E DIELA E XXIX. GJATË VITIT – “A” (19. 10. 2008)
E diela e Misioneve
Leximi i parë (Is 45, 1. 4-6)
Unë jam Zot e tjetër s’ka
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: “Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt, për t’i vënë në ikje mbretërit, për t’i hapur para tij dyert; edhe dyert para tij s’do të mbyllen.
Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s’më njihje. Unë jam Zot e tjetër s’ka: përveç meje Hyj tjetër s’ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje, që të dihet prej lindjes në perëndim, se posë meje, askush tjetër s’është!”
Fjala e Zotit.
-------------------
Psalmi 96 (95)
Ref: Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia!
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
_____________________________
Sepse i madh është Zoti,
tejet i denjë për t’u lavdëruar,
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
_____________________________
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.
_____________________________
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
_____________________________
Leximi i dytë (1 Sel 1, 1-5)
Kemi para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së Selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe! Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.
Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, mbasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju jo vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju.
Fjala e Zotit
-------------------------
Lutja e besimtarëve
M. Vëllezër e motra, sot së bashku me mbarë Kishën të shpërndarë nëpër botë, të cilën e përfaqësojnë misionarët, Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, motrat dhe vullnetarët laikë, t'ia hapim zemrën tonë Ungjillit e t’i kërkojmë Atit forcën për të dëshmuar mbretërinë e Tij në vendet ku jetojmë. Të lutemi së bashku:
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
------------------------
1) Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët që të nxisin vëllazërimin dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet popujve dhe Kishave të të gjithë botës. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
------------------------
2) Për misionarët dhe misionaret, që janë nisur prej bashkësisë sonë, që të ndjejnë sa më afër bashkimin jetësor dhe mbështetjen në lodhjet apostolike. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
-----------------------
3) Për shoqërinë tonë, udhëheqësit e saj, që të nxisin të mirën e përbashkët duke i respektuar ligjet dhe të drejtat e të gjithë anëtarëve. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
-----------------------
4) Për të rinjtë e kohës sonë, që takimi me Krishtin e varfër e të përvuajtur t’i mahnitë dhe të nxisë në ta zgjedhje të forta e të vendosura për jetën e tyre. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
--------------------
5) Për bashkësinë tonë, që t’u japë jetë përvojave të forta të bashkimit me Krishtin Mësues, që është zanafillë e kuptim i çdo angazhimi misionar. Të lutemi
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
--------------------
M. O Atë, ti që kënaqesh me lutjen e atij që e pranon fjalën Tënde, eja në ndihmë dobësive tona dhe, ndërsa punojmë për një njerëzim më të drejtë, bëj që të bashkëpunojmë për ndërtimin e mbretërisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Amen.
Krijoni Kontakt