Nga Silvi Tresa
Pasi vendi ynë ka kaluar një periudhë të gjatë nën diktaturën komuniste, tashmë ka ardhur momenti i së vërtetës për të gjithë ata që kanë vuajtur nga ky sistem komunist, i cili internoi e varrosi të gjallë shumë njerëz të dijes, kulturës e artit, njerëz të cilët mund ta kishin bërë Shqipërinë që sot të ishte e barabartë me vendet më të zhvilluara europiane. Diktatori Hoxha e izoloi ata për një periudhë 45-vjeçare, duke i shtypur të gjitha idetë e mendimet, të gjitha ëndrrat dhe dëshirat e shqiptarëve, dhe për më tepër fjalën e lirë. Partia Demokratike por edhe aleatë të saj, kanë kërkuar që puna për hapjen e dosjeve të fillojë sa më shpejt. Ndërkohë që drafti për dosjet e spiunëve ndodhet në Kuvend dhe në seancat parlamentare ai shtyhet pa asnjë motiv. Për këtë arsye, PD-ja dhe aleatë të saj, kanë reaguar ashpër ndaj kësaj heshtjeje lidhur me dosjet e ish-spiunëve të kohës së diktaturë. Debati qëndron në faktin se duhet të hapen vetëm dosjet e ish-sigurimsave apo edhe të njerëzve të tjerë që kanë mbajtur funksione publike. Edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga rënia e komunizmit, vendi i trembet ende hapjes së dosjeve. Ndërgjegjja shqiptare mbetet ende e papastruar nga këto mbetje të së shkuarës. Pas rrëzimit të diktaturës në vitet ‘90 shqiptarët menduan se aty shkëputën të gjitha vargonjtë që i lidhnin me të kaluarën por në fakt jemi në vitin 2008 dhe hija e së kaluarës komuniste vazhdon t`i përndjekë. Historia që është shkruar me gjakun e atyre njerëzve që kanë vuajtur, janë internuar e persekutuar, nuk mund të fshihet e të harrohet kaq lehtë. Para disa ditësh, e veja e diktatorit shqiptar në një intervistë foli për gjithçka kishte ndodhur në 45 vitet e komunizmit, por në asnjë moment nuk foli për krimet që bashkëshorti i saj, ajo vetë dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë bërë kundrejt këtij populli. Është interesant fakti se kur shikon të moshuar, njerëz që i përkasin të shkuarës komuniste, të cilët mund t`i kenë kaluar të 70-at, ruajnë ende tiparet, mimikën, reflekset që u kanë mbetur ende nga ushtrimi i funksionit të spiunit. Rastësisht më qëllon një ditë të ulëm dhe të bisedoj me ta. Duke ditur që po t`u përmendja temën e dosjeve të sigurimit ata patjetër do të reagonin, bëra pikërisht këtë! Reagimet ishin mjaft interesante dhe biseda mes tyre mori flakë përnjëherë. Duke dashur të di diçka më shumë i pyeta edhe për pseudonimet që kishin patur. Përgjigjet ishin të menjëhershme duke akuzuar madje edhe njëri-tjetrin për misione që nuk ishin përmbyllur deri në fund. Por edhe pse në një moshë të thyer përpiqeshin të ruanin sekretet e profesionit, ndoshta edhe prej faktit se e kalura dhe frika ndaj saj jetonin ende brenda tyre. Ata kujtoni dhe udhëtimet që kishin bërë në atë kohë jashtë vendit dhe kryesisht në vendet komuniste a sovjetike. Tek i pyesje se ç`mendim kishin për hapjen e dosjeve hezitonin të të përgjigjeshin, edhe pse në vetvete kishin njëfarë sigurie se tashmë nuk u kanosej ndonjë rrezik për jetën. Dikush prej tyre madje më tha se hapja e dosjeve ishte bërë dhe në vende të tjera dhe asgjë e jashtëzakonshme nuk kishte ngjarë nga kjo. Në dhjetor 2006, parlamenti i Bullgarisë kaloi një ligj për të hapur arkivat e shërbimeve të saj sekrete dhe për të zbardhur tëvërtetën mbi shërbimin tashmë të shpërbërë, Darzhavna Sigurnost, një prej shërbimeve më famëkeqe sekrete të Luftës së Ftohtë. Sipas ligjit, publiku lejohet që të shohë dosjet. Disa dosje mbetën sekrete për publikun, për “arsye të sigurisë kombëtare”. Në vitin 2003 Republika Çeke botoi listën e personave që kanë bashkëpunuar me policinë sekrete të kohës së komunizmit, StB. Një listë me emrat e rreth 160 mijë personave të pretenduar si bashkëpunëtorë, u bënë publike një dekadë përpara nga ish-disidenti Petr Cibulka, që tha atëherë si i kishte marrë informacionet prej një burimi që kishte mundësi të shihte dosjet e StBsë. Edhe Sllovakia hapi mijëra dosje sekrete të StB-së në nëntor 2004. Këto dosje përmbanin emrat e më shumë se 21 mijë vetave, ku përfshihen informatorë dhe dizidentë të pretenduar, datojnë në mesin e viteve 1950. Pas ribashkimit edhe Gjermania kaloi një ligj në vitin 1991 për hapjen e arkivave të policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, Stasi. Ligji për Dosjet e Stasi-t, i mbrojti ato nga shkatërrimi dhe mundësoi hapjen e tyre graduale. Ç`do shtetas ka të drejtën të inspektojë dosjet personale dhe të gjejë se deri në çfarë mase Stasi ka ndikuar në jetën e tij. Më shumë se dy milion njerëz i kanë inspektuar dosjet e tyre. Në Hungari në vitin 2003 një ligj u mundësoi individëve që të shikonin dosjet e tyre të hartuara nga policia sekrete e kohës së komunizmit, për t'u krijuar mundësi viktimave që të shikonin se kush i kishte spiunuar. Vetëm informacionet që vlerësohet se prekin sigurinë kombëtare mbeten sekrete. Në Poloni, në nëntor 2006, presidenti Lech Kaczynski firmosi një ligj të ri për hapjen e dosjeve të policisë sekrete që përmbanin informacione për diplomatë aktualë, ministra qeverie dhe anëtarë të parlamentit. Përpara këtij ligji, vetëm historianët dhe gazetarët kishin mundësi t'i shihin këto dosje, të cilat mbahen në Institutin Kombëtar të Përkujtimit (IPN) të ngritur në 1998 për të përndjekur krimet naziste dhe komuniste në Poloni. Dosjet janë bërë publike, por personat që tregohen se kanë bashkëpunuar kanë të drejtë të apelojnë në gjykata për të pastruar emrat e tyre. Në vitin 1999 qeveria rumune ngriti një komision të posaçëm, Këshilli për Studimin e Arkivave të Sigurimit (CNSAS) për të studiuar miliona dokumente të policisë sekrete. Në bazë të ligjit, CNSAS-s i kërkohet që të kërkojë mes dokumentave për shenja bahkëpunëtorësh në mesin e politikanëve dhe figurave të larta publike. Në 2005 të gjitha arkivat e policisë sekrete (Securitate), u hapën për publikun, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë kombëtare. Mijëra vetë kanë mundur të zbulojnë nëse të afërmit apo fqinjët e tyre kanë qenë apo jo spiunë. Në ish-Bashkimin Sovjetik, me përjashtim të republikave baltike, tendenca ka qenë për t'i mbajtur të mbyllura këto arkiva të policisë sekrete sovjetike, KGB. Kësisoj, ish-oficerë të lartë të KGB-së janë në krye të politikës apo biznesit në Rusi. Nga vendet ballktike, vetëm Letonia votoi në mars 2007, për hapjen e arkivave që mbanin emrat e agjentëve të ish KGB-së. Parlamenti i Lituanisë votoi në tetor 2006 për hapjen e arkivave speciale të qeverisë ku mbahen dosjet e KGB-së, që këto dosje të jenë të hapura pa kufizime për publikun. Përsa i përket republikave të ish-federatës jugosllave, situata është dicka më ndryshe se në Rusi. Që në vitin vitin 2001, qytetarët serbë u lejuan për herë të parë që të shikonin dosjet sekrete të UDBA-s. Asokohe shoqatat për të drejtat e njeriut kundërshtuan ndaj faktit se pasuesit e UDBA-s mund të ruanin kontrollin e dosjeve. Ata gjithashtu ishin dyshues se shumë dosje mund të jenë shkatërruar në ditët dhe javët që pasuan rrëzimin e Sllobodan Millosheviçit. Pjesa më e madhe e publikut në Serbi dhe Kroaci është e interesuar lidhur me dosjet e policisë sekrete në vitet pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Po në nëntor të vitit 2001, Kroacia hapi dosjet e policisë sekrete të mbajtura nga qeveria e presidentit, Franjo Tudjman. Në prill të vitit 2003, një faqe interneti e pautorizuar afishoi informacione për 1.5 milion individë në Slloveni, të marrë nga arkivat e UDBA-s. Qeveria u përpoq që të bllokonte hyrjen në këtë faqe. Duke u nisur dhe nga eksperienca e këtyre vendeve është mëse e logjikshme që vendi ynë duhet t`i hapë sa më parë këto dosje.Hapja e dosjeve në Shqipëri duhet të ketë për qëllim dekomunistizimin dhe shkëputjen njëherë e mirë të vendit nga e kaluara kriminale e diktaturës. Sesa kjo do të arrihet vlen që të shihet në praktikë
Krijoni Kontakt