Kosova, protesta e dhunë në Podgoricë
Dy persona janë lënduar nga protestat e dhunshme të partive serbe që kanë shpërthyer sot në mbrëmje në Podgoricë
Shekulli Online
Hene, 13 Tetor 2008 21:07:00
Dy persona janë lënduar nga protestat e dhunshme të partive serbe që kanë shpërthyer sot në mbrëmje në Podgoricë. Protestat janë organizuar nga Partia Popullore Serbe, Partia Popullore, Partia Demokratike Serbe dhe Lista Serbe, për shkak të njohjes së Kosovës nga Qeveria malazeze.
Dhuna ka shpërthyer pasi masa e protestuesve ka shmangur barrikadat para godinës së Parlamentit të Malit të Zi dhe ka filluar të sulmojë policinë me gurë dhe mjete të rënda. Nga dhuna midis protestuesve dhe policisë dy persona kanë marrë lëndime të rënda, ndërsa janë lënduar edhe disa policë dhe fotoreporterë.
Një numër i madh i policisë speciale malazeze ka bllokuar godinën e Parlamentit dhe Qeverisë si dhe rrugët përreth. Agjencia malazeze e lajmeve Mina njofton se situata pranë rrugëve kryesore dhe institucioneve është e qetë.
Kërkesat e protestuesve kanë qenë që Qeveria e Mali të Zi të anulojë vendimin për njohjen e Kosovës dhe të shpallet referendum ku qytetarët të deklaroheshin për njohjen ose jo të Kosovës. (INA)
Krijoni Kontakt