Pronat e çamëve, PDI: Dule është antishqiptar

Muhedini: Le të mësojë historinë


Kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, e cilëson kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dulen, si një antishqiptar ekstremist për deklaratat që ai ka bërë në adresë të çështjes çame, duke e cilësuar atë si inekzistente. "Unë dua të di, në krahinën e Çamërisë nuk ka shkolla shqipe, në Igumenicë, dhe në vende të tjera banorët flasin shqip. Kam një pyetje për Dulen, kur të lexojë gazetën "Shqip". Nga e kanë mësuar shqipen ata, kur nuk ka shkolla shqipe?", tha kreu i Partisë për Drejtësi dhe Integrim.

Një prej drejtuesve të PBDNJ-së është renditur në krah të Greqisë për të komentuar çështjen çame, si një fenomen që nuk ekziston. Si i komentoni këto deklarata?

Është pak i habitshëm qëndrimi i Vangjel Dules se çështja çame është inekzistente. Ai i shërben qarqeve antishqiptare ekstremiste. Nuk i përket asaj shoqërie të shëndoshë. Dulja duhet të marrë mësim nga historianët dhe shoqëria progresiste, pasi nuk mund të manipulohen dhe ndryshohen faktet. Ai i përket asaj shoqërie antishqiptare jo progresiste, që thotë që popullsia çame është bashkëpunëtore e fashizmit. Popullsia çame nuk ka shtruar dhunë dhe s‘ka bërë masakra si grekët dhe s‘ka bashkëpunuar me fashizmin., këtë e kanë deklaruar edhe historianët grekë. Vlen të theksoj se para 10 ditësh, një televizion prestigjioz grek, "Sky" që shikohet në të gjithë Evropën, kishte një emision, të cilin e ka shikuar edhe Dulja për mënyrën se si zgjidhet problemi i popullsisë çame. Në atë televizion u tha se popullsia çame nuk ka bashkëpunuar me fashizmin. Dulja po përdor të gjithë format e veta që shteti shqiptar të mos integrohet në Evropë. Ai gjoja ka një parti që ka në thelb të drejtat e njeriut, ai mohon të gjithë të drejtat. Popullsia shqiptare nuk po kërkon atë që po kërkon Dulja për minoritetin. Në qoftë se popullsia shqiptare në kohën e diktaturës nuk kishte mundësi të kërkonte të drejtat e njeriut, kjo popullsi kërkon vetëm të drejtat sipas standardeve evropiane. Kjo popullsi kërkon një shtetësi greke me kombësi shqiptare. Nuk do të thotë që kërkon shtetësi dhe ka dëshirë të bëhet greke, por kërkon një të drejtë sipas standardeve evropiane. Kjo popullsi kërkon pronën. Këtu kemi të bëjmë me dy standarde. Dulja me manipulimet që bën e pranon që minoriteti grek të marrë nënshtetësinë greke, ndërkohë që minoritetit çam nuk i jepet. Mendoj që ka ardhur koha që një kryetar partie, siç është ai i PBDNJ, që përdor të gjitha format e antishqiptarizmit të tij shteti shqiptar duhet ta marrë seriozisht dhe t‘i dal për zot.

Ajo që të bën përshtypje është fakti që tashmë këto deklarata nuk vijnë më nga Athina zyrtare, por nga kryetarë partish që sot përfaqësohen në kabinetin qeveritar. A duhet ta lejojnë instancat e larta të vendit këtë qëndrim?

Dule e ka bërë edhe herë tjetër këtë. Ka ikur koha e hipokrizisë dhe turpit. Dulja bën pjesë në qeverinë shqiptare dhe është fatkeqësi që kreu i PBDNJ-së ndihet më i lirshëm dhe më i qetë kur komunikon me organet greke sesa me ato shqiptare. Shteti shqiptar ka në qeveri një forcë politike që është antishqiptare. Një forcë politike që duke spekuluar i shërben vetëm qarqeve antishqiptare.

Kujtojmë se PBDNJ ka qenë në qeveri edhe në kohën e Partisë Socialiste. Pushteti ndryshon dhe kjo parti vazhdon të përfaqësohet në qeveri.

Unë mendoj që është shumë herë më e lehtë të them se qeveria jonë është një qeveri servile dhe që të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët ka futur edhe PBDNJ në qeveri. Por, edhe nga të dhënat që kemi ne dhe nga takimet që kam pasur me deputetë të ndryshëm, kam parë që qeveria shqiptare i ka dhënë pushtet minoriteteve për t‘iu dhënë të drejtat që meritojnë. Bashkimi Evropian e ka shumë pikë delikate dhunimin e të drejtave të minoritetit. Shteti shqiptar po mundohet që t‘iu plotësojë të gjitha të drejtat që ka minoriteti grek në Shqipëri, por këtu kemi të bëjmë me një spekulim që bën kryetari i PBDNJ-së. Mund t‘ju them haptas fare që ai nuk ka bërë asgjë kundrejt minoritetit. Ky minoritet grek që është në Shqipëri, nuk është njësoj si çamët në Greqi? Kjo është pyetja që i duhet bërë Vangjel Dules. Pafytyrësia e Dules shkon deri aty saqë thotë që unë flas në emër të Athinës.

Duket sikur ekziston një marrëveshje e fshehtë mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e varrezave greke. Jeni në dijeni të ndonjë lëvizjeje të tillë?

Unë jam në dijeni të një lëvizjeje të tillë. Shteti grek, të gjitha problemet e kërkesat që ka karshi shtetit shqiptar, mundohet t‘i bëj në mënyrë të fshehtë. Mund t‘ju them haptas që shteti grek pruri ministren e Jashtme, Dora Bakojanis, në Shqipëri për çështjen e Gërdecit. Por ajo nuk erdhi për Gërdecin, por për të marrë firmën për të bërë katër varreza në jug të Shqipërisë.

Prifti i Kosinës bëri një varrezë greke imagjinare, duke marrë eshtrat e fshatarëve. Të gjitha këto veprime vijnë nga Athina. Si ka mundësi që shteti shqiptar të zbatojë kërkesat e popullsisë greke, ndërkohë që çamët kanë varrezat e stërgjyshërve. Ne e kemi çuar kërkesën në Ministrinë e Jashtme për të drejtat tona.

A i ka kthyer përgjigje Ministria e Jashtme kërkesës suaj?

Të jemi të sinqertë, s‘kemi asnjë përgjigje. Ne do të protestojmë dhe do të bëjmë një tubim paqësor të madh në sheshin "Skënderbej" në fund të muajit tetor për çështjen e varrezave. Të gjitha këto janë thjesht që në të ardhmen të përdoren për këtë motiv që ushtarët grekë janë vrarë në tokën shqiptare dhe se kufiri shqiptar ka qenë deri këtu. Mbas shumë vitesh do të kërkojnë varreza të tjera në Rrogozhinë. Me këtë strategji shkojnë grekët.

Nëse do të ishit sot para Vangjel Dules, si do i drejtoheshit?

Është fatkeqësi që kryetari i PBDNJ-së është një antishqiptar, sepse unë kam shumë miq që i përkasin minoritetit grek. Unë dua të di, në krahinën e Çamërisë nuk ka shkolla shqipe, në Igumenicë etj., grekët flasin shqip. Kam një pyetje për Dulen kur të lexoj gazetën "Shqip". Nga e kanë mësuar shqipen ata kur nuk ka shkolla shqipe? Ai është minoritet shqiptar dhe nuk është popullsi greke. Shteti grek gënjen.