj, në ministrinë e jashtme të cilitdo vend që merr presidencën, dërgohet pothuaj i njëjti dokument, që në vetvete është qëndrimi zyrtar i qeverisë greke ndaj Shqipërisë”, pohon një burim diplomatik i cili nuk mund të identifikohet. Sipas tij, në raste të tilla, vendi që ka presidencën fillimisht njeh palën e interesuar me pretendimin e vendit tjetër dhe e shënon zgjidhjen e këtij problemi në axhendë. Në rastin e përplasjes shqiptaro-greke ka ndodhur e njëjta gjë. Një procedurë që vetëm formalisht ngjan si rutinë, por që në thelb jep një shfaqje të padiskutueshme të asaj çka nuk është dhe nuk mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si “frymëzim që vjen nga qarqe të ndryshme dhe segmente të caktuara të shoqërisë dhe politikës greke”, por si një qëndrim konstant i saj dhe tërësisht zyrtar.
    MAPO ka mundur të sigurojë dokumentin integral që jep provën pikërisht për një gjë të tillë. Ky është një dokument nga ata që në gjuhën diplomatike konsiderohet si sekret, MAPO e publikon atë për të hedhur dritë përtej asaj që konsiderohet si suprinë e qetë marrëdhëniesh mes dy vendeve. Mes Shqipërisë dhe Greqisë, që prej vitit 1941 vazhdon të qëndrojë në fuqi një ligj absurd lufte, pavarësisht se Shqipëria tashmë ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe Greqia është anëtar i këtij pakti ushtarako-politik prej dekadash.
    Sot, katër vjet pas firmosjes së këtij dokumenti nga Maliviotis, problemet mbeten po aty në rastin më të mirë ose kanë shkuar dhe më tej. Nën pretekstin e “ndjeshmërisë së thellë” të opinionit publik grek, Greqia zyrtare ka kërkuar në mënyrë gati ultimative ndërtimin e katër varrezave për ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. I pari në Këlcyrë është ndërtuar tashmë, kërkohet dhe Korça e gjetkë, çka e parë në hartë shënon pikërisht kufirin virtual të ashtuquajturit Vorio Epir. Muaj më parë, kjo kërkesë është transmetuar në mënyrë gati ultimative nga Kasimatis, zëvendësministër i jashtëm grek, i cili e ka lidhur madje pranimin e kësaj kërkese me firmosjen apo refuzimin e MSA-së për Shqipërinë nga Parlamenti grek.
    Të martën e kaluar, në Tiranë, në ministrinë e jashtme u zhvillua një takim maratonë mes dy delegacioneve teknike, shqiptaro-greke, pikërisht për çështjen e varrezave. Sërish asnjë detaj publik e zyrtar për takimin në nivel drejtorësh të drejtorive. Diskutimet e gjata konkluduan vetëm në një pikë, që ato të vazhdojnë të zgjaten përsëri.

    Dokumenti sekret


    Eshtë plot 11 faqe dhe mban titullin “Minoriteti etnik grek në Shqipëri”. Në dukje një material prezantues, i ndarë në nënkapituj, që fillon që me “background”-in historik dhe përfundon me radiot dhe televizionet në gjuhën e minoritetit. Referencat e të shkuarës janë të shumta dhe në to gjen çudira që shpjegojnë edhe “detaje” po kaq të çuditshme për të sotmen.
    Ato fillojnë me numrin e popullsisë së minoritetit në jug, ku sipas dokumentit përbëjnë tre të pestat e gjithë popullsisë, numër në të cilin nuk përfshihen vllehët greqishtfolës. Vazhdojnë me arsimin në gjuhën greke. Sipas dokumentit, në vitin 1921, mbas hyrjes së Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, u garantua në vend “arsimimi në gjuhën amtare, e drejta për të praktikuar lirisht besimin fetar, e drejta për përfaqësim të barabartë në punësimin publik...”. Një dekadë më pas, po sipas të njëjtit dokument, në 1933, kushtetuta shqiptare mbylli një numër shkollash të minoritetit, çka u bë problem në Lidhjen e Kombeve dhe në “Permanent Court of International Justice in the Hague”. Për të dëshmuar thellësinë e problemit, dokumenti përmend se në 1913, mbas shpalles së pavarësisë, në Shqipëri ndodheshin 409 shkolla greke, nga të cilat 86 në Gjirokastër, 74 në Korçë, 73 në Berat, 21 në Himarë. “20 vjet më pas, në 1933, mbeten vetëm 10 të tilla”, shkruhet në dokument.
    “Mbas Luftës së Dytë Botërore, minoriteti grek... u ndodh nën një plan të orkestruar për të zvogëluar numrin e tij...”. Dokumenti pretendon se minoritarët u bënë subjekt i një shtypjeje qeveritare për të fshehur identitetin e tyre etnik, duke i larguar nga vendbanimet, duke shmangur të drejtën e arsmimit në gjuhën kombëtare dhe duke shqiptarizuar emrat e tyre. “Një nga vendimet e para të regjimit të E. Hoxhës ishte që të limitonin territorin ku jetonin... vetëm në zona të veçanta në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër dhe Përmet. Grekët që jetonin ose lëviznin jashtë këtyre zonave, humbisnin automatikisht të drejtat e minoritetit”, shkruhet në dokument, i cili gjithashtu shënon se në 1967, “janë konfiskuar pronat e institucioneve religjioze dhe u shkatërruan... rreth 2500 kisha”. Po të njëjtat tone përdoren për të përshkruar dhe të sotmen në sjelljen e qeverive shqiptare ndaj këtij problemi: të drejtat e minoritetit... “janë ende të parespektuara janë zonave të minoritetit”. Shënohen arreste të minoritarëve – në 1994 – manipulime të rezultatit të zgjedhjeve dhe refuzimi shqiptar për të përfshirë pyetjen për kombësinë në regjistrimin e popullsisë, (2001). “Kisha po ristabilizon veten, por problemet me administratën ekzistojnë ende”.
    Në dokument theksohet disa herë fakti që lëvizja e minoritarëve grekë, nga zonat “minoritare”, ka bërë që ata të humbasin statusin e tyre si të tillë. Pa dhënë shifra konkrete, dokumenti referon se në 1919, popullsia greke në Shqipëri numurohej deri në 120 mijë banorë, kurse për këto shkaqe, në regjistrimin e 1989, ajo ishte shënuar në 60 mijë banorë. Për të mbërritur 12 vjet më pas, në numrin 49 mijë, por pa përmendur se regjistrimi konsideron si banorë ata qytetarë që ndodhen në vend në momentin e kryerjes së tij dhe pa marrë parasysh emigracionin masiv.
    Dokumenti vazhdon me probleme të arsimit, të administratës publike dhe përfshirjes së grekëve minoritarë në të, shqiptarizimin e emrave të tyre, çështje të sigurisë, zgjedhjeve të lira, të pronave, të toponimisë, përdorimin e greqishtes në marrëdhënie me autoritetet e deri tek transmetimet radiotelevizive.

    Përgjigja shqiptare


    Besohet se letra e ish-ministrit të jashtëm grek Maliviotis, u bë e njohur në Shqipëri gjatë takimit të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano me Bernard Bott, ministri i jashtëm holandez, në vjeshtën e vitit 2004. Asgjë zyrtare nuk u botua në lidhje me këtë detaj të takimit. Besohet se palët pozuan problemin, Bott neutral, kurse Nano duke e kundërshtuar këtë dokument. Një vit më pas, diplomacia shqiptare ka prodhuar gjithashtu një material bazë, i cili jep përgjigje, pothuaj në mënyrë simetrike për të gjitha pretendimet zyrtare greke. Materiali është i klasifikuar, por MAPO ka mundur të sigurojë në vija të përgjithshme përmbajtjen e tij, të shtrirë në 15 faqe.
    Materiali shqiptar ka gjithashtu një prapavijë historike. Ai nis me problemin e shkollave në gjuhën greke, por me shifra tërësisht të ndryshme nga ato që përmenden në dokumentin grek. “Në vitin 1922 në Shqipërinë e Jugut ekzistonin 36 shkolla në gjuhën greke, me 2614 nxënës dhe 49 profesorë. Në Himarë, me një popullsi dy gjuhëshe, kishte tre shkolla me 318 nxënës. Në 1933 në gjithë Shqipërinë kishte vetëm 77 shkolla private, nga të cilat 10 ishin fillore greke”. Një vit më pas, 54 fshatra me popullsi greqishfolëse prej 29 mijë banorësh, kishte secila nga një shkollë fillore.
    “Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë regjimit komunist, pjestarët e pakicës greke nuk kanë qenë objekt i diskrimimit të posaçëm dhe ata kanë ndarë fatin me shumicën e shqiptarëve”, ndërsa për periudhën e pluralizmit pohohet se “pakica gëzon të gjitha të drejtat në përputhje me standartet demokratike evropiane...”.

    Numrat e minoritetit

    Kjo është dhe pjesa më interesante e materialit përgjegjës shqiptar. Ai i referohet fillimisht vitit 1922 kur një Komision i Lidhjes së Kombeve kryen inspektim në jug të vendit dhe rezulton se minoritarët grekë shkonin në shifrat 35 deri në 40 mijë banorë, ose një të gjashtën e popullsisë së zonës. Në regjistrimin e vitit 1930, popullsia greqishfolëse llogaritej në 37271 banorë. Në vitin 1989, përqindja e popullsisë joshqiptare luhatej në kufinjtë nga 2 për qind deri në 3.5 për qind. Dhe nga ky numër, grekët përbënin rreth 90 për qind të totalit të pakicave të përbërë edhe nga maqedonas, serbomalazezë, arumunë e të tjerë. Pakica greke shkonte deri në 58759 banorë. Një vend të veçantë në material zë dhe arsimimi që përfshin në gjuhën greke, të tre nivelet e shkollimit, parashkollor, nëntë vjeçar dhe të mesëm të përgjithshëm.
    Më pas kapitujt e materialit shqiptar vazhdojnë me të njëjtën renditje si dokumenti zyrtar grek, flitet për administratën publike dhe përfshirjen e minoritarëve në të, përdorimin e emrave dhe mbiemrave të pakicave, njësitë administrative, zonat zgjedhore, çështjen e pronave, toponimet, përdorimi i greqishtes në marrëdhënie me autoritetet e programet radiotelevizive. /Revista Mapo /

    Iliria News Agency
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Po s'kane faj keta humbamenot qe cdo gje kane qe nga ajka e kombit e deri te rrenojat antike, i kane shqiptare, kane faj shqiptaret qe rrine kokeulur si dele..


    --------------------------------------------------------------------------------------



    GJURMË TË LETËRSISË SË VJETËR TË SHQIPTARËVE TË GREQISË 1860-1889
    GJURMË TË LETËRSISË SË VJETËR TË SHQIPTARËVE TË GREQISË
    1860-1889

    Autor: Arben P. Llalla
    Shtëpia Botuese: Tringa Design, Tetovë, Prill 2006.



    HYRJE

    Të pakët janë njerëzit të cilët e njohin historinë e vërtetë të shqiptarëve
    të Greqisë, që njihen me emrin arvanitas. Arvanitasit, janë pjesë e kombit
    shqiptar të cilët ndër shekuj jetojnë në Greqi. Emri arvanitas rrjedh nga
    fjala arbana, ndërsa fjala arbana rrjedh nga fjala ar+ban=arbanës, njeri që
    punon tokën. Shqiptarët e lashtë, nga njerëzit që u morën me letërsi, dituri
    dhe fe, quheshin ilirë dhe më vonë albanë.

    Ilirët dhe albanët vetëquhen: arbër, arbanë, arbëreshë, shqiptarë, kurse
    atdheun e tyre e quajtën Arbëri, Shqipëri, e kurrë nuk e quajtën atdheun e
    tyre Iliri dhe Albani. Gjeografi i lashtë Klaud Ptolemeu (90-160), për herë
    të parë përmendi popullin "alban" dhe kryeqytetin e tij Albanopolis, të
    vendosur prapa Durrësit. Ana Komnena (1083-1146), e bija e perandorit
    bizantin, Aleksi I, e cila, në historinë e saj të njohur, shkruante se
    popullsia, që ndodhet pas Durrësit, e quante veten "Arbanez".

    Në fillim të shekullit XII, normanët, në këngën e Rolandit në gjuhën frënge,
    e quanin krahinën nga Durrësi në Vlorë ALBANA. Bota perëndimore vazhdoi të
    përdorte emërtimin ALBANIA, gjatë periudhës 150 vjeçare të kryqëzatave
    1096-1208, ku Durrësi u bë porti kryesor dhe rruga Egnatia u bë shtegu
    kryesor përmes Shqipërisë Qendrore, që të nxirrte në Kostandinopojë dhe më
    tutje në Lindje. Por, atëherë pse shqiptarët e Greqisë e quajnë veten e tyre
    arbëreshë deri në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, edhe më
    tej njihen me emrin arvanitas?! Emri shqiptar, nuk është më i vjetër se
    rreth shekullit XV dhe kështu, arbëreshët e Greqisë, dhe Azisë së Vogël,
    gjithmonë janë quajtur "arvanitas" nga njerëzit që shkruanin historinë dhe
    letërsinë me shkronja që njihen si të helenëve. Ndërsa arbëreshët që u
    larguan për në Itali nga Greqia dhe Arbëria e quajnë veten e tyre deri më
    sot arbëresh, kurse zyrtarisht nga shteti italian njihen me emrin albanesi.
    Mbase, emërtimi arban, duhet të jetë i vjetër njëlloj me emërtimin alban,
    mirëpo, dallimi qëndron se si na thërrasin popujt e ndryshëm. Po të shohim
    qytetet e vjetra pellazge dhe ilire, ato janë ndërtuar pranë lumenjve, duke
    qenë afër tokave pjellore, pra, afër arave. Fjalë që emërton njerëzit të
    cilët punonin tokën, arbërës.

    Në gjuhën greke, arbanët, thirren arvanitas, sepse grekët shkronjën B të
    alfabetit latin e lexojnë V, pra, arvanitas dhe atdheu i tyre Arvanitias në
    gjuhën greke. Turqit, arvanitasit i quajnë "arnaut" ose "arnavud", kurse
    arvanitasit ortodoks të Kostandinopojës dhe të Egjiptit i quajnë "greci". Që
    arbëreshët janë quajtur edhe me fjalën "greci" kemi fakte të vërteta si
    p.sh. qyteza Hora e arbëreshëve në Palermo na e dëshmon këtë. Kjo qytezë,
    shumë vite më parë, nëpër librat zyrtarë të shtetit italian shënohej "Piana
    Dei Greci", por më vonë u shënua me të drejtë "Piana Degli Albanesi", dhe
    një qytezë tjetër e banuar me arbëreshë në Avello të Italisë njihet sot me
    emrin Greci. Një dëshmi tjetër rreth këtij emërimi na sjell gjeografi
    Siçilian Thommaso Fazello (1498-1570), shkruan se: "Shqiptarët që erdhën në
    fillim në Bisiri u quajtën "greci". Më tej këta shqiptarë të quajtur "greci"
    u vendosën përgjithmonë në Contessa Entella rreth vitit 1450".


    NGA HISTORIKU I SHQIPTARËVE TË GREQISË

    Studimet për shqiptarët e Greqisë, që njihen me emrin arvanitas, janë shumë
    të pakta, për të mos thënë aspak. Sot, burimet historike, kulturore,
    gjuhësore, letrare dhe muzikore janë shumë të kufizuara ose mungojnë
    plotësisht. Strukturat shtetërore greke janë kujdesur që burimet historike,
    kulturore dhe letrare arvanitase të mos dalin në dritë. Kështu, na mungojnë
    shumë dokumente me vlera të mëdha historike për kombin e arbërit.
    Arvanitasit e Greqisë nuk janë ardhës, nuk janë as minoritet. Ata, ishin dhe
    janë ende në Greqi. Valë të tjera të mëdha të arbërve në drejtim të Greqisë
    ka pasur në shekullin IV-VII dhe XIV, që i njohim nga disa historianë, nuk
    janë veçse, shpërngulje e disa principatave të arbërve të veriut në drejtim
    të jugut për arsye të pushtimeve të tokave të tyre në veri të Arbërisë nga
    pushtuesit sllavë dhe më vonë nga pushtuesit turq. Disa historianë grekë,
    evropianë dhe shqiptarë shumë figura të ndritura heroike, politike dhe
    kulturore arvanitase na i paraqesin si minoritarë grekë ose si u pëlqen
    grekëve "vorioepiriotë".

    Termi grek në shekullin XIX ka pasur domethënie politike dhe jo atë
    kombëtare dhe gjuhësore siç e ka sot. Kështu, Kryengritjen e vitit 1821,
    fuqitë e mëdha evropiane e shfrytëzuan duke i pagëzuar kryengritësit me
    emrin e përbashkët grekë për të realizuar Greqinë politike të sotme. Pra, të
    gjithë kryengritësit e vitit 1821, arvanitasit, elenasit, vllehët, dhe
    bullgarët, në mënyrë të barabartë, pas krijimit të mbretërisë dhe më vonë të
    shtetit grek, morën emrin e përbashkët politik-kombëtar grek. Vetë elenasit,
    në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, parapëlqenin të quheshin
    romei dhe gjuhën e tyre romaikis. Kështu, Rigas Fereos (1757-1798), ideologu
    dhe frymëzuesi i Kryengritjes së vitit 1821, në poemën e tij "Këngë
    Kushtrimi" në një rresht të saj shkruan në gjuhën greke, grekët e sotëm,
    njiheshin romei, kurse shqiptarët me emrin arvanitis.

    Është e vërtetë, që shumë herë arvanitasit ortodoksë u përplasën me
    arvanitasit myslimanë dhe luftuan kundër njeri-tjetrit, pra, ishte një luftë
    fetare. Arvanitasit ortodoksë i luftonin arvanitasit myslimanë sikur të
    ishin turq dhe jo arvanitas, ndërsa arvanitasit myslimanë, i luftonin
    arvanitasit ortodoksë sikur të ishin grekë dhe jo arvanitas2. Shumë dekada
    më parë, mbizotëronte pikëpamja se arvanitasit në Greqi janë një racë e
    ulët. Këtë gjë e besonin dhe vetë arvanitasit, pasi nuk e njihnin historinë
    e të parëve të tyre, që kanë ndihmuar për krijimin e shtetit grek. Për
    mohimin e ndihmesës së arvanitasve në krijimin e shtetit grek, fillimisht u
    mohua raca, gjuha shqipe dhe çdo dorëshkrim i vjetër shqip i shkruar me
    shkronja greke u konservua, për të mos dalë më kurrë dhe për t'i mbuluar
    përgjithmonë pluhuri i harresës. U hodh baltë mbi disa figura të shquara
    heroike të Kryengritjes greke të vitit 1821, që ishin arvanitas, pra,
    shqiptarë, duke i quajtur tradhtarë, duke i burgosur dhe shumë prej tyre u
    vranë në pabesi mbas themelimit të mbretërisë greke. Kështu, ata politikanë
    dhe historianë grekë, që hodhën baltë mbi disa figura të shquara arvanitase
    të 1821, kërkonin që t'i prisnin rrënjët arvanitase në Greqi. Por, nuk ia
    arritën këtij qëllimi dashakeq, sepse jeta historike, politike dhe kulturore
    greke nuk ka kuptim pa qenien e racës shqiptare në Greqi.

    Arvanitasit janë një realitet në shtetin Grek. Ata kanë luftuar në
    Kryengritjen e vitit 1821 bashkë me grekët kundër osmanëve turq, për
    formimin e shtetit grek. Arvanitasit e quajnë veten e tyre zotër të Greqisë.
    Hartuesit e statusit të shoqërisë greke qenë tre arvanitas nga fshati
    Arvanitohori pranë Tirnovas, Bullgari. Ata ishin: Pano Joani, Nikol
    Kristianika, Janaq Adhami3. Është fakt, tashmë nuk mund të diskutohet edhe
    pse deri tani pjesërisht ishte fshehur që 90 ndër 100 heronjtë e
    Kryengritjes së vitit 1821-it, ishin arvanitë4. Që arvanitasit mbajtën
    peshën kryesore të luftës Nacionalçlirimtare të 1821-shit, përveç që ishin
    pjesa dërmuese e popullsisë në Greqi në periudhat e kryengritjes, mund të
    shpjegohet edhe nga fakti që arvanitasit ishin një popull luftarak, krenaria
    e të cilit nuk mund të lejonte poshtërimet e skllavërisë.

    Disa nga arvanitasit heronj të Kryengritjes të vitit 1821 ishin: Gjergj
    Kundurioti, Kiço Xhavella, Andoni Kryezi, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari,
    Noti Boçari, Kiço Boçari, Laskarina Bubulina, Anastas Gjirokastriti,
    Dhimitër Vulgari, Kostandin Kanari, Gjeorgjio Karaiskaqi, Odise Andruço,
    Andrea Miauli, Teodor Griva, Dhimitër Plaputa, Nikolao Kryezoti, Athanasio
    Shkurtanioti, Hasan Bellushi, Tahir Abazi, Ago Myhyrdani, Sulejman Meto,
    Gjeko Bei, Myrto Çali, Ago Vasiari, dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë.
    Arvanitasit janë krijuesit e çetave të komitëve nën pushtimin turk, që
    ruajtën jo vetëm të vërtetën e mosnënshtrimit dhe liridashjes, por edhe të
    kulturës, të zakoneve të lashta, muzikës, valleve dhe këngëve popullore të
    tyre. Më 1674, Konsulli anglez në Athinë, Zhan Zhiroj, thoshte se: "Kleftët
    e fushës si këtu (në Atikë) ashtu edhe në More, janë të gjithë arvanitë"5.

    Arvanitasit, këta luftëtarë trima, heronjtë e Kryengritjes së vitit 1821, jo
    vetëm me armët e tyre luftuan për pavarësinë e Greqisë, por ishin kryetarët
    e parë të shtetit grek të posalindur, që drejtuan Greqinë drejt ndërtimit të
    jetës evropiane. Në vitin 18506, arvanitasi Andoni Kryeziu, kur ishte
    kryeministër, shpalli Kishën Autoqefale Greke, duke e shkëputur përgjithmonë
    nga varësia e Fanarit të Stambollit. Kur arvanitasi Dhimitër Vulgari, ishte
    kryeministër i Greqisë nga vitet 1855-1875, u bë i mundur bashkimi i Shtatë
    Ishujve me Greqinë. Kryeministri Dhimitër Vulgari, mbështeti fuqishëm
    kryengritjen e ishullit të Kretës për t'u bashkuar me të. Gjenerali Teodoros
    Pangallos, pasi u zgjodh Kryetar i shtetit grek (1925-1926), u arritën shumë
    marrëveshje të rëndësishme në fushën e politikës dhe kulturës me shtetin
    shqiptar në ato vite. Nga kryetarët dhe kryeministrat e Greqisë që dolën nga
    fara arvanitase veçojmë: Joani Kapodistria, Gjeorgji Kundurioti, Pavlo
    Kundurioti, Andoni Kryeziu, Athanas Miauli, Diomidh Qiriako, Emanuil Repili,
    Petro Vulgari, Aleksandër Koriziu, Aleksandër Diomidhi, Kiço Xhavella, Jani
    i Ri Kollokotroni, Aleksandër Zaimi, Jorgos Papadhopulos etj.

    Për krijimin e shtetit grek, arvanitasit kanë ndihmuar në të gjitha
    drejtimet për përparimin e Greqisë. Arvanitasit ishin profesorët e parë që
    themeluan Akademinë e Athinës ndërsa investuesi i ndërtesës së Akademisë së
    Athinës ishte shqiptari i pasur nga Voskopoja e Korçës Simon Sina, i cili i
    bëri një dhuratë të madh Greqisë, duke ndërtuar godinën e Akademisë së
    Athinës e cila është edhe sot. Më 1859 filluan punimet e para, për ndërtimin
    e Akademisë më 15 prill 1876, Simon Sina vdes, duke lënë trashëgimtare vetëm
    dy vajza dhe, në bazë të testamentit të tij, e vazhdoi dhe e mbaroi veprën
    gruaja e tij, Ifigjenia Sina, më 1885 [7]. Nga gjiri i familjeve arvanitase
    dolën shumë intelektualë të shquar që u bënë akademikë të Akademisë së
    Athinës si: Dhimitër Egjiniti, Angjelo Gjini, Sotiri Shqipi, Spiridon Doda,
    Vasil Egjiniti, Gjergj Sotiriu, Kostandin Horemi, Aleksandër Diomidhi,
    Maksim Miçopulos, Vasil Malamo, Dhimitri Kaburoglu, Teofil Vorea etj. Mënyra
    e jetesës dhe veshja arvanitase ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve të
    huaj që kanë vizituar Ballkanin në shekujt e mëparshëm. Piktorë të huaj, të
    frymëzuar nga lloj i mënyrës së jetesës dhe veshjes arvanitase, mbushën
    tablotë e tyre me këto tema.

    Shumë tablo me portretin e luftëtarit arvanitas gjenden nëpër muzetë e mëdha
    të Evropës dhe kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë por, nuk ishin
    vetëm piktorët e huaj që u frymëzuan nga mënyra e jetesës, veshja dhe figura
    e luftëtarit arvanitas ose shqiptar. Nga fara arvanitase, dolën shumë
    piktorë, disa prej tyre me famë botërore. Temat frymëzuese të këtyre
    piktorëve të mëdhenj arvanitas ishin betejat fitimtare të princit të
    Arbërisë dhe Epirit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i njohur edhe nga papa Piu
    II, mbret i Albanisë dhe i Maqedonisë më 1458, si dhe lufta shekullore e
    kombit të arbërit për liri, shpërnguljet me dhunë nga trojet e tyre
    shekullore etj. Disa nga këta piktorë arvanitas me famë janë: Polikron
    Lebeshi, Eleni Bukura, Jani Altamura Bukura, Niko Voko, Niko Engonopulos,
    Alqi Gjini, Jani Kuçi, Taso Haxhi, Stamati Lazeru, Thanasi Çinko, Andrea
    Kryeziu, Niko (Gjika) Haxhiqiriako, Buzani, Gizi, Biskini etj. Të gjithë
    këta piktorë të mëdhenj me famë kanë prejardhje shqiptare ngase kanë
    deklaruar vetë që janë nga zonat e banuara me shumicë dërrmuese arvanitase
    si ishulli i Hidrës, Eubea, Atikia8, etj, që janë zemra e Greqisë së lashtë,
    dhe janë banuar dhe banohen edhe sot nga arvanitasit.

    Kështu, një popull me shpirtin luftarak dhe artistik, që nga gjiri i tij
    kanë dalë heronj, politikanë, akademikë, piktorë etj, është e natyrshme të
    shprehej edhe në vargje poetike letrare. Në shekujt e kaluar, gjuhës shqipe,
    i bëhej një luftë e ashpër për ta zhdukur nga kujtesa e popullit të saj.
    Por, edhe ky qëllim dashakeqës nuk u arrit, sepse, populli arvanitas diti ta
    ruajë gjuhën në kujtesën e vet. Mënyra se si është ruajtur gjuha shqipe
    është interesante për faktin se nuk shkruhej në masën e gjerë të popullatës
    arvanitase, nuk e lanë të tjerët që gjuha shqipe të shkruhej! Kështu,
    populli arvanitas zgjodhi rrugën e të kënduarit për të ruajtur gjuhën e tij.
    Këngët arvanitase u përkasin teksteve të këngëve dhe poezisë së lirikave të
    vjetra arvanitase, këngë për lirinë, dashurinë dhe të tipit kaçak, pra të
    njeriut të lirë prej një shpirti të pathyeshëm dhe të ndjenjës popullore.
    Një dëshmi që kemi nga P. Joti që shkroi "Historinë e Shtatë Ishujve" të
    vitit 1866, na vërteton se Suliotët që ishin në Korfuz9, kur pastronin
    armët, këndonin këngët arvanitase për heronjtë e tyre. Në këngët arvanitase
    të Suliotëve nuk kishte asnjë fjalë greke. Dy këngë që këndoheshin nga
    arvanitasit Suliot, gjenden në librin me titull "Bleta Shqiptare" të autorit
    Thimi Mitko, botuar në vitin 1878 në Aleksandri.

    Në vitin 1891, gjermani Arthur Milchkofer, në veprën e tij me titull "Attika
    und seine Heutigen" ndër të tjera shkruan: "Nga ç'di unë, këngët popullore
    greke, u janë përshtatur këngëve të vjetra arvanitase të dashurisë, lirisë
    dhe atyre kaçake"10. Kështu u bë greqizmi gjuhësor, ku u flijua në këtë
    mënyrë kënga e vjetër epiko-lirike arvanitase, e cila kaloi tek brezat e
    rinj në variantin grek dhe kështu u njoh duke humbur identitetin e saj të
    vërtetë shqiptar. Në tetor të vitit 2003, pas një pune 17 vjeçare kërkimesh,
    muzikologu dhe këngëtari i njohur arvanitas Thanasi Moraiti botoi
    antologjinë e parë të teksteve të këngëve arvanitase të Greqisë me titull
    "Antologjia e këngëve arvanitase të Greqisë", një libër shkencor, me vlera
    të mëdha historike dhe kulturore për kombin e arbërit. Kjo antologji, është
    fryti i një pune shumëvjeçare të mundimshme dhe të lodhshme e cila përmban
    në vete jo vetëm një njohje të thellë të antologjisë së gjuhës, por edhe të
    njohjes së thellë muzikore. Bëhet fjalë për një vepër e cila vjen të mbushë
    një boshllëk të madh, më në fund kënga dhe poezia muzikore popullore
    arvanitase është e regjistruar dhe kjo më e pakta e asaj që ekziston, por
    mbi të gjitha është hedhur baza e saj. Dhe kjo është një nga punët me anë të
    së cilës duhet të mbërrijmë dhe të zgjerojmë horizontet tona edhe më tej
    por, përmbledhje të letërsisë arvanitase në një antologji letrare nuk ka të
    botuar e as nuk është zbuluar deri më sot.

    Nga kërkimet e mia tetëvjeçare nëpër arkivat historike greke dhe nëpër
    bibliotekat private të disa intelektualëve arvanitas, gjeta disa tekste
    poetike, kërshëndella dhe vjersha satirike. Njëra nga këto poema është
    shkruar në vitin 1571 nga poeti luftëtar, Manoli Blesi në gjuhën italiane,
    por me shumë greqizma. Disa strofa të poemës, për herë të parë i gjejmë në
    librin e Kostandinos Biris "Arvanitasit Dorjenët dhe Grekët e rinj", dhe në
    librin "Arvanitët dhe prejardhja e grekëve" të autorit Aristidh Kola. Në
    vargjet e poemës, përmenden luftëtarët arvanitas që morën pjesë në luftë
    kundër turqve në Qipro. Poema e shkruar; në italisht nga arvanitasi Manol
    Blesi më 1571, ka mbi 41 strofa, por deri më sot nuk e kam gjetur të tërën,
    përveç strofave të botuara në librin e Kostandin Birit dhe Aristidh Kolës.

    O të varfër Luftëtarë...
    si do t'ia bëjmë nga këtu dhe mot
    të shkojmë me këmbë gjer në Qipro
    të luftojmë tok
    O të varfër Luftëtarë

    4
    Ku është tani Kelmendi madhështor
    Kapedan i Ushtrisë
    dhe ai i Gërbeshi burrëror
    që i bëri turqit me u dridhë
    bashkë me Gjinin e Frasqisë
    Mbushur shpirt e fshehtësi...

    5
    Ku është Shtini dhe Kanaqi,
    Meksi, Lopësi dhe Barbati
    me Andruço mustaqelliun,
    Petro Bua dhe Stamatë
    që së bashku porsi Maçok
    shkonin të gjithë në grackë;
    O të varfër Luftëtarë...

    41
    Dhe hymë në dimër
    do të rikthehemi në verë
    me këtë shoqëri kaq të mirë
    të Kalorësve dhe të Qitësve
    trima dhe luftëtarë të zotë
    siç bënin dhe me të vjetrit tanë
    O të varfër Luftëtarë.....


    GJUHA SHQIPE NËPËR SHEKUJ

    Elementi kryesor i cili dallon arvanitasit nga popujt e tjerë që përbëjnë
    shtetin e sotëm grek, është gjuha shqipe, që ata flasim brenda në rrethin
    familjar. Deri në shekujt e mëparshëm gjuha shqipe nuk shkruhej nga masa e
    gjerë e popullit të saj, nuk përbënte gjuhën e shkollimit, këtë gjuhë e
    flisnin njerëzit e pashkolluar, ishte gjuhë e jetës së përditshme, prandaj
    arriti të përcillej nga brezi në brez. Pra, gjuha shqipe ishte gjuhë
    popullore dhe jo gjuhë letrare e fetare. Kështu, njerëzit e diturisë dhe të
    letërsisë e quanin gjuhën shqipe gjuhë "barbare". Gjuha shqipe, duke mos u
    shkruar, mund të rrezikonte të humbiste gjatë shekujve, të humbiste
    origjinalitetin e saj dhe emocionet shpirtërore. Prandaj, stërgjyshërit tanë
    arbër krijuan ninullat, këngët e kreshnikëve dhe vajet. Një nga mënyrat e
    rruajtjes së gjuhës, pra, është kënga. Kështu, shumë ngjarje të përditshme
    dhe ngjarje historike u përcollën brez pas brezi nëpërmjet këngës popullore
    si në vargjet e mëposhtme:

    Meqë nuk dimë të shkruajmë,
    mjaftohemi me të folur,
    me këngët dhe me vajet
    kujtesa jonë kështu ruhet
    Askush nesh nuk dinte të shkruante,
    por i bëmë këngë dhe u ruajtën
    goja-goja deri më sot
    kujtesa jonë e gjallë mbet.

    .... ..... ..... .....
    Vepra më e rëndësishme nga pikëpamja gjuhësore është fjalori greqisht-shqip
    i Kostandin Kristoforidhit. Në këtë fjalor pasqyrohen vetëm idiomat
    gjuhësore nga Epiri deri në Shqipërinë e Veriut. Një fjalor i gjuhës shqipe,
    në kuptimin e mirëfilltë, domethënë pasqyrimit të gjuhës shqipe që flasin
    arvanitasit, banorë që jetojnë masovikisht në Greqinë që në kohën antike,
    mungon edhe sot e kësaj dite. Në shekullin XIX, një tjetër shkencëtar,
    Panajot Kupitori, veç veprës së njohur "Studime shqiptare" (1878)5, kishte
    hartuar një fjalor të gjuhës shqipe, vepër që për më shumë se një shekull
    mbeti si dorëshkrim në bodrumet e Akademisë së Shkencave të Athinës dhe, për
    shkaqe të panjohura, ende nuk është botuar. Panajot Kupitori, ishte
    arvanitas nga ishulli i Hidrës. Ai mbaroi studimet në Universitetin e
    Athinës. Pas studimeve punoi mësues i letërsisë në gjimnaz në Athinë ku më
    vonë u bë drejtor i kësaj shkolle. Në vitin 1860 Kupitori botoi "Abetare të
    gjuhës shqipe" dhe më vonë fjalorin greqisht-shqip të cilin në vitin 1882 e
    bleu konsulli francez në Janinë Aug. Dozan6. Në vitin 1926 fjalori
    greqisht-shqip i Panajot Kupitorit e ribleu Ndërrmjarja Historike dhe
    Etnologjike të Greqis. Më tej fati i fjalorit të Panajot Kupitorit nuk
    dihet. Një tjetër fjalor i të folmes së gjuhës shqipe të Atikisë që ishte
    hartuar nga Taso Nerukos (1826-1892), do të mbetet i panjohur dhe i
    pakapshëm. Pas vdekjes së Nerukos, vejusha e tij ia dha dorëshkrimin
    gjuhëtarit të madh gjerman, G.Meyer dhe ai e botoi në veprën e vet
    "Albanesich Studien V" faqe 67-94, pjesën nga A-ja deri tek L-ja, si
    shqip-gjermanisht7.

    Arvanitasi nga ishulli i Salaminës, Anastas Kullurioti (1822-1887), në vitet
    1879-1880 themeloi gazetën Zëri i Shqipërisë. Ai botoi më 1882 dy libra në
    gjuhën greke "Ankimet shqiptare" dhe "Klumësht për foshnjat". Veprimtaria e
    këtij arvanitasi të shquar u ndërpre mbasi qeveria greke e arrestoi dhe e
    burgosi në Athinë. Në vitin 1887 Anastas Kullurioti vdiq i helmuar në burgun
    e Athinës. Libri më i vjetër është vepra e Gjon Buzukut titulluar "Meshari".
    Ai, u përfundua dhe u shtyp më 1555. Kopja e vetme ekzistuese u zbulua në
    vitin 1740 nga arqipeshkvi shqiptar i Shkupit Gjon N. Kazazi. Më vonë
    "Meshari" shkoi në Bibliotekën e Vatikanit, ku u rizbulua më 1909 nga
    arbëreshi Pal Skiroi. Libri ka pasur 220 faqe dhe sot mungojnë 32 faqet e
    para. Ky libër, ishte shkruar me shkronja latine ku ishin shtuar dhe pesë
    shkronja të tjera9. Dhe u botua më 1968, nën përkujdesjen e gjuhëtarit të
    madh shqiptar, Eqrem Çabej, në gjuhën e sotme letrare shqipe.
    ....... ........ ..... ........... ........ .......

    Në Greqi, në fund të shekullit XIX, gjuha shqipe flitej nga pjesa më e madhe
    e popullatës e deri brenda në oborrin mbretëror. Bile në flotën detare,
    ushtarake dhe tregtare greke flitej shqip. Për të shkruar poemën në gjuhën
    shqipe ose arbërishte, autori në mungesë të një alfabeti të njësuar të
    gjuhës shqipe, në ato vite ka përdorur shkronja greke dhe mendoj se mund të
    ketë përdorur alfabetin e mëposhtëm që unë e kam ndërtuar në bazë të fjalëve
    të shprehura në vargje. Për, plotësimin e alfabetit shqip me 36 shkronja,
    poeti duhet të ketë përdorur disa lidhje midis 24 shkronjave të alfabetit
    grek. Shkronjat që janë përdorur në poemë janë 38:

    NDE PËR TË PARËN
    EPARA VASILLOPUVA JONE PRINCIPESHËN
    TONË
    LEKSANDRA LEKSANDRA

    Të këndonnë ndë arbërishte, Të këndojmë në shqip,
    Ç' ishtë gluhë trimmërishte, që është gjuhë trimërie,
    Ç' eflit nafarhu Miauli, që e fliste admiral Miauli,
    Bocari, dhe gjithë Suli. Boçari, dhe gjithë Suli.

    I
    Duav diev ndë mal, Doli dielli në mal,
    si të pa siprë ndë kal, si të pa sipër në kalë,
    ufsheh bërdha ndë në re, u fsheh brenda në re,
    të ndritonjësh ti ndë dhe. të ndriçohesh ti në dhe.
    ------
    Kur ti vinje ka Tatojë, Kur ti vije nga Tatoi,*
    Hëna dil ka Jmitojë, Hëna dilte nga Imitos,*
    tuke shtif sit' e te pa, duke hedhur sytë e të pa,
    ndrito për mua ti të tha. ndriço për mua ty të tha.
    -----
    Drita je çë sperëndon, Drita je që s'perëndon,
    lulea e lulevet çë mblon lulja e luleve që mbulon,
    vendetë ka merudhi, vendet nga kundërmimi,
    kado vete e kado rri. nga do vete e nga do rrish.
    -----
    Parnithi një krino nxuar, Parnis* një zambak nxori,
    e ka marudhia e hovë, e nga aroma e hollë,
    erdh një Dhuk' e na emuar, erdhi një duk dhe na e mori,
    e ekev ndë Peterhovë. dhe e çoi në Petërburg.
    -----
    Lulea e lulevet me fletë Lule e luleve me fletë
    bërdha ndë pallat jë vetë, brenda në pallat je vetë,
    kur hin bërdha ndë një gardh, kur hyn brenda në një gardh,
    ka gjithë luletë ti sbardh. nga gjithë lulet ti zbardh.
    -----
    Drita luan ndë diamant, Drita luan në diamant,
    çel e shqep ndë një perlandë, çel e shqep në një perlandë,
    bërdha ndë si tënd çë luan; brenda në sy tënd që luan?
    edi vetëm' aj çë ruan, E di vetëm ai që ruan,
    të sglidh më të mirën' vajzë të zgjedhë më të mirën vajzë
    për ti shkon ndë glisht' unazë. për ty shkon në gisht unazë.
    -----
    Ketu e tri milë vjet, Këtu e tremijë vjet,
    vasillopuv nëk' uvjet, princeshë nuk u gjet,
    të mos ngjitej ati lart, të mos ngjitej atje lart,
    të shih Lenënë ndë Spart. të shihnin Lenën** në Spartë.
    -----
    Lenënë çë njer pastaij Lenën që njeh pastaj
    ka të bukurit' e saij, nga të bukurit e saj,
    një çë dh' asajë i pëlqev një që asaj i pëlqeu
    vasillopuv e rrëmbev. princi e rrëmbeu.
    -----
    Pastaij ka tri milë vjet, Pas tremijë vjetësh,
    na uleshe ti ç' i glet na uleshe ti që i ngjan
    Lenesë, ndë kurm ndë si, Lenës, në trup, në sy,
    ndë t' ecurë ndë bukuri. në të ecur në bukuri.

    -----
    Ndai menate del një ifth, Ndaj me natë del një yll,
    çë strros natën' e embif, që shtron natën e mbyll,
    për posh dheft' e sjell ditë, për poshtë dheut e sjell ditë,
    pra ja thonë 'Afrëditë. pra ja thonë Afërditë.
    -----
    Ti je aij ifthi çë na sjell Ti je ai yll që na sjell
    ditënë kur del si diell, ditën kur del si diell,
    ka pallati, e na rruse nga pallati, e na zbret
    ndë në horë, si një nuse, në qytet, si një nuse,
    me të tëmë me të tatë, me të tëmë me të tatë,
    e të mblonmë me uratë. e të mbulojmë me uratë.
    ........ ...... ...... .......

    Shkruajta ndë 26 E shkruajta në Marsit 1889 ndë Pire. 26 Mars 1889 në Pire.
    (POEMA KA 430 RRESHTA, Kjo eshte e shkurtuar)


    NJË FJALIM PARAZGJEDHOR I BOTUAR NË GJUHËN SHQIPE NË GAZETËN GREKE "TO ME”
    NË VITIN 1860
    ..... .... ......
    Tekstin po e paraqes ashtu siç është botuar në gazetën "E ARDHMJA E ATDHEUT"
    në gjuhën shqipe, të shkruar me shkronja greke dhe me disa kombinime për të
    plotësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë transkriptimit vërejta se
    shkruesi i fjalimit parazgjedhor të vitit 1860, ka përdorur shumë fjalë
    greke. Po i njëjti fjalim është botuar në gazetën e kohës edhe në gjuhën
    greke. Për transkriptimin e fjalimit parazgjedhor të vitit 1860, kam
    përdorur alfabetin e mëposhtëm me 38 shkronja. Aty ku ka pikëpresje ka
    kuptimin e pikëpyetjes.


    Pr' polit të katundevet t' 'Athinësë

    Vllezer!
    Dheu ist i ljagëtë akoma ga gjakëratë të tatrevet edhe vllezrevet tuai˙
    progjismë tiragnonë, apoktismë elleftherinë, ist sjum' e madhe lipon
    vllastimi ndë kai gjaku të mos jemi ikano pr' ellefteri. Tuti ata sitëtë çë
    ranë ndë ljuftë do të na jjapënë nemë edhe mallëkime. Na çë kemi sindagmë.
    Çë do thetë sindagmë; Do thetë çë gjithë polit ka to dhikioma të frondisnjë
    vetëmë të dhiokisetë mirë patridha, të mos ketë të rëndë foro, to bënjë të
    mire nome, të mos ibenjënë konaqe, të mos ibjerë korofilaqi me vurdhulë ëdhe
    të tjeratë. Epedhi çë nuk boresnjënë tuti politë të mblidhenë, pse jjanë
    alargu njeri ga njatri dhiorisnjënë antiprosopë ëdhë ata thujenë vuleftai.
    Ata bënjënë atë çë do të bëinë politë ndë mblidhesinë, ëdhe çë do bënjënë
    ata ist i mirë bënë.

    Donni të sihnni çë vëljen dhikiomai jjuai; vëzdonni kuvernisinë pr' të
    petiqjënjë papsën dhimarhotë ëdhe dhiorisën dhimarho të tretën paredhro, ëno
    nomi thotë çë preps të dhiopisetë i pari paredhro tërgon psalidhoqerëtë e
    dhimarqisë edhe Nomarqisë pr' tu pllanepsënjënë i tu foverisënjënë. Polit!
    Sindagmai thotë çë istë paranomi Kuvernnisi t' anakatosetë me dhinami të
    sajja edhe ëpirroi nd' ëklogi, nuk' istë pune e sajja, eklogjia iste
    dhikioma i lait. E sihnni fort mirë Kuvernisi pr' simfero të sajja
    anakatosetë, nuk preps lipon të stinni psifo ndë ata çë u protinën, pse do
    ti kenni tauljetë.

    Për qytetarët të katundeve të Athinës

    Vëllezër!
    Dheu është i lagët akoma nga gjakrat të tatëve edhe vëllezërve tuaj; dëbuam
    tiranin, fituam lirinë. Është shumë e madhe, pra, vëllazërimi ndaj këtij
    gjaku të mos jemi të denjë për lirinë. Të gjithë ata syt që ranë në luftë do
    të na japin nam dhe mallkime. Ne që kemi kushtetutë. Ç'do thotë kushtetutë?
    Do thotë që gjithë qytetarët kanë të drejtë të përkujdesen vetëm, të
    qeverisë mirë atdheu, të mos ketë të rënda taksa, të bëhen të mira ligje, të
    mos i bëjnë konak, të mos bjerë xhandarin me kërbaç edhe të tjera. Meqenëse
    që nuk mundin të gjithë qytetarët të mblidhen, sepse janë larg njeri nga
    tjetri, caktojnë përfaqësues edhe ata quhen deputetë. Ata bëjnë atë që do të
    bënin qytetarët në mbledhje, edhe çfarë do bëjnë ata është e mirë të bëhet.
    Nëse kuptuat mirë që po të kujdeseni të caktoni të mirë njerëz ata që do
    vështrojnë interesin tuaj, njerëz që nuk mund t'i mashtrojë, mos t'i tërheqë
    nga vetja e tij, do të jeni të lirë si ju do Kushtetuta. . Por, nëse
    caktoni njerëz tuaj që i dinë vuajtjet tuaja edhe një e rrahur e xhandarit,
    fjala vjen, edhe një e vogël shkelje do të jetë një e madhe fyerje për
    qytetarin, sepse qytetari atëherë do vejë në të vërtetin përfaqësues të tij
    edhe nuk do t'i thotë "mos ki merak, do të kujdesem ... çfarë bëhet për një
    të rrahur ... ashtu ishte koha...", por do të vejë në Kuvend të thotë edhe
    deputetët do të thërrasin ministrin të pyesin çfarë u bë do t'i kërkojnë
    pakënaqësinë edhe do të gjykohet ai që është fajtor, në mos gjykohet,
    atëherë prishet ministri me Kuvendin, edhe e dini çfarë pëson ministri?
    Pushohet. Ashtu do të ndreqen punët edhe nuk do të bëhen padrejtësi.

    Doni të shihni sa i madh është e drejta juaj? Vështroni sa të mira premton
    qeveria që do të bëjë në gjithë bashkitë; premton shkolla, premton gjyqe
    paqësore, premton ura, ju premton të gjitha të mirat, arën**, të jepni votën
    tuaj ministrit Simo edhe në kryebashktiakut Skufo, edhe pastaj i harron të
    gjitha, arën, të dalin deputetë njerëz që nuk dinë nga mot edhe brengat që
    vuan shpirti juaj nga kalimtarët edhe konduktorët. Ata nuk dinë me ç'punë
    edhe djersë nxirrni bukën, ju ngarkojnë me të tjera taksa!
    Doni të shihni sa vlen e drejta juaj? Vështroni qeverinë për të arritur
    qëllimin pushon kryebakëtiakët edhe emëron kryebashtjak të tretë zëvendës,
    dhe ligji thotë që duhet të caktojë i pari zëvendës dërgon të prerin me
    gërshërë*** të Bashkisë edhe të Prefekturës për t'u mashtruar ose t'u
    frikësojë.

    (KY FJALIM PO JU DERGOHET I SHKURTUAR. AI ESHTE PREJ 3 FAQESH)

    ....... ..........

    KËRSHËNDELLAT ARVANITASE

    Kërshëndellat janë këngë gëzimi, që u këndohen ardhjes së Vitit të Ri dhe
    shpërndarjes së dhuratave nga plaku i Vitit të Vjetër, ose siç njihet në
    fenë Ortodokse, Shën Vasili. Këto këngë gëzimi, këndohen nga grup fëmijësh
    që trokasin derë më derë për të treguar ardhjen e Vitit të Ri. Mbas këndimit
    të këngës fëmijëve u dhurohet nga të zotët e shtëpisë nga një lek ose
    dhuratë tjetër simbolike. Populli shqiptar, kishte dhe ka kërshëndellat e
    veta, që këndohen në prag të ardhjes së Vitit të Ri. Edhe pjesa e popullit
    shqiptar që jeton në territorin e Greqisë ka kërshëndellat e veta të cilat
    në masën e gjerë të tyre njihen me emrin Kalanda. Me kalimin e viteve shumë
    pak kërshëndella mbetën në kujtesën e arvanitasve në fund të shekullit XX.
    Të moshuarit e fundshekullit XX, kujtojnë që këndonin kërshëndella kur vinin
    Krishtlindjet ose Vitit i Ri, por me kalimin e kohës këto këngë gëzimi kanë
    filluar të harrohen. Ata kujtojnë që kërshëndellat i këndonin në gjuhën
    shqipe. Disa nga këto këngë gëzimi arvanitase janë botuar në revistën
    "BESA", organ i "Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë" në vitet 1983-1995.
    Kështu, një pjesë e kërshëndellave që këndonte populli arvanitas me rastin e
    Krishtlindjeve, janë shpëtuar duke u shkruar nga mbledhës të ndryshëm
    arvanitas në faqet e revistës "BESA", që tashmë nuk qarkullon.

    Sipas kërshëndellave, ndërimi i viteve shoqërohej me kërkimin e fatit. Pra,
    Shën Vasili ose plaku i Vitit të Ri, thirret si pasues në kërkimin e fatit,
    i cili cilësohet "njeri" që vjen nga "toka e premtuar", me shumë të mira dhe
    sjell mbarësi. Ditët e Krishtlindjeve janë ditë ndjeshmërie, pendese për
    mëkatarët, përzemërsie e mirësie. Në kërshëndellat e zonës së Menidhit
    mbledhësi Dhimitër Jota shënon: "Me rëndësi në kërshëndellat e Menidhit
    është miti i njohur i lëshimit të bisqeve të reja nga druri i thatë"1. Por,
    këtë mit e ndeshim edhe në vise të ndryshme të Greqisë jugore nga Rumelia e
    deri në More, që njihen në histori e deri më sot si zona të banuara me
    popullsi shumicë arvanitase. Nga arkivi i revistës arvanitase "BESA", kam
    shkëputur disa kërshëndella që kanë vlera të larta gjuhësore, historike dhe
    folklorike.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Gjurmet shqiptare jane ngado ne Greqi. Ne historine e Athines se vjeter e te re...

    Lexo me poshte, Akropoli :

    ALBANIAN GATE


Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Si mund të ulet ndikimi grek në shqipëri ?
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 192
    Postimi i Fundit: 14-08-2011, 17:46
  4. A ka konspiracion kundër Shqipërisë?
    Nga BARAT në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 42
    Postimi i Fundit: 10-05-2011, 09:36
  5. Himarë, mësimi nis me himnin grek
    Nga karaburuni në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 134
    Postimi i Fundit: 15-08-2009, 04:07

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •