KAPITULLI 67
Vezirati i shquar i Ibrahimit – kapiteneria vllehe – vezirët shqiptarë – marrëdhëniet e Francës me Shqipërinë
Në vitin 1534 vdiq veziri i madh Ibrahim, një nga burrat që kanë nderuar më shumë emrin e perandorisë Otomane dhe të Shqipërisë. Ai ishte me origjinë nga Parga, e cila asokohe ishte nën Venedikun. Ende në moshë të re, ai bie në duart e piratëve algjerianë, dhe blihet më pas nga një vejushë e Magnezit, e cila i dha një edukim të mbarë. Më vonë, ai bëhet favorit i Sulejmanit dhe zëvendëson Piri Pashën. Më 1526 ai i jep sulltanit fitoren në betejën e Mohazit, dhe më 1529 udhëhoqi operacionet kundër Vjenës. Më 1534 ai komandon ushtrinë turke kundër Persisë, ndërsa më 1536 ai arrin një traktat tregëtie mes Francës dhe Turqisë. Ky traktat tregëtie ishte akti i fundit i jetës së tij politike. Duke u bërë i dyshimtë, pasi pati marrë titullin e serasqer-sulltanit, ai rrëzohet nga pushteti dhe pastaj e mbysin në Saraj, më 5 mars 1536. “Gjendja e kufomës -thotë Hammeri (vëll. 5, fq. 253) -dëshmonte se kish bërë qëndresë të fortë në luftën për jetë a vdekje, dhe ende pas 100 vjetësh duken njollat e gjakut të tij në muret e haremit”. Titulli i serasqer-sulltanit shpjegon rënien nga pushteti, por nuk sqaron asgjë për vdekjen e tij. A mos vallë e kishin mbytur pse kishte shpërfillur Kuranin, apo pse nuk kish mundur të fshihte në mënyrë të mjaftueshme gjurmët e edukimit të tij të hershëm? Kjo nuk u mësua kurrë. E vërteta është se, në një rast solemn, Ibrahimi tregoi se sa pak fanatik ishte. Ulema Kabizi kishte predikuar në Kostandinopojë epërsinë e Ungjillit ndaj Kuranit, dhe të Jezu Krishtit mbi Muhametin, ndaj ishte dënuar nga kazi-asqeri i Rumelisë. I indinjuar nga proçedura e shkurtuar që u ndoq kundrejt Kabizit, Ibrahimi iu përgjigj gjykatësve se “dhuna nuk është një armë të cilën ata duhej të përdornin, e se drejtësia dhe ligji janë të vetmit me të cilët duhet të përballet fajtori”. Pastaj Kabizi u dërgua përpara sheih-ul- islamit dhe Stamboll kadisit. Megjithatë, ai nuk ishte më pak këmbëngulës përpara gjyqtarëve të tij të rinj, sesa ndaj të parëve, dhe parapëlqeu më mirë vdekjen se të hiqte dorë prej parimeve të tij (v. 1527) (Hammer, vëll. 5, fq. 99). Po në kohën e veziratit të Ibrahimit, Vllehët e Pindit u ngritën me fermanin perandorak që i organizonte ata në 15 krahina, secila e drejtuar nga një kapiten. Nuk ka asnjë dyshim se Vllehët e kishin pasur një organizim, por gjithsesi me të meta dhe të paligjëruar nga një ferman i njëmendtë. Motivi kryesor pse Ibrahimi ua dha atyre nuk ishte vetëm se donte të mbante rregullin ndër ta, por edhe për të shtypur më mirë kaçakërinë, duke i ngarkuar përgjegjësinë çdo kapiteni për gjithçka që ndodhte në krahinën e tij. Nuk është e pavlerë të vëmë në dukje se, përveç tjerash, falë këtij organizimi, krahinat vllehe u bënë jo vetëm një strehë për të krishterët e tjerë, por gjithashtu, një frè i volitshëm për muslimanët. Pasi banorët e fushës, viktima të çdo lloj abuzimi, gjenin strehë në malet pranë Vllehëve, të cilët i merrnin nën mbrojtje, dhe, më shumë se një herë, ata morën nën mbrojtje edhe vetë muslimanët. Tani ja cilat ishin kapiteneritë kryesore vllehe. Për Maqedoninë cis-axieme: Vèria, Servia, Alasona, Grebenaja dhe Milia; -për Thesalinë: Olimpi, Mavrovuni, Kakia, Agrafa, Patraxhiku dhe Mallakasia; -dhe për Akarnaninë e Etolinë: Venetiku, Lidoriku, dhe Kseromeri, që përfshinte Epirin deri në Rogji dhe Gjumerka (shih Pouqueville, Histoire, vëll. 1, fq. 53). Siç shihet kjo listë nuk përfshin të gjithë vllehët, pasi të tjerët nuk ishin të përfshirë në fermanin perandorak. “Në perandorinë Otomane -vëren Hammeri (vëll. 17, fq. xxxviii) -timoni i anijes së shtetit rrallë i besohej një personi me origjinë turke. Më shpesh ai ishte në duart e të krishterëve me origjinë: Grekë, Ilirë, Shqiptarë, Serbë, Kroatë, madje edhe Hungarezë apo Gjermanë”. Nga ana e saj, Shqipëria i ka dhënë perandorisë vezirët e mëdhenj që vijnë më poshtë: nën Mehmetin II (v. 1451-1480) - Isak Pasha dhe Kuçukahmed Pasha; nën Bajazitin II (v. 1480-1511) - Daut Pasha; nga viti 1529 deri në 1565, Ibrahim Pasha, Ajaz Pasha, Lutfi Pasha, Ahmed Pasha dhe Ali Pasha; nën Osmanin II (v. 1617-1621) - Horner Hyseni; nën Mustafën IV (v. 1621-1623) - Hysen Pasha; nën Muratin IV (v. 1623-1639) - Kara Mustafa dhe Taban Muhamet Pasha; dhe nën Mehmetin IV (v. 1635- 1686) - Tursumxhi Ahmed Pasha. Marrëdhëniet e Francës me Shqipërinë fillojnë me Fransuanë I (v. 1515-1547). Në fillim ato u kufizuan në rekrutimin e ushtarëve. Fransua I pati prej tyre në ushtritë e tij, dhe Henri IV në truprojet e tij. Por, në kohën e Luigjit XIII, misionarët vizituan Shqipërinë dhe u mbushën me admirim nga pamja e kësaj race me shpirt energjik, me shtat të lartë, me tipare të thekshme, me krahë të zbukuruar. Por, marrëdhëniet tona tregtare datojnë vetëm në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Ne kishim në atë kohë -thotë Lavale -nënkonsuj në tetë qytete të Epirit dhe të ishujve Jonianë, konsuj në Durrës dhe në Artë, dhe më së fundi, një konsull të përgjithshëm në Janinë (Historia e Perandorisë Otomane, fq. 327).
Shënime:
-Piri Pasha -në një kapitull më parë është Tiri Pasha.
-Mohacz -në Hungari, buzë Danubit, pranë kufirit serb.
Krijoni Kontakt