KAPITULLI 47
Principata megalovllahe – zanafilla e saj – shtrirja e saj – Çifutë dhe Grekë – Karli d’Anzhu – perandori Andronik – Mikeli i bën të vdesin në burg dy ipeshkvë katolikë, dhe ai vetë vdes në burg
Pushtimi romak i kishte kapërcyer pengesat politike që ngriheshin përkundër shkrirjes së popujve të vendosur qysh në lashtësi me popujt e ardhur së voni në gadishullin ilir. Në kohën e Konstantinit, shkrirja, për të mos thënë romanizimi, ishte i përplotë, fetar, politik dhe qytetar: -një gjuhë zyrtare, latinishtja; -një besim fetar, ai katolik; -një pushtet, pushteti perandorak. Por shumë shpejt Bizanti kërkon të helenizojë atë që Roma kishte romanizuar. Vijnë nga Bizanti, njëra pas tjetrës, herezi pas herezie, dhe nga veriu dyndje pas dyndjesh. Barbarët ardhacakë krijuan ata vetë aty, kush mbretëri, kush Zhupani ose principata, ndërsa të tjerët mbetën aty romakë në sajë të gjuhës së tyre, organizimit të tyre kolonial, dhe në sajë të maleve të tyre. Ne këtu dëshirojmë të flasim për Vllehët e Vllahisë së madhe. Në cilën periudhë dalin ata si principatë e pavarur? Këtë ne nuk e dimë. Por sigurisht, ata e kishin krijuar tashmë një të tillë kur Benjamin dë Tydel vizitoi Thesalinë në vitin 1160. Pak më pas, vetë greku Niketa e emërton nga ana e tij si principata e Toparkisë. “Ky komb -shkruan çifuti Benjamin dë Tydel -ia kalon dhive në shkathtësi. Nga lartësitë e maleve të tyre banorët zbresin në Greqi. Ata plaçkisin dhe shkretojnë vendin. Askush nuk ia dilte atyre në luftë, dhe asnjë mbret nuk arriti ti nënshtrojë ata. Nëse takonin një çifut, ata e plaçkisnin dhe e dëbonin. Por një grek është e padyshimtë që e vrisnin. Principata e tyre filloi me Zaitunin”. Më 1207, shihet se princi i tyre quhej Ëngjëll dhe se respektonte zotërit francezë të vendosur në Greqi. Më vonë, patën një princ të quajtur Tarona, i cili, duke mos patur trashëgimtar mashkull, ia dha të bijën Gjon Bastardit, po atij që humbi në vitin 1262 betejën e Devollit (Korçë). Përse e humbi? Pasi kundër çdo logjike dhe çdo volie, kishte sjellë gruan e tij në ushtri, dhe sepse kishte marrë anën e keqe të sjelljeve galante të kalorësisë peloponeze. Ne nuk duam të nxjerrim justifikime. Por duhet pranuar se kurrë një grua e ndershme nuk ka qenë e nuk do të jetë në vendin që i përket, në mes një kampi ushtrie. Duke mos pasur asgjë të pamundëshme prej së cilës të mos merrte kënaqësi, aq më tepër në vigjilje të një beteje të madhe, ai u largua nga Frankët dhe përfitoi nga çasti kur nisi beteja për të kthyer armët kundër aleatëve të tij, iu del nga pas dhe i sulmon me tërbim (Buchon, Vëll.1, fq. 296). Është e tepërt të shtohet se beteja ishte e humbur. Por, a mos është më mirë të vlerësohen përmasat e një tradhëtie të tillë, sesa të shqyrtohen vetëm fatkeqësitë që ranë mbi Vllehët, Epirotët, dhe aleatët e tyre? Jo, padyshim duhen vlerësuar edhe shpresat që ajo veniti. Tashmë, despoti i kishte premtuar zgjerime të mëdha secilit prej dhëndurëve të tij, Guljelmit të Akaisë dhe Manfredit të Napolit. Natyrisht që edhe Vllehët e Vllahisë së madhe do të merrnin të tyret si shpërblim të ndihmës së dhënë. Sa për Mikelin e Artës, ai mbajti Maqedoninë dhe Thrakën duke pritur çastin kur do të shpallej perandor i Kostandinopojës (Buchon, faqe 281).
Ja pra, shkurtimisht, se çfarë shkaktoi në perëndim të gadishullit ilir një hakmarrje e trishtë, hakmarrje për më tepër kriminale pasi vetëm ata, Vllehët, -sipas Pakimerit -kishin trupat më të shumta. “Dhëndrri i Taronas -shkruan ai (lib. 1, kap. 30, fq. 2) -është princ i një kombi të shumtë në numër, dhe ishte mjaft i fuqishëm për të arritur fitoret. Ushtria e tij përbëhej nga Grekët (Romakët) që sot quhen Vllehët e mëdhenj. Me këtë ushtri, ai i vetëm, ishte mëse i fuqishëm për të ndaluar tre kapitenët e mëdhenj: Gjon Paleologun-të madhin e vendit, Aleks Strategopulin dhe Gjon-Raulin, dhe për ti penguar ata të shkojnë më larg se Bereu, edhe pse ata të tre bashkë kishin forca të mëdha”. Ajo që i kishte dhënë dorë Gjon Dukasit të bëhej kaq i tmerrshëm për Grekët, ishte aleanca e tij me Frankët e Peloponezit, pasi, i rrethuar në Neopatra, ai kish arritur të dalë i ndihmuar edhe nga errësira, dhe kishte rendur që ti përgjërohej për ndihmë dukës së Athinës dhe kalorësve të tjerë francezë. Dhe e gjitha kjo nuk i shkoi më kot. Frankët arritën sa hap e mbyll sytë, i zunë në befasi Bizantinët, i shpartalluan, dhe i dëbuan nga kampet e tyre. Edhe këtu, ashtu si në të gjitha luftërat me Frankët e Moresë, ushtria greke kishte si mbështetje një trupë Turkomanësh. Pak ditë pas shpartallimit të ushtrisë së tyre tokësore në Neopatra, flota e Grekëve, nën urdhërat e Filantropinit, desh u fundos në gjirin e Volosit nga një flotilje tridhjetëshe anijesh franke (Buchon, faqe 384). Filantropini vetë u plagos dhe, veç rastësisht, shpëtoi nga një asgjësim i plotë. Në këtë moment, Karli d’Anzhu ishte zot i Korfuzit dhe i brigjeve të Epirit, të cilat ia kishte marrë së vesë së Manfredit (v. 1271). Pak kohë më pas, ai pushton edhe (v. 1272) Durrësin dhe Shqipërinë qendrore. Dhe atëherë ai hedh vështrimin mbi Kostandinopojë duke qënë kundër “saraçenëve të bardhë” (kështu quheshin Grekët në Perëndim, -thotë Pakimeri), për shkak të kundërshtisë së vjetër në mes dy kishave (Bushon, faqe 387). Megjithatë, Mikel Paleologu vdes (v. 1282) dhe i lë perandorinë Andronikut. Gjoni Bastardi vdes gjithashtu, dhe i lë principatën megalovllahe, të birit të tij Mikelit, një tjetër bastard ky, pasi e bija e Taronasit duket se nuk i ka lënë atij fëmijë të ligjshëm. Tashmë Andronik Paleologu i frikësohet princit megalovlleh, por nuk merrte guximin ti kundërvihej me armë në dorë.
Çfarë bëri ai si grek i vërtetë? Shpejtoi të shfrytëzojë tradhëtinë. Ana dhe Niqifori, despoti i Epirit, kishin marrë përsipër t’ia dorëzonin.atij, dhe ata e tërheqin në oborrin e tyre, me shkasin e një martese me bijën e tyre Itamar, e kapin dhe ia shesin për një shumë parash perandorit grek, i cili bëhet gardiani i tij. Duke lëvizur për një kohë të gjatë nga njëri vend në tjetrin, sa herë që Androniku ndërronte vendqëndrimin, më së fundmi Mikelin e hedhin në një qeli në Selanik. Pasi shpëton prej andej, e kapin përsëri dhe e ridërgojnë në Kostandinopojë. Më në fund e shohim të masakrohet nga rojet e pallatit perandorak, të cilit ai donte ti vinte zjarrin për të djegur perandorin dhe për tu djegur edhe vetë aty (v. 1293). Mikeli ishte një bastard-një fëmijë i jashtligjshëm, babai i tij-po ashtu. Më së fundi, edhe gjyshi i tyre, themeluesi i despotatit të Artës, ishte gjithashtu një bastard. Kjo vazhdimësi bastardësh nuk mund të tërhiqte mbi vete bekimin e Zotit mbi Megalovllehët. Por e keqja më e madhe që bënë ata, ishte shkëputja prej bashkësisë së Romës. Meqë nënshtetasit e tij ishin katolikë, Gjoni Bastardi nuk kishte pse ta shihte me sy të keq rezultatin e koncilit të madh ekumenik të mbajtur në Lion, dhe ku Grekët kishin si përfaqësues të famshmin Vekus. Por, në të kundërt, meqë ipeshkvët e Trikallës dhe Patraxhikut nuk donin të aderonin në skizmën fotiane, ai i la të vdisnin në burg nga të ftohtit dhe pakujdesia ndaj tyre.
Shënime:
-Grekë dhe Romakë -në citimin që autori i bën Pakimerit, historianit bizantin, termat Grekë e Romakë përdoren për të kuptuar nënshtetasit e Perandorisë Bizantine, por njëkohësisht në kuptimin që ajo është vazhdimësia e Perandorisë Romake të Lindjes.
-Bereu -Veria, qytet në verilindje të Thesalisë, mbi gjirin e Selanikut.
-Volos -qytet në juglindje të Thesalisë, poshtë Larisës.
-Neopatra -në juglindje të Epirit, por me këtë emër njihet edhe Elbasani.
-Frankët e Peloponezit -Pas pushtimit të Kostandinopojës nga kryqëzata e katërt, nga copëzimi i zotërimeve perandorake, në Peloponez u krijua principata e Akaisë me fisnikët francezë Vilarduinë.
-Niqifori -despot i Epirit, zotëronte Epirin dhe një pjesë të Etolisë, me seli në Janinë, i së njëjtës dinasti të despotëve të Epirit.
-Karli d’Anzhu -konti i Anzhusë në Francë, që më 1266 bëhet mbret i Napolit dhe Siçilisë dhe merr nën zotërim edhe viset bregdetare shqiptare duke i emërtuar si regnum Albaniae.
Krijoni Kontakt