Close
Faqja 7 prej 8 FillimFillim ... 5678 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 61 deri 70 prej 75
  1. #61
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 57


    Origjina e Otomanëve – ata nuk janë me origjinë turke – me prejardhje nga Galatia – parashikimi i Shën Teodor Sikeotit – misioni i tyre politik

    Të huajt i nxjerrin si Turq, “por, -thotë Hammeri -Otomanët nuk e pranojnë këtë emër përulës, dhe me të emërtojnë veç hordhitë nomade e popujt barbarë”. Dhe ata kanë të drejtë pasi, nëse kryetari i një fisi arriti, brenda disa vitesh trimërie dhe guximi, të bëhet udhëheqës i një perandorie të madhe, -kjo nuk arrihet me 400 familje (Hammer, Vëll.1, fq. 57) të cilat ai do ti krijojë në më pak se 50 vjet. Hameri thotë se “krahina e Sulltan-Eunu ka qenë djepi i fuqisë otomane”. Qoftë edhe djepi i fuqisë otomane, gjithsesi një djep nuk është aspak një popull, nuk është një komb, nuk është një perandori. Nga ana tjetër, pak rëndësi ka se Alajdini kishte vendosur katërqind nomadë (muhaxhirë) në malet e Angoras ose në ato të Tumanixhes dhe të Euksenit (Eskishehir). Nuk është më pak e vërtetë se në këtë kohë këto krahina kishin banorë, dhe këta banorë ishin të racës galeze ose kelte. Pra, në Galati, në vendin kelt dhe me elementë keltë, prijësi kurajoz i muhaxhirëve turqë themeloi perandorinë otomane. Duhet shtuar edhe se fati providencial i kësaj perandorie muslimane ishte parashikuar po në Galati, edhe para se Muhameti të kishte predikuar islamizmin. Në të vërtetë, pasi u kishte parashikuar kohë më parë sivëllezërve të tij fetarë, vdekjen e llahtarëshme të perandorit Maurik, galateu Sikeoti iu tha atyre se “pas atij do të bien mënxyra, të cilat ky brez as nuk i merr dot me mend”. I ftuar, më pas, të vinte në Kostandinopojë, dhe i pyetur nga patriarku Toma mbi domethënien që kishte kryqi i cili ishte parë të lëvizë në Galati në mënyrë shumë të çuditshme dhe kaq tronditëse, - peshkopi i shenjtë Teodor Sikeoti ia kthen duke qarë: “Dijeni se kjo lëkundje e kryqeve na parathotë fatkeqësi të mëdha dhe të shumta. Shumë vetë do të braktisin fenë tonë, dhe këtu do të ketë dyndje të mëdha popujsh, gjakderdhje të shumtë, një rrënim të pamatë dhe rebelime të konsiderueshme. Kishat do të braktisen, kulti hyjnor do të shkatërrohet, dhe do të trokasë fundi i perandorisë” (Jeta e Teodor Sikeotit). Nëse merret tashmë ob ovo historia e Galateasve, nëse shqyrtohet deri në fund, dhe nëse përqaset në të gjitha anët, do të shihet -se, të drejtuar providencialisht në Galati 278 vjet para Krishtit, Keltët ose Galateasit u bashkuan me farën romake, -se ata u përkeqën nga bigotizmi i Bizantinëve prej shekullit V deri në shekullin X, -se ata patën një depërtim gjaku selxhuk në mesin e shekullit XI, -dhe se, në fillim të shekullit XIV, Fryma e Muhametit i bëri fitimtarë. Shohim, pra, zhvillimet kohore të perandorisë Otomane - perandori që shpejt e shohim të mposhtë edhe vetë Shqipërinë. Në fillim, më 610, gjen vend parashikimi i peshkopit të shenjtë të Anastasiopojës, ndërsa dymbëdhjetë vjet më vonë Muhameti iku nga Meka për në Medine, dhe, më 1054, vjen përurimi vendimtar i skizmës greke si dhe arrijnë Selxhukët nga Turkistani. Më 1299 “fuqia otomane fillon të rritet” (Hammer, Vëll. 1, fq. 80). Më 1356, Zoti i dërgon këtej Bosforit dhe, me një lëkundje të fortë të tokës, ai u hap atyre portat e Galipopojës. Dhe në fund të shekullit XIV, eskadronet e tyre të para depërtuan në Shqipëri, kurse, më 1453, Mehmeti II e merr me sulm Kostandinopojën dhe i jep fund Perandorisë së Poshtme.

    Shënime:
    -Sulltan Eunu -zotërimi i parë i Osmanëve i dhënë nga sulltani Alajdin, në zemër të Anadollit.
    -Angora, Tumenixhe, Eskishehir (Eukseni) -rajonet e para që zotëruan Osmanët; -Angora-Ankaraja; -Tumenixhe -bjeshkë në jug të Brusës; -Eskishehir -qytet në juglindje të Brusës, në perëndim të Ankarasë.
    -Hammer -Jozef von Hammer-Purgstall (1774-1856), autor i “Historia e Perandorisë Osmane”.
    -Alajdini -Sulltani i selxhukëve, që u dha leje 400 familjeve që vinin nga Turkistani me Ertogrull Begun, djalin e Sulejman Shahut, të vendosen në krahinën e Ankarasë. Ishte i pesëmbëdhjeti sulltan i selxhukëve të Anadollit (Alajdini II) dhe i fundit, mbasi vdekja e tij rreth vitit 1300 copëtoi mbretërinë selxhuke.
    -Galati, galë, keltë -krahinë në Azinë e Vogël që në kohët e vjetra u popullua nga galo-keltët e dyndur prej veriperëndimit.
    -Galipopojë -qytet në gjysëm-ishullin e Thrakës, në ngushticën e Çanakalasë, sot në Turqinë europiane.

  2. #62
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 58


    Operacionet e para ushtarake të Otomanëve në Shqipëri – Otomanët të drejtuar në Shqipëri për apostatin shqiptar Isain – Beteja e Savrës – Ata u mundën nga Gjini – Venediku merr pozita të rëndësishme – Racat shqiptare dhe sllave – Bajaziti dhe Tamerlani – Arianit Topia tërhiqet në Kostandinopojë - Shqiptarët e Greqisë - Tokot – të thirrur në ndihmë të tyre, Otomanët ruajnë zotërimet e tyre

    Shfaqja e parë apo ekspedita e parë e Otomanëve në Shqipëri shkon në vitin 1383. Ata do të jenë drejtuar këtyre anëve për një apostat, shqiptarin Isain Balsha, duka i Shkodrës, dhe serbi Ivanoviç do të ketë ardhur në ndeshje me ta. Si njëri dhe tjetri, do të humbin jetën në një betejë në Savër, pranë Beratit (v. 1384). Gjergj Strazimiri, nipi i Balshës, kërkon më pas, edhe ai, ti zmbrapsë otomanët. Por ai u mund dhe humbi edhe Durrësin, të cilin e riblen dhe ia dhuron Venedikasve. Megjithatë Berati mbetet nën pushtetin e Turqve (v. 1386). Më vonë Turqit u bien zotërimeve të Gjinit, zotit të Zenobisë (Tepelenë) në kohën kur ai rrethon Janinën, dhe i shkatërrojnë me zjarr dhe me hekur. Por, në çastin kur ata po tërhiqeshin të ngarkuar me plaçkën e luftës, Gjin Shpata, duka i Akarnanisë dhe vjehrri i Gjonit, u bie atyre duke i shkaktuar një humbje të madhe (v. 1397). Pushtimi i Shqipërisë qendrore prej ushtrive turke dhe dobësia që rridhte nga anarkia feudale që mbizotëronte midis zotërve të vegjël të vendit, sollën për pasojë që Venedikut ti hapeshin sytë. Po ashtu, shohim se ai përfiton nga lufta që bëhej midis Otomanëve dhe Mongolëve, për të pushtuar Panarin, Sajadhën, Pargën, Lezhën dhe Shkodrën (v. 1401). Feudalizmi shqiptar ishte mëse i verbër që të mund të jepte kushtrimin përkundër pushtimit. Ngjarjet në vazhdim dëshmuan se Venediku veproi me mençuri, pasi të gjitha këto vende ishin me arsenale të bollëshme dhe si fortesa strehimi gjatë luftës së mahnitëshme që bëri Shqipëria, nën udhëheqjen e Skënderbeut, për ruajtjen e pavarësisë së saj. Madje mund të thuhet edhe se fortesat venedikase iu shërbyen shqiptarëve jo më pak se vetë malet e tyre. Përsa i përket pushtimit të Shqipërisë nga Otomano-Galateasit, edhe pse duket i dënueshëm përgjatë kohëve në këndvështrimin e patriotizmit shqiptar, ne do të shohim, shumë shpejt, se pa atë, raca shqiptare do të zhbëhej nën trysninë e dyndjeve pushtuese të racës sllave. Na duket se raca shqiptare i detyrohet pushtimit turk për mbijetesën e saj. E ardhmja do të tregojë se cilat ishin qëllimet e Zotit i cili bëri të mundur ruajtjen e kësaj race kaq të lartë. Lufta midis Bajazitit dhe Tamerlanit e tronditi, padyshim, perandorinë e re otomano-galatease, por nuk e përmbysi. Sapo u rivendos qetësia, filluan përsëri sulmet mbi Shqipërinë. Padyshim se, për një luftë po kaq të tmerrshme, Bajaziti kishte tërhequr pjesën më të madhe të trupave të tij. Por, nëse Otomanët kishin humbur Beratin, shihet se ata mbajtën Ohrin ku, në vitin 1402, ishte guvernator Gjunidi.
    Gjithsesi këtu hollësitë na mungojnë. Gjithçka që ne dijmë është se, me vdekjen e Gjinit, Turqit pushtojnë Gjirokastrën dhe, me vdekjen e Teodor Koronës, ata rimarrin Beratin. Shohim, gjithashtu, se pushtimi shkallë-shkallë nga guvernatorët turq e detyruan Arianit Topinë, të ashtuquajturin Madhështori, ti drejtohet Kostandinopojës. Ankesat e tij ishin të drejta, por pushtimi i gjithë Shqipërisë ishte vendosur më parë, dhe Arianiti u tërhoq në Kostandinopojë. Ky dhunim i të drejtës së njerëzve do ti kushtojë shtrenjtë qeverisë turke. Mbetet të dihet koha kur një masë shqiptarësh ishte zhvendosur në Greqi. Sipas vazhduesit të Lë Bosë, rreth vitit 1180 është koha kur ata bënë vendngulimet e para atje, dhe nuk mundën ti dëbonin prej andej. Por pohimi i Ameilhonit na duket i gabuar. Sidoqoftë, Pukëvili ia atribuon këtë emigrim urdhërit që Bajaziti u kishte dhënë atyre për të përqafuar islamizmin. Duke u gjendur atëhere të detyruar ti nënshtroheshin një apostazie në masë “një pjesë u tërhoqën drejt trevave të Himarës, të Sulit dhe të Pargës, kurse të tjerët kaluan në Peloponez.Atje, -shton ky autor (vëll.3, fq. 212) -të ndjekur dhe të përndjekur nga Turqit, disa iu ngjitën maleve Gerane në veri të Megarës, dhe të tjerët kërkuan strehë në ishujt e Hidrës, Species, Poros, Salaminës, Psarës, dhe deri në Qipro, ku ende ekzistojnë disa koloni të mbetura të krishtera...”. Por ne mendojmë më tepër se ky emigracion është edhe më i lashtë. Sido që të jenë këto të dhëna, është e sigurtë se duke parashikuar një sulm nga ana e Turqve, princët e Peloponezit, Dimitri dhe Toma, iu bënë thirrje shqiptarëve për ndihmë. Më vonë, princët e lartpërmendur do të kalonin në Itali, dhe atëhere (thotë Hammer, vëll. 3, fq. 9), Shqiptarët kërkuan ti paguajnë Sulltanit të njëjtën haraç që princët grekë ofronin për sovranitetin e Peloponezit. Por këto propozime nuk u pranuan. Tre grekë të tjerë, Kantakuzeni, Lukani dhe Centerioni donin të zinin vendin e princërve Dimitër dhe Toma. Mosmarrëveshja ishte shumë e madhe dhe, pas dy ekspeditave të reja (1454-1458), i gjithë Peloponezi mbeti në duart e Turqve. Hammeri flet për 10 mijë femra shqiptare që, po në të njëjtën ditë, bien në duart e Turqve. Prej kësaj rrjedh se shqiptarët për të cilët po flasim i kanë çuar familjet e tyre në Peloponez dhe se ata ishin të shumtë në numër atje. Duke folur për Shqiptarët, Franxe thotë “se ata ishin populli më i mbrapshtë dhe më i kotë në botë, se ata kalonin nga njëri despot tek tjetri, dhe se nga njëra e diel në tjetrën ata mohonin tre herë zotërit e tyre” (Hammer, Vol. 3, fq. 53). Tokot kishin marrë Dukatin e Qefalonisë nga Filipi i Tarentit. Por, cila ishte origjina e tyre? Disa autorë i kanë nxjerrë me prejardhje nga Beneventi, të tjerë nga Pisazh në Gatine. Ne mendojmë se duhen pajtuar si njëri dhe tjetri hamendësim. E vërteta është se, duke u bërë princ i Epirit, Etolisë dhe Akarnanisë, Karl Toko ishte i pari prej princëve frankë që marrin mbi vete emrin e kotë të despotit. I martuar me të madhen prej dy vajzave të Renierit, dukës së Athinës, ai nuk pati fëmijë. Por, nga ana tjetër, la pesë fëmijë të jashtëligjshëm: -Antonin që qeverisi Tebën dhe Athinën në emër të Turqve dhe arriti pleqërinë pa u turbulluar aspak në mbretërimin e tij të qejfit, Memnonin, Turnon dhe Herkulin të cilët grinden për Akarnaninë. Pasi i kërkoi ndihmë Memnoni, Murati i dërgoi atij një ushtri nën urdhërat e Karaxha Pashës dhe mbajti Akarnaninë për vete (v. 1431) (shih Hammer, vëll. 2, fq. 282). Kjo ngjarje ndodhi në të njëjtin vit kur Janina iu dha Turqve, dhe kur vdiq edhe babai i Skënderbeut. Etolia i mbeti Karlit, të birit të Leonardit dhe nipit të Karl Tokos. Dhe prej tij ky vend mori emrin Karlili (Karl-ile, vendi i Karlit). Kur mbërrijnë Otomanët në Epir dhe në Akarnani, nuk numëroheshin pasuritë e tij (Karlit) si për nga numri i fermave, shërbëtorëve dhe kopeve të tij. “Ishte si një festë -thotë një këngë e trashëguar në manastirin e e Shën Driasë -të shohësh zotërinë fisnik të Kristodulit me 10 bijtë e tij, të hipur mbi gomerë të bukur e të shndritshëm, të ndjekur nga njerëzit më këmbë, të vinë në oborrin e Tokos, kontit të Tite-la-Byse (Tepelen)”. Pukëvili thotë se, duke lexuar këtë, të duket se lexon Biblën. Në të kundërt, ne, duke lexuar këtë, besojmë se lexojmë një thirrje për të qënë shërbëtor. (Pouqueville, Voyage, vëll. 4, fq. 25).

    Shënime:
    -beteja e Savrës (1384) -Në të vërtetë kjo betejë mes ushtrisë turke dhe koalicionit të feudalëve shqiptarë të udhëhequr nga Balsha njihet si e vitit 1385.
    -Zenobisë -është fjala për zotin e Gjirokastrës Gjin Zenebishi (ose Zenevisi), i cili në vitin 1399 zuri rob despotin e Janinës Izaun, dhe e mbajti për një vit Janinën.
    -Bajaziti -sulltan i turqve (1389-1402), djali i Muratit I, pushtoi Azinë e Vogël, përparoi në Perëndim deri në Nikopojë, por u mund nga Timurlengu, prijësi i mongolëve.
    -Tamerlani -Timurlengu nga Samarkanda (1336-1405), theu Bajazidin I në vitin 1402 në betejën e Ankarasë.
    -Panari, Sajadha, Parga -qytete bregdetare ne jugun shqiptar.
    -Teodor Korona (Muzaka) -i derës së Muzakajve që quheshin edhe despotë të Epirit me qendër Beratin, dhe me zotërime në Kostur e më tej.
    -Megara -qytet në mes Korinthit e Athinës, mbi istmin e Korinthit.
    -Hidra, Specia, Poro, Salamina, Psara -ishuj pranë bregut perëndimor të Atikës dhe në Egjeun perëndimor.
    -Franxe -Gjergj Franze (1401-1478), shkrimtar bizantin.
    -Dimitri dhe Toma -vëllezër të perandorit Konstantin XII Paleologut që vdiq me shpatë në dorë në rrethimin e Kostandinopojës. Sundimtarë të Moresë si vasalë të sulltanit, kundër të cilëve ngrenë krye arbëreshët e Moresë në mesin e shekullit XV, të mbështetur nga Manuel Kantakuzeni dhe vëllezërit Zaharija.
    -Pisazh në Gatinë -në veri të Francës, në jug të Parisit. Edhe këtu autori ka prirjen për ti nxjerrë personazhet që dallojnë në historinë e vendit, -si në këtë rast Tokot, sundimtarët e Qefalonisë, Akarnanisë e Etolisë, -me origjinë franceze.

  3. #63
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 59

    Skënderbeu – i dhënë peng tek Murati – vdekja e babait dhe vëllezërve të tij – forca e tij – beteja e Nishit – Skënderbeu braktis kampin turk – ai vendoset në Krujë dhe thërret feudalët shqiptarë – ai mund gjeneralët e Muratit dhe e mund edhe atë vetë – kishat e shndërruara në xhami – Skënderbeu martohet me bijën e Topisë – Mehmeti vjen vetë në Shqipëri dhe mundet – armëpushimi i prishur – Otomanët pësojnë humbje të reja – vdekja e Skënderbeut – nderimet në kujtim të tij – emigracioni në Itali

    Në vitin 1423 qeveritarët muslimanë kishin provokuar kryengritjen e Gjon Kastriotit, zotit të Krujës. Kjo solli luftën dhe, më në fund, për të ruajtur zotërimet e tij, Gjoni u detyrua të dërgonte si peng katër fëmijët e tij: Reposhin, Stanishin, Konstantinin dhe Gjergjin. Më në fund, Gjoni vdes më 1435. Murati, jo vetëm pushtoi zotërimet e tij, por ai po ashtu helmoi tre djemtë më të mëdhenj të tij. Të katërtin që ishte bërë turk, e ruajtën. Për të do të flasim tani. Familja e tij e kishte preardhjen nga fisi shqiptar i Kastratëve, prej nga rrjedh dhe emri i Kastriotit. Kruja, e cila ishte kthyer në sinjori prej kontëve napolitanë, gjendet në trevat shqiptare që marrin emrin nga lumi i Matit. Emri Skënderbej (zoti Aleksandër) iu dha Gjergjit nga Turqit, për shkak të guximit dhe të fuqisë trupore që kishte shfaqur në shumë raste. Thuhet, për shembull, se në një ndeshje të vetme, ai kishte mundur një tatar dhe dy persianë me trupa gjigandë. Më 10 shtator 1443, pas betejës së Nishit, Aleksandër Beu, në moshën 29 vjeç, u arratis nga ushtria turke të cilën e komandonte. Thuhet se Vllehu Huniad ia këshilloi këtë arrati. Kjo është e mundëshme, por më e mundur është që largimi i tij të ketë qënë i ujdisur me Arianitin-Madhështorin, dhe shumë zotërinj të tjerë shqiptarë, të mbajtur padrejtësisht në Kostandinopojë. Sido që të jetë, Skënderbeu, duke qenë i pajisur me një urdhër që e mori duke i vënë shpatën në fyt sekretarit të shtetit (reis efendi), arrin fatbardhësisht në Krujë, dhe vendoset aty bashkë me 300 burra të rekrutuar në Dibrat e epërme. Zot i trashëgimisë së tij atërore, ai therr garnizonin turk. Sa i përket garnizoneve të tjera, atyre të Petrelës, të Petralbës, të Stelushit, e të tjera, ai i hoqi Turqit prej tyre në më pak se tridhjetë ditë, dhe u bë zot i të gjitha fortesave të vendit. Atëhere, me thirrjen e tij, zotërinjtë dhe princët shqiptarë u mblodhën në Lezhë. Atje gjenden dy Topiajt, Arianiti, zotërit e Muzakisë, të Dukagjinit, të Drivastit, dhe Stefan Cernojeviqi i Malit të Zi i shoqëruar nga bijtë e tij. Të gjithë në një zë zgjodhën Skënderbeun për komandant dhe, nën udhëheqjen e tij, filloi lufta me befasi, me pusi dhe me luftime të njëpasnjëshme, e cila zgjati 23 vjet. Kjo luftë filloi me një fitore të rëndësishme në Dibrat e epërme, dhe me një ekspeditë në Maqedoni. Sulltan Murati atëhere i bëri atij propozime shumë të volitëshme. Skënderbeu i kundërshtoi ato, dhe i theu njëri pas tjetrit tre gjeneralë të dërguar kundër tij: Aliun, Firuzin dhe Mustafain. Atëhere Murati vjen vetë. Dy herë ai rrethoi Krujën, në vitet 1449 dhe 1451, dhe që të dyja herët ai zmbrapset, dhe vdes nga apopleksia, në mes të një gostie në Adrianopojë (v. 1451). Më 1447, -thotë Pukëvili (Histoire, fq. 306) -shtatë vjet para marrjes së Kostandinopojës, Murati i II urdhëroi të ktheheshin në xhami të gjitha kishat e Shqipërisë, dhe të detyroheshin banorët të përqafonin islamizmin. Lunklavi e vendos këtë fakt në vitin 1445, dhe thotë se një pjesë e kishave ishin rrafshuar dhe disa të tjera ishin shndërruar në xhami. Sidoqoftë, masa të këtilla të pamatura i shërbyen veçse si shkak Skënderbeut. Murati e provoi shumë shpejt këtë. Të detyruar të mbronin atë çfarë ata kishin më të shtrenjtë, Shqiptarët shumëfishuan guximin, dhe Otomanët pësuan disfatë pas disfate.
    Meqënëse Murati vdes (v. 1451), dhe Mehmeti II nuk mundi të shkojë brenda një kohe të shkurtër në Shqipëri, Shqiptarët përfituan nga ky moment pushimi për të martuar prijësin e tyre të lavdishëm me bijën e Arianit Topisë, burrit më me peshë pas Skënderbeut (v. 1451). Për gjithë Shqipërinë kjo ishte një ditë feste kombëtare dhe fryma luftarake e vendit u shfaq nëpër gara, në luftime dhe në lojëra, ku shkathtësia vihej përballë guximit. Megjithatë, Mehmeti gjithnjë shpresonte se ishte më me fat se i ati i tij. Sapo iu dha udhë punëve të veta, ai rifilloi luftën. Por, të gjitha trupat e shumta që u dërguan kundër Shqiptarëve, u mundën njëra pas tjetrës dhe, më në fund, u vendos një armëpushim në Berat (v. 1461). Sidoqoftë, lufta nuk vonoi të rinisë. Meqë vetë Mehmeti kishte filluar luftën kundër Hungarisë, Bosnjës dhe despotëve të Peloponezit, Skënderbeu besoi se shumë shpejt do të gjendej i vetëm përballë Mehmetit, mundësit të të gjithë armiqve të vet. Luftimet rifilluan në Shqipëri, dhe Skënderbeu shpartalloi Sheremet Beun pranë Ohrit, Ballabanin në Dibrat, dhe Jakupin në Berat. I sulmuar më pas nga Mehmeti vetë, ai e detyroi të heqë me turp rrethimin e Krujës. Pasi Mehmeti u largua, ai shkatërroi në shtigjet e Tiranës një ushtri prej 80 mijë ushtarësh të komanduar nga Ballabani. Më në fund, një palë ethe të larta e ndajnë nga kjo botë, në kohën kur ai po hartonte planet për operacione të reja bashkë me fisnikët shqiptarë, të mbledhur në Lezhë (v. 1467). Skënderbeu -thotë Pukëvili -ishte më shumë kryetar i një konfederate zotërish, se sa mbret. Shkëlqimi i tij qëndronte më shumë tek ai vetë dhe tek aftësitë e tij luftarake, sesa në shtrirjen e trojeve të tij, domethënë të pashallëkut të vogël të Krujës. Hammeri e akuzon për mizori. Është paksa harraq, pasi ai vetë tregon për Sulltanin dhe poshtërsitë e tij. E vërteta është se Skënderbeu nuk rropi asnjë njeri të gjallë. Vetëm se atij i duhej të mbronte, jetën e tij nga sikarët e Mehmetit, dhe vendin e tij nga shqiptarët apostatë: Haruza, Moisiu, Ballabani, Jakupi, e të tjerë. Veç tjerash, Otomanët vetë i dhanë atij të drejtë. Vëmë re në të vërtetë “se ata zhvarrosën kockat e tij me një nderim besimtar, dhe se i preknin eshtrat me një ndjenjë admirimi. Dhe ndër ta qenë me fat ata që arritën të zotërojnë ndonjë copë prej tyre. Ata i fusnin ato në kutiza të arta apo të argjendëta dhe i varnin në qafë si hajmali” (Hammer, 3, fq. 243). Qysh kur ishte gjallë Skënderbeu, një koloni shqiptarësh kishte kaluar në Pulje (v. 1461). Pas vdekjes së tij, kjo ishte diçka krejt ndryshe. Duke mos pasur mbështetje dhe mbrojtës, Shqiptarët u hodhën në masë nëpër barkat dhe anijet që do ti transportonin për në Itali. “Vendet fqinje të detit Adriatik -shkruante në atë kohë Papa Pali II (v. 1464-1471) -janë të tmerruar nga tronditja e përgjithshme, të shastisur nga tmerri. Kudo shihet terrori, pikëllimi, skllavëria, vdekja. Është diçka tronditëse të dëgjosh rrëfenjën e mënxyrave, të shikosh barkat e mbushura me të ikur që zbarkojnë në tokat e Italisë. Familjet pa bukë, të dëbuara nga shtëpitë e tyre, që enden nëpër plazhet tona, duke ngritur zërin e duart e tyre drejt qiellit, duke u lutur”. Emigrimi -shton Pukëvili -zgjati deri në vitin 1532 (vëll. 3, fq. 281). Nëse pati më vonë, ai nuk ishte në masë.


    Shënime:

    -Haruza -duhet të jetë gabim shtypi, pasi bëhet fjalë për Hamzanë, nipin e Skënderbeut.
    -Lunklavi -Johan Leunklavius i shekullit XVI, i njohur për Analet e Sulltanëve Osmanllinj të nxjerra nga shkrimet në gjuhën e tyre turqishte (1588).
    -Arianit Madhështori -Arianit Topia, një nga feudalët më të shquar shqiptarë me principatën e tij që shtrihej në viset jugore prej bregdetit e deri thellë në Maqedoni, bëhet më pas vjehrri i Skënderbeut.

  4. #64
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 60

    Rënia e Krujës, Shkodrës dhe Tivarit – Shqipëria e shkatërruar nga Otomanët – Përgjigja fisnike e Loredanos, guvernatorit të Shkodrës – Mehmeti premton ti falë jetën garnizonit të Krujës dhe pastaj i vret – rrethimi i Shkodrës – zia e bukës – Zhabljaku dhe Drivasti – rënia e Shkodrës dhe masat paraprake që mori Venediku –një vështrim retrospektiv mbi kryqëzatat, mbi Grekët dhe Otomanët – vdekja e Arkipeshkvit të Tivarit

    Me vdekjen e Skënderbeut, Mehmeti dërgoi trupat sakaq të shkatërrojnë Shqipërinë. Megjithatë, asnjë qytet nuk ra nën pushtetin e tij, pasi Venedikasit ishin parapërgatitur me zgjuarsi. Skënderbeu para vdekjes i kishte bërë ata tutorë të birit të vogël të tij. Kjo rrethanë e fundit nuk dihej nga Sulltani, dhe ai u befasua mjaft tek shihte Venedikasit ti turreshin Greqisë në çastin kur ai vetë sulmonte Shqipërinë. Ai thirri trupat e tij dhe i dërgoi një pjesë në More e një pjesë në Negropont. Në këtë mënyrë, teatri i luftës u zhvendos tjetërkund për disa vite. Por, më 1474, ushtria turke shfaqet para Shkodrës. Kur i kërkuan të dorëzonte vendin, Loredano u përgjegj: “Unë jam venecian nga një familje që di të mbrojë qytetet, dhe jo ti dorëzojë ato. Unë ose do të mbroj Shkodrën, ose do të vdes”. Në të vërtetë, qëndresa e tij ishte e tillë sa që e detyroi Sulejman Pashën, bejlerbeun e Rumelisë, të hiqte me turp rrethimin.Më pas u vendos një armëpushim dhe Venediku bëri të pamundurën që ta kthente në paqe të qëndrueshme. Por Sulltani çdo herë i kundërvinte nga një pengesë të re. Më në fund, Kruja u rrethua nga një ushtri turke. Vendi ishte i bllokuar qysh prej 13 vjetësh, kur garnizoni kërkoi të dorëzohej me kushtin që tu falej jeta. Mehmeti premtoi se nuk do tu bënte asnjë të keqe, as garnizonit e as banorëve të saj. Por, sapo qyteti ra nën pushtetin e tij, ai u preu kokën të gjithëve (v. 1478). Më pas vjen rradha e Shkodrës. Aty pritej ardhja e Turqve, dhe në fortesë kishin mbetur vetëm 1 600 ushtarë, 1 600 qytetarë, dhe 250 gra për tu kujdesur për ta. Njëmbëdhjetë topa të përbindshëm, për një muaj rrjesht, lëshuan 2534 gjyle dhe kishin shkaktuar në muret e kalasë të çara shumë të mëdha. Dhe atëkohë u bë sulmi i parë mbi Shkodrën, sulm ku Mehmeti humbi aty 12 mijë vetë. Një sulm i dytë u bë disa ditë më vonë ku pati humbje të shumta dhe pak sukses. Duke parë kaq shumë kufoma, Mehmeti thirri: “Përse duhet të dëgjoja emrin e Shkodrës?!” Pastaj, duke e kthyer rrethimin në izolim, ai la një pjesë të trupave të tij rreth qytetit, dhe marrshoi me pjesën tjetër të ushtrisë në Zhabljak dhe në Drivast. Zhabljaku u muarr me sulm, ndërsa Drivasti u morr në befasi, në çastin kur rinia ishte jashtë duke bërë një diversion në përkrahje të Shkodrës. Megjithatë, zija e bukës ndihej përherë e më shumë në këtë qytet të fundit. Pasi kishin ngrënë qentë, macet, minjtë dhe kafshët më të ndyra, ata filluan të brejnë lëkurët e vjetra të përgatitura me uthull. Më në fund, paqja u arrit midis Venedikut dhe Turqisë. Qyteti duhej ti mbetej sulltanit, por të rrethuarit ishin të lirë, ose të qëndronin nën Turqi, ose të vendoseshin diku tjetër. Ata zgjodhën këtë të fundit. Por meqë nuk mund ti besohej premtimeve të Mehmetit, Venediku i tërhoqi vetë pengjet. Me tu dhënë pengjet, shihen 450 burra dhe 150 gra të kalojnë përmes kampit turk duke mbartur me vete relike, vazo të shenjta, artikuj të larmishëm, dhe ajo çka u kish mbetur nga pasuria e tyre. Një at domenikan, me origjinë shqiptare dhe i quajtur Bartelmi, marshonte në krye të tyre. Ky kishtar i nderuar, një tjetër Kapistran, jo vetëm kishte ndarë rrezikun me ta, por për më tepër kishte mbajtur gjallë kurajon me ligjërata e tij nxitëse. Anijet i prisnin më poshtë. Ata hipën të gjithë dhe, disa ditë më vonë, Venecia i priti si ngadhënjimtarë. Ata lanë atdheun e tyre më 25 prill 1479.
    Rëniet e njëpasnjëshme të kombeve të ndryshme i ligështuan Greko-Bizantinët. Padyshim që, me afrimin e Turqve, zotërit e Nikesë, ata provokuan kryqëzatat. Por është vërejtur se Europës së angazhuar dikur me këto ekspedita të largëta dhe të kushtueshme, ata nuk i kanë dhënë as ndihmën më të vogël. Përkundrazi, nuk ka lloj ligësie dhe pabesie që nuk u përdor prej tyre që ato të dështonin. Meqë Europa tërhiqet, Otomanët kapërcejnë Bosforin. Më së fundi, rezistenca u përqëndrua në Shqipëri. Por, uniteti fetar dhe uniteti shoqëror i mungonin këtij vendi. E drobitur prej një dinastie bastardësh grekë, të quajtur despotë, Shqipëria jugore humbi në fillim fenë e vërtetë, e më pas, ajo dërgoi bijtë e saj në ndihmë të despotëve të Peloponezit. Kështu që, me arritjen e Otomanëve, vendi u gjend pa mbrojtës - Shqiptarët e Peloponezit qenë grumbulluar në ishujt Hidra e Specia, dhe pa ndonjë parim të njësimit fetar. Tivari ishte rrethuar nga Turqit në vitin 1535, por arriti të merret vetëm më 1570. Me marrjen e këtij qyteti, ipeshkvi, Gjoni VIII, i ra në dorë Ali Pashës, komandantit të flotës otomane. Bejlerbeu i Rumelisë donte ta ripte të gjallë. Por Ali Pasha kërkoi vetëm që ai të çohej në tendën e tij me zbukurimet e tij dhe më veshjet e tij pontifikale. Më vonë, ai i ofroi atij lirinë kundrejt 20 mijë dukatesh ari. Duke mos mundur ta gjejë dot këtë shumë, arkipeshkvi u dërgua për në Kostandinopojë. Por, meqë anija në të cilën hypi u sulmua në det nga venedikasit, ai u vra nga turqit. Pas vdekjes së këtij prelati, selia e Tivarit mbeti pa njeri deri në vitin 1579.

    Shënime:
    -Negropont -ishulli i Eubesë përgjatë krahut lindor të Greqisë.
    -Zhabljak -qytet dhe fortesë në jug të Podgoricës; Drivast -Drishti, qytet mesjetar në jug të Shkodrës.
    -një Kapistran -Shën Gjon Kapistrani (1386-1456), at françskan, u shqua në mbrojtjen e Beogradit në rrethimin e tij prej turqve. Këtu krahasohet Bartelmi, që mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës, me Kapistranin.

  5. #65
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 61


    Paqëtimi i Shqipërisë – Akarnania e shpopulluar – privilegjet e dhëna për Vllehët dhe Akrokeraunët – marrëveshja me Mirditën - Mali i Zi i panënshtruar

    Kruja dhe Shkodra, kështjellat kryesore të Shqipërisë veriore, pra, ishin marrë tashmë. Do të vijë radha e Durrësit, Ulqinit, Tivarit, dhe vendeve të tjera, të cilat për momentin janë nën pushtetin e Venedikasve. Përsa i përket maleve të veriut, Mirditorët qëndruan në njërën pjesë të tyre, dhe Malazezët në pjesën tjetër. Sa për malet e jugut -Akrokerauni dhe Pindi, ato do t’iu njihen Turqve veçse me disa kushte.
    Po atë vit që Shkodra kishte rënë, Akarnania dhe ishujt fqinjë, Zanti, Qefalonia, Itaka, Leukada ose Shën Mauri, ranë po ashtu. Në vend që të mbronte zotërimet e tij, italiani Leonard Toko, kishte marrë arratinë. Shumë krahina donin të bënin qëndresë, por të tërhequr në Kostandinopojë, të martuar me forcë me etiopianë apo etiopiane, dhe pastaj të dërguar në Detin e Zi, ata u shuan aty shumë shpejt. Pushtimi i ishujve Jonianë dhe i Akrokeraunit ishte për Vllehët e Aspropotamit dhe të Pindit, pothuajse siç ishte marrja e Krujës dhe e Shkodrës për Mirditorët. Në malet e tyre ata nuk mund të sulmoheshin por, për të jetuar ata dhe kopetë e tyre kishin nevojë për fushat, dhe për detet përqark për tregëtinë e tyre. Nga ana e tyre, nënshtetasit otomanë kishin nevojë të jetonin në qetësi dhe siguri. Kjo gjendje e punëve solli një kompromis midis tyre dhe Portës së Lartë. Porta e Lartë u zotua të mos kërkonte taksa dhe të mos ndërhynte në çështjet e brendshme, dhe t’iu linte atyre sigurinë e malësive dhe të rrugëve. Nga ana e tyre, ata premtonin që të mos keqtrajtonin popullsitë fqinje, që të jetonin në paqe me ta, të bënin tregëti të ndershme me të tjerët, apo të shkonin të punonin, nuk ka rëndësi se ku, në perandorinë Otomane. Malet akrokeraune ose himariote e mbrojtën pavarësinë e tyre me jo më pak energji në momentin e luftës vendimtare me otomanët. Ata kishin si prijës kryesor Stresin, zotin e Vlorës. Duke gjetur mbështetje nga malet e tyre, Stresi dhe njerëzit e tij vazhduan të luftojnë kundër Turqve. Por megjithatë, erdhi një ditë që, të bllokuar nga flota e Sinan Pashës dhe nga një ushtri tokësore, ata bien në ujdi (v. 1518). Pikat kryesore të marrëveshjes ishin që Himariotët të vazhdonin të mbanin armët dhe të mos paguanin haraçin. Këto privilegje u ligjëruan nga Murati IV (v. 1622-1640). Pukëvili siguron se “Japigia apo Akrokerauni është treva më e humbur fshatarake, më e varfëra dhe më e paqytetëruara e Epirit. I përkulur mbi parmendë, fshatari mbjell fushat e tij duke quajtur qiellin mbrojtës të të mbjellave. I armatosur dhe i brengosur, duket sikur e hedh rastësisht farën që ia besonte tokës pa mbajtur shumë shpresë në rezultatin e korrjeve.... Vetë të pasurit kishin frikë ti tregonin, dhe i fshihnin në qilarët nëntokësorë (hambarët) prodhimet dhe drithërat e tyre, ashtu si milingona lakmitare grumbullon zahiretë në fund të folesë së saj” (vëll. 1, fq. 346-347). Të themi të vërtetën, Mirdita nuk i është nënshtruar asnjëherë otomanëve. Ato që Traktati i Berlinit i cilësoi si privilegje nuk ishin veçse një marrëveshje. Ende edhe sot një turk nuk mund të vërë këmbë në Mirditë. Ai patjetër vritet nga një e shtënë pushke në kufijtë që nuk i lejohet të kapërcejë. E gjithë ajo çka arriti me ta Mehmeti II, pas rënies së Shkodrës, ishte që të mos keqtrajtonin fshatarët e fushës dhe që ata vetë të mos ngjiteshin në malet e tyre. Nuk ishin të tilla kushtet me Malin e Zi. Sipas kërkesës, Mirditorët do të jepnin trupa të drejtuara nga prijësi i tyre. Mali i Zi nuk ka dhënë kurrë trupa të tillë.

    Shënime:
    -Akrokerauni -trevat malore të Himarës me rrethinat.
    -Zanto, Qefalonia, Itaka, Leukada (Shën-Mauri) -ishujt jonianë përballë Akarnanisë, që më vonë do bëjnë pjesë në republikën e shtatë ishujve.
    -Japigia -po Akrokerauni, autori e përdor duke evokuar lashtësinë ilire të fisit të japigëve (bashkë me mesapët) që banonin në të vërtetë në Italinë lindore (Apulia), përballë bregut shqiptar.
    -Leonard Toko -i biri i Karl Tokos.

  6. #66
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 62


    Mali i Zi bëhet një vend strehimi - grindjet midis të krishterëve dhe muslimanëve – Demir Pasha kap tradhëtisht metropolitin Daniel – masakra e vitit 1702 – më shumë muslimanë në Malin e Zi – shkëmbimi i oficerëve me mish derri më 1706

    Në fillim i pavarur, më pas i nënshtruar herë prej Bizantinëve dhe herë prej Serbëve, Dukati i Zetës (Zenta) shtrihej: -në veri deri matanë Kotorrit, në lindje deri në Prizrend, ndërsa në jug, më shumë se një herë, kufijtë e tij u shtrinë deri pranë Durrësit. Është e tepërt të shtojmë se popullsia e saj parake ishte iliro-shqiptare. Por, më 1389, një numër i madh i atyre që i kishin shpëtuar mënxyrës së Kosovës kërkuan strehë në malet e paarritëshme, të quajtura që atëherë “të zeza”, për shkak të kreshtave të tyre të thata e të ashpra, dhe të shkëmbinjve të tyre të mëdhenj vullkanikë. Megjithëse ishte e përmbytur prej këtyre dyndjeve të Serbëve, Boshnjakëve, Hercegovinasve dhe Bullgarëve, popullsia parake dallohej jo pak nga tjetra, deri në masakrën e vitit 1702. Vetë religjioni e ktheu këtë dallim më të mprehtë se, pasi kishte fituar një pjesë të Shqipërisë së jugut, islamizmi arrin të fitojë ato të veriut. Këngët malazeze ia atribuojnë këtë fakt rivalitetit të familjeve, dhe thonë se një prej bijve të princit Gjon III do të ketë qenë në Kostandinopojë për tu bërë Turk që të zërë vendin e vëllait të tij. Shumë shpejt midis të krishterëve dhe muslimanëve pati grindje dhe përplasje të përditëshme. Shtojmë më tej se pashallarët e Shkodrës nuk ishin të vetmit që u mbështetën tek apostatët e Malit të Zi, herë për tu zgjeruar, dhe herë për të ruajtur ndikimin e tyre mbi një vend që nuk e kishin nënshtruar ushtarakisht. Vetë apostatët kërkuan mbështetjen e guvernatorëve muslimanë të Shkodrës, dhe shumë herë kjo mbështetje bëri që peshorja të anonte në krahun e tyre në vendimet e marra prej vladikës.
    Më në fund, Demir Pasha kapi me tradhëti metropolitin Daniel Petroviç Njegosh. Ai e torturoi për ditë me rradhë, dhe ua ktheu njerëzve të tij vetëm me një çmim prej 600 dukatësh. Për të paguar këtë vlerë të madhe, u desh të shiteshin deri edhe vazot e kishës. Nga ana e tij, guvernatori i Shkodrës me këtë akt, jo vetëm që shkelte me këmbë të gjitha ligjeve e fesë dhe të njerëzisë, por edhe i mvishte vetes një pushtet që nuk e kishte marrë nga Kostandinopoja. Gjithashtu, Daniel Njegoshi nuk u lirua më përpara sesa të ishte vendosur masakra e muslimanëve, dhe ai u ekzekutua natën e Vitit të Ri 1702. Të gjithë muslimanët u therrën -thotë Vaklik -dhe fëmijët e tyre u pagëzuan. “Kështu -shton po ky autor (fq. 17) -Mali i Zi, sa hap e mbyll sytë, u çlirua prej barbarëve të pafat”. A duhet thënë se të gjithë ata që ishin Shqiptarë në Malin e Zi u përfshinë në këtë masakër? Padyshim që jo, pasi jo të gjithë duhej të kishin rënë në apostazi. Por ata që shpëtuan, shkojnë duke hequr dorë nga çdo lloj marrëdhënie me bashkatdhetarët e Shqipërisë, dhe madje as shqip nuk flasin më, dhe pak nga pak u bënë malazezë. Pranohet se masakra e vitit 1702 kishte qënë një avantazh për qetësinë e brendëshme të Malit të Zi, por kjo nuk mbeti pa rrjedhoja, pasi kjo duhet ta ketë rritur në kulm antipatinë mes muslimanëve dhe të krishterëve, të cilët fqinjësia i kishte mësuar të jetonin në paqe përkrah njëri tjetrit. Një ngjarje na thotë se deri ku arrin kjo. Gjatë një sulmi për në Hercegovinë, në vitin 1706, shumë oficerë turq ranë në duart e Malazezëve. Në shkëmbim të oficerëve turq -thotë Ami Buè (vëll. 3, fq. 396) -të krishterët kërkuan vetëm derra.

  7. #67
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 63

    Një vështrim mbi historinë e Malit e Zi në marrëdhëniet e tij me Shqipërinë

    Krijimi i një principate në Mal të Zi i është kushtuar pushtimit të Shqipërisë nga muslimanët. Por nuk dihen saktësisht as koha, e as rrethanat e këtij fakti. Gjithsesi, është e mundëshme që fati i Gjon Kastriotit, i detyruar të dorëzojë bijtë e tij si peng dhe tu paguajë tribut Turqve (v. 1423), do ti ketë frikësuar banorët e maleve të zeza. Që të mos e pësonin edhe ata vetë, thirrën Stefan Maramonten nga Pulia, ku ishte tërhequr pas vdekjes së Gjergj Balshës (v. 1421). Ndoshta këtë ia këshilloi Venediku pasi, me kërkesën e së vesë së Gjergj Strazimir Balshës, ne e shohim atë të marrë ushtarakisht zotërimet e këtij princi, duke pretenduar se fëmijët e tij nuk ishin në gjendje ti mbronin ato, prej Otomanëve në njërën anë, dhe prej Serbëve në anën tjetër - të parët vinin nga jugu dhe të dytët nga lindja. Sidoqoftë, Maramonti shumë shpejt u kthye (v. 1432) dhe, në krye të Malazezve, marshoi kundër Serbëve dhe i rimorri shumë vende të cilat ishin pushtuar më parë prej Brankoviçit. Dykanzhi na siguron se, nga viti 1423 deri më 1515, Mali i Zi ishte qeverisur nga shtatë princër të ndryshëm. Por ai përmend veç dy. Sipas Vaklikut, ata ishin: -Ivani (Gjoni) I, prej vitit 1435 deri më 1440, -dhe Ivani II, nga 1440 deri më 1460. Ky Ivan ishte martuar me një prej kushërirave të Skënderbeut, dhe luftonte ndaj Otomanëve nën urdhërat e tij. Më pas vijnë, Ivani III, pastaj Gjuro (Gjergji) që vdiq në vitin 1497, dhe më në fund, Gjuro II, po ai të cilin Dykanzhi e quan Stefan, dhe që tërhiqet në Venedik në vitin 1515. Me kthimin e tij nga Italia (v. 1484), Ivani III -thotë Vaklik -ndërtoi një manastir të bukur në Cetinjë, sipas planit të Doloroza d’Ankones, dhe prej një dokumenti të 4 janarit 1484, ai do të ketë marrë të ardhura të mëdha. Ivani III ngriti edhe dy fortesa në Obod dhe në Sokol. Prej faktit se Mali i Zi përbëhej veç me kasolle të shpërhapura, nuk ka patur as ipeshkv deri në vitin 1484. Qëllimi i udhëtimit të Ivanit III ishte që të merrte nga selia apostolike një ipeshkv më vete, meqë të gjitha selitë e tjera episkopale të Shqipërisë ishin nën Turqit. Duke marrë nga papa atë çfarë deshi, Ivani III ndërtoi një seli episkopale, domethënë kuvendin e Cetinjës. Ajo çka duhet theksuar është se Mali i Zi mbeti katolik përgjatë gjithë kohës që aty mbretëroi dinastia apuliane e Maramontes ose Malazeze, domethënë 93 vjet. Pasi kishin abdikuar në favor të ipeshkvit Vavil apo Danil, Cernojeviçët (Cernagoras-Malazez) ose Maramontet u tërhoqën në Venedik dhe aty morën titullin e fisnikut me një vend në rradhët e senatorëve. Tek Dykanzhi gjejmë pemën e tyre gjenealogjike. Ata kishin për emblemë një shqiponjë dykrerëshe me krahë të shpalosura dhe me një kurorë mbi kokë. Njëri prej tyre rronte ende në vitin 1621, domethënë në atë kohë kur i famëshmi Dykanzh ishte 11 vjeç. Abdikimi i Gjuros (Gjergjit) II duhet të ketë patur dy shkaqe. Fillimisht, shterpësia e gruas së tij, gjë që nuk u pëlqente Malazezve, e më pas, sulmet e Turqve që gjenin shkas nga prania e tij, herë për të pushtuar Malin e Zi, herë për të keqtrajtuar ata që vinin në Shkodër apo që ktheheshin në Kotorr. Por largimi i Gjuros nuk solli qetësinë për të cilën kishte nevojë vendi, pasi Malazezët vazhduan të zmbrapsin, më 1522 renegatin Sulejman, më 1570 bejlerbeun e Rumelisë, më 1604 pashain e Shkodrës, më 1613 Mehmet Pashën dhe Arsllan Pashën që ishin turrur në Malin e Zi me 60 mijë burra, dhe më 1623 Sulejman pashën. Thuhet se Sulejman Pasha tërhiqet veçse pasi kishte shkatërruar kishën dhe kuvendin e Cetinjës, dhe vetëm pasi mori premtimin për një kharad, premtim që nuk u mbajt për një kohë të gjatë. Prej vitit 1687 deri më 1699, Malazezët u bashkuan me Venedikun dhe Austrinë kundër Turqisë. Në fillim Venediku -thotë Vaklik -preu një medalje dhe i lidhi një pension të përhershëm malazezëve më të shquar. Por ata nuk u përfshinë -shton po ky autor -në traktatin e Karlovicit (26 janar 1699). Përkundrazi, Serbët dhe Malazezët ishin të kufizuar në një ishull të Istrias, dhe aty do të vdisnin në vitin në vazhdim nga një klimë e pashëndetëshme. Kur më 1689, Serbët jugorë u ngritën me afrimin e trupave të ushtrisë austriake që përparoi deri në Yskup (Shkup), Malazezët u bashkuan me ta. Dhe kur, më pas, 37 mijë familje kalojnë për në Austri, bashkë me patriarkun e tyre Arsen, Malazezët mbrojtën marshimin e tyre deri në Bosnjë. Por Podgorica do të merret nga Turqit në vitin 1692. Më 1697, sundimi i Malit të Zi i kaloi familjes së Petroviç Njegoshit, e cila e mbajti deri më 1 janar 1852. Pasardhësit e Njegoshit kanë qenë: Danili (v. 1697), Sava (v. 1737), Vasili (v. 1750), Pjetri I (v. 1782), Pjetri II (v. 1830) dhe Danili (v. 1851).


    Shënime:
    -Stefan Maramonte -edhe ky një Balshë ose Cernojeviq, që në vitet 20 të shekullit XV bashkohet me aleancën e krijuar nga Balsha III kundër Venedikut.
    -kharad -duhet të jetë haraç.
    -Traktati i Karlovicit -qytet mbi Danub ku në vitin 1699 u arrit një Traktat midis Turqisë, Austrisë, Polonisë, Rusisë, Venedikut.
    -Brankoviçi -despoti i Serbisë, Stefan Brankoviçi, ai që pengoi Skënderbeun të shkonte në ndihmë të Huniadit.

  8. #68
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 64


    Marrëdhëniet kanonike të primatit të Ohër–Justinianës me Moldovllahinë – kanoni 28-të i Kalkedonisë nuk i jep të drejtë patriarkut grek mbi Rumaninë – Primatia e Tërnovës shkëputet prej Ohrit – Bullgarët myzianë anojnë nga Bizanti dhe Rumunët kthehen drejt Ohrit – reaksioni sllav në Rumani – të gjitha librat latinë atje u zëvendësuan me libra sllavë –Lekyjeni nxjerr një gabim nga autorët grekë – ata që rumunët i pranojnë për titullarë, grekët i pranojnë për ekzarkë – letërkëmbimi i Vojvodës Stepan dhe të Doroteut të Ohrit më 1464

    Komentuesit grekë të kanonit 28-të të Kalkedonisë: Zonara, Balzauroni dhe Aristeni, që shkruajnë në kohën e Manuel Komnenit (v. 1143-1180), nuk e fusnin Moldovllahinë ndër vendet barbare, për të cilat bëhet fjalë në kanonin e 28-të, dhe që peshkopi i Bizantit e kishte marrë jo nga një koncil, por nga një klub aostik. Ata nuk thonë më se patriarku i Kostandinopojës ndërhynte në çështjet fetare të këtyre dy principatave. Rrjedhoja që del nga një heshtje e tillë është se Moldovllahia ishte e mvarur nga arkipeshkvi i Ohrit, titullar i pakundërshtueshëm i Justinianës së parë. Më vonë, në vitin 1204, arkipeshkvia ose patriarkati i Ohrit u nda në favor të Tërnovës (Goljemit) nga Papa Inoçenti III me kërkesën e Asenit (Juanisit), mbretit të Bullgaro-Vllehëve, ashtu si ajo e Selanikut kishte qënë ndarë nga Papa Vigjili me kërkesën e Justinianit. Sipas dekretit të Papa Inoçentit III, arkipeshkvi i Tërnovës e shtrinte juridiksionin e tij mbi Moldovllahinë dhe mbi gjithë Bullgarinë danubiane. Por më pas, dukatet moldovllahe u shkëputën nga mbretëria bullgare. Vetë mbretëria bullgare humbi mëvetësinë e saj më 1396, dhe luftëra të përgjakshme u zhvilluan midis Turqve dhe Moldovllahëve. Pranojmë, në mungesë të dokumentave historike, se arkipeshkvi i Tërnovës nuk ka rreshtur së ushtruari juridiksionin e tij mbi Moldovllahinë. Por, nuk është më pak e vërtetë, qoftë për shkak të një antipatie politike mes mbretërve bullgarë dhe princëve moldovllahë, ose më mirë nga shkatërrimi i mbretërisë bullgare prej Turqve në vitin 1496, se princi i Moldavisë, Gjon Stepani, iu drejtua më 1464 Doroteut, arkipeshkvit të Ohrit, si pasuesi i Imzot Visarionit (shih letërkëmbimin e tyre). Një fakt tjetër, jo më pak i pakundërshtueshëm, është -se, pas koncilit të Firences (v. 1440), Marku i Efesit dërgoi dhjakun e tij, Teoktistin me origjinë bullgare, në Moldovllahi, -se Teoktisti mashtroi princët moldovllahë mbi përfundimet e koncilit, -se, me nxitjen e tij, Gregori Zambljaku, drejtuesi i arkipeshkvisë moldave, shkoi të hirësohej në Ohër, -se vihet në vend të Gjon Metrofanit, arkipeshkvit të Moldavisë, -dhe se ai përktheu liturgjinë në sllavisht dhe dogji gjithçka gjeti libra latinisht në Moldavi (shih Vaillant, vëll.1, fq. 202, dhe Kogalniçeanu, fq. 111). Përvehtësimi i selisë së Moldavisë nga Gregori Zambljaku nuk ndodhi menjëherë pas koncilit të Firences, pasi po Gregorit, arkipeshkvit të Moldavisë, Papa Eugjeni IV i drejtoi një letër-ftesë për në koncil në vitin 1435, dhe metropoliti i Moldavisë Damiani nënshkroi bashkimin katër vjet më vonë.
    Damiani jetonte ende më 1440, ndërsa u zëvendësua në sinodin e Shën Sofisë po atë vit nga Makariusi, arkipeshkvi i Nikomedisë. Po ashtu, Damianit ia ngarkoi Gjon Paleologu të kryente atë vit bashkimin e kishave, dhe e ngarkoi në lidhje me shkresat që kishin të njëjtin qëllim për princët moldavë (shih Lequien Oriens Christianus, vëll. 1, kolonat 1252-1253). Si rrjedhojë e çfarë çështje ngatërrohen këtu nocionet historike? Si rrjedhojë e orvatjeve për uzurpimin, nga ana e patriarkatit grek, e të drejtave shekullore të Metropolisë së Ohrit në Moldovllahi. Në sajë të marrëdhënieve që patriarku grek lidhi me mbretërit dhe arkipeshkvët e Tërnovës, arriti që të krijojë mbi të një lloj juridiksioni, juridiksion që ai u përpoq ta shtrinte, pak nga pak, në Moldovllahinë e përtej Danubit. Megjithatë është e sigurt, është e padyshimtë se, prej ditës kur principatat moldovllahe nuk donin më të ishin nën varësinë politiko-fetare të Tërnovës, qoftë pse Tërnova u afrua me Bizantin, qoftë për motive të tjera, Metropoli Ilir u kthye në të drejtat e tij. Gjithashtu, e kuptuan edhe vetë Rumunët, mbasi Teoktisti dhe Zambljaku i drejtoheshin Ohrit. Sidoqë të jetë, mbi këtë pikë nuk duhet të krenohemi për të dhënat e Oriens Christianus, pasi të dhënat e tij janë nxjerrë nga burimet greke, domethënë nga autorë që, ose janë gabuar vetë, ose kanë qenë të interesuar të gabojnë të tjerët. Sipas Kodin Kuropalatit që citon Lekyjeni, metropolitët e Moldavisë dhe të Hungaro-Vllahisë nuk kishin shumë që ishin vendosur aty. Nuperi, njëri prej tyre, mbante vendin e arkipeshkvit të Nikomedisë me titullin e ekzarkut të të gjithë Hungarisë dhe të Plagjenëve. Tjetri mbante atë të arkipeshkvit të Amazisë, me titullin e metropolitit të Hungaro-Vllahisë. Lekyjeni vëren, në lidhje me këtë, se patriarku i Jeruzalemit (Krizanti), i emërtuar po ashtu ekzark i Plagjenëve dhe metropolit i Vllahisë, është ai i Moldavisë. Nga kjo rrjedh se me Plagjenët, duhet të ketë nënkuptuar dy krahina të Vllahisë dhe të Moldavisë. Mbetet të dimë saktësisht kohën kur shkruante Kodin Kuropalati, atë që ai mendonte për Nuperin (përfundimisht), dhe mbi çfarë dokumenti e bazonte ai pohimin e tij. Besohet se ai i mbijetoi marrjes së Kostandinipojës, dhe se ai do të ketë shkruar, të paktën pjesërisht, veprën e tij përpara marrjes së këtij qyteti nga Mehmeti II (v. 1453). Të tjerë pretendojnë se ai jetoi më vonë, por se e hartoi veprën e tij mbi dokumentat e shpëtuara nga mënxyrat që pësoi Roma e re. Sidoqoftë, po të mbështetesh tek shprehjet e tij që dalin prej letrës, metropolitët e vërtetë të Vllahisë dhe Moldavisë, në vitin 1453, do të kenë qenë arkipeshkvët e Nikomedisë dhe Amazisë. Në Moldavi dhe në Vllahi nuk ka patur tjetër veçse administrime vikarësh, me një fjalë ekzarkë. Por pikëpamja ku mbështeteshin Fanariotët dhe shkrimtarët e tyre, padyshim nuk ishte ajo ku bazoheshin Vllahët dhe Moldavët. Në sytë e këtyre të fundit, arkipeshkvët e Nikomedisë dhe të Amazisë nuk ishin veçse prokurorë të thjeshtë ose Kapu-Qehaja, të ngarkuar që ti përcjellin patriarkut kërkesat ose njoftimet përkatëse mbi principatat.Veç kësaj, dëshmia autentike është e pamohueshme se Bizantinët, apo më mirë Fanariotët, shihnin ëndrra përsa i përket ndjenjave të Moldovllahëve, ndërkohë që Stepani, princ i Moldavisë, iu drejtua patriarkut të Ohrit, dhe mori titujt që ai i dha atij. Në letrën e tij, vojvoda Stepan thotë: “Duhet ta dini se Metropoliti ynë, Imzot Visarioni, ka vdekur, dhe se ne nuk mund t’iu dërgojmë një tjetër për ta shuguruar, kjo për shkak të rrugës së gjatë dhe për motive të tjera”. Në përgjigjen e tij, Doroteu thotë: “Po i dërgoj Lartësisë Suaj letrën tonë të përunjur, që ju të zgjidhni një tjetër metropolit sipas rregullave kanonike dhe statusit të etërve të shenjtë, që ju të ftoni metropolitin e Hungaro-Vllahisë, vëllanë dhe bashkësakrifikuesin tonë, Imzot Makariusin, pasi ai do të jetë në këmbën tonë” (v. 1464). Por ka një dëshmi pa kundërshtim, jo vetëm për shpërfilljen, por edhe për urrejtjen e shprehur, qysh në shekullin e XIV dhe XV, nga Rumunët për Grekët, dhe se, në vend që të përshtasnin liturgjinë greke kur ata braktisën latinen, ata vunë në zbatim bullgaro-sllaven, liturgji që më vonë e përkthyen në rumanisht.

    Shënime:

    -Moldovllahët -vllahët e Moldavisë në lindje dhe verilindje të Rumanisë së sotme.
    -Amazia -qytet në Azinë e Vogël lindore, kryeqendra e Pontit, vendlindja e Mitridatit dhe Strabonit.
    -Roma e Re -Kostandinopoja që ra në duar të turqve në 29 maj 1453.

  9. #69
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 65

    Pasojat e pushtimit otoman për metropolitë ilire – Raguza ndërmjetëse midis Romës dhe katolikëve lindorë – kisha latine e Ohrit

    Çfarë ishte ajo që donte Foti në shekullin e nëntë? Të nënshtronte Bullgarët nën juridiksionin e tij dhe ti pengonte ata të kishin një hierarki të vetën. Në shekullin e njëmbëdhjetë, çfarë donte Mikel Cerulari? Të ndante Bullgarët nga selia apostolike, me qëllim që të shkatërronte këtë hierarki në përfitim të tij. Dhe si njëri ashtu dhe tjetri, për ta arritur këtë qëllim të skëterrshëm, çfarë mënyrash përdorën? Pushtetin civil të princërve të krishterë, pushtet që Zoti e kaloi nga duart e Grekëve në ato të Turqëve. Një nga rrjedhojat providenciale nga më të dallueshmet të pushtimit otoman, ishte se i ktheu pavarësinë e tyre metropolive ilire dhe ua hoqi ato Grekëve. Kostandinopoja ra në duart e Otomanëve veç më 1453, por Ohri ishte nën pushtetin e tyre qysh prej më shumë se 60 vjetësh. Megjithatë, Otomanët nuk ia morën Ohrin Bizantinëve, por Serbëve, nëse jo më parë, të paktën pas Kosovës (v. 1389). Nga historia kemi parë se Serbët e kishin rrethuar Ohrin më 1329, se Dushani ia besoi Plaçidit qeverisjen e këtij qyteti dhe të rrethinave të tij. Më vonë, ne shohim si guvernator Gjunidin (v. 1412), i njëjti Gjunid që Murati e mbyti më 1425 (shih Hammer, vëll. 2, fq. 155). Me rënien e mbretërisë së Prespës (v. 1017), kombet që e përbënin atë: Vllehët, Shqiptarët dhe Bullgarët, e humbën pavarësinë e tyre politike. Por primatia ilire nuk e humbi të sajën. Ajo vetëm se u zvogëlua, më 1204, nga krijimi i një primatie në Tërnovë në përfitim të Bullgaro-Vllehëve danubianë, dhe në vitin 1219 nga krijimi i primatisë së Pejës në përfitim të Serbëve. Shumë shkaqe ia diktuan Papa Inoçentit III dhe Honorit III këto dy vendime. Por, nëse ka shkaqe politike, sigurisht ka në to edhe shkaqe fetare. Për të thënë të vërtetën, selia e Ohër-Justinianës kishte ruajtur autonominë e saj administrative. Por, qysh më 1040, primatët e saj nuk ishin vendas, por ishin bizantinë, të prodhimit perandorak, dhe të gjithë heretikë. Fjalët e Barlahamit të famshëm na thonë se cila ishte, në këtë kohë, gjendja e kishave në perandorinë greko-bizantine. Midis Grekëve -shkruan ai -nuk është figura e kryetarit dhe uniteti i sundimit ato që respektohen, por shumësia dhe anarkia. Pasi janë pesë patriarkë, duke përfshirë këtu atë të Bullgarisë, të cilit mund ti bashkohet edhe ai i tribasëve (serbëve). Ndërkohë që prej të gjashtëve nuk gjen një të vetëm i cili të jetë i tillë, si për nga drejtësia apo nga veprat, që pesë të tjerët të dëshirojnë ta njohin si kryetar të tyre, që të drejtohen nga ai dhe nga koncili i tij, dhe që të vështrohet si një mëkat mosbindja ndaj urdhërave të tij (Rohrbacher, vëll. 20, fq. 40). Selia e Ohër-Justinianës ishte autonome, pra, deri në rënien e Perandorisë së Poshtme. Por, primati i saj ishte tërësisht bizantin dhe i vendosur nga perandori grek, pasi faktikisht një primat bizantin i kryente më mirë se një vendas punët e perandorit dhe të patriarkut. Patriarku kishte nevojë për një skizmatik, që të ruante përçarjen fetare, ndërsa perandori kishte nevojë për një spiun për të survejuar Bullgaro-Vllehët. Ka mundësi që selia apostolike ka dashur të jetë në mirëkuptim me perandorët bullgaro-vllehë dhe me mbretërit serbë, por shkaku kryesor që duhet ta ketë detyruar të krijojë dy metropoli të reja në dëm të metropolisë së madhe ilire, ishte vetë gjendja e kësaj metropolie. Pikësëpari, caktimi i primatit ishte bërë nga një perandor skizmatik, dhe ky primat, edhe ai vetë fanatik si ishin Grekët, jo vetëm që përhapte gabimet bizantine, por edhe ushqente antipatinë për gjithçka që ishte latine. Vetë i famshmi Teofilakt është një dëshmi për këtë. Por, kur vendin e spastruan Otomanët, edhe prej Grekëve edhe prej Serbëve, kleri ilir rifitoi autonominë e tij dhe u rikthye drejt vetvehtes e në prirjen e natyrëshme në bashkësinë katolike. Grekët nxitën grindjet fetare, turqit diktuan paqëtimin.
    Atëhere, nën sundimin turk, ndodhi me prirjen e vetvetishme fetare, ashtu si me prirjen e krishterë nën paganizmin. Pastërtia e shpirtit iu kthye gjithë botës katolike. Nën Grekët dhe nën Serbët, askush nuk guxonte të thoshte fjalën katolik. Duhej të ushtroje religjionin jo nga Ungjilli dhe Etërit, por nga politika njerëzore. Pushtimi otoman e ktheu secilin në prirjen e vet ndjesore, apo për të përdorur vetë shprehjen e Tertulianit, në dëshmimin e fshehtë të vetë shpirtit të vet, dëshmi po aq më e njëmendtë sa ç’është dhe më e thjeshtë, aq më e natyrëshme sa ç’është dhe më hyjnore.Të kthyer në vetvehten e tyre, primatët e ndryshëm ilirë, ata të Pejës dhe të Tërnovës, ashtu si dhe ai i Ohrit, rimëkëmbën gjithçka në atë mënyrë siç kishin qënë dikur të ngritura nga selia apostolike. Dikur metropolitët zgjidhnin primatin dhe e emëronin, në pritje të konfirmimit nga Roma. Primati, nga ana e tij, ndihmonte metropolitët, zgjidhte ipeshkvët, dhe iu jepte emërimin kanonik. Sa i përket marrëdhënieve të tyre me selinë apostolike, është e sigurtë se ato ekzistonin nëpërmjet agjentëve raguzianë. Është për tu shënuar, në të vërtetë, se duke parashikuar rënien e Perandorisë së Poshtme dhe kalimin e trashëgimisë së saj në duart e Otomanëve, selia apostolike angazhoi Raguzën të merrej me ta (v. 1365 dhe v. 1414). Më vonë, Mehmeti kërkoi një rritje të tributit pasi u kishte dhënë strehë Grekëve të arratisur (v. 1453). Raguza i nënshtrohet kësaj me mjaft vullnet, pasi si shkëmbim ajo fitonte një shtrirje të mëtejëshme të privilegjeve të saj tregtare dhe protektoratin e kishave katolike që shtriheshin në zotërimet e tyre.
    Ky protektorat ishte po aq më i dobishëm për katolikët, sa edhe ushtrohej më me ndershmëri. Falë atij, Roma, jo vetëm ruajti shëndoshë e mirë katolicizmat latine, armene dhe bullgare të perandorisë Otomane, por ajo, gjithashtu, pati mundësi, me anën e Raguzës dhe të agjentëve të saj, të kalonte këshillat, inkurajimet, vetë ndihmat, për ata që kishin nevojë për to. Në çdo qendër të madhe të populluar, gjendej një koloni raguziane, dhe çdo koloni i kryente shërbimet fetare me priftërinj të dërguar nga Roma. Në Europë, kolonitë kryesore raguziane ishin Sarajeva, Novi Pazari, Belgradi, Vidini, Bukureshti, Rusçuku, Varna, Filipopoja, Adrianopli, Sèresi në Maqedoni, dhe Trikalla në Thesali. Në Shqipërinë e epërme, ekzistonte për një kohë të gjatë një koloni e madhe raguziane dhe një ipeshkv latin bashkë me një seminar në Yskup (Shkup). Flitet, po ashtu, për një ipeshkv latin me seli në Kandavi apo Kolonja. Sa për Ohrin, pa dyshim se atje kishte një koloni raguziane. Po ashtu, kishte një të tillë në Bitolje. Pleqtë na kishin folur për katër familje të huaja që jetonin aty dhe që, pak nga pak, u përzien me pjesën tjetër të popullsisë, ndaj ne kërkuam emrat e tyre dhe gjetëm se ishin emra raguzianësh. Nga ana tjetër, të gjithë anëtarët e kolonive raguziane nuk ishin nga Raguza, por të gjithë përfitonin nga privilegjet e tyre dhe gëzonin mbrojtjen e kësaj republike. Vëmë re se, duke kaluar nga Ohri, në kishën e Shën Klementit gjendet një shtatore shenjtori, e zezë, e vjetër dhe e ngrënë krimbash. Ne e kemi vlerësuar atë si një dëshmi të lidhjes së kësaj primatie me Romën, pasi Grekët kishin tmerr prej shtatoreve. Për të na thane se ishte një shtatore e Shën Klementit. Gjendej dhe një tjetër në një kishë pranë Krupishtës. Një peshkop fanariot u llahtaris prej saj dhe e hodhi në Aliashmon. Por s’kaluanveç dy orë dhe një breshër i tmerrshëm shfarosi të korrat. Populli aty pa dorën e Zotit, dhe peshkopi i mallkuar e kërkoi shtatoren dhe e vuri përsëri në vendin e saj. Këtë ngjarje na e tregoi një dëshmitar okular para dhjetë vjetësh (v. 1875). Por dëshmia arkitekturore, dhe ende e gjallë, e lidhjeve hierarkike që primatia e Ohrit gjithmonë ka patur me Romën, gjendet në kishën latine që kjo primati e kishte pranë asaj të Shën Klementit, metropolisë së saj, dhe muret e së cilës janë ende më këmbë. Ne i kemi parë vetë ato.


    Shënime:
    -Barlaham -Murg, teolog, filozof, matematikan, astronom, i njohur si greqist, vdiq si ipeshkv.
    -Tertuliani -apologjist kristian, nga Kartagjena (155-220), autori i “Apologjistika”.
    -Rusçuk -qytet mbi Danub (Bullgari), Ruse e sotme; -Filipopoja -Plovdivi i sotëm mbi Marica; -Adrianopoja -Edirneja e sotme në Thrakë, në veriperëndim të Turqisë Europiane.
    -Aliashmon -lumë në Thesali.
    -Krupishtë -pranë Kosturit.

  10. #70
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 66

    Emigracioni në Itali – Apostatët e Kalaritit - Iliaz Pasha – kishat e shndërruara në xhami – Sinan Arnauti – masakra mbi Shqiptarët në Kostandinopojë

    Prestigji i Skënderbeut kishte arritur ti imponohej ambicjeve të shumta të zotërve shqiptarë dhe, për një kohë të shkurtër, u grupuan fuqitë më aktive të vendit. Por, me vdekjen e tij, asnjë nga prijësit nuk kishte aq ndikim dhe as aq kapacitet ushtarak për të vazhduar luftën. Kështu që është po ajo kohë kur më shumë se gjashtëdhjetë mijë njerëz kaluan në Itali. Frika prej Turqve këtu ishte sigurisht mjaft e madhe, por tërmeti i tmerrshëm që shkatërroi një numër të madh qytetesh e vendbanimesh të tjera, në vitin 1469, dhe përmbysi fushat, nuk ishte një shkas më i vogël për këtë. Ata që patën mundësi, pra, e braktisën një vend që atyre iu duk se e kishte mallkuar Zoti. Ishujt e Zakintit dhe të Leukades (Shën Maurit) vuajtën edhe më tepër sesa kontinenti prej kësaj mënxyre të llahtarëshme. Megjithëse, në këtë kohë, përplasjet mes Venedikut dhe Turqisë ishin të përqëndruara rreth Negropontit, ato u mbartën jo më pak në Shqipëri, rreth Sopotit, Butrintit, Bastias ose Sajadhës, Strovilit dhe Pargës. Porsa u bënë zotër të Negropontit (v. 1470), Turqit deshën të fusnin në dorë edhe Krujën e Shkodrën, të cilat ranë: Kruja më 1478 dhe Shkodra më 1479. Garnizoneve të Krujës dhe të Negropontit duhej tu falej jeta, por, -thotë Hammeri -Mehmeti sakrifikoi nderin e fjalës së tij, për hakmarrjen që desh të arrijë për vdekjen e njerëzve të tij. Në Negropont ai kishte humbur më shumë se pesëdhjetëmijë njerëz. Gjatë rrethimeve të ndryshme të Krujës, ai dhe babai i tij kishin humbur tre ose katër herë më shumë. Por, në Shkodër, Venediku i kërkoi me ngulm pengjet, dhe Mehmeti nuk arriti të veprojë ndaj mbrojtësve të kësaj kështjelle, ashtu siç ishte sjellë pothuaj me të gjithë ata të qyteteve të tjera. Nëse sundimi turk ishte i pamëshirshëm gjatë qëndresës, ai ishte, megjithëse jo gjithherët por të paktën ndonjëherë, po aq i drejtë në Shqipëri gjatë nënshtrimit. Kronika e Kuvarës tregon, për shembull, se, pasi ishin bërë muslimanë, të rinjtë e Kalaritit ktheheshin në vendet e tyre, dhe se ata guxonin të bënin të këqija të mëdha atje ndaj bashkatdhetarëve të tyre (v. 1480). Vllehët njoftuan për këtë Valide Sulltanin dhe, menjëherë, këta apostatë morën urdhër të shkonin e të vendoseshin në Thesali, ku ata u trajtuan nga kusarët ashtu si kishin trajtuar ata bashkatdhetarët e tyre. Të detyruar të lënë fshatrat e tyre në Kaliki, Kotori dhe Vilicani, ata u strehuan një palë në Trikalla dhe të tjerët në Kardisa apo në Kastania. Megjithatë, jo gjithë Shqipëria u ishte nënshtruar Turqve. Me nxitjen e Venedikut, dhe me anën e ndihmave që ata merrnin prej tij, Himarjotët u mbrojtën edhe për shumë kohë në malet e tyre. Të rrethuar, në vitin 1493, nga një flotë, dhe të përndjekur mal më mal, ata pësuan humbje të mëdha, por nuk u dorëzuan. Të rrethuar përsëri, më 1518, nga Iliaz Pasha, guvernatori i Vlorës, dhe nga admirali Sinan Pasha, ata me të vërtetë dorëzohen, por me kushtin që të mos i nënshtroheshin haraçit, si dhe të mbajnë armët e tyre. Këto privilegje, sipas himarjotëve pleq, iu ishin miratuar nga Murati më 1622, dhe më vonë më 1640. Ka të ngjarë që, pas nënshtrimit të Akrokeraunit dhe me nxitjen e renegatit Iliaz, Selimi I deshi të bënte në Shqipëri atë çka kish bërë në Kostandinopojë, domethënë, të shndërronte në xhami katedralen e Akrokeraunit dhe kishat e tjera të Shqipërisë. Por kjo arriti të shmangej nga Tiri Pasha dhe nga sheih-ul-islami Xhemali. Po të bëhet kjo, është njëlloj sikur të ndezësh përsëri zjarrin në Shqipëri -i thanë ata Sulltanit. Kështu, Iliaz Pasha u dërgua në Anadoll, kurse Sinan Pasha u emërua në vend të tij. Për shkak të maturisë së tij, guvernatori i ri u bë aq i dashur në Shqipëri sa Sulejmani e quajti Arnauti, aq më tepër që ishte me origjinë nga Konieh. Dhe ja përse Sinani duket se ka trashëguar mbiemrin Arnauti. Duke mësuar se Sulejmani donte të njihej me gjendjen e punëve në Maqedoni dhe në Shqipëri përpara se të marshonte kundër Hungarezëve, Sinani i doli përpara atij me kope të shumta të cilave u prinin ata që ai i kishte burrat më të shquar në rrethinat e Vlorës. Sulejmani gjendej pranë Korçës kur shqiptarët u shfaqën para tij me Sinanin në krye të tyre, duke i ofruar dhuratat e mrekullueshme me kope dhensh, si dhe duke kënduar këngë shqiptare. Sulltani i mirëpriti ato çka i ofruan me shumë falenderime, e mbuloi Sinanin me lëvdata, dhe e quajti Arnauti. Nëse, në këtë rast, Sulejmani shprehu një mirësi të skajëshme kundrejt Arnautëve të Shqipërisë, ai tregoi më pas një ashpërsi të jashtëzakonshme ndaj atyre të Kostandinopojës. Në afërsi të Selimlikut, një shtëpi muslimane ishte plaçkitur, dhe ata që banonin aty, burra, gra, fëmijë dhe skllevër, ishin vrarë. “Disa dyshime -thotë Hammeri (vëll. 5, fq. 100) -bien mbi shqiptarët që jetonin me zejtari në Kostandinopojë, dhe tetëqint prej tyre u vranë si hakmarrje për masakrën e një familjeje të vetme” (24 shkurt 1528).

    Shënime:

    -Bastia, Sopot, Sajadhë, Strovil -qytete bregdetare shqiptare përballë Korfuzit.
    -Kaliki, Kotori, Vilizani -në jug të Follorinës dhe përreth Kosturit.
    -Kardica ose Kastanja -në kahjen lindore të Pindit në Thesalinë jugperëndimore.
    -Kalaritët -nga Kajlari, pranë Kozanit.

Faqja 7 prej 8 FillimFillim ... 5678 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •