Close
Faqja 6 prej 8 FillimFillim ... 45678 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 51 deri 60 prej 75
  1. #51
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 47

    Principata megalovllahe – zanafilla e saj – shtrirja e saj – Çifutë dhe Grekë – Karli d’Anzhu – perandori Andronik – Mikeli i bën të vdesin në burg dy ipeshkvë katolikë, dhe ai vetë vdes në burg

    Pushtimi romak i kishte kapërcyer pengesat politike që ngriheshin përkundër shkrirjes së popujve të vendosur qysh në lashtësi me popujt e ardhur së voni në gadishullin ilir. Në kohën e Konstantinit, shkrirja, për të mos thënë romanizimi, ishte i përplotë, fetar, politik dhe qytetar: -një gjuhë zyrtare, latinishtja; -një besim fetar, ai katolik; -një pushtet, pushteti perandorak. Por shumë shpejt Bizanti kërkon të helenizojë atë që Roma kishte romanizuar. Vijnë nga Bizanti, njëra pas tjetrës, herezi pas herezie, dhe nga veriu dyndje pas dyndjesh. Barbarët ardhacakë krijuan ata vetë aty, kush mbretëri, kush Zhupani ose principata, ndërsa të tjerët mbetën aty romakë në sajë të gjuhës së tyre, organizimit të tyre kolonial, dhe në sajë të maleve të tyre. Ne këtu dëshirojmë të flasim për Vllehët e Vllahisë së madhe. Në cilën periudhë dalin ata si principatë e pavarur? Këtë ne nuk e dimë. Por sigurisht, ata e kishin krijuar tashmë një të tillë kur Benjamin dë Tydel vizitoi Thesalinë në vitin 1160. Pak më pas, vetë greku Niketa e emërton nga ana e tij si principata e Toparkisë. “Ky komb -shkruan çifuti Benjamin dë Tydel -ia kalon dhive në shkathtësi. Nga lartësitë e maleve të tyre banorët zbresin në Greqi. Ata plaçkisin dhe shkretojnë vendin. Askush nuk ia dilte atyre në luftë, dhe asnjë mbret nuk arriti ti nënshtrojë ata. Nëse takonin një çifut, ata e plaçkisnin dhe e dëbonin. Por një grek është e padyshimtë që e vrisnin. Principata e tyre filloi me Zaitunin”. Më 1207, shihet se princi i tyre quhej Ëngjëll dhe se respektonte zotërit francezë të vendosur në Greqi. Më vonë, patën një princ të quajtur Tarona, i cili, duke mos patur trashëgimtar mashkull, ia dha të bijën Gjon Bastardit, po atij që humbi në vitin 1262 betejën e Devollit (Korçë). Përse e humbi? Pasi kundër çdo logjike dhe çdo volie, kishte sjellë gruan e tij në ushtri, dhe sepse kishte marrë anën e keqe të sjelljeve galante të kalorësisë peloponeze. Ne nuk duam të nxjerrim justifikime. Por duhet pranuar se kurrë një grua e ndershme nuk ka qenë e nuk do të jetë në vendin që i përket, në mes një kampi ushtrie. Duke mos pasur asgjë të pamundëshme prej së cilës të mos merrte kënaqësi, aq më tepër në vigjilje të një beteje të madhe, ai u largua nga Frankët dhe përfitoi nga çasti kur nisi beteja për të kthyer armët kundër aleatëve të tij, iu del nga pas dhe i sulmon me tërbim (Buchon, Vëll.1, fq. 296). Është e tepërt të shtohet se beteja ishte e humbur. Por, a mos është më mirë të vlerësohen përmasat e një tradhëtie të tillë, sesa të shqyrtohen vetëm fatkeqësitë që ranë mbi Vllehët, Epirotët, dhe aleatët e tyre? Jo, padyshim duhen vlerësuar edhe shpresat që ajo veniti. Tashmë, despoti i kishte premtuar zgjerime të mëdha secilit prej dhëndurëve të tij, Guljelmit të Akaisë dhe Manfredit të Napolit. Natyrisht që edhe Vllehët e Vllahisë së madhe do të merrnin të tyret si shpërblim të ndihmës së dhënë. Sa për Mikelin e Artës, ai mbajti Maqedoninë dhe Thrakën duke pritur çastin kur do të shpallej perandor i Kostandinopojës (Buchon, faqe 281).
    Ja pra, shkurtimisht, se çfarë shkaktoi në perëndim të gadishullit ilir një hakmarrje e trishtë, hakmarrje për më tepër kriminale pasi vetëm ata, Vllehët, -sipas Pakimerit -kishin trupat më të shumta. “Dhëndrri i Taronas -shkruan ai (lib. 1, kap. 30, fq. 2) -është princ i një kombi të shumtë në numër, dhe ishte mjaft i fuqishëm për të arritur fitoret. Ushtria e tij përbëhej nga Grekët (Romakët) që sot quhen Vllehët e mëdhenj. Me këtë ushtri, ai i vetëm, ishte mëse i fuqishëm për të ndaluar tre kapitenët e mëdhenj: Gjon Paleologun-të madhin e vendit, Aleks Strategopulin dhe Gjon-Raulin, dhe për ti penguar ata të shkojnë më larg se Bereu, edhe pse ata të tre bashkë kishin forca të mëdha”. Ajo që i kishte dhënë dorë Gjon Dukasit të bëhej kaq i tmerrshëm për Grekët, ishte aleanca e tij me Frankët e Peloponezit, pasi, i rrethuar në Neopatra, ai kish arritur të dalë i ndihmuar edhe nga errësira, dhe kishte rendur që ti përgjërohej për ndihmë dukës së Athinës dhe kalorësve të tjerë francezë. Dhe e gjitha kjo nuk i shkoi më kot. Frankët arritën sa hap e mbyll sytë, i zunë në befasi Bizantinët, i shpartalluan, dhe i dëbuan nga kampet e tyre. Edhe këtu, ashtu si në të gjitha luftërat me Frankët e Moresë, ushtria greke kishte si mbështetje një trupë Turkomanësh. Pak ditë pas shpartallimit të ushtrisë së tyre tokësore në Neopatra, flota e Grekëve, nën urdhërat e Filantropinit, desh u fundos në gjirin e Volosit nga një flotilje tridhjetëshe anijesh franke (Buchon, faqe 384). Filantropini vetë u plagos dhe, veç rastësisht, shpëtoi nga një asgjësim i plotë. Në këtë moment, Karli d’Anzhu ishte zot i Korfuzit dhe i brigjeve të Epirit, të cilat ia kishte marrë së vesë së Manfredit (v. 1271). Pak kohë më pas, ai pushton edhe (v. 1272) Durrësin dhe Shqipërinë qendrore. Dhe atëherë ai hedh vështrimin mbi Kostandinopojë duke qënë kundër “saraçenëve të bardhë” (kështu quheshin Grekët në Perëndim, -thotë Pakimeri), për shkak të kundërshtisë së vjetër në mes dy kishave (Bushon, faqe 387). Megjithatë, Mikel Paleologu vdes (v. 1282) dhe i lë perandorinë Andronikut. Gjoni Bastardi vdes gjithashtu, dhe i lë principatën megalovllahe, të birit të tij Mikelit, një tjetër bastard ky, pasi e bija e Taronasit duket se nuk i ka lënë atij fëmijë të ligjshëm. Tashmë Andronik Paleologu i frikësohet princit megalovlleh, por nuk merrte guximin ti kundërvihej me armë në dorë.
    Çfarë bëri ai si grek i vërtetë? Shpejtoi të shfrytëzojë tradhëtinë. Ana dhe Niqifori, despoti i Epirit, kishin marrë përsipër t’ia dorëzonin.atij, dhe ata e tërheqin në oborrin e tyre, me shkasin e një martese me bijën e tyre Itamar, e kapin dhe ia shesin për një shumë parash perandorit grek, i cili bëhet gardiani i tij. Duke lëvizur për një kohë të gjatë nga njëri vend në tjetrin, sa herë që Androniku ndërronte vendqëndrimin, më së fundmi Mikelin e hedhin në një qeli në Selanik. Pasi shpëton prej andej, e kapin përsëri dhe e ridërgojnë në Kostandinopojë. Më në fund e shohim të masakrohet nga rojet e pallatit perandorak, të cilit ai donte ti vinte zjarrin për të djegur perandorin dhe për tu djegur edhe vetë aty (v. 1293). Mikeli ishte një bastard-një fëmijë i jashtligjshëm, babai i tij-po ashtu. Më së fundi, edhe gjyshi i tyre, themeluesi i despotatit të Artës, ishte gjithashtu një bastard. Kjo vazhdimësi bastardësh nuk mund të tërhiqte mbi vete bekimin e Zotit mbi Megalovllehët. Por e keqja më e madhe që bënë ata, ishte shkëputja prej bashkësisë së Romës. Meqë nënshtetasit e tij ishin katolikë, Gjoni Bastardi nuk kishte pse ta shihte me sy të keq rezultatin e koncilit të madh ekumenik të mbajtur në Lion, dhe ku Grekët kishin si përfaqësues të famshmin Vekus. Por, në të kundërt, meqë ipeshkvët e Trikallës dhe Patraxhikut nuk donin të aderonin në skizmën fotiane, ai i la të vdisnin në burg nga të ftohtit dhe pakujdesia ndaj tyre.

    Shënime:
    -Grekë dhe Romakë -në citimin që autori i bën Pakimerit, historianit bizantin, termat Grekë e Romakë përdoren për të kuptuar nënshtetasit e Perandorisë Bizantine, por njëkohësisht në kuptimin që ajo është vazhdimësia e Perandorisë Romake të Lindjes.
    -Bereu -Veria, qytet në verilindje të Thesalisë, mbi gjirin e Selanikut.
    -Volos -qytet në juglindje të Thesalisë, poshtë Larisës.
    -Neopatra -në juglindje të Epirit, por me këtë emër njihet edhe Elbasani.
    -Frankët e Peloponezit -Pas pushtimit të Kostandinopojës nga kryqëzata e katërt, nga copëzimi i zotërimeve perandorake, në Peloponez u krijua principata e Akaisë me fisnikët francezë Vilarduinë.
    -Niqifori -despot i Epirit, zotëronte Epirin dhe një pjesë të Etolisë, me seli në Janinë, i së njëjtës dinasti të despotëve të Epirit.
    -Karli d’Anzhu -konti i Anzhusë në Francë, që më 1266 bëhet mbret i Napolit dhe Siçilisë dhe merr nën zotërim edhe viset bregdetare shqiptare duke i emërtuar si regnum Albaniae.

  2. #52
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 48

    Androniku dhe Kantakuzeni drejtojnë Turqit për në Shqipëri – Shkatërrime të tmerrshëme të kryera në Shqipërinë qendrore – Epiri ribie nën perandorët bizantinë

    Kemi thënë se Andronikut iu dorëzua princi megalovllah nga Niqifori dhe gruaja e tij, despotë të Epirit. Epiri duhej të fitonte nga ky kurth. Ai humbi pavarësinë e tij. Niqifori kishte vdekur, Ana abuzoi me moshën e vogël të Tomës, birit të tij, dhe i dha një pjesë Grekëve, pjesërisht si pronësi dhe pjesërisht si prikë, ndërsa pjesën tjetër Filipit të Tarentit, bashkëshortit të bijës së saj. Pas kësaj rrodhën luftërat. Toma u vra nga Gjoni-konti i Qefalonisë, ndërsa Gjoni, nga ana e tij, u helmua nga Ana Paleologu. Ngaqë Epiri ishte në mëkëmbësi të princeshës bizantine, thuhej se Bizanti kishte gisht në thurjen e këtyre intrigave të ndyra dhe të këtyre vrasjeve të ulëta. Kjo ishte edhe më e mundëshme, pasi kishte ardhur koha e ndërhyrjes në çështjet e Epirit. Androniku III dhe Kantakuzeni do të gjenden në Berat në çastin e duhur (v.1336). Padyshim, një motiv edhe më i dukshëm e kishte dërguar Andronikun III dhe Kantakuzenin në Shqipëri. Por, shumë shpejt, do të shohim se ai nuk është as i vetmi dhe as kryesori. Sidoqoftë, Kantakuzeni kërkon të na thotë, se ata kishin ardhur aty për të shtypur prètimet e Shqiptarëve, dhe për të shkatërruar fortesat e vendit: Beratin, Skraparin, Klisurën dhe Tomorin, të cilat gjenden të gjitha në Shqipërinë qëndrore.
    “Pra, -vazhdon funksionari i lartë -atje dërgoheshin trupat dhe, çdoherë, Shqiptarët tërhiqeshin në malet e tyre të paarritëshme. Atëhere, çfarë bëri Bizanti? Ai kërkoi një trupë prej ushtrisë së Turqve të Azisë, dhe trupat e armatosura lehtë, jo vetëm i ndoqën shqiptarët deri në lartësitë e maleve, por ata edhe therrën shumë prej tyre dhe rrëmbyen një sasi të madhe si plaçkë lufte në njerëz dhe në kafshë”. Dhe, sipas Kantakuzenit që gjendej në atë vend, plaçka e luftës u shpërnda mes të gjithëve, dhe Turqit zvarritën deri në Azi një numër të madh njerëzish dhe kafshësh. Ai vetë e çon deri në 300 mijë numrin e qeve, 50 mijë atë të kuajve, dhe në një milion e dyqint mijë atë të deshëve, -numër ky që shkon në përputhje me vlerësimin e bërë nga vetë Shqiptarët. “Sa iu përket ushtarëve grekë, -shton ai -duke mos mundur as të transportojnë, as të numërojnë të gjithë plaçkën e tyre të luftës, ata i dhanë 500 deshë për një bezant ari, dhe 500 qè për 100 bezantë”, që i bie shtatë apo tetë franga për një ka. Po kështu, sipas pohimeve të grekëve, Grekët u morrën edhe me Shqipërinë qendrore. Përsa i takon Shqipërisë jugore, Kantakuzeni na bën të ditur se ai përfitoi nga qëndrimi i tij në Berat për të thurur intrigat me personazhet kryesore të Epirit, Akarnanisë dhe Etolisë. Ja cili ishte rezultati. E mbetur e vè me dy princesha dhe dy bij në moshë të re, Ana qeveriste që prej disa vitesh despotatin e Epirit në emër të birit të saj Niqifor. Tashmë, kjo moshë e mitur e princit të ri iu duk Bizantit një rast i volitshëm “për të bashkuar me Perandorinë e Poshtëme provincat që i ishin shkëputur asaj qysh prej 130 vjetësh”. Por kush ia dha këtë këshillë perandorit Androniku i Ri? Duket qartë se Kantakuzeni, një prej atyre njerëzve, intrigat e të cilëve ndihmuan edhe më shumë për rënien e Perandorisë së Poshtëme. Lë Bo, nga ana e tij, hedh mendimin se korrupsioni nuk ishte diçka e jashtëzakonshme në të (libri 109, kap. 63). Veç tjerash, -vazhdon ai -cilatdo të kenë qenë rrugët e fshehta që jetësuan këtë kthesë, nuk është më pak e vërtetë se Androniku e bashkoi, jo pa shumë mund, Epirin me fronin e Bizantit (v. 1336).Gjithsesi, të gjithë Epirotët nuk donin të hiqnin dorë nga ligjet dhe pavarësia e tyre. Dy vjet më vonë, po aty shpërtheu një kryengritje e madhe. Kjo pritej pasi ajo u mbështet fuqimisht nga Katerin de Valua, dukesha e Tarentit. Por ajo u soll si grua, ndërsa despoti Niqifor që e kishte shkaktuar atë, u soll si Grek. Kabazila-guvernatori i Rogjisë, Bazilisi-guvernator i Artës, dhe garnizoni i Tomokastrit, e lanë të fitonte. Në vend të titullit të despotit, Niqifori u kënaq me titullin e Hipersebastit, dhe me këtë çmim revolta u shua (v. 1339). Megjithatë, nuk ka dyshim se mënyra me të cilën Androniku dhe Kantakuzeni i rrëmbyen Epirin Niqiforit, pak kohë më pas e thjeshtoi pushtimin e tij prej Serbëve.

    Shënime:
    -Androniku III Paleologu -nipi i Andronikut II, i cili përmbys gjyshin e tij dhe shpallet perandor i Lindjes (1328-1341).
    -Kantakuzeni -dinjitar i lartë i oborrit bizantin, bashkëpunëtor i Andronikut III, dhe më pas Gjon Kantakuzeni shpallet
    antiperandor (1341-1347), ndërsa nga viti 1347 deri në1354, perandor në bashkëqeverisje me Gjonin V Paleologun.
    -Klisura -Këlcyra e sotme.
    -Rogjia, Arta, Tomokastri -vende të Epirit.

  3. #53
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 49

    Vllahia e madhe ruan pavarësinë dhe autonominë e saj – bula e Kantakuzenit –shënime të rëndësishme

    U pa se perandorit bizantin iu dorëzua princi i Vllahisë së madhe nga despoti i Epirit. Një veprim i tillë natyrshëm nuk mund të fitonte simpatinë e këtyre malësorëve krenarë, dhe as të ndihmonte për nënshtrimin ndaj Perandorisë së Poshtme. Po ashtu, shohim se pasi ishte martuar me Irenën, bijën jashtmartese të perandorit Andronik, princi i ri Gjoni, “nuk shkonte mirë me vjehrrin e tij, sepse ai nuk kishte aspak dëshirë të ishte vasali i tij” (Le Beau, lib. 106, k. 16). Megjithatë, i trembur nga mbërritja e Katalanasve në Thesali, mendoi se duhej të ulej në bisedime, për të larguar këta mysafirë të rrezikshëm të tij. Prandaj ai u ofroi -shton Lë Bo, -shuma të mëdha parash, ushqime me bollëk dhe udhërrëfyes që tu prijnë drejt Akaisë, pa lënë pas dore gjithherët fortifikimin e kështjellave më të mira, dhe për të vendosur trupat e tij nën armë (v. 1311). Vetë Katalanët parapëlqyen këto kushte më tepër sesa rreziqet e luftimeve. Nën drejtimin e udhërrëfyesve vllehë, ata u çuan deri në Termopile, ku u vunë në shërbim të Gotier dë Brijenit, dhe rimorrën në zotërim vendet që i ishin rrëmbyer atij. Nuk e dijmë se kush ishte pasardhësi i Gjon Dukasit, por me vdekjen e tij, apo me atë të pasuesit të tij, Megalovllahët i kërkuan Kantakuzenit vëllain e tij Gjonin për princ, dhe kjo me kushtet që Kantakuzeni na i ka ruajtur vetë. Pasi bën një mburrje kapardisëse për vëllain e tij, Kantakuzeni shton: “Duke dëshiruar që çdo përpjekje ta kthej për vëllain tim në dëshmi të volitëshme, po i dërgoj këto letra të vulosura me bulën e artë, me anë të të cilave unë urdhëroj që ai të jetë guvernator gjatë jetës së tij për vendet dhe fortesat e Vllahisë, dhe që ato ti mbajë të bindura ndaj meje, ashtu siç detyrohet prej betimit. Edhe pse mund të jetë e pavlerë të riprodhojmë këtu nenet për të cilat është betuar, edhe pse më duket se kjo e fyen pastërtinë e qëllimeve të tij dhe sinqeritetin e miqësisë së tij, megjithëse ai është përherë i ndershëm për të ecur në një udhë të vetme dhe të sigurt, unë po i shënoj këtu. Këto pika janë: -se ai do të jetë mik i miqve të mi dhe armik i armiqve të mi; -se ai do të gëzojë gjatë jetës së tij sundimin mbi Vllahinë, pa patur mundësi që këtë t’ia përcjellë birit të tij, të paktën duhet të ketë marrë lejen për këtë; -se, jo vetëm do të ruajë besnikërinë ndaj meje, por ta ruajë atë edhe ndaj perandorit Gjon Paleologu, dhe ndaj atij që unë do të emëroj si pasardhës nëse ai vdes pa lënë fëmijë; -se ai do të përmendë në të gjithë Vllahinë perandoreshën Ana dhe perandorin Gjon sipas zakonit; -se metropolitia, peshkopatat, manastiret, dhe kishat e tjera të vendit, do ti binden, ashtu siç kanë qenë të bindura që herët, kishës së madhe të Kostandinopojës, pa qenë të privuara nga interesat dhe të drejtat që u përkasin; -se, nëse unë dërgoj Robertin tim të dashur ose ndonjë tjetër në Vllahi, Gjon Engjëlli do të jetojë në mirëkuptim të plotë me të, dhe nëse do të ketë ndonjë mosmarrëveshje midis tyre, vendimi mbi të do të merret sipas gjykimit tim; -se kufijtë e Vllahisë apo despotatit do të ruhen ashtu si kanë qënë në të kaluarën, me qëllim që aty të mos ushtrohet asnjë veprim armiqësie; -se, nëse Engjëlli (vëllai i tij Gjon) merr ndonjë fortesë përreth Vllahisë, kjo do ti përkasë sundimit të tij; -se, nëse unë arrij paqen me Katalanët, Gjoni do ta mbajë po ashtu, dhe, nëse unë ju shpall luftë atyre, ai do t’ju shpallë gjithashtu; -se, nëse unë e shoh të arsyeshme të vendos një prefekt në të mirë të shërbimit tim, unë do të mund ta arrij këtë nëpërmjet ministrit të tij ose ndryshe; -se, nëse të mëdhenjtë e Vllahisë dëshirojnë të vijnë në oborrin tim për të më kërkuar ndere apo detyra, ai nuk do ti pengojë ata; -se ai do të jetë i detyruar të dërgojë trupa në të gjitha provincat e Perëndimit ku unë do të çoj ushtritë e mija, dhe, nëse unë i çoj matanë Kristopojës (Kavallës), ai nuk do të ngurojë të vijë aty me të gjitha forcat e ushtrisë që do mund të sjellë. Ja, -shton Kantakuzeni -kushtet me të cilat perandori i jep qeverisjen e Thesalisë Gjon Engjëllit, i cili u prit nga njerëzit e këtyre vendeve me shfaqje të të gjitha llojeve të respektit dhe të bindjes”.
    Cilatdo qofshin kushtet që Kantakuzeni i kishte vënë vëllait të tij, nuk është më pak e vërtetë se kushtet e tij ishin personale, aspak një përçapje ndërkombëtare, me fjalë të tjera, ato bashkonin Gjonin dhe jo Vllehët e Vllahisë së madhe.Megjithatë nga kjo del qartë se Megalovllehët ishin autonomë dhe se, duke marrë një guvernator të ardhur nga Bizanti, apo nga dikund tjetër, ata nuk e ruanin më pak pavarësinë e tyre. Kjo ishte për ta në mesjetë, ashtu si Grekët modernë kërkuan një princ nga Bavaria apo Danimarka.
    Tjetër vërejtje e rëndësishme: Kantakuzeni saktëson me vëllanë e tij se “metropolitët, peshkopatat, manastiret dhe kishat e tjera të principatës vllahe duhet ti binden kishës së madhe të Kostandinopojës, ashtu siç kanë qenë qëmoti”. Por, është e gënjeshtërt se qëmoti Megalovllehët kishin qenë fetarisht nën varësinë e Kostandinopojës, pasi Iliria në të vërtetë nuk varej aspak nga ligjet e Justinianit, dhe në bazë të koncilit të Kalkedonisë juridiksioni i saj (kishës së Kostandinopojës, shën. i red.) nuk e kapërcente Thrakën. E për më tepër, nëse në kohën e Kantakuzenit metropolitë, ipeshkvitë dhe manastiret, do të ishin pa kundërshtim të varura prej patriarkatit grek, përse do ti diktonte vëllait të tij një kusht të tillë?
    Është e mundëshme që disa fanatikë të tillë si Gjoni Bastardi kishin dashur ta bënin Megalovllahinë skizmatike, por ata e arritën vetëm duke e ngritur mbi përndjekjen, dhe duke lënë të vdesin ipeshkvët e tyre në burg nga uria dhe të ftohtit. Megjithatë, cilado të ketë qenë politika e princërve vllehë, është e sigurt se kur ata u zëvendësuan me kaditë myslimanë, metropolitë, ipeshkvitë dhe manastiret, me një fjalë i gjithë vendi, u kthye nën juridiksionin e primatisë ilire. Nëse Patraxhiku, për shembull, nuk bënte pjesë aty, si do të ishte e mundur që shumë nga ipeshkvët e tij kishin arritur të ngriheshin në selinë e Ohrit? Përpara se të përfundojmë, le tu afrohemi kohërave në vitet 1339 dhe 1343. Më 1339, Epiri heq dorë prej pavarësisë së tij, dhe më 1343 Vllahia e madhe ripohon të vetën në një dokument zyrtar, dokument mjaft i sigurt për t’u besuar, pasi vjen pikërisht prej atij, në duart e të cilit Epirotët kishin lënë fatin e tyre, dhe kishin hequr dorë nga pavarësia e tyre.

    Shënime:

    -Katalanët -nga Katalonja në verilindje të Spanjës, me Barcelonën kryeqendër. Në mesin e shekullit XII, konti i tyre bashkohet me Aragonasit duke krijuar dinastinë katalano-aragonase (1137-1410), dhe në këta shekuj ata fitojnë një shkëlqim tregëtar dhe ndërmarrin pushtime të rëndësishme në Mesdhe.
    -Gjon Duka -i biri i Mikelit II dhe pasardhës i Niqiforit, despotit të Epirit, që i martuar me një princeshë vllehe të Thesalisë merr si trashëgimi edhe këtë trevë bashkë me Ftiokinë dhe Lokrinë. Vdiq në vitin 1305, dhe zotërimet e tij u pushtuan nga Bizantinët në veri dhe Katalanët në jug.
    -Kristopoja (Kavalla) -qytet në bregun e Egjeut në Thraki, në lindje të Seresit.
    -Termopile -gryka në malet e Greqisë qendrore në lindje të Etolisë.
    -Vllehët e Vllahisë së madhe -Me Vllahi e Madhe njihen trevat lindore të Pindeve dhe vendet e Thesalisë pranë tyre.

  4. #54
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 50

    Vargu i patriarkëve të Ohrit qysh nga viti 1204 deri në 1396

    Prej vitit 1018 deri më 1204, emërimi i primatit të Ilirisë ishte në dorën e perandorëve të Bizantit. Ai nuk ishte aspak kanonik, dhe të gjithë këta primatë ishin të molepsur prej gabimeve greke. Por, më 1204, Perandoria e Poshtme u rrëzua dhe kisha ilire rifitoi pavarësinë e saj, dhe rimëkëmbi traditat e saj katolike. Për fat të keq, Ohri do të bjerë përsëri në duart e Grekëve, dhe do të kalojë më pas tek Serbët, përpara se të mbesë në duart e Turqve. Arkivat e Ohrit u asgjësuan nga Grekët sa herë që ata e morën në zotërim atë, kështu që na duhet ti nxjerrim nga kronikat greke emrat e individëve të veçantë të cilët e mbuluan atë seli. Pra, nuk dihet emri i primatit ilir që ishte në krye të selisë së Ohrit në çastin kur Selia e Shenjtë i shkëputi asaj kishën serbe dhe dymbëdhjetë ipeshkvitë që e përbënin atë. Por në vitin 1222, Teodori, despoti i Epirit, merr mirosjen perandorake në Selanik prej Dimitri Kromatenit, primatit të Ohrit. Arkipeshkvi i Selanikut iu kundërvu me forcë këtij hirësimi, duke pretenduar se vetëm patriarku grek mund të dorëzojë një perandor. Kromateni u përgjigj se selia e tij kishte të njëjtat të drejta të posaçme, në bazë të pavarësisë së saj. Gjergj Akropoliti qorton ashpër aktin e Kromatenit. Por qortimi i këtij historiani vërteton vetëm një diçka:-ai, duke qenë vetë grek, e vlerëson ngjarjen si grek. Bullgari, Vllehu apo Shqiptari e vlerësuan ndryshe. A nuk i kishte akorduar selia apostolike më l204 primatit të Tërnovës, të drejtën për të shenjtëruar perandorët? Kemi shumë vepra dhe shumë letra prej Kromatenit, disa të dërguara Kabazilit, arkipeshkvit të Durrësit, të tjerat mbretit të Serbisë. Në një prej letrave drejtuar Kabazilit, Kromateni i thotë se i famshmi Balsamon nuk kishte pse ti trajtonte Latinët si heretikë, pasi asnjë sinod grek nuk i kishte dënuar.
    Në librin e tij “Mbi qortimet që u bëhen Latinëve”, Teofilakti, të cilit ne i jemi referuar, pohon vetë se pjesa më e madhe e këtyre qortimeve janë të kota dhe qesharake. Por, ai e trajton si gabim të skëterrshëm besimin në vargun e Shpirtit të Shenjtë, të Atit dhe të Birit. Shohim se ai ishte kundërshtuar me urtësi nga Jakobi, primati i Ohrit, dhe nga Blemida, miku i tij. Vetë i famshmi Vekus na bën të ditur, se ai i ishte kthyer dogmës latine të vargut të Shpirtit të Shenjtë prej këtyre dy autorëve. Duke mos mundur të kundërshtojnë Vekusin, Grekët e gjetën më të udhës ta syrgjynosnin në Brusë, ku edhe vdiq në burg (v. 1298). Sidoqoftë, Blemida, në këtë shkresë për Jakobin e Ohrit dhe për Teodor Laskarin shtron para Grekëve këtë dilemë: -ose Shpirti i Shenjtë vepron nga Ati dhe Biri, -ose ai vepron veç prej Atit. Varianti i parë mësohet nga një numër i madh i autorëve të shenjtë, dhe ai i përmend ata. Në të kundërt, i dyti nuk është dhënë prej askujt. Të gjitha ata që do tu drejtohen letrave të shenjta do të binden për këtë, por edhe ne vetë e kemi provuar këtë në tri kapituj. Diku tjetër po Blemida vëren se për të thënë të vërtetën, Etërit kanë përdorur parafjalët e(i) dhe prej, por, si njëra dhe tjetra, kanë të njëjtin kuptim dhe provojnë në mënyra të ndryshme të njëjtën dogmë, e -shpreh shkakun, prej -shpreh mënyrën. E nëse “e” ruan më mirë barazinë e personave hyjnorë, “prej” tregon më mirë vendin që ata zënë në Trinitetin e Shenjtë. Pak përpara se Jakobi të ngrihej në selinë e Ohrit, Bazili i Ohrit ishte ngritur në atë të Selanikut. Pasi Urbini IV i kishte shkruar atij se, sipas Etërve, kisha romane ka parësinë mbi të gjitha të tjerat, dhe se ai ishte i urdhëruar në mënyrë hyjnore për të larguar çdo ndarje të kishës, Bazili i përgjigjet: -”Në zërin tuaj ne kemi ndjerë atë të bariut të barinjve. Nëse ne nuk e shohim veten si bijtë dhe grigja juaj, në zërin tuaj ne nuk do të dallonim atë të Atit dhe të kryebariut. Falë Zotit ne jemi të ngulmët në rrëfimin e fatlumit Pjetër. Atë çka ju u mësoni të tjerëve, u mësojmë edhe ne, dhe po ashtu, ne i ofrojmë Zotit të njëjtën sakrificë si ju”.
    Pas Jakobit, gjejmë një Konstantin Bazili në krye të selisë së Ohrit. Nuk e dijmë se çfarë kishte bërë në Azi, por ai ishte ndalur në oborrin e Gjon Laskarit, dhe kishte marrë nga Mikel Paleologu lejen për tu rikthyer në Ohër vetëm me kushtin që të bënte të mundur hapjen e portave për trupat të cilat shoqëronin atë (v. 1260). Vjen më pas Genadi, për të cilin autorët thonë se kish dhënë dorëheqjen pas një udhëtimi të gjatë. Përse gjithë ky udhëtim i gjatë? A s’mund të thuhej se e bëri për të mos u gjendur në Ohër bashkë me patriarkun grek? Në të vërtetë, ky patriark ishte ngarkuar të çonte në Serbi të bijën e Mikel Paleologut, dhe në Ohër ai priti përgjigjen e mbretit serb. Por, duke parë një trupë shoqëruese shumë të madhe eunukësh dhe një veshje luksoze, Stefan Uroshi thirri: -”Oh, sa të lumtur jemi ne që nuk i njohim këto marrëzira”. Pastaj, duke i treguar të dërguarve grekë gruan e Dragutinit, djalit të tij të madh, të ulur në një qoshe, të sajuar me rroba të vjetra dhe të qepur si një zhele, ai u thotë Grekëve: “Ja stolitë dhe argëtimet që ju duhen amvisave tona”. Është e tepërt të shtojmë se Grekët rimarrin udhën për në Kostandinopojë, dhe heqin dorë të tmerruar -thotë Pakimeri -nga aleanca me këta barbarë. Diçka e shkëlqyer! Ne nuk gjejmë as edhe një ipeshkv të vetëm të Ilirisë, as në koncilin e Lionit, as në ato që Mikel Paleologu i bënte të mblidheshin në Kostandinopojë, pasi është mëse e vërtetë që vargimi i Shpirtit të Shenjtë dhe supremacia e papës ishin për ata dy çështje, për të cilat as nuk duhej të dilnin përpara të tjerëve dhe as të debatonin. Në vitin 1300 gjendet në selinë e Ohrit njëfarë Makarius, një prej atyre njerëzve që kemi gjetur këtu me shumicë. Milutini, mbreti i Serbisë, ishte 40 vjeç, e bija e Andronikut nuk ishte veçse tetë. Patriarkut të Kostandinopojës një martesë e tillë iu duk edhe më e keqe pasi Milutini kishte tashmë katër gra, prej të cilave tre ishin gjallë, e ndër to edhe motra e mbretit bullgar. Arkipeshkvi i padenjë i Ohrit ishte i paskrupullt. Ai bëri atë çka dëshironte oborri, por edhe atë çka ndalonin kanonet. Kantakuzeni e quan Gregorin, pasuesin e Makariusit, si njeri mendjendritur në të gjitha punët, si i zoti në shkencat laike dhe i përkryer në dijet kishtare, por diçka e vënë në dukje posaçërisht na bën të dyshojmë për të gjitha këto lëvdata kaq hiperbolike. Kjo sepse Gregorit i ishin dukur të shkëlqyera arsyet që nxirrte Kantakuzeni për të përligjur intrigat e fajëshme të tij dhe rebelimin e Andronikut të ri kundër gjyshit të tij. Pasardhës i Gregorit, Anton Metohiti duket se ka qenë një omfalopsik i zellshëm, pasi ai gjendej në sinodin ku qe dënuar patriarku Gjoni i Aprit. Ky patriark në fillim kishte përkrahur omfalopsikët. Por gratë e Kostandinopojës kishin shkuar ti ankoheshin atij se burrat e tyre i kishin braktisur për t’iu kushtuar soditjes së kërthizës së tyre, dhe ai i dënoi ata, por edhe atë e dënuan. Çfarë jehone pati në periudhën e fundit të Perandorisë së Poshtme omfalopsikizmi në Kostandinopojë, dhe çfarë diskutimesh u bënë mbi këtë? Duke qenë se këto diskutime janë të huaja për qëllimin tonë, ne do të japim vetëm një fakt që lidhet me pavarësinë e primatit të Ohrit. Ja, me çfarë fjalësh dhe me çfarë shprehje i mirënjohuri Barlaham iu drejtohet Grekëve për këtë:
    “Nuk është njëshmëria, por moria e kryetarëve që nderohet tek ju. Ka këtu pesë patriarkë, duke përfshirë dhe atë të Bullgarisë, të cilit mund t’i bashkangjitet edhe ai i Tribalës (i Pejës). Dhe nga këta të gjashtë, nuk gjendet asnjëri që të jetë në udhë të drejtë, dhe të bëjë që të tjerët të duan të ndreqen, apo të udhëhiqen prej tij”.
    Duke shkuar më tej, vëmë në dukje se mjaft prelatë të oborrit, të emëruar si arkipeshkvë të Ohrit, nuk kishin ardhur këtu. Kjo pasi, duke qenë pjesa më e madhe e tyre omfalopsikë, soditjet e tyre ombelikale nuk gjetën mbështetje në mesin e popullit, i cili ishte më tepër i zënë me fushat dhe me korrjen e tyre, sesa me kërthizën e tyre dhe me shkëlqimin e pretenduar të Taborit. Matia, që gjendet atje pas Metohitit, duket se ka qenë edhe ai omfalopsik. Por, për ti dhënë më shumë peshë në Iliri, ai shkroi kundër vargut të Shpirtit të Shenjtë, atë që asnjë bullgar, asnjë vlleh dhe asnjë shqiptar, nuk e kishte bërë, të paktën për sa dimë ne. Gjithherët ata ia kanë lënë Grekëve merakun për të trajtuar dhe për të përhapur këtë gabim antikristian. Nuk dihet emri i primatit të Ohrit, të cilit patriarku Filoteu i shkroi një letër në vitin 1368. Papa Urbini V dëshironte që prelatët grekë të ribashkoheshin në koncil. Filoteu i shkroi për këtë arsye arkipeshkvit të Ohrit, se prania e tij aty ishte e nevojshme pasi koncili ishte ekumenik, se ai duhej të vinte aty bashkë me arkipeshkvët e tjerë, se dogma ishte ruajtur e pastër dhe e pacënuar në kishën greke, dhe se Latinët bëhen Grekë nëse dëshmohet se dogma greke është më në përputhje me shkrimet e shenjta. Nuk njihet pasardhësi i Matias. Por, një pjesë e nxjerrë nga sinodikoni i Car Borisit, apo më mirë prej diptikëve bullgarë, ne mësojmë se u ishin ngritur përkujtimore në Tërnovë arkipeshkëve të Ohrit, Joanisit dhe Serxhit. Joanisi dhe Serxhi, pra, kishin mbuluar selinë e Ohrit, në kohën kur ky qytet ishte nën Serbët. Pasi Shishmani që përmendin diptikët e lartpërmendur u vra nga Bajaziti, në vitin 1396.


    Shënime:
    -Gjergj Akropoliti -historian, filozof dhe diplomat bizantin (1217-1282), në oborrin e Mikel Paleologut. Autor i Historia e Perandorisë Bizantine.
    -Brusë -qytet në juglindje të detit Marmara. Ishte kryeqyteti i perandorisë Otomane (1327-1453).
    -Gjon Laskari -i biri i Teodor Laskarit (nën regjencën e Mikel Paleologut), perandor i Lindjes (1258).
    -Stefan Uroshi -i quajtur Uroshi i Madh, i biri i Uroshit I, i dinastisë së kralëve serbë (1242-1276), i rrëzuar nga i biri
    Dragutini që i zë vendin (1276-1281).
    -Milutini -i biri i Stefan Uroshit, që u ngjit në fron në vend të Dragutinit (1281-1321). Martohet me bijën e perandorit
    bizantin, Andronikut II Paleologut.
    -Car Shishmani -mbret i fundit i bullgarëve që bien nën pushtimin turk (1396), i kishte dhënë të bijën sulltan Muratit.
    -Car Borisi -njëri prej carëve te mbretërisë së dytë bullgare.

  5. #55
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 51


    Shqipëria ndahet në dy bashkësi shpirtërore – si kalon jugu në ritin grek – si kundërshton veriu ritin sllav

    Në periudhën ku kemi arritur Shqipëria ndahet në dy bashkësi. Bij të së njëjtës familje, Shqiptarët nuk do të njohin mirë të parët e tyre, nuk do të kuptojnë mirë interesat e tyre të përbashkëta, dhe do të ndjekin drejtime shoqërore, aq sa të kobëshme për ta, edhe në kundërshtim me Ungjillin. Kjo ndarje e një familjeje të vetme në dy pjesë rivale, si dhe lëshimi i interesave më të shtrenjta të tyre në shanset më fatkeqe, patën për njerëzit dhe realitetin e gjërave rrjedhoja tepër fatale sa nuk mund të mos themi dy fjalë për këtë. Deri në shekullin e trembëdhjetë Shqiptarët janë mbajtur pak a shumë si katolikë të pastër. Për këtë ne kemi dhënë dëshmi, dhe do mund të jepnim shumë të tjera. Por, në fillim të shekullit të trembëdhjetë, një dinasti bastardësh të arratisur nga Bizanti u shfaq para Shqiptarëve jugorë. Kjo u prit mjaft mirë, pasi zgjedha bizantine ishte bërë e padurueshme për ta, dhe pasi kjo dinasti u paraqit si shpëtimtare.
    Shkëlqimi i premtimeve i pengoi ata të shqyrtonin cilësitë e njerëzve. Nga këta bastardë, fëmijë të paligjshëm, u morr si e ligjëshme gjithçka që ata thonin. Nga bastardët rrjedhin bastardë të tjerë dhe, pak nga pak, bastardët Komnenë futën në Shqipëri një frymë dhe një besim fetar, jo më pak të rremë, sa edhe të huaj për këtë vend. Shkurt, Shqipëria Jugore e gjeti veten bizantine, më shumë prej të bërit zakon sesa prej shijes, madje, pa marrë me mend ajo vetë pasojat kombëtare të kësaj apostazie të llahtarshme - apostazi të shpirtit kombëtar, apostazi të besimit fetar. Ngjarjet nuk u zhvilluan njëlloj në Shqipërinë veriore, e cila me anë të aleancave të mbretërve serbë qëndronte e aneksuar. Falë mësimeve të ipeshkëve të tyre, falë ndikimit të zotërve të vendosur nga Normanët dhe Anzhuinët e Napolit, në Kaninë, në Durrës dhe në Korfuz, Shqiptarët e ruajtën veten më mirë nga ndikimi serb, ndikim që, me imoralitetin nga njëra anë, dhe interesat e dinastive nga ana tjetër, afrohej me skizmën greke.
    Gruaja e Uroshit I, Helena, ishte franceze, dhe fëmijët e saj ishin katolikë. I madhi ishte martuar me një hungareze, kurse i dyti desh të martohej me një bizantine, të bijën e Mikel Paleologut. Por, kur Uroshi pa gjithë atë luks dhe aq shumë eunukë, ai e largoi me përçmim bizantinen. Me vdekjen e Uroshit, Dragutini zuri për ca kohë vendin e tij, dhe Milutini vendin e këtij të fundit, kur ai u tërhoq në një manastir me qëllim që të mbulonte vrasjen e babait të tij. Milutini jetoi si katolik dhe mbrojti ata të ritit latin për sa kohë jetoi nëna e tij. Por Helena vdiq më 1312, dhe atëhere filloi përndjekja ndaj tyre. Nëpërmjet vetë Bizantit dhe bastardëve epirotë u soll riti dhe u diktua skizma greke në Shqipërinë jugore. Duke marrë zemër nga ky shembull, mbretërucët serbë donin të diktonin skizmën dhe ritin sllav në Shqipërinë veriore, megjithëse i detyroheshin papës, si për patriarkatin e tyre (të Pejës), ashtu dhe për kurorën e tyre mbretërore. Por Shqiptarët, të lidhur me atdheun e tyre po aq sa edhe me ritin e etërve të tyre, e kundërshtuan skizmën dhe ritin sllav. Kryengritja e vitit 1318 nuk pati shkak tjetër, motiv tjetër, shtysë tjetër, veç pretendimet e padrejta dhe kërkesat antipolitike të Milutinit.
    Është e vërtetë se elementi sllav ishte dyndur pak a shumë në krahinat e Shqipërisë së epërme, dhe pakënaqësia këtu ishte e madhe. Por kryengritja shpërtheu pasi Milutini i kapërceu kufijtë e mbramë të skandalit dhe të intolerancës. Pa folur për skandalet e kryera prej Zhupanëve, Arkizhupanëve apo mbretërthve, parardhësve të tij, Milutini kishte edhe një grua të katërt të tij. Ai ishte martuar me të dytën dhe me të tretën kur kish qënë gjallë e para, ndërsa e katërta, me fjalë të tjera, e bija e perandorit Andronik, nuk ishte veçse tetë apo nëntë vjeç (v. 1299). Ishte nxitja e kësaj bijëze, ose më mirë e babait të saj, perandorit fanatik të Bizantit, që e shtyu Milutinin të dëbojë nga oborri i tij të gjithë Shqiptarët katolikë, dhe të marrë përsipër ti diktojë Shqipërisë veriore një religjion që predikonte të gjitha llojet e ndyrësive. Iu bë qëndresë dhe duhet ti bëhej qëndresë. Ajo çka mund të predikonte papa ishte durimi. Por edhe durimi ka kufi dhe, më së fundi, protestat dhe ankesat shqiptarët i kthyen në kryengritje (v. 1320).


    Shënime:

    -Helena -e shoqja e Stefan Uroshit ishte një princeshë prej Anzhuinëve të Napolit, ndërkohë që Stefani kishte martuar të bijën me Mikelin VIII të Bullgarisë, të birin Dragutinin me Katerinën një princeshë të Hungarisë, dhe desh të martonte ë birin me bijën e Mikel Paleologut. Ndërkohë që Milutini martohet për herë të katërt, me bijën e Andronikut II.

  6. #56
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 52


    Kryengritja kundër Serbëve në Shqipërinë e epërme – Mbretëria Shqiptare – princët e saj – Gjon Kastrioti

    Mankul Muzaka-konti i Klisanit, Andre Muzaka-marshall i mbretërisë, dhe Vladislavi-konti i Dioklesë dhe i Shqipërisë bregdetare, jo vetëm që morën drejtimin e lidhjes së Shqipërisë së epërme, por ata dërguan, gjithashtu, të kërkojnë forca si dhe mbështetje prej mbretit të Napolit, mbretit të Hungarisë, dhe të banit të Bosnjës. I sulmuar nga të gjitha anët, dhe i pafuqishëm për ti bërë ballë ushtrisë hungareze, Milutini u detyrua të bëhet vasal i Karlit dhe hoqi dorë nga skizma (v. 1320). Përsa i përket Shqipërisë së epërme, e shkëputur nga Serbia përgjithmonë, ajo tash e tutje përbën një mbretëri të pavarur. Milutini nuk duket se ka mbijetuar gjatë prej këtyre mënxyrave. Është përcaktuar viti 1321 koha e vdekjes së tij, dhe thuhet se u varros në Yskup (Shkup). Serbët e kthyen në shenjtor. “Por duhet besuar -thotë Lë Bo -se kjo ishte një lloj ironie, pasi konkubinatet, poligamia, adulteria, madje dhe vetë inçesti, ishin lodra për këtë të ashtuquajtur shenjtor” (lib. 107, k. 31). Prej katër apo pesë martesave të tij të ligjëshme apo kriminale, pati veç një bastard, të cilit i nxori sytë për të qënë i këndshëm para Bizantines së tij. Nga ky bastard lindi i famshmi Dushan, për të cilin do të flasim së shpejti. Por nuk është ai që do të zëvendësojë Milutinin. Përpara se ti kërkonin ndihmë Dushanit, Serbët do të shohin edhe shfaqjen e trishtë të një lufte civile, dhe të një vëllai që kryqëzon vëllanë e tij.
    Megjithatë, ashtu si të gjitha shteteve të Mesjetës, mbretërisë së re të Shqipërisë do ti mungojë uniteti dhe forca. Kjo edhe për arsyen se ajo përbëhej pothuaj nga zotër feudalë, shpeshherë shumë më të fuqishëm se vetë mbretërit. Sa hap e mbyll sytë, ata bashkoheshin kundër armikut të përbashkët, por rreziku i përbetimit, secilit prej tyre i vinte nga vatra e tyre familjare, pasi shpesh i qeverisnin zotërimet e tyre sipas trilleve të tyre dhe gjithmonë sipas interesave të momentit. Në mes të pretendimeve feudale, zor të dallohej mbreti nga feudali, zotëria i njëmendtë nga nënshtetasi i thjeshtë. Të bashkuar, kundër Serbëve për të mbrojtur vatrën e tyre, ata bashkohen përsëri për të mbrojtur pavarësinë e tyre dhe kombin e tyre të kërcënuar nga Otomanët.Princi, zoti i madh ose mbreti i Shqipërisë së epërme, ishte në atë kohë njëfarë Balsha. Familja e tij me origjinë franceze kishte shoqëruar në Napoli, Karlin I, dukën e Anzhusë. Balshajt u dalluan, jo vetëm midis senjorëve franko-napolitanë, por ata, gjithashtu, kishin zënë vende të rëndësishme në zotërimet e tyre shqiptare. Dykanzh ka folur shumë për këtë në historinë e tij franko-bizantine. Gjithçka që ne mund të bëjmë këtu është të skicojmë vazhdimësinë e princërve që formojnë dinastinë e re. Balsha la tri djem pas vdekjes: Strazimirin, Gjergjin dhe Balën. Ky i fundit ishte kont i Durrësit, Gjergji - kont i Zetës, dhe Strazimiri - sovran i Shqipërisë së epërme. Strazimiri vdiq në vitin 1368, duke e lënë Gjergj Strazimirin ende në moshë të mitur, nën kujdesin e xhaxhait të tij, Gjergjit. Meqë Strazimiri vdiq pa lënë fëmijë (v. 1421), Shqipërinë e epërme e mësynë nga të tre anë të ndryshme: -Venedikasit që mbajtën disa fortesa, -mbreti i Bosnjës që mori disa të tjera, -dhe despoti i Serbisë. Por, me ndihmën e Venedikasve, Maramonti, zot i Malit të Zi, dëboi Serbët nga fortesat që ata kishin zënë, i bashkoi ato me zotërimet e tij, dhe hodhi themelet e Principatës Malazeze. Tamam në kohën e këtyre ndarjeve, për të mos thënë duke përfituar prej mosmarrëveshjeve të familjeve që këto ndarje u jepnin shkas, në Shqipëri vërsulen Otomanët. Me sa dimë ne, Gjon Kastrioti ishte i pari që pranoi siperaninë otomane, dhe i dha Sulltan Muratit katër fëmijët e tij si peng (v. 1423).

    Shënime:
    -Dykanzhi -Charles du Fresne du Cange (1610-1688), erudit francez, autor i një vepre historike dhe kritike për Bizantin dhe Lindjen latine.
    -Balshajt me origjinë franceze -autori mbështet versionin se Balshajt ishin me origjinë franceze, ndërkohë që mjaft autorë të tjerë ata i përcaktojnë si feudalë vendas, pra shqiptarë të veriut.

  7. #57
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 53

    Serbët në Shqipëri – perandoria e Dushanit – guvernatorët e tij – karakteri i tij i ulët

    Vijmë përsëri në Shqipërinë jugore. U pa, -se, në vitin 1336, në sajë të intrigave të Bizantit dhe letrave të shkruara nga Berati prej Kantakuzenit, Shqipëria jugore iu rikthye Perandorisë së Poshtme, -se, më 1339, shpërtheu aty një kryengritje kundër Bizantit, -se Arta, kryeqyteti i dukatit, Rogjia dhe Tomokastra u vunë në krye të lëvizjes, -dhe, më në fund, se kjo kryengritje ishte shuar nga Androniku dhe Kantakuzeni, të cilët nxituan të rivinin në Shqipëri. Por, në vend të guvernatorëve grekë, të cilët vendi nuk i donte aspak, Androniku dhe Kantakuzeni iu dhanë atyre guvernatorë italianë:
    Gjikën e familjes Shpata, dhe Muzakën e familjes Topia. Pak më vonë, e gjejmë qeverisjen e Shqipërisë jugore (Epiri, Akarnania, Etolia) në duart e Karl Tokos, i cili, nën emrin e despotit, rivendosi pavarësinë e vendit. Duke mos patur fëmijë nga martesa e tij me të bijën e dukës së madh të Athinës, Karl Toko e shpërndau trashëgiminë e tij atërore - Akarnaninë dhe Etolinë, ndër katër apo pesë fëmijët e tij të jashtëligjshëm: Antoni, Memnoni, Herkuli dhe Turnusi. Dhe është ajo kohë kur Epiri, Thesalia dhe Maqedonia, bien në duart e Serbëve, të cilët me sa duket do ti kenë mbajtur këto vende prej vitit 1348 deri më 1357. Kemi thënë se Kantakuzeni dhe Androniku i Ri e kishin dërguar Niqiforin e ri në Kostandinopojë. Qëllimi i tyre ishte ta mbanin aty, por, me lajmin se Serbët kishin marrë në zotërim Epirin dhe Etolinë, ata e ridërguan atje me një trupë të ushtrisë. Kjo solli një luftë, ku Niqifori humbi jetën në brigjet e Ahelout. I çliruar nga ky rival, Simeoni i shpërndau ato vende (Aspropotamin) midis shumë guvernatorëve. Toma, guvernatori i Janinës, jo vetëm që u përpoq ta mbronte këtë qytet nga Shqiptarët, por donte edhe ta tjetërsonte vendin me anën e martesave midis Serbëve dhe Janiniotëve. Meqë metropoliti i kundërshtoi këto bashkime të sajuara keq, e dëbuan nga qyteti më 1367. Një kronikë flet edhe për një murtajë të tmerrshme që do të ketë shkretuar Epirin, për shumë ushtri të njëpasnjëshme, si dhe për luftëra të shumta midis Serbëve nga njëra anë, dhe Shqiptarëve e Vllehëve nga ana tjetër. Më në fund Toma u vra nga vetë rojet e tij më 1383. Meqë mbretëria serbe nuk ekzistonte më, vendi rifitoi lirinë dhe Janiniotët vunë për guvernator Izaun, guvernatorin e Qefalonisë. Por, më 1399, Izau ra në duart e Shqiptarëve dhe u rikthye në Janinë vetëm pasi kishte paguar shpërblimin. Më 1413 shohim një përfaqësues të Janinës në oborrin e Mehmetit I. Por nuk dihet nëse Izau ishte në atë kohë guvernator. Rikthehemi tek Serbët. Për një çast ata besuan se mund të zëvendësonin Grekët në Europë. Nga ana tjetër, kjo do të ketë qenë për Dushanin ëndrra e gjithë jetës së tij.
    Por gjithçka që ai bëri dhe gjithçka që mund të arrinte një njeri i pafè, ishte provokimi i një lufte civile midis Gjonit V dhe Kantakuzenit, duke shpejtuar kështu edhe më tepër ditën kur Otomanët do të kapërcejnë Bosforin. Dushani vdiq më 1356 në Devoll (Korçë), në moshën 45 vjeç, dhe më 1357 një dridhje hyjnore iu hapi Otomanëve portat e Galipolit. Sa i përket perandorisë kalimtare të krijuar nga Dushani, të thuash emrat e guvernatorëve të saj, do të thotë të tregosh shtrirjen e saj. Simeoni, vëllai i carit serb, kishte si pjesë dukatin e Janinës; -Balsha, një francez, dukatin ose mbretërinë e Shkodrës; -Plaçidiku, Dibrat me Ohrin dhe Përlepin; -Prealambi, Etolinë dhe Akarnaninë; -Nikola Zhupani, shpatin lindor të Pindit me Trikallën dhe Kosturin; -Carku, bregun e djathtë të Aksios ose Vardarit; -Bogdani, bregun e majtë deri në Seres dhe në Danub; -Brankoviçi, trevat kufitare me Hungarinë, domethënë pjesën e sipërme të Serbisë së sotme; -e, më në fund, Voisna ose Vladislavi, një rajon që shtrihej prej Uzhicës deri në Raguzë. Këta ishin guvernatorët që Dushani kishte përkrahur më shumë në kurriz të fqinjëve të tyre, dhe këta do të jenë ata që do të kontribuojnë më shumë në rënien e perandorisë së tij. Dhe duhet të jemi të bindur për këtë. Në thelb, perandoria serbe nuk ishte një krijesë e qëndrueshme. Katër kombet kryesore: Serbët, Shqiptarët, Vllehët dhe Bullgarët, përbënin themelin e saj. E meqë ajo ndryshonte jo pak prej tyre, nga zakonet dhe nga gjuhët, Car Dushani, për të përkëdhelur sedrën e të gjitha palëve, si dhe për të kënaqur shijet e tyre, i dha guvernatorëve të tij pushtet të jashtëzakonshëm. Nën Dushanin, ata kishin qenë me të vërtetë zëvendës-mbretër. Nën Uroshin, ata donin të ishin të pavarur. Dushanin e kanë mburrur shumë. Ne kemi vepruar më mirë. Ne e kemi shqyrtuar nën të gjitha marrëdhëniet dhe në të gjitha rrethanat e jetës njerëzore. Tashmë, -ustavi apo zakoni i tij dëshmon se ai ishte një fanatik, -marrëdhëniet e tij me Kantakuzenin, se ishte një njeri i pa fè, -marrëdhëniet e tij me papën, se ai ishte një hipokrit, -dhe marrëdhëniet ushtarake me gjeneralët, se ishte një frigash.


    Shënime:
    -Androniku i Ri -Androniku III Paleologu, që zuri vendin e gjyshit të tij Andronikut II.
    -Shpatajt dhe Muzakajt -autori i jep si guvernatorë italianë bashkë me Karl Tokon, por ndërkohë që ky i fundit është realisht italian nga Beneventoja, Shpatajt dhe Muzakajt janë familje feudale shqiptare.
    -Simeon -despot dhe gjysëmvëlla i Dushanit, me seli në Trikalla, që shtoi më pas edhe Epirin dhe Thesalinë në zotërimin e tij.
    -Toma -despot serb, Toma Preljuboviq, ose shqiptarvrasësi, despoti i Janinës që u ndesh disa herë me Gjin Bue Shpatën, dhe vritet nga ushtarët e vet.
    -Izau -Izau Buondelmondi, një fiorentinas, u shpall Despot i Janinës mbas Tomës, në luftë me Shpatën, zihet rob nga Gjin Zenebishi i Gjirokastrës në vitin 1399.
    -Qefalonia -ishull i madh në grupin e ishujve jonianë, përballë bregut akarnan dhe gjirit të Patrës.
    -Uroshi -pasardhës i Dushanit, vdiq në vitin 1371, në kohën e tij ndodhi shpërbërja e perandorisë së shkurtër serbe të Dushanit.
    -Uzhicë -mbi Sanxhak, në Bosnjen lindore apo Serbinë perëndimore. Të shihet linja Uzhicë-Raguzë, që përshkohet nëpër Bosnje, Hercegovinë deri në Adriatik.
    -ëndrra e Dushanit për të zëvendëuar Grekët në Europë -bëhet fjalë për konceptin perandorak dhe jo për kombësitë. Perandoria e Dushanit që përfshinte shumë vende dhe s
    humë popuj kërkon të zëvendësojë rolin e Perandorisë Bizantine.

  8. #58
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 54


    Fundi i mbretërisë apo perandorisë serbe – kisha serbe – Dushani dhe Juanisi donin të zëvendësonin perandorin dhe patriarkun grek

    Dushani vdes (v. 1356), dhe vëllai i tij, guvernatori i Janinës, pretendon se perandoria kishte nevojë për një njeri të aftë, se mëkëmbësia i përket atij, dhe se Vukashini, Ungleshi dhe Voisna, abuzonin me ndikimin që kishin në shpirtin e Uroshit të ri. Nga ana tjetër, të gjithë ata që u bënte hije ndikimi i tyre i jashtëzakonshëm, u rradhitën në anën e Simeonit, dhe kështu filloi lufta midis nipit dhe xhaxhait. Kjo luftë e parë, e cila mbaroi me vdekjen e Simeonit, shumë shpejt u pasua nga një tjetër. Duke u mbështetur tek Lazari, konti i Smederevës (Semandria) dhe tek Altomani, Zhupani i Klemit (Hercegovina), Uroshi marshon kundër Ungleshit dhe Vukashinit. Por në çastin e betejës, ai u braktis në mënyrë të ulët prej frigashëve Lazar dhe Altoman, dhe bie në dorë të Vukashinit, i cili i ngul një gozhdë në kokë (v. 1368). Me Uroshin përfundon perandoria e përkohshme e të famshmit Dushan.
    Megjithatë, një akt kaq barbar nuk do të mbetej i pandëshkuar. Tre vjet më vonë (v. 1371), të tre vëllezërit: Vukashini, Ungleshi dhe Voisna u kapën në befasi në Thrakë nga një trupë e ushtrisë otomane, dhe të tre mbaruan në mënyrë të mjerueshme. Ungleshi dhe Voisna u mbytën ndërsa arratiseshin në Marica, dhe një ushtar i Vukashinit i preu kokën atij për të marrë gjerdanin e tij. A është kjo një rastësi? Apo është e kryer qëllimisht nga ana e atyre që e bënë këtë? Ne nuk e dimë. Fakti është se kufoma e Vukashinit u transportua në Rashë (Novi Pazar) dhe u vendos në krah të asaj të Uroshit, të cilin e kishte vrarë barbarisht.
    Përsa i përket tradhëtarit Lazar, atë vetë e shohim shumë shpejt të therur mbi kufomën e përgjakur të Sulltan Muratit në Kosovë (v. 1389), ndërkohë që i biri i tij, Stefan Brankoviçi iu nënshtrua pasardhësit të Muratit, dhe në rradhët e turqve ai merr pjesë lavdishëm në betejën e Angoras (v. 1402), ku Bajazidi bie në duart e Tamerlanit. Shënojmë në vijim se Vukashini, për të cilin tashmë kemi folur, kishte gjithashtu katër djem: Markon, Ivaniçin, Andreashin dhe Mitrashin. Ivaniçi u vra përkrah Balshës, kunatit të tij dhe kontit të Zetës, në një betejë me Turqit (v. 1389). Mitrashi u vra edhe ai, nuk thuhet se ku, duke luftuar për Turqit. Kurse Markoja, i famshmi Marko Kraljeviç, heroi i këngëve serbe, pijanec dhe i shthurur mes të krishterëve, po ashtu kishte kaluar në anën e Turqve. Më në fund, ai u vra në Vllahi, në një betejë që i shpalli Mirçes sulltan Bajaziti. Pas këtij skicimi të ngjarjeve politike të ndodhura në Serbinë shqiptare, mbërrijmë tek ngjarjet fetare. Shihet se njëra duhet të ketë pasuar tjetrën. Ne kemi thënë se, më 1218 ose 1219, për të ndalur njëherë e mirë marshimin vërshues të manikeizmit, Papa Honori III kishte ngritur në Shqipërinë e epërme një hierarki të ritit sllav. Në të njëjtën periudhë, në Bosnjë s’kishte as edhe një ipeshkv. Në bazë të raportit të legatit të tij dhe për të njëjtat arsye, papa vendosi aty pesë ipeshkvë. Rasko, zakonisht i njohur më tepër me emrin Sava, kishte qenë murg në Malin Atos përpara se të ngjitej në selinë e Pejës. Më vonë (nuk dihet saktë në cilin vit), ai do të kthehej në manastirin e Hilandarit (Mali Atos) të cilin e kishin ndërtuar ai dhe babai i tij, dhe në vend të tij vihet murgu Arsen me origjinë hungareze.
    Arseni, më tej, pati si pasardhës Savën II. I pari nga dy Savat ishte vëllai i mbretit Stefan, i dyti ishte biri i tij (Predislav). Si njëri dhe tjetri, dallohen për virtyte të larta. Arseni u dallua, edhe ai, për veti të rralla. Dhe të tre u radhitën në vargun e shenjtorëve. Sava I vdiq më 1227, Arseni më 1251, dhe Sava II më 1258. Pasardhësit e tyre ishin: Danieli I, i cili u ngrit në selinë e Pejës më 1258, Shën Juanisi I në vitin 1269, Shën Eustati më 1272, Jaku më 1286, Danieli II më 1326, dhe Juanisi II më 1340. Martinovi thotë se Juanisi II merr emrin e patriarkut më 1350. Ne mendojmë se ai do ta ketë marrë, pak a shumë, një vit më parë. Kodi apo zakoni i Car Dushanit ishte botuar në vitin 1349 dhe, meqë ai kishte marrë titullin si Car i Serbisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Hungari-Vllahisë, ka të ngjarë që Juanisi të ketë marrë në të njëjtën kohë emrin e patriarkut të po këtij vendi. Të njëllojtë përsa i përket ambicies, Dushani dhe Juanisi, ndoqën qëllimet e tyre të veçanta së bashku. Cari serb donte ta zëvendësonte carin bizantin dhe patriarku i Pejës atë të Kostandinopojës. Deri tek Juanisi II, metropolia e Pejës dhe dymbëdhjetë ipeshkvët që vareshin prej saj, ishin të lidhur me selinë apostolike. Farlati i siguron bindshëm mbretërit serbë, apo më mirë rasko-dalmatët, dhe mund të thuhet e njëjta gjë për popujt që ishin nën sundimin e tyre. Shtojmë se, nëse për të qenë të pëlqyeshëm për princeshat bizantine me të cilat ata ishin martuar, disa mbretër serbë anuan, pak a shumë, nga skizma greke, aq e volitëshme për pasionet, -primatët e Pejës nuk patën asnjëherë arsye të tilla. Pra, Serbët duhet ta kërkojnë tek Dushani në njërën anë dhe tek Juanisi në anën tjetër, shkakun pse perëndia lëshoi vargan fatkeqësitë mbi ta dhe mbi vendin e tyre.

    Shënime:
    -Smedereva -ose Semendra, qytet në buzë të Danubit, në lindje të Beogradit, është qendra e zotërimit të despotit Lazar dhe birit të tij Stefan Brankoviq.
    -Klemi -në Hercegovinë, zotërimi i Altomanit që shtrihej nga Narenta në perëndim deri në Lim në lindje.
    -Ungleshi, Vukashini -zotëronin në viset e Maqedonisë.
    -Krajleviq Marku -zëvendësoi Vukashinin në fronin e despotit të Prilepit, në luftë të përherëshme me Muzakajt e despotatit të Epirit për Kosturin dhe vende të tjera.
    -Marica -lumë që kalon në Bullgari, Thrakë, dhe derdhet në Egje.
    -Angora -Ankaraja ose Ankira e vjetër, kryeqyteti i sotëm i Turqisë.
    -Farlati -Daniel Farlati (1690-1773), autori i “Illyria Sacrum” (Iliria kishtare).

  9. #59
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 55

    Mbërritja e Turqve në Shqipëri – Gjon Kastrioti – Karl Topia – Mirdita – Janina – rrëmbimi i vajzave – Arta – Manastiri – kolonizimet

    Rikthehemi në historinë e Shqipërisë qendrore dhe jugore. Lufta që kishin bërë pasardhësit e Car Dushanit u pasua shumë shpejt nga lufta e Serbëve dhe Turqve, që ua bëri të mundur princëve dhe kontëve shqiptarë të rifitonin pavarësinë e tyre. Por kjo nuk zgjati shumë pasi, sapo mposhtën serbët, turqit u dyndën në Shqipëri. Atëhere, Gjon Kastriotit, për të ruajtur zotërimet e tij, iu desh të linte bijtë e tij peng (v. 1423) dhe, kur ai vdiq (v. 1431), Sulltan Murati mori në zotërim Krujën dhe gjithë vendin. Kruja, për të cilën do të flasim përsëri, ishte themeluar -thotë Pukëvili (Vëll.1, fq. 104) -në vitin 1338 nga Karl Topia, zot i Skurës. “Duke e gjykuar shkëmbin dhe burimet e Krujës, si një vend të përshtatshëm për luftë, ky princ ndërtoi aty një kështjellë, e cila, në kohën e vërshimit të Turqëve u bë stacioni i fundit i të krishterëve lindorë, dhe teatër i lavdishëm i bëmave të Skënderbeut”. Mirditorët, për të cilët do të flasim përsëri, banonin në malet përreth, dikur të quajtura Kunavia. Fshatrat e tyre, të shpërndara në luginën e Matit, zinin një hapësirë prej njëzetekatër legash, që nga grykëderdhja e këtij lumi e deri në burimet e tij, ndërsa kryeqyteti i tyre, i vendosur gjashtëmbëdhjetë lega prej Alisias quhet Orosh. Kur Murati gjendet në Selanik në vitin 1431, të njëjtin vit kur vdiq Gjon Kastrioti, Janiniotët i dorëzuan atij çelësat e qytetit të tyre me anë të njërit prej më të rëndësishmëve të tyre, Çorbaxhiut, dhe për këtë nënshtrim të vullnetshëm ata kërkuan si shpërblim veçse të ruanin përjashtimin e tyre prej taksave dhe privilegjet e tyre. Murati i pranoi propozimet e tyre, -thotë Hammeri -dhe sakaq nis tetëmbëdhjetë prej oficerëve të tij me urdhërin për marrjen e qytetit në dorëzim në emër të tij (Vëll. 2, fq. 283).
    Ata duhej të ndërtonin shtëpi jashtë qytetit, por i ndërtuan në mesin e vendit, në sheshin e kishës së Shën Mikelit. Duke mos patur me vete femra, ata marrin nga Sulltani lejen për të rrëmbyer me dhunë cilëndo që tu pëlqente atyre. Një ditë feste, ata morën, në dalje të kishës së Pantokratorit, femrat që u kishin pëlqyer. Janiniotët duhej të ankoheshin për këtë veprim, por, në të kundërt, ata e panë këtë rrëmbim si një nder, dhe të gjithë me dëshirë u sollën dhurata rrëmbyesve. Kronika e Janinës, që Pukëvili kishte parasysh, e shtyn deri më 4 mars 1449 pushtimin e Artës nga Turqit. Por, mendojmë se duhet të jetë pushtuar shumë më shpejt. Në kohën e Turqve, ajo përfshinte në rrethinat e saj Amfilokinë, Atamaninë dhe Kasiopinë. Nuk e dimë saktësisht se në cilin vit Otomanët depërtuan në Shqipëri. Por, meqënëse më 1380 ata pushtuan Manastirin, Përlepin dhe Shtipin, mund të besohet se ata nuk do të vonojnë të kapërcejnë Pindin. Pasi eskadroni i caktuar për të pushtuar Manastirin ndaloi në rrafshinën ku prej kohësh ishte ndërtuar Shën Nedela, banorët iu dërguan atyre me vajza të reja të gjitha llojet e ushqimeve dhe gjërave të nevojëshme. Të nesërmen u zhvillua një bisedë e fshehtë mes oficerit turk dhe igumenit të një manastiri që gjendej aty ku kohëve të fundit Çerkez Abdi Pasha ndërtoi një konak. U ra në marrëveshje që të njihej sulltani si sovran, dhe eskadroni u shpërngul diku tjetër. Kështu është edhe sot tradita e vendit, traditë e ruajtur sa nga të krishterët, po aq mirë edhe nga Turqit. Menjëherë pas fitores së tij në Kosovë (v. 1389), Bajaziti pushtoi Yskupin (Shkupin) dhe minierat e Karatovës. Ai, gjithashtu, solli Turqit me origjinë nga Thraka dhe me ta kolonizoi rrethinat e Shkupit, -thotë Halkondili. Duket se këta janë ata që quhen jyrykë dhe që merren veçanërisht me ruajtjen e kopeve. Halkondili flet, po ashtu, për koloni të vendosura në Kersonezin thrakas nga Sulejmani. Bajaziti vendosi të tjerë, një palë në Zarë dhe në Filipopojë, të tjerë në Vardar dhe në Thesali. Këta do të jenë Koniaritët. Autori grek thotë se perandori otoman këto koloni i kishte bërë si hangar për skllevërit dhe për plaçkën e luftës që nxirrte prej armiqve.
    Halkondili flet, më në fund, për Tartarët që vijnë nga Danubi dhe që do ti dorëzohen Bajazitit. Ky princ krijoi koloni të drejtuara nga kryetarët e tyre vendas. Por, më vonë, ai pati frikë se mos ata ngriheshin në rebelim, dhe u preu kokat. Megjithatë, shton autori grek, mbeti ende një numër i madh i shpërndarë andej-këndej. Duke folur për Koniaritët, e Kajlarit dhe të Thesalisë, Pukëvili lëvdon shumë thjeshtësinë e tyre dhe dashurinë për punën. Ata do të jenë shpërngulur në Maqedoni nga Murati në vitin 1390. Konsulli i Francës shton: “Këta Koniaritë jetojnë në thjeshtësinë e tyre të epokës së artë. Të kënaqur me frutat e tyre, me kopetë e tyre, të mjaftuar me kasollet e tyre, ata i kërkonin qiellit veç ndikimet e tij të pëlqyeshme dhe ditë paqeje” (vëll. 3, fq. 84).

    Shënime:
    -Alisia -Lisi apo Lezha e sotme.
    -Amfiloki, Kasiopi, Atamani -qytete në Epir, emra të lashtë sipas fiseve që kanë banuar këto zona, amfilokët, kasiopët dhe atamanët.
    -Koniaritë -nga Konja, qytet në jug të Turqisë, mbi malet Taurus.
    -Kajlari -në veri të Thesalisë në afërsi të Kozanit.

  10. #60
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 56


    Gjendja morale e gadishullit ilir në kohën e mbërritjes së Turqve

    Të bllokuara për pak kohë nga dyndjet e mëdha mongole, pushtimet turke do të rinisin përsëri. Në një kohë mjaft të shkurtër, mbretëritë e Bullgarisë, Serbisë, Bosnjes dhe Shqipërisë, bashkë me despotatet e Epirit dhe të Peloponezit, do të përpihen njëra pas tjetrës, dhe këto vende të krishtera do të shndërrohen në vende muslimane. Meqë këtu poshtë, mbi tokë, asgjë nuk mund të ndodhë pa urdhërin apo lejen e Zotit, historiani ndalet i pështjelluar nga pamja që i afron një shfaqje e tillë, dhe nga afrimi i ngjarjeve të tilla. Ai pyet se çfarë arsyesh do të ketë pasur Zoti që të zëvendësojë shtetet e krishtera me një shtet musliman, dhe t’ia nënshtrojë politikisht një besim të krishterë besimit muhamedan. Gjithsesi, çfarë shohim, nga njëri skaj në tjetrin, në gadishullin ilir? Tamam si në Kostandinopojë, nuk ka më rite të krishtera në Bullgari, në Serbi, në Bosnje, në Epir dhe në Greqi. Mbretër, despotë, perandorë, luanin atje edhe me lidhjet më të shenjta martesore. Në gjithë këto oborre, megjithëse të krishterë në pamjen e jashtëme, do të gjeni veçse perandorë, mbretër, princër e despotë shkelës kurorash, bastardë, maskarenj dhe manikenë, -me fjalë të tjera, të pafè, të pander, të paparimtë dhe të pamoraltë. Vetëm Shqipëria veriore i ka shpëtuar paq, pak a shumë, shthurjes së përgjithshme. Po ashtu, të vetme, e shohim të sulet lavdishëm në luftë, e të katandiset në një grusht njerëzish, që ofrojnë apo pranojnë të nënshtrohen, vetëm duke vënë kushtet e veta. Përsa i takon klerit grek, bullgar, serb, boshnjak, epirot dhe peloponezian, -të shkëputur nga autoriteti apostolik dhe të nënshtruar ndaj trilleve të mbretërve, princërve, perandorëve të pafè, pa moral dhe pa ndërgjegje, të kthyer në skllevër të kërkesave materiale të familjes, -a mund të mos ishte apo të mos bëhej edhe ai si gjithë populli? (Isaia 24. 2). Kur arrihet deri në këtë pikë, -shton profeti -ju e dini se ka ardhur ora dhe koha kur Zoti do t’ia heqë mirësitë tokës fajtore, se ai do të shkretojë pamjen e saj, dhe do të shpërndajë banorët e saj (Isaia 24. 2-3). Nga të gjithë mbretërit, despotët dhe perandorët që shtriheshin në atë kohë nga Adriatiku deri në Detin e Zi, nga Sava deri në kepin Matapan, a kishte ndonjë që të ishte, të paktën në dukje, më i zoti se Serbët për tu zënë vendin Grekëve? E megjithatë, çfarë shohim në oborrin serb? Milutini martohet me katër a pesë gra, dhe dy herë ka qënë shkelës kurore. Vladislavi, nipi i tij dhe pasuesi i tij, kryqëzon të vëllanë, Konstantinin. Bastardi i Vladislavit, i famshmi Dushan, vret vetë, ose të paktën lë të vrasin, të atin e tij. Më në fund, Vukashini i ngul një gozhdë në tëmtha Uroshit, të fundmit të Nemanjëve. Pa folur për mbretërit e tjerë serbë, çfarë ka qenë i famëshmi Dushan përsa i përket fesë? Herakliu dërgoi në Romë Serbët e parë për të bërë pagëzimet dhe për të pasur priftërinjtë. Po ashtu, në Romë mbretërit apo arkizhupanët serbë kishin kërkuar një hierarki kombëtare me Pejën si Primati, -dhe, po në Romë, arkizhupanët kërkuan një kurorë mbretërore. Me një fjalë, deri tek Dushani, ipeshkvët, primatët, mbretërit dhe Zhupanët, kishin qënë të gjithë katolikë, pak a shumë këtë ruajtën ata si pamje të jashtëme. Po çfarë bëri Dushani? Duke u ndarë si bizantin, nga njëra anë ai dekreton (art. 6 dhe 7 i ustavit të tij) dënimin me vdekje dhe konfiskimin e pronave ndaj atyre që e ushtronin (herezinë latine), dhe, nga ana tjetër, ai dërgon të kërkojë një legat nga papa. Kur erdhi legati, ai ua ndaloi qytetarëve të tij katolikë të dëgjojnë meshën e mbajtur prej atij, duke caktuar si dënim për këtë nxjerrjen e syve. Kur legati u nis, ai dërgoi për të kërkuar një tjetër, duke akuzuar “klerin bizantin që e shtyu klerin serb të ripagëzojë katolikët”. Por, siç thonë shkrimet e shenjta, nuk mund të tallesh me Zotin pa u ndëshkuar prej tij. Dhe sado të duken se kanë më tepër gjallëri se Perandoria e Poshtme, -Bullgaria, Bosnja, dhe despotatet e Epirit dhe të Greqisë, bashkë me perandorinë serbe, nuk janë më pak të dënuara që të zhbëhen. Nën goditjet e kujt? Të Otomanëve. Por, kush ishin Otomanët dhe prej nga e kishin prejardhjen?

    Shënime:
    -Sava -lumë që buron në Alpet lindore ose Karnike, përshkohet nëpër Slloveni, Kroaci dhe derdhet në Danub.
    -Matapan -kepi Matapan në jugun e skajshëm të Peloponezit.
    -Milutini, Vladislavi, Dushani, Uroshi, -trashëgimtarë të dinastisë së Nemanjiçëve, që nga Stefan Uroshi i Madh deri në shuarjen e kësaj dinastie.

Faqja 6 prej 8 FillimFillim ... 45678 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •