E DIELA E XXVIII. GJATË VITIT – A (12. 10. 2008.)
Ungjilli (Mt 22, 1-14)
Këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat e mi e bagëtitë e majura! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’
Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogj qytetin e tyre.
Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’
Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqinj. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.
Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”
Fjala e Zotit
Predikimi
Besimtarë të dashur!
Vëllëzër dhe motra, Të gjithë ne që besojmë në Krishtin, jemi si një familje e vetme e Zotit. Zoti, si Ati i mirë qiellor, i do të gjithë fëmijët e vet, e do krejt familjen e vet. Askënd nuk përjashton prej dashurisë së vet, prej zemrës së vet, prej mbretërisë së vet.
I do Zoti edhe krijesat e tjera, por më së shumti njeriun. Të gjithë njerëzit i do Zoti, por posaçërisht ata që besojnë në Birin e tij Jezu Krishtin.
Lavdinë qiellore, të cilën Zoti ia ka përgatitur Birit të vet, Jezu Krishti krahason me një gosti të madhe, me dasmë të djalit të hasretit. Zoti ka vetëm një Bir me natyrë hyjnore. Të gjithë ne jemi krijuar prej Zotit në kohë, në një moment të historisë. E nuk jemi krijuar si hyjni, por si njerëz të dobët dhe të vdekshëm. Vetëm Jezu Krishti është lindur prej Atit para çdo kohe, para krijimit të botës. Vetëm ai është Hy me natyrë - sikur Krijuesi ynë.
Prandaj, kur Biri i Zotit korri fitoren mbi vdekje, Zoti ia bëri një gosti të madhe - si një dasmë, dhe në atë gosti thirri para së gjithash fëmijët e vet, familjen e vet, ata që besojnë në Krishtin, që janë pagëzuar në emër të tij, që krenohen me emrin e tij.
Dhe çka ndodhi? Kemi dëgjuar: ata që ishin thirrur, nuk u përgjigjën. Secili kishte interes tjetër, kishte tjetër punë, që i dukej më e madhe se të vijë në gostinë e Mbretit, të jetojë me Birin e tij dhe të gëzohet së bashku me të.
Atëherë Zoti thërret të tjerët. I thërret të gjithë ata që janë të gatshëm të dëgjojnë thirrjen e tij dhe që interesat e veta t'i nënshtrojnë interesave të tij. Ata përgjigjen. Kështu ata që me thirrje ishin të fundit, me shpërblim u bënë të parët.
Zoti është Mbret i madh. Salla e tij nuk mbushet lehtë. Në të ka vend për të gjithë njerëzit. Sado të vijnë, vend gjithmonë ka më tepër. Prandaj Zotit nuk i dhimbet as koha as mundi, por pa ndërprerë i dërgon shërbëtorët e vet për t'ia prurë edhe më tepër mysafirë dhe për t'ia mbushur sallën.
Shërbëtorët e tij veprojnë dhe kanë sukses. Shumëkush vjen në gostinë e Mbretit të madh dhe Mbreti është i kënaqur, por jo sa duhet. Sepse në gostinë e tij u gjetën do rrugaçë, të cilët nuk u veshën në petkun e dasmës, por hynë në dasmë në mënyrë skandaloze, pa u veshur si i ka hije vendit dhe rrethit. Të tillët Mbreti i hidhëruar i qet jashtë, në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.
Ne jemi fëmijët e Zotit, familja e tij. Mos jemi edhe ne ndër ata që nuk e dëgjojnë zërin e tij dhe nuk duan të shoqërohen, të gëzohen dhe të festojnë me Birin e tij? Kush në këtë jetë s'ka kohë për Krishtin, për gostinë e tij, e cila është mesha e shenjtë dhe jeta sakramentale - nuk do të ketë kohë as Zoti për të në jetën tjetër.
Sepse Zoti na thërret sot, e jo nesër. Tash, e jo më vonë. Menjëherë, e jo pasi t'i kryejmë do punët tona, që s'kanë lidhje me lavdinë e Zotit.
E nëse nuk jemi ndër ata që Zotit i thonë: "Jo", mos jemi ndër ata që në mënyrë të padenjë hyjnë në gostinë e tij? Mos jemi ndër ata që Korpin e Gjakun e Krishtit marrin në shpirt të papastër, në shpirt të patenzon, të padenjë për me qenë tempull dhe shenjtërore e Shëlbuesit tonë? Nëse jemi të tillë, do të na përjashtojë Mbreti i madh prej shoqërisë së Birit të tij.
Dy sende pra duhet t'i kemi para sysh sot:
1) të mundohemi të jemi gjithmonë të gatshëm ta dëgjojmë zërin e Zotit, që na thërret nëpërmjet të Shkrimit shenjt, nëpërmjet të predikuesve të Ungjillit dhe shërbëtorëve të tjerë, si edhe nëpërmjet të ndërgjegjes sonë;
2) nëse nuk e kemi tradhtuar Zotin dhe nëse shkojmë pas tij - të mundohemi të shkojmë gjithmonë në mënyrë të denjë: të pastër, të drejtë, të pervujtë dhe të shenjtë. Nëse shohim se nuk jemi të tillë, menjëherë të pendohemi, të rrëfehemi dhe ashtu të pajtohemi me Atin tonë qiellor, me Mbretin tonë, kështu që të mund të japim në mënyrë të denjë nder dhe lavdi Birit të tij, i cili në lavdinë e vet jeton dhe sundon në shekuj të shekujve.
A m e n.
Krijoni Kontakt