Portugalia sot është bërë vendi i 48 në botë dhe vendi i 22 i Bashkimit Evropian i cili e ka njohur Republikën e Kosovës - shtet të pavarur dhe sovran. Ashtu siç edhe pritej, ministri i Jashtëm portugez, Luiz Amado, ka njoftuar sot Komitetin për politikë të jashtme të Asamblesë portugeze se qeveria e këtij shteti njeh edhe zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Njoftimi për njohje është bërë pak çaste më parë, ndërkaq Qeveria e Kosovës pritet të njoftohet shumë shpejtë për këtë vendim.
"Është në interesin e shtetit portugez të procedojë sot me njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës", tha Amado, para komitetit për marrëdhënie me jashtë në Parlamentin e Portugalisë.
"Ne jemi të bindur se pavarësia e Kosovës tashmë është e pakthyeshme", shtoi Amado.
Portugalia është shteti i 22-të i Bashkimit Evropian që njeh pavarësinë e Kosovës dhe e çon në 48 numrin e shteteve anëtare të OKB-së që e njohin sovranitetin e Kosovës.
Vendimi i Portugalisë vjen një ditë para se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për rezolutën serbe.
Deri tash, nga vendet e Bashkimit Evropian, pavarësinë e Kosovës ende nuk e kanë njohur vetëm edhe Qiproja, Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Romania.
Lajmi për njohjen zyrtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Portugalia është publikuar pak çaste më parë edhe në portalin http://diario.iol.pt/
rtklive.com
Krijoni Kontakt