Close
Faqja 5 prej 8 FillimFillim ... 34567 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 50 prej 75
  1. #41
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 37


    Bogomilizmi (manikeizmi)


    Le të hedhim një vështrim tani mbi një herezi që shkatërroi Ilirinë për shekuj me rradhë. Ajo është çështja e manikeizmit. Në Bullgari ithtarët e tij quhen Bogomilë, në Azi Palicianë, në Francë Albigezë, dhe në Itali me emrin Shqiptarë, ata që përhapën manikeizmin në Shqipëri dhe në vende të tjera. Maneu, shpikësi i kësaj herezie, qe rjepur i gjallë me urdhër të mbretit të Persisë. Perandori Dioklecian i dogji të gjallë udhëheqësit kryesorë. Roberti, mbreti i Francës i dogji të gjallë disa kanoinë që ishin tunduar nga Manikenët (v. 1022). Perandori Aleks Komneni dogji në Kostandinopojë murgun Bazil, udhëheqësin e Bogomilëve bullgarë (v. 1110). Ata që u zbuluan në Shqipërinë e epërme, pak para periudhës në të cilën kemi arritur, nuk u trajtuan më denjësisht. Vetë Bohemundi shkatërroi në Pelagoni një qytezë të populluar nga Manikenët (v. 1097).Në Serbi, Simeoni, babai i Vulkos, i shoi një palë në zjarr, të tjerët me tortura të ndryshme, disa me ekzil, e disa me konfiskim të pronave të tyre në dobi të të varfërve. Kryetari i sektit në ato vende e kishte gjuhën e prerë, dhe librat e tij u hodhën në zjarr (Martinof). Një represion kaq i dhunshëm nuk duhet të na çudisë. Nga njëra anë, heretikët e mohonin mëkatin e zanafillës, dhe nga ana tjetër, ata i shpjegonin çështjet sipas mënyrës së tyre. Po t’iu besoje atyre, kishte dy zotër, dy krijues, dy parime për të gjitha gjërat, njëri shkaktar i së mirës, tjetri shkaktar i së keqes. I pari kishte krijuar gjërat e padukshme dhe shpirtërore, i dyti gjërat e dukshme dhe materiale. Veprimet e mbara vijnë prej së parës, të mbrapshtat prej së dytës. Po të jetë kështu, të ndëshkohej një njeri për të keqen që ai kish bërë do të ishte një padrejtësi, të shpërblehej ai për të mirën që ka kryer do të përbënte një tjetër padrejtësi, pasi në sytë e Manikenëve, e mira dhe e keqja nuk janë të njeriut, por të zotit - parim që e bën atë të veprojë, ose më mirë, parim që vepron tek ai. Shtojmë këtu se, nëse gjërat materiale dhe të dukëshme janë të krijuara nga një parim i keq, dhe si rrjedhojë janë të këqia, trupi ynë, gjithashtu, është diçka e keqe. Edhe për më tepër, nuk mund as të hash, as të pish, as të vishesh, e as të martohesh. Pasi, po të bësh këto gjëra e të tjera si këto, është njëlloj si të mësohesh me parimin e së keqes, domethënë, të djallit. Një shoqëri e lidhur pas parimesh të tilla, ose duhet të ndalohet, ose të lihet të shkatërrohet. Kronikani Niketa rrëfen se një ditë perandori Manuel erdhi në Pelagoni për të vënë rregull në çështjet e vendit. Cila ishte natyra e këtyre çështjeve? Autori grek nuk e thotë. Por, meqë ai manipulon të vërtetën përsa i përket Patriarkut Kozma, i shkarkuar për lidhjet e tij me bogomilizmin, mund të hamendësohet, madje nga Biografia e Shën Hilarionit të Meglenit, të nxirret si përfundim se bëhet fjalë për çështjen e trazirave të nxitura nga ky lloj sektarizmi. Në vitin 1869, Egomneni i Shën Naumit thotë se quhen ende Bogomilë Shqiptarët e Mokër-Gorës (Malet e lagështa) që gjenden në perëndim të liqenit të Ohrit. Megjithëse ata nuk janë më Manikenë, a do të quheshin ende Bogomilë nëse nuk do të kishin qenë të tillë?
    Më 1380, Toma, Despoti i Epirit, pretendonte se Jezu Krishti nuk është tashmë në Eukaristinë e Shenjtë. Pukëvili e ka nxjerrë këtë fakt nga kronika e Janinës, dhe çuditet për këtë. Atëherë, pra, Greqia duhet të ketë patur përparësi mbi Gjermaninë, Toma mbi Luterin! Vërejtja e Pukëvilit është sigurisht interesante. Por, a mos i mungon saktësia? Pasi gabimi i ndjekur nga Toma i përket manikeizmit, dhe kjo dëshmon se kishte ende Manikenë në Shqipëri në kohën kur jetonte Toma (v. 1380). Prej manikeizmit tek muslimanizmi është veç një hap larg. Në Azi, Palicianët përherë kishin marrë anën e Arabëve kundër të krishterëve, dhe arritën si përfundim të gjithë të përqafojnë muslimanizmin. Po kështu ndodhi edhe me Besët ose Pomakët në Thrakë dhe në Myzi. Në Bosnje ishin manikenët ata që i dhanë shkas pushtimit turk, dhe ishin ata të parët që u kthyen muslimanë. A është e mundur që në Shqipëri ata që përqafuan të parët islamizmin, të kenë qënë të përgatitur nga doktrinat manikeiste? Fakti është se në vendet e krishtera, manikeizmi u zhduk nga njëhershmëria e një neverie shoqërore, dhe nga një predikim i arsyetuar mjaft mirë. Në të kundërt, në vendet muslimane ai u zhduk duke u përthithur, duke u shkrirë, duke u shuar në islamizëm, në mënyrë të tillë që, nga manikeizmi në muslimanizëm, rënia u bë shkallë-shkallë, dhe kalimi më i lehtë.

    Shënime:
    -Besët ose pomakët -popullsi e lashtë thrake e nënshtruar nga Augusti, njihen sot si muslimanët e Bullgarisë.

  2. #42
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 38


    Vargu i arkipeshkëve uzurpatorë të selisë së Ohrit – Letra e Teofilaktit kundër patriarkut grek


    Vijmë përsëri në primatinë ilire. Tashmë kemi thënë se deri tek Leoni, i mbiquajtur i Ohrit, kjo seli ka qenë mbajtur vetëm nga vendasit. Duke parë se aktet e parardhësve të tij ishin një protestë e gjallë kundër njerëzve të tij (domethënë bizantinëve, shën. përkth.), Leoni i shkatërroi të gjitha dokumentat që përjetësonin ngjarjet. Nga kjo shohim se përveç Davidit, i cili u ngjit në selinë e Ohër-Justinianës në vitin 1017, dhe që u ngarkua ti çonte Bazil Bullgaroktonit një letër të Mbretëreshës Mari, kujtimin e së cilës e ka ruajtur historia laike, -emrat e atyre që kanë qënë më parë mungojnë në katalogun e Lekyjenit. Prandaj ne do të japim këtu një katalog të arkipeshkëve bizantinë. Pasuesit e Leonit qenë Teoduli, ish-murg i Mokies në Kostandinopojë (v. 1057), Gjoni II (v. 1065) me origjinë nga Lampasi në Kretë, i cili kishte qënë murg në malin Olimp me Patriarkun Ksifilin, dhe më në fund, Gjoni III, i mbiquajtur i Serti (v. 1078). Meqë ishin të gjithë agjentë perandorakë, emërimin e tyre e zgjaste pushteti perandorak. I pari hypi në fronin e Ohër-Justinianës nga Teodora, i dyti nga Konstantin Duka, i treti nga Botaniati. Nuk dihet nëse igumeni i Apricit, që Bazilaku e kishte ngjitur në selinë e Ohrit, qëndroi aty për një kohë të gjatë. Fakti është se ne gjejmë, më pas, të famshmin Teofilakt, dikur mësues i Konstantinit, birit të Mikel Dukës. Nga letrat e tij shihet se Teofilakti i urrente jashtëzakonisht Bullgarët, dhe se në qytetin e Ohrit atij i dukej se ishte në ekzil. Shihet, gjithashtu, se ai shkonte shpesh në Kostandinopojë, dhe se kthehej gjithherët me zemër të thyer drejt fronit të primatit. Megjithatë, erdhi një ditë që ai e mbrojti me shumë rreptësi pavarësinë e selisë kundër patriarkut grek. Kjo na lejon që këtu të fusim një pjesë të shkëputur prej letrës së tij drejtuar arkipeshkvit të Kalkedonisë.
    -”Më parë vinin në dukje temporalet e kishave. Pa dyshim, kjo na bënte të vuanim shumë, megjithatë ngushëlloheshim kur shihnim se nderohej ajo çka ishte shpirtërore. Por tani që na shahet edhe kjo, dhimbja jonë ka arritur kulmin dhe asgjë nuk na e lehtëson.Qëllimi i kanoneve të shenjta është që të garantojnë integritetin e eparkisë, dhe të pengojnë sundimin e pushtetit kalimtar në çështjet shpirtërore. Por ata që kanë për mision ti mbrojnë ato me forcë prej shkeljeve, ata vetë i dhunojnë, pushtojnë me forcë eparkitë e të tjerëve, vihen mbi të gjitha të drejtat hyjnore dhe njerëzore, dhe gjejnë ngushëllim veçse kur nxjerrin në pah gabimet e kryera prej të tjerëve.Të bindur se zelli ynë do të shërbejë për këtë rimëkëmbje, ne ju bëjmë me dije Shenjtërisë Suaj diçka të paligjëshme që ka ngjarë në Kiçevë (Kërçovë), dua të them në një eparki që është në varësinë e arkipeshkvisë sonë, dhe ku një murg ndërtoi një oratorio pa lejen tonë. Pasi ne e qortuam se kishte filluar ndërtesën pa qenë i autorizuar nga ne, gjë kjo që mbrohet nga ligjet civile dhe kishtare, ai u përgjegj se fillimisht kishte nxjerrë një stavro pigi, dhe vetëm më pas kishte nisur punën. Ne, për këtë nuk e kemi përjashtuar apo shkishëruar sipas ligjeve. Megjithatë, duke parë rëndësinë e çështjes, po i shkruaj për këtë Kartofilaks Pjetrit, po ju shkruaj edhe juve, ju që e doni Zotin dhe kanonet, në mënyrë që të bisedoni me atë (patriarkun), i cili e njeh ndëshkimin që i japin kanonet autorit të akteve të tilla.Unë jam mjaft i çuditur se si lejohen të tilla gjëra që shkatërrojnë rregullin dhe paqen midis kishave, dhe që e bëjnë të shkojë dëm gjakun të cilin Jezu Krishti e derdhi për paqëtimin e të gjitha punëve. Si i lejohet Patriarkut të Kostandinopojës të përzihet në çështjet bullgare, ai që nuk ka të drejtë as të bëjë shugurimet tek ata, pasi Bullgarët kanë nxjerrë një arkipeshkv autoqefal. Për më tepër, kush do të jetë ai që do të korrigjojë gabimet e kryera nga murgjit në një manastir të ngritur sipas qëllimit të tij? Me siguri që duhet të jetë ai që drejton murgjët e tjerë dhe që ne e quajmë ekzark.Atëhere, kush do mundë ta durojë ekzarkun e Kostandinopojës në Bullgari? Kush është ai që, qoftë në zemërimin apo përkushtimin e tij, nuk do ta trajtonte si një bastard? Sa për mua, unë nuk e di se kush tjetër në vend tim do ta kish duruar një shkelje të tillë për një kohë kaq të gjatë, derisa ai do të ketë zemërgjerësinë të kthehet tek ne, dhe kanonet të marrin njëfarë vlere”.
    Teofilakti jetonte ende në vitin 1107, por nuk dihet as koha kur vdiq dhe as periudha kur u pasua nga Leoni II, i mbiquajtur Mugusi. Leoni II ishte një çifut i konvertuar dhe, para se të bëhej arkipeshkv i Ohër-Justinianës, ishte katekist në Kostandinopojë. Vihet re se, brenda tetë ditëve, ai ngjiti të gjitha shkallët klerikale kundrejt Gjonit Cungu, dhe atë e bënë menjëherë arkipeshkv të Grebenesë. Një akt i tillë tregon se çfarë nënshtetasish të padenjë perandori grek lartësoi në selinë e Ohër-Justinianës. Leoni II duket se ka patur si pasardhës eunukun Mikel, ish portier i patriarkatit grek, pastaj Gjonin IV, për të cilin Palauzof, botuesi i një sinodi të vjetër, thotë se ka marrë pjesë në dy koncile të mbajtur në Kostandinopojë kundër Bogomilëve, në vitet 1140 dhe 1143. Koncili i parë kishte dënuar shkrimet e Konstantin Krisomalit, dhe i dyti dy peshkopë të akuzuar për bogomilizëm. Vijnë pastaj Adriani dhe Eustati të cilët nuk figurojnë në katalogun e Lekyjenit. Adriani njihet vetëm prej autorëve rusë, i dyti nga Biografia e Shën Hilarionit të Meglenit. Adriani kishte dënuar Leonin e Rostovit në vitin 1163, kurse Eustati kishte hirësuar Shën Hilarionin peshkop të Meglenit më 1164. Hilarioni drejtoi 30 vjet kishën e tij, dhe shkëputi prej herezisë manikene një numër të madh të krishterësh. Në aktin e rimëkëmbjes së kishës bullgare të dhënë nga Courrier d’Orient (16 qershor 1872), thuhet se Bazil Bullgaroktoni e konfirmoi arkipeshkvin si patriark të Ohrit me anën e tre dekreteve, dhe se këto tre dekrete u përfshinë të plota në një dekret të nxjerrë në muajin gusht 1172 nga perandori Manuel Paleologu. Manueli do të ketë riprodhuar dekretet e Bazilit, kasapit të Bullgarëve, dhe të gjitha këto dekrete do të jenë ruajtur në malin Sinai, nën emrin e arkipeshkvisë së Ohrit dhe të gjithë Bullgarisë, bashkë me eparkitë nga e cila ajo përbëhej. Sido që të jetë, Manueli qëndroi për një kohë të gjatë në Pelagoni në vitin 1152. Pra, mund të hamendësohet se dekretet e lartpërmendura të jenë përpiluar në këtë periudhë. Ai jetoi deri më 1180. Nuk dihet emri i arkipeshkvit të Ohrit që celebroi më 1183 një martesë në shkelje kurore, të cilën Teodosi, Patriarku i Kostandinopojës, nuk kish dashur ta kurorëzonte. Pas vdekjes, ose pas rrëzimit nga froni, të këtij të panjohuri, Gjon Kamateri u ngjit në selinë e Ohrit. Sipas Niketës, po ky Gjon Kamateri, i ndihmuar nga dy të tjerë, kishte mbytur Aleksin II dhe, pas këtij krimi të ulët, arrin të ngrihet në krye të selisë së Ohrit prej të poshtërit Andronik I. Të mos harrojmë se perandorët grekë i vinin kapriçot e tyre në vend të kanoneve të shenjta. Ata i ndryshonin primatët ilirë, ashtu siç ndryshonin patriarkët grekë.

    Shënim:
    -Teodora -e bija e Konstandinit IX, perandoreshë e Lindjes (1054-1056), e motra e Zoicës.
    -Konstantin Duka -perandor i Lindjes (1059-1067), bir në shpirt i Isak Komnenit.
    -Niqifor Botaniati (Komnen) -perandor i Lindjes (1078-1081).
    -Mikel Duka (Mikeli VII) -perandor i Lindjes (1067 dhe 1071-1078).
    -Manuel Paleologu në Pelagoni -këtu është gabim, pasi në vitin 1152 dhe 1172, nuk është Paleologu në krye të perandorisë por Manuel Komneni (1143-1180), i biri i Gjonit II Komnenit.
    -Androniku I -perandor i Lindjes (1183-1185), i dinastisë Komnene.

  3. #43
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 39


    Shtrirja e Primatisë së Ohrit – Letrat e Teofilaktit drejtuar arkipeshkëve të Vidinit dhe të Sofies – rekrutimi i klerit të lartë në Primatinë e Ohrit


    Është për të ardhur keq që nuk i kemi të gjitha krisobulat e Bazil Bullgaroktonit në lidhje me ipeshkvitë që i takonin Ohrit. Çfarë arsye kanë patur Grekët për të hequr këtë pjesë? Nuk ka më nevojë të thuhet. Por, nëpërmjet letrave të Teofilaktit, ne do ju ofrojmë sa të mundemi. Në kohën e Teofilaktit, domethënë në fillim të shekullit të dymbëdhjetë, jo vetëm Vidini, Nishi dhe Sofia vareshin nga Ohri, por gjithashtu, të gjitha ipeshkvitë i nënshtroheshin kanoneve në këto metropoli dhe në të tjerat. Arkipeshkvi i Vidinit, duke iu ankuar primatit të tij për atë çka kishte vuajtur, merrte përgjigje, mes tjerash, prej Teofilaktit: “Mos u ligështoni, pasi nuk jeni i vetmi që vuani. Ju thoni, për shembull, se tagrambledhësit janë të ashpër dhe të padurueshëm. Por padyshim, ata janë më pak të këtillë se sa këta të vendit tonë. Pasi këta tanët sillen me vetë fëmijët njëlloj sikur të bëhej fjalë për kafshët. Ata i marrin një në pesë apo në dhjetë dhe i bëjnë skllevër. Ju thoni edhe se, nga jashtë, fushat janë të molepsura nga Komanët. Po çfarë është kaçakëria e tyre në krahasim me atë të cilën ne vetë jemi viktima si pjesë e banorëve të Ohrit?Në Vidin ju keni kështjellarët (garnizonet). Por kështjellarët tuaj janë si fëmijë krahasuar me Mokrarët e egër”.
    Quhet Mokër (e lagësht) një vargmal që shtrihet në perëndim të liqenit të Ohrit, dhe që shërbente si strehë për një çetë kaçakësh, e cila plaçkiste udhëtarët që vinin nga Selaniku, dhe nëpërmjet Ohrit, kalonin për në Durrës. Teofilakti thotë, më pas, se mes atyre që e bënin të ndihej edhe më keq ishin dy anëtarë të gjykatës, një tagrambledhës dhe një mjek. “Por të trishtohem vetëm nga ajo çka shihet, do të ishte një mënyrë e sigurt për të egërsuar armiqtë tanë e për ti bërë edhe më të ligj”. Teofilakti kishte, gjithashtu, ngatërresa të mëdha me arkipeshkvin e Triadisës, për çështjen e një murgu plak dhe të një ipeshkvi. Murgu plak kishte ardhur të ankohej për mbylljen e manastirit të tij nga arkipeshkvi i Sofies. Më pas, ai i ishte ankuar perandorit. Arkipeshkvi nuk i vinte në hesap as rekomandimet e primatit dhe as reskriptet perandorake. Duhet shtuar se, bashkë me shumë të tjerë, arkipeshkvi i Sofies kishte denoncuar ipeshkvin e Lipanionit, qytet, gjendjen e të cilit ne nuk i dimë, por që duhet të ketë qënë në varësi të Sofies. I thirrur në një sinod të mbledhur në Ohër, metropoliti nuk kishte pranuar të vinte nën pretekstin se një funksionar i lartë pritej në Sofie, dhe se, veç kësaj, ai duhej të pajtonte Armenët me kishën ortodokse. “Por, -përgjigjet Teofilakti -Armenët duhet të presin kthimin tuaj nga Ohri, nëse ata me të vërtetë e kanë virtytin e durimit, të cilin duhet t’ua kini mësuar ju, dhe më tej, kur të ktheheni në Sofie, mund të trajtoni çështjet që ju shqetësojnë me funksionarin në fjalë”. Kështu, ai i dha atij pesëmbëdhjetë ditë kohë për të ardhur. Nëse brenda pesëmbëdhjetë ditëve ai nuk do të mbërrinte, sipas gjithë juridiksionit kanonik, do të pezullohej. Të paktën duhej të merrte mundimin të ndërpriste për pak kohë çështjet e tij, pasi ipeshkvët e tjerë i kanë bllokuar të tyret, dhe e presin me padurim. Më në fund, meqë ai është ndër ata që kanë denoncuar ipeshkvin e Lipanionit, ai duhet të ndëshkohet si shpifës nëse ngul këmbë në akuzën e tij. Një diçka tjetër e bën të nevojëshme praninë e tij. Kjo është ankesa e një murgu bullgar që e akuzon se i ka futur në burg igumenin e tij dhe nuk e lejon as ta shohë atë.
    Letra e tretë e Teofilaktit drejtuar këtij peshkopi, është me të vërtetë e shkruar ab irato. “Duket sikur ju -i thotë primati atij -nuk e keni lexuar letrën time, ose e keni lexuar me mendjen diku tjetër. Për shembull, pretendoni se ju dënoj pa ju dëgjuar. Por, si do mund t’u kisha ndëshkuar në këtë mënyrë, kur jam unë vetë që ju kam thirrur në sinod për të marrë në shqyrtim aty akuzat e ngritura kundër jush? Duket sikur donit të më mësonit mua se çfarë përmbajnë ligjet. Por, në vend që të më mësoni mua ligjet, a s’do bënit më mirë të pastronit gjuhën tuaj, të mësoni më mirë gramatikën, dhe të shmangni gabimet që bëjnë të qeshin edhe nxënësit e fundmë të ndonjë shkolle”.
    Për të mësuar se si rekrutohej kleri në primatinë tejmase të shtrirë të Ohrit, mjafton të lexohet letra e Teofilaktit drejtuar Tomazopulit, guvernatorit të Yskupit (Shkupit).
    “Ne nuk e shohim të udhës -thotë mes tjerash Teofilakti -t’iu ngatërrojmë në zgjedhjen e ipeshkëve. Pasi ka në të gjëra që të bëjnë të dridhesh, dhe për ne është e pamundur të heqim dorë prej kësaj. Midis atyre që janë ngritur nga ne në peshkopatë, një palë ishin të lidhur me këtë kishë (të Ohrit) dhe jo më pak të rekomandueshëm për nga sjellja e nga besimtaria e tyre. Të tillë janë ipeshkvët e Morovit dhe të Prisdranit (Prizrendit). Të tjerët kishin shkëlqyer në Kostandinopojë për nga kultura dhe gojëtaria e tyre. Të tillë janë ipeshkvët e Kosturit dhe të Beligradit (Berati në Shqipëri). Të tjerë, të tillë si ipeshkvi i Triadisës (Sofies), ishin të shquar për ushtrimet e jetës kuvendare. Nëse ky që ju rekomandoni, një egjyptian më duket, ka cilësi të ngjashme, nuk jeni ju që na detyroheni për veprime mirënjohjeje, por jemi ne që ju detyrohemi ju. Por, pasi ai nuk është i njohur as në kishën tonë, as në atë të Kostandinopojës, nuk ia vlen të provokoni zemërimin e Zotit dhe as të na e impononi ne që mbi të gjitha kërkojmë të kënaqim atë. Për të thënë të vërtetën, na mungon një ipeshkv, ai i Vidinit, por nuk po arrijmë të gjejmë një të tillë siç duhet. Për këtë detyrë na duhet një njeri që të marrë vesh në administrimin e dyfishtë të punëve, ato shpirtërore dhe civile”.

    Shënime:
    -Triadisa -emri i lashtë i Sofjes (Bullgari).
    -Vidini -në veriperëndim të Bullgarisë, mbi Ballkanet perëndimore.

  4. #44
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 40


    Mbreti i Siçilisë dhe perandori i Bizantit në Shqipëri – Kalkisi i djegur – Selaniku i plaçkitur – beteja e Miriokefalit – ushtri shqiptare në Qipro


    Kemi thënë diku tjetër se, në të njëjtën kohë kur Grekët i hoqën papës Primatinë ilire, ata vetë u shkëputën nga tërësia e kishës katolike dhe ndërtuan një kishë të re nën emrin e patriarkut ekumenik. Zoti kishte sjellë dy popuj: -Normanët dhe Turqit-Selxhukë: -Normanët që do ti dëbojnë ata nga Italia, dhe Selxhukët që i përzunë nga Azia e Vogël. Skicimi që ne bëjmë për historinë e Shqipërisë nuk na lejon të ndjekim veprimet ushtarake që do të kryhen në Azi. Shënojmë vetëm se, pasi ra në marrëveshje me Turqit për të shkatërruar kryqëzatën e fundit të udhëhequr nga perandori Konrad dhe nga mbreti i Francës më 1147, Manueli humbi edhe ai vetë kundër Turqve betejë pas beteje. Për pak sa nuk ra i gjallë në duart e tyre në Miriokefal (v. 1176). Sa u përket Normanëve, të cilët ne i shohim në luftë nën udhëheqjen e Rozherit dhe Guljelmit, ja me pak fjalë se çfarë ndodhi. Pasi mori Korfuzin (v. 1147), Rozheri zbriti në kontinent. Në fillim ai plaçkiti Epirin, Akarnaninë, Etolinë, dhe shpërnguli nga Teba në Siçili punonjësit më të mirë të mëndafshit. Megjithatë, Manueli e rimorri Korfuzin me ndihmën e Venedikasve (v. 1149) dhe, më vonë, ai u mori normanëve shumë vende në Itali: Brindizin, Barin, dhe disa të tjera. Por, më pas, ai i humbi të gjitha (v. 1155). Përsëri më tej, shohim se admirali siçilian e djeg Kalkisin në Eube dhe e ndjek Manuelin deri në pallatin e tij të Blakernëve. Fatkeq në luftën e tij me Turqit, pak i lumtur në tetëmbëdhjetë vjetët e tij të luftës me Hungarezët, dhe duke humbur shpresat prej armiqësive edhe më të zgjatura me Normanët, -Manueli u detyrua ti njihte Guljelmit II titullin e mbretit, dhe të përfundonte me të një armëpushim prej tridhjetë vjetësh (v. 1155).
    Kur armëpushimi mbaroi në vitin 1185, Guljelmi II, mbret i Siçilisë, rimorri shumë shpejt armët, rrëmbeu Durrësin (24 qershor) dhe shkretoi Selanikun, Amfipojën, dhe shumë qytete të tjera në Maqedoni dhe në Thrakë. Durrësi, duke mos bërë një rezistencë të gjatë, nuk vuajti shumë, por në Selanik u fyen Normanët nga lartësia e bedenave, dhe prandaj qyteti u plaçkit. Përshkrimi që i bën Niketa plaçkitjes së Selanikut kapërcen çdolloj besueshmërie, - thotë Lë Bo. Arkipeshkvi Eustat është më pranë të vërtetës kur ia mvesh plaçkitjen e Selanikut bëmave të banorëve të tij. Veç kësaj, Niketa nuk ka pse të ankohet pasi, në vitin 1182, Grekët kishin therrur pa asnjë arsye të gjithë sa ishin Latinë në Kostandinopojë, dhe prandaj Siçilianët në Selanik (v. 1185) ua kthyen me të njëjtën monedhë. Nën Manuelin, Shqipëria, si gjithë krahinat e tjera, ishte e mbytur në taksa. Kështu ishte, në të vërtetë, për shkak të taksave, që me afrimin e Normanëve Korfiotët u gjendën para tyre, dhe, kur pas betejës së Miriokefalit, Manueli nuk pranoi të pinte ujin që i dhanë-ujë të ngjyrosur me gjak njeriu, atëhere një ushtar guxoi ti thotë atij: -”Nuk po e shijoni sot këtë pije të llahtarshme. Keni kohë të gjatë që e pini. Ju keni qënë i dehur prej saj qysh se mbysni në taksa nënshtetasit tuaj”. Manueli ua kishte besuar vjeljen e taksave eunukëve, -vëren Lë Bo -domethënë, njerëzve pa familje dhe pa farefis. Perandorët bizantinë nuk kanë pasur asnjëherë trupa të rregullta ushtarake. Nëse përgjatë gjithë Mesjetës kishte shqiptarë të shumtë në ushtritë greke, kishte po ashtu nga ata edhe në ushtritë latine. Gjithashtu, shohim në vitin 1194 se Amauri i Lusinjanit ia beson një ushtrie shqiptare ruajtjen e brigjeve të mbretërisë së Qipros.

    Shënime:
    -Kalkisi -qytet në qendër të Eubesë; Eubeja -ishull në Egje, përgjatë pjesës lindore të gadishullit, Negroponti i vjetër.
    -Blakernët -pallati perandorak në Kostandinopojë.
    -Amfipoja -qytet në Maqedoni, në lindje të gadishullit të Kalkidikisë (të Selanikut).
    -Amauri i Lusinjanit -Zot i Qipros në 1194, më vonë mbret i Qipros dhe Jerusalemit (1197-1205).
    -Korfiotë -banorët e Korfuzit.

  5. #45
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 41


    Bula e Papa Aleksandrit II drejtuar arkipeshkvit të Dioklesë – shënim mbi Dioklenë

    Në momentin kur në Shqipërinë qendrore Kisha ndiqte, me hir apo me pahir, luhatjet e çrregullta të Bizantit, në Shqipërinë e epërme ajo ruante, nën mbrojtjen e një pushteti vendas, një rrjedhë të njëtrajtëshme dhe krejtësisht kanonike. Në këtë gjykim arrihet nga bula që, në vitin 1062, Papa Aleksandri II i shkroi arkipeshkvit të Dioklesë. Preambula është përpiluar kështu: -”Aleksandri, shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit, për të nderuarin Pjetër, arkipeshkv i Dioklesë dhe Antivarit, lëvduar qoftë Jezu Krishti”. Më pas, vijnë disa mendime mbi përdëllimin e një ipeshkvi për grigjën e tij dhe, pas së cilës, papa shton:
    “Sipas kërkesave tuaja dhe prej kësaj bule tonën, ne dëshirojmë me gjithë shpirt, vëlla i dashur, t’ua besojmë juve kishat e Dioklesë, Antivarit, Shkodrës, Drivastit, Pultit, Budvas, Serbisë, Trebinjës, dhe gjithçka është në varësi të tyre, po ashtu manastiret latine dhe sllave që gjenden atyre anëve. Me ju, pra, kishat e lartpërmendura formojnë një të vetme, dhe pushteti juaj episkopal duhet njohur nga të gjithë. Ja përse ne i akordojmë vëllazërisë suaj mbajtjen e Paliumit, në po ato ditë, dhe po ato funksione, si të parardhësve tuaj”. Më pas vjen numërimi i këtyre ditëve dhe këtyre funksioneve, pas të cilave Aleksandri shton: “Ne ju lejojmë, ndër të tjera, që të mbartet kryqi përpara jush në Serbi dhe në Dalmaci, në atë mënyrë siç kanë bërë parardhësit tuaj. Më në fund, ashtu si edhe parardhësve tuaj, ne u konfirmojmë arkipeshkopatinë tuaj, duke shpresuar se ju do ti qëndroni besnik selisë apostolike”.
    Nga përmbajtja e kësaj bule vihet re se cila është gjendja e punëve religjioze në Shqipërinë e epërme, dhe çfarë rëndësie kishte ende selia e Dioklesë më 1062. Mund të arrihet në përfundimin se, nëse atdheu i perandorit Dioklecian kishte qenë i shkatërruar nga Samueli, mbreti i Bullgarëve (v. 980), ai u ringrit lavdishëm, të paktën pjesërisht, mbi rrënojat e tij. Sidoqoftë, është veçse rasti i parafundit që vihemi në dijeni të çështjes së Dioklesë nëpërmjet monumenteve të shkruara. Ky qytet, për të cilin kishin folur Plini dhe Ptolemeu, duhet të jetë përmbysur gjatë luftërave të njëpasnjëshme midis Serbisë dhe Perandorisë së Poshtëme. Nga viti 959, Konstantin Porfirogjeneti i dha tre qytete të mëdha Diokletisë: Gradetin, Nugradin dhe Lontoklenë. Meqë Diokletia duhet të ketë përfshirë të tre pellgjet e Moraçës dhe të degëve të saj, Cemit dhe Zetës, atje edhe duhet të vendosim qytetet e lartpërmendura. Pa dyshim Zhabjaku, Shpuza dhe Podgorica do të jenë ndërtuar mbi trojet e tyre, pasi nuk mund të gjenden tjetërkund qytete të mëdha ndër këto male të thepisura dhe në këto vende të ashpra. Sipas Kapuçin Zazit, në historinë e tij në dorëshkrim për ipeshkvët e Raguzës, e cila gjendet në bibliotekën e Firences, Dioklea ishte rrënuar nga Gotët rreth vitit 404, dhe nga Grekët e Bullgarët më 980. Ipeshkvi i Trebinjës duhet të jetë dërguar në atë vend nga Papa Shën Nikola, në vitin 863. Në kohën e çështjes së konvertimit të Bullgarëve, Gjonit, ipeshkvit të Dioklesë, iu desh të tërhiqej në Raguzë, më 980, dhe, duke u bërë arkipeshkv, me ipeshkvët e Tivarit, Ulqinit dhe Korfuzit si sufragantë, ai vdiq aty dhe u varros në kishën e Shën Stefanit, pas një pontifikati prej 30 vjetësh. Podgorica u ngrit mbi rrënojat e Dioklesë në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Mehmeti II. Dioklea gjendej -thotë kolonel Kovaleski -në atë vend ku është sot fshati i vogël i Duklës, një orë e gjysëm larg nga Podgorica. Ky udhëtar i gjeti aty kolonat ende më këmbë, portat me mbishkrime latine, dhe gjurmë të bedenave të lashta. “Histoire et description de la Haute Albanie” (Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së epërme, nga Hecquard, faqe 73).

    Shënime:
    -Antivari -Tivari; Drivast -Drishti, qytet mesjetar në jug të Shkodrës.
    -Dioklea (Diokletia) -Doklea e vjetër ilire në veriperëndim të Shkodrës, që në mesjetë u shtri si emërtesë edhe në krahinën përkatëse me krijimin e principatës së Dioklesë. Në kohën e dinastisë së Balshajve njihej si Zeta (por dhe Genta).
    -Trebinja -qendër urbane e rëndësishme, sot në Bosnje-Hercegovinë.
    -Cemi dhe Zeta -lumenj që derdhen në Moraça; Cemi buron nga malësitë e Kelmendit, kurse Zeta vjen nga perëndimi.
    -Zhabjak, Shpuzë -qytete mesjetarë dhe fortesa, i pari në jug të Podgoricës, ndërsa i dyti në veriperëndim të saj.

  6. #46
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 42



    Primatia e Pejës – Koncili i Dioklesë – masat kunder manikeizmit – letërkëmbimi midis Honorit III, Stefan Nemanjës dhe Shën Savës – kurora mbretërore – vdekja e Shën Savës - ipeshkvitë serbe


    Në vitin 1199 u mbajt në Dioklè një sinod apo koncil prej shtatë ipeshkvësh. Ka mundësi që ai të ketë trajtuar çështjen e jetës së Shën Simeonit, knjaz i Serbisë, pasi ky vend nuk kishte ende hierarki kombëtare. Me kërkesën e Stefan Nemanjës, më vonë Shën Simeon, u mbajt koncili i Dioklesë dhe, në prani të dy legatëve të dërguar nga Roma, Gjonit dhe Simonit, atij iu desh të gjente mënyrat për të ndaluar përparimin e manikeizmit. Tashmë knjazi i Serbisë i kishte shkruar papës se Bosnja ishte molepsur nga kjo herezi, dhe se Zhupani Kulin, gruaja dhe motra e tij, ishin nxitësit më të zjarrtë. Meqë Bosnja dhe Serbia janë vende kufitare dhe, meqë të dy popujt flasin të njëjtën gjuhë, duhet hamendësuar se ata ishin po aq të molepsur nga manikeizmi, sa njëri dhe tjetri. Meqënëse, deri në këtë moment, nuk ka pasur rite të tjera në Bosnje dhe në Serbi veç ritit latin, riti sllav do ti jetë dukur koncilit, knjazit dhe papës, mënyra më e mirë për të luftuar Manikenët, pasi Bogomilët thërrisnin që lutjet të bëheshin veçse në gjuhën popullore, domethënë në sllavisht. Ka mundësi që ky të ketë qenë objekti i ndërlidhjeve të fshehta që bani i Serbisë pati me legatët e Papës të cilët ktheheshin në Romë. Por projekti i një hierarkie sllave u realizua veç më 1218 ose 1219, nga Papa Honori III. Dhe, tre vjet më vonë, në vitin 1222, ipeshkvi Metodi shkoi të kërkonte në Romë kurorën mbretërore, të cilën Shën Sava, primati i ri i Pejës, duhej ta vinte mbi kryet e vëllait të tij. Letërkëmbimi, midis oborrit serb dhe selisë apostolike, gjendet tek vazhduesi i Baronit. Del si rrjedhojë nga ky letërkëmbim se primatitë e Pejës dhe Tërnovës ishin njëlloj si Primatia e Ohër-Justinianës. Si njëra dhe tjetra, ishin copëzim i së dytës, i kryer nga selia apostolike. E dyta, domethënë Ohri, ishte shkëputur nga Selaniku me kërkesën e perandorit Justinian, ndërsa dy të tjerat me kërkesën e Arkizhupanit të Serbisë dhe të Joanisit, perandorit të Bullgaro-Vllehëve. Në kapitullin në vazhdim do të flasim për Tërnovën. Ja çfarë gjejmë për çështjen e Pejës tek vazhduesi i Baronit.“Hirësisë së tij Atit të Shenjtë, Honori III, papës më të lartë të kishës romane, prej Stefanit, me hirin e Zotit, mbret i kurorëzuar i të gjithë Serbisë, Dioklesë, Trebinjës dhe Zaklominit (Hercegovinë), nderim të thellë dhe dëshmi të besimit të përhershëm. Ashtu si të gjithë të krishterët iu duan, iu nderojnë dhe iu mbajnë për at dhe zot, edhe ne dëshirojmë të quhemi bij të kishës së shenjtë romane dhe bijtë tuaj. Tashmë, kjo është ajo çka shpresojmë më tepër se gjithçka tjetër. Zoti dhe Shenjtëria Juaj të na bekojnë ne dhe vendin tonë, dhe të na konfirmoni, nëse është e mundur me një veprim të njëmendtë, kurorën mbi kokën tonë. Për këtë qëllim, ne po dërgojmë ipeshkvin tonë Metodin, duke e ngarkuar të na përcjellë gjithçka që Shenjtëria juaj dëshiron nga ne, dhe po ashtu, një përgjigje të shkruar, nëse Shenjtëria Juaj dëshiron të na e dërgojë një të tillë....”. Baroni shton se, Toma, kryexhakoni i Splitit, i cili shkruante asokohe, thotë midis tjerash: “Stefani, princ i Serbisë ose Rashës, që e quajnë Zhupani i madh, duke çuar një dërgatë në selinë apostolike, merr prej papa Honorit një kurorë mbretërore, të cilën e dërgon një legat me dorën e tij në Serbi. Me të arritur pranë Stefanit, legati i vendos kurorën mbi kokë, dhe e cakton mbret të parë të këtij vendi”. Në jetën e pabotuar të Shën Savës, të shkruar pak më vonë nga murgu Domician, tregohet me këto fjalë mënyra me të cilën Stefani, Arkizhupani i Rashës, u kurorëzua mbret. -”Sava -thotë ai, -zgjodhi të përnderuarin Metod, një nga dishepujt e tij, dhe e dërgoi në Romë tek apostujt e lavdishëm Pjetër dhe Pal, dhe trashëgimtari i tyre, papa i perandorisë së madhe romake. Metodi ishte dërgues i dhuratave të denja për Shenjtërinë e tyre, dhe kishte si mision të kërkonte dy gjëra: -të bekonin atdheun e tij, -dhe të denjonin të kurorëzonin mbret, princin e tyre ortodoks.Po me atë rast, Shën Sava i shkroi papës, pasuesit të madh të shenjtorëve dhe apostujve të lavdishëm, një letër ku pasqyrohej mirënjohja e dukshme pasi, duke marrë bekimin episkopal, ai vetë ishte kurorëzuar nga Zoti, dhe pasi kishte pranuar për veten e tij bekimin e apostujve të shenjtë, ai kërkoi një diademë të bekuar për vëllanë e tij. Me këtë diademë, ai kurorëzoi vëllanë e tij dhe e caktoi mbret të mbretërisë së madhe, të cilën ia kishte besuar Providenca hyjnore babait të tyre Nemanjës. Atëhere, Zoti që bën gjithherët realitet lutjet e shërbëtorit të tij të preferuar, i bekon edhe këta, dhe i mirëpret. Shpirti i Shenjtë frymëzoi papën ti dërgojë Savës një diademë të bekuar, me të cilën do të bekohej dhe do të kurorëzohej mbi tokë, ai i cili, pasi të kishte qeverisur shenjtërisht një popull, do të bekohej dhe kurorëzohej në qiell. Duke e marrë, më pas, diademën e bekuar që solli Metodi, Sava e mbushi me lëvdata atë që ia kishte dhënë, dhe thirri të vijë vëllai i tij ortodoks, Zhupani i madh, në manastirin e Ziçës. Atje, në fillim, ata kremtuan së bashku shërbesat e natës dhe, me një zemër që regëtinte, e duke kënduar hymne të shenjta, i thurrën lavde Zotit. Pastaj, në mëngjes, gjatë liturgjisë së shenjtë, Sava vuri diademën e bekuar mbi kryet e vëllait të tij të devotshëm, e kungoi me mirosje të shenjtë, dhe e shpalli mbret”.
    Sa i përket Savës, arkipeshkvit të parë apo primatit të Serbisë, ai kishte marrë në pagëzim emrin Rasko (v. 1167). Në Malin Atos ai kishte ndërruar emrin duke ndërruar petkun. Në vitin 1221 ai u ngjit në krye të selisë së Pejës dhe, më në fund, vdiq në Tërnovë (Bullgari), duke u kthyer nga një pelegrinazh në Jeruzalem (v. 1237). Udhëheqësi i Bogomilëve kishte dymbëdhjetë këshilltarë, Papa Honori gjykoi të jepte për këtë rast si ndihmës dymbëdhjetë ipeshkvë për primatin e ri. Stopa (Melnici), Zeta, Dibra, Vidinitia, Rasha, Kvostvo, Prisrendi, Graçanica, Toplica, Braniçevi, Beogradi dhe Moravica. Në sajë të besimtarisë së tyre, knjazët serbë e zgjatën këtë hierarki kombëtare dhe këtë kurorë mbretërore.


    Shënime:
    -Tërnovë (Tirnovë) -qytet në Bullgari, në veri të Bullgarisë së sotme mbi Ballkanet qendrore. Kryeqendër e mbretërisë së dytë bullgare (1186-1393).
    -Rasha -krahinë në lindje të Bosnjes, zhupania e vjetër serbe.
    Ndryshuar për herë të fundit nga BARAT : 17-12-2008 më 10:29

  7. #47
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 43

    Primatia e Tërnovës – kryengritja e Bullgaro-Vllehëve - kërkesa për një hierarki kombëtare – dërgimi i një kardinali në Tërnovë – sakramenti i primatit – mirosja me vajin e shenjtë

    Sipas gjitha gjasave, kërkesa e Arkizhupanit serb për një hierarki kombëtare dhe për një kurorë mbretërore ishte frymëzuar nga një miratim i ngjashëm që Selia e Shenjtë kishte dhënë më parë për Joanisin, mbretin e Bullgaro-Vllehëve. Ja rrethanat e një ngjarjeje që i dha një goditje vdekjeprurëse politikës bizantine në Iliri. Isaku II Ëngjëlli kishte humbur gruan e tij të parë. Për të bërë dasma të shkëlqyera përsëri, -ishte një fëmijë dymbëdhjetë vjeç, bija e mbretit të Hungarisë, -ai vendosi një taksë të jashtëzakonshme mbi deshtë, derrat dhe qetë (v. 1185). Dy vllehë, Aseni dhe Pjetri, u ngarkuan të shkonin të ankoheshin për këtë. Duke parashikuar nga njëra anë se ata nuk do të fitonin asgjë, dhe duke ditur nga ana tjetër se për tu ngritur kundër Grekëve, Bullgaro-Vllehët e Myzisë prisnin veçse një shkak, -ata u kufizuan në kërkesat e tyre vetëm në dy gjëra: 1.që trupat bullgaro-vllehe të trajtoheshin njëlloj si ato greke, 2. që atyre tu jepej një kullotë e vogël, që të gjendej në ndonjë anë të Ballkaneve. Si përgjigje Protosebasti (sadrazem grek) e fyen Asenin, njërin prej përfaqësuesve bullgaro-vlleh. Pas kthimit të tyre në Myzi, Aseni dhe Pjetri i bënë thirrje gjithë vendit të marrin armët, të çlirojnë Ballkanin, dhe të plaçkisin Thrakën. Dërgohen sakaq trupa kundër tyre, dhe ata i mundën. Shumë shpejt Peçenegët dhe Vllehët karpatas nxituan të bashkohen me ata të Ballkaneve. Me një fjalë, ky ishte një zjarr i pafrè që, as Isak Engjëlli e as Aleksi II, nuk mundën ta shuajnë. Meqë Isaku u rrëzua nga froni prej Aleksit III, vëllait të tij (v. 1195), i thuhet Asenit se perandori i ri grek do të ishte edhe më kurajoz se parardhësi i tij: “Shikoni këta flamuj (flamurin bullgaro-vlleh), ngjyrat e tyre janë të ndryshme. Por ato janë nga i njëjti fill dhe të punuar nga të njëjtit punëtorë. Po kështu është edhe me Isakun dhe Aleksin. Pasi kanë të veshur të dy purpurin, kjo do të thotë se kanë lindur prej të njëjtit vend dhe kanë të njëjtit at”.
    Në të vërtetë, pak ditë më pas, princi bullgaro-vlleh i shkaktoi perandorit të ri grek një humbje të përgjakshme në rrethinat e Amfipojës. Për fat të keq, pak kohë pas kësaj, ai u vra me nxitjen e Grekëve. Dhe, në atë kohë, Joanisi mori komandën e trupave bullgaro-vllehe dhe, shumë shpejt pas kësaj, ai çon një dërgatë tek Papa Çelestini III. Por vetëm një i dërguar arriti në Romë. Të tjerët u ndaluan nga Grekët. Një dërgatë e dytë u ndalua përsëri e, kur i ngarkuar për një dërgatë të tretë, një arkipeshkv bullgaro-vlleh arrin në Durrës për të kaluar për në Romë, Grekët qenë duke e hedhur në Adriatik, po të mos ndërhynte kleri latin i këtij qyteti. Duke mos pasur mundësi të vazhdonte rrugën e tij, ipeshkvi bullgaro-vlleh njoftoi një prej të besuarve të Papa Inoçentit III për pozitën ku gjendej, dhe priti përgjigjen e papës. Tashmë, Joanisi i kishte shkruar atij se misioni i këtij arkipeshkvi ishte që të njihej ai, në emër të tij, si pasues i Shën Pjetrit, dhe si i besuar për pushtetin e dhënë nga Krishti për kishën tonë.
    “Është hera e tretë gjatë këtyre tre viteve -shtonte Princi i Bullgaro-Vllehëve -që kam dashur ta bëj këtë deklaratë. Por, asnjëherë përfaqësuesit e mi nuk kanë mundur të vijnë në Romë. Misioni me të cilin keni ngarkuar kryepriftin e Brindisit, më dëshmon se ju nuk më keni harruar. Vendosmëria ime është po ashtu e palëkundur. Arkipeshkvi im sjell shumë dhurata në Romë, dhe ai është i ngarkuar t’iu lutet të dërgoni disa kardinalë për të më kurorëzuar perandor, dhe për të shenjtëruar një patriark për popullin tim”.
    Në të vërtetë, kardinali Leon i Kryqit të Shenjtë u dërgua tek Joanisi për të çuar simbolet që ai dëshironte. Por, për të mos u ndaluar nga Grekët, Leoni e shmangu atë rrugë dhe arriti në Tërnovë nëpërmjet Hungarisë. Më në fund Bazili i Eski-Zarës, i emëruar primat i perandorisë bullgaro-vllehe, mori shenjtërimin episkopal më 7 shtator 1204, dhe të nesërmen, po kardinali legat kurorëzoi Joanisin perandor të Bullgaro-Vllehëve. Ja betimi që bëri në shenjtërimin e tij primati i ri: -”Unë betohem të jem besnik dhe ti bindem Shën Pjetrit, kishës romake, Imzot Inoçentit dhe pasuesve të tij katolikë, të mos ndërmarr asgjë kundër njerëzve të tyre dhe kundër lirisë së tyre, të mos marr vendime ndaj askujt në dëm të tyre, të mbroj nderin, dinjitetin dhe të drejtën e Selisë papnore, të shkoj në koncile kur të jem thirrur, tu kërkoj një betim të ngjashëm të gjithë ipeshkëve, nëse do të thirrem në shenjtërimin e tyre, dhe tu kërkoj të betohen ndaj mbretërve për të bashkuar përkushtimin e personit të tyre dhe qytetarëve të tyre ndaj selisë apostolike”.
    Me pushtetin për të shuguruar mbretin dhe ipeshkvët e primatisë së tij, primati i ri mori mbi vete dhe vazhduesit e tij, pushtetin për të hirësuar vajin e shenjtë. Shënojmë, gjithashtu, se grekët ia vinin duart peshkopëve të rinj, por nuk i lyenin ballin me vaj të shenjtë. Dhe po kështu është edhe në ditët e sotme. Meqë një mirosje e tillë ishte një rit apostolik, Papa Inoçenti donte që çdo ipeshkv të merrte edhe vënien e duarve, edhe hirësimin me vaj të shenjtë. Po ashtu, është e vërtetë se edhe në Lindje ne shohim Shën Bazilin të hirësojë mikun e tij Shën Gregorin e Naziansit.


    Shënime:

    -Isaku II Engjëlli -perandor i Lindjes (1185-1195).
    -Aleksi II (Komneni) -perandor i Lindjes (1180-1183), i biri 12 vjeçar i Manuelit nën regjencën e së ëmës së tij Mari e
    Antiokut dhe nipit të perandorit Manuel, edhe ai Aleks Komnen.
    -Aleksi III -perandor i Lindjes (1195-1203), vëllai i Isak Ëngjëllit, të cilit i rrëmbeu kurorën, i nxorri sytë dhe e burgosi bashkë me të birin Aleksin IV.
    -Aseni dhe Pjetri -dy vëllezër vllehë nga Tërnova që nxitën kryengritjen bullgare të vitit 1185, dhe arrijnë të krijojnë mbas mundjes së Isak Ëngjëllit perandorinë e dytë bullgare me Asenin car të Bullgarëve.

  8. #48
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 44

    Despotati i Epirit ose i Artës

    Duke pasur parasysh numrin e luftëtarëve të ardhur nga Perëndimi në ndihmë të perandorisë greke dhe të tokës së shenjtë, suksesi i kryqëzatës së parë kish qënë i vogël. Suksesi i së dytës ishte krejt i pavlerë për perandorinë greke dhe shkatërrimtar për Perëndimin. Mossuksesi i njërës dhe tjetrës kishin si shkak Grekët. Për të rrënuar edhe më mirë kryqtarët, -thotë greku Niketa, -Manueli preu një monedhë false; për ti helmuar, përzihej gëlqerja me miellin që u shitej; dhe për ti bërë të binin në duart e Turqve në Azi, njoftoheshin turqit për të gjitha lëvizjet e tyre. Megjithatë, u mblodh një kryqëzatë e tretë në Venecia. Kësaj rradhe, në ndihmë të tokës së shenjtë do të shkohej nëpërmjet detit. Por, në emër të babait të tij, i biri i Isakut II e ktheu kryqëzatën në drejtim të Kostandinopojës. Në Zarë të Dalmacisë, ai kishte rënë në marrëveshje me ta që Grekët të merrnin pjesë në ekspeditën e shenjtë. Por, në Kostandinopojë ata i dredhuan fjalës. Atëhere, kryqtarët e xhindosur e morën qytetin me sulm dhe, sa hap e mbyll sytë, perandoria greke u zëvendësua me një perandori latine. U bë një ndarje midis fitimtarëve, dhe shumë grekë u bashkuan me ta për të marrë një pjesë të Perandorisë së Poshtëme. Ndër këta ishte dhe bastardi Mikel Komneni. I dërguar në Durrës nga Bonifaci, mbreti i Selanikut, ai bëhet mik me guvernatorin, martohet me bijën e tij, e therr atë vetë, dhe krijon një dukat të Shqipërisë jugore. Sipas ndarjes së bërë në Kostandinopojë, këto vende i takonin Venedikut, pasi sipas numrit të pronësive të caktuara për Republikën, historiani Daru rendit: Nikopoja, Arta, Vrahori, Anatoliku, Lica ose Agrafa, Durrësi, Berati, Glavinica, Janina, Drinopoja, Ohri, Leukada dhe Korfuzi. Është e tepërt të shtohet se Mikeli rend përpara Republikës, pushton qytetet e lartpërmendura, dhe i fortifikon ato para se ajo të dërgojë trupa atje. Ai donte, po ashtu, ti merrte Morenë ose Peloponezin, Zhofrua dë Vilarduinit. Por, ushtria e tij e fortë prej gjashtë mijë trupash u shpartallua nga pesëqint Francezë (v. 1204).
    Pak më pas, ai humbi edhe Durrësin që e rimarrin Venecianët, dhe, kur perandori Henri vjen në Selanik, ai i bëri nderime në rrethinat e Tebës (v. 1210). Sjellja e tij nuk ishte më pak e neveritshme kundrejt kryegjeneralit të perandorisë dhe pesëqint francezëve që një vit më pas i kërkuan të kalonin përmes zotërimeve të tij (v. 1210). Kryegjenerali dhe kapelani i tij u varën. Një zotëri shumë i lidhur me kryegjeneralin u rop i gjallë, dhe pesëqint francezët u vunë nën zinxhirë. Më në fund, ai vetë, vdiq i vrarë prej një shërbëtori të tij. Sjellja e Teodorit, vëllait të tij dhe pasardhësit të tij, kundrejt perandorit Henri dë Kurtënei ishte edhe më e ndyrë se ajo e Mikel Bastardit ndaj kryegjeneralit të perandorisë. Henri kërkoi prej tij vetëm që të kalonte nëpër Dukatin e Epirit, dhe merrte përsipër të paguante gjithçka për kalimin e tij. Teodori pranoi, por nuk e mbajti fjalën. Perandori vdiq në burg, dhe eskorta e tij u sorrollat ndërmjet Elbasanit dhe Ohrit nëpër vende të humbura, ku u zhveshën prej rrobave, dhe u lanë pa bukë (v. 1217). Po kështu, bastardët grekë zvetënuan Shqipërinë (shih Bysho, faqe 193). Prej bujës që shkaktoi në Perëndim kjo pabesi e tmerrshme, për pak sa nuk shpërtheu një stuhi mbi Shqipërinë, ndaj Teodori nxitoi të kërkonte ndihmën e papës dhe, me një përulje të shtirë, arriti t’ia dalë mbanë që ta shmangë atë. Por, sa ra qetësia në brigjet e Perëndimit, ai rendi për Selanik, dhe atje kurorëzohet perandor nga arkipeshkvi i Ohrit. E atëkohë ishin katër perandorë. Teodori në Selanik, Vataci në Nikè, Roberti në Kostandinopojë, dhe Aleks Komneni në Trebizond. Sapo bëhet perandor, Teodori lidh aleancë me mbretin bullgaro-vlleh, përparon drejt Thrakës, dhe aty i merr qytetin e Andrinopojës Vatacit, i cili ia kishte rrëmbyer Robertit. Por, më pas, ai grindet me Asenin II, i cili e shpartallon, e kap rob dhe urdhëron t’i nxirren sytë.
    Sa i përket ushtarëve të zënë robër, Aseni kërkoi prej tyre si shpërblim diçka mjaft të thjeshtë: ata të përhapnin ngado humanizmin e tij. Në të vërtetë ushtarët e shprehën kudo, në Thrakë, në Maqedoni dhe në Shqipëri, në atë mënyrë sa mbretit bullgaro-vlleh s’i mbetej tjetër veç të shfaqej para tyre, dhe ai do të mirëpritej nga të gjithë e do të shihte se portat e qyteteve do hapeshin, sapo ai të afrohej (v. 1230). Me vdekjen e Asenit në muajin qershor të vitit 1241, i biri i tij, në moshë të vogël, duke mos mbajtur dot me një dorë të fuqishme frenat e zotërimeve të tij të gjera, ia dhuron Epirin despotit Mikel Komneni, djalit jashtëkurore të Mikel Bastardit, themeluesit të këtij dukati. Në atë kohë, Epiri ose Dukati i Artës kishte për kufij: në lindje-Vardarin, në veri-mbretërinë rashko-dalmate, në jug-principatën franke të Peloponezit, dhe nën zotërim principatën megalo-vllahe, e cila përfshinte dy faqet e mbrapme të Pindit jugor.


    Shënime:
    -historiani Daru -kont Pjetër Bruno Daru (1767-1829), historian francez.
    -Mikel Komneni -themeluesi i despotatit të Epirit, nga autorë të ndryshëm trajtohet si bastard (fëmijë i jashtëligjshëm) i njërit prej Komnenëve, por pranohet nga të tjerë edhe se i përkiste derës së Dukajve (derë perandorake dhe me lidhje gjaku me Komnenët) si prej gjaku të tyre të ligjshëm, pasi i vëllai që e zëvendësoi Mikelin në krye të despotatit,
    Teodori, në një pirg të Durrësit përmendet si Theodor Dukas Komnenos. Ky i fundit zëvendësoi të vëllanë në fron dhe synoi edhe fronin e Perandorisë Bizantine.
    -Nikopoja -Preveza e sotme; -Vrahori, Anatoliku, Lica ose Agrafa -vende në Epir, Etoli dhe Akarnani; Drinopoja -në Gjirokastrën e sotme; Leukada -qytet në ishullin me të njëjtin emër pranë bregut akarnanas.
    -Gjon Aseni I -udhëheqësi i revolucionit bullgar të 1187 që solli krijimin e mbretërisë së dytë bullgarë me qendër Tërnovën, me Juanisin-Kalojanin (1197-1203).
    -Gjon Aseni II -car i bullgarëve (1218-1241), sulmoi Perandorinë Latine të Kostandinopojës.
    -ishin katër perandorë -me pushtimin e Kostandinopojës nga kryqëzata e katërt, u krijua perandoria latine e Kostandinopojës, dhe Roberti i përmendur këtu është njëri nga perandorët e shumtë të ngjitur në këtë fron
    (1219-1228), ndërkohë që -dy Komnenë kishin ngritur Perandorinë e Trebizondës (brigjet juglindore të Detit të Zi),
    -dhëndrri i Aleksit III Engjëllit, Teodor Laskari, ngriti selinë e Perandorisë në Nikè, dhe Gjon Vataci, dhëndrri i tij
    ishte në këtë kohë perandor i Nikesë, -kurse Teodori i Epirit u shpall perandor nga arkipeshkvi i Ohrit, dhe pushtoi Selanikun duke shkuar deri në brigjet e Detit të Zi.
    -principata megalo-vllehe -vllehët e Vllahisë së Madhe në Thesali dhe Pind.

  9. #49
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 45


    Mikeli dhe dhëndri i tij tradhëtojnë aleatët e tyre në Devoll – pasojat e mjerueshme të kësaj beteje – Durrësi i shkatërruar – vështrime mbi këtë qytet

    Duke e ndjerë veten të fuqishëm prej aleancës së tij me Manfredin-mbretin e Siçilisë, me Guljelm dë Vilarduinin-princin e Akaisë, dhëndurët e tij, dhe me Taronasin, dukën e Vllahisë së madhe, -despoti i Epirit për një çast besoi se mund të shtrinte deri në Bosfor zotërimet e tij të gjëra. Por perandorët grekë i kuptuan qëllimet e tij dhe e parandaluan atë. Tashmë, në vitin 1246, Vataci kishte pushtuar Selanikun. Më pas, ai pushton edhe Vodenën, Kosturin, Devollin, Përlepin dhe Velezin, me një fjalë gjithë Maqedoninë cis–axieme (v. 1251). Për të shkëputur gruan e tij Teodorën dhe djalin e tij Niqifor nga duart e Laskarit, ai heq dorë përsëri prej Durrësit-pikë kyçe e Shqipërisë qendrore, dhe Serfixhesë-pikë kyçe e Thesalisë (v. 1258). Vitin pasues, për tu hakmarrë për një fyerje të bërë Gjon Bastardit, birit të tij dhe dhëndrrit të Taronasit, ai braktis gjatë natës kampin e Devollit, ku aleatët e tij bien në duart e Grekëve (v. 1259). Megjithatë, më pas, kur Gjon Bastardi sheh Grekët në zotërim të Janinës, Artës dhe Patraxhikut, dhe babain e tij despotin të rrëgjuar prej gabimit në brigjet e Korfuzit dhe të Leukadës, e pranon gabimin e tij, kërkon falje dhe bashkon Vllehët e tij me Shqiptarët e të jatit të tij. Për pak kohë, babë e bir i dëbuan më pas grekët prej Artës, Janinës, dhe gjithë Epirit. Kur mori lajmin për humbjet e shumta që pësuan trupat e tij, Mikel Paleologu dërgoi Strategopulin në Shqipëri. Por Strategopuli, pasi ndaloi në Kostandinipojë për t’iu marrë këtë qytet Latinëve (v. 1261), mbërrin në Shqipëri veç sa për tu mundur e për të rënë në duart e despotit Mikel. Dhe Mikeli nuk e kursen aspak. Ai ia dorëzoi atë mbretit të Siçilisë, i cili ia kthen Paleologut në shkëmbim të motrës së tij Ana, të vesë së Vatacit. Rikthehemi në betejën e Devollit, pranë Ohrit. Mund të thuhet se forcat e Perëndimit u gjendën në këtë vend të bashkuara kundër atyre të Lindjes. Kështu, shihen në ushtrinë e despotit, Gjermanët e rekrutuar nga Manfredi, kalorësit francezë të Peloponezit, Epirotët dhe Vllehët e Vllahisë së madhe. Në të kundërt, ushtria e Mikel Paleologut përbëhej nga Hungarezë, Komanë, Turq dhe Grekë. Shihet qartë se fati i gjithë Shqipërisë ishte i lidhur me humbjen apo fitoren e kësaj beteje. Me ato trupa që kishte despoti, trupat greke duhej të ishin zmbrapsur deri në Bosfor. Por gjatë natës ai ia mbath nga fusha e betejës. Bastardi i tij bën edhe më tepër. Në po atë orë kur kalorësit frankë prisnin ndihmën e tij, ai i lë në baltë. Kështu beteja u humb, kalorësit frankë u zunë rob, kurse Epirotët u ndoqën deri në Adriatik. Kjo mënxyrë e llahtarshme s’mund të mos kishte një rrugëzgjidhje. Po ku të gjehej ndihma? Dhe, parasgjithash, ku të gjeje njerëz të besuar? Për të arritur në vendin e tyre, kalorësve të arratisur nga kasaphana iu desh ti linin tre fortesa Mikel Paleologut, dhe perandori grek i përdori këto fortesa për tu krijuar atyre pengesa.
    Nga ana tjetër, meqë trupat e ushtrisë gjermane që kish dhënë Manfredi u zhdukën në Devoll, Mikeli arriti të rifitojë miqësinë e mbretit siçilian veçse duke i dhënë të bijën e tij, Helenën, dhe shumë fortesa të cilat gjendeshin në Shqipëri. Por shumë shpejt Manfredi u vra në Benevento (v. 1266) nga Karli d’Anzhu. Më në fund despoti vdes (v. 1270) dhe të birit të tij, Niqiforit i mungojnë aftësitë e duhura për të rimëkëmbur atë që katastrofa e Devollit e rrënoi pa kthim. Ka edhe më. Kur Mikel Paleologu arriti të marrë nga papa thirrjen për një koncil në Lion (v. 1274), Gjoni Bastardi iu kundërvu koncilit ekumenik me një sinod prej pesë peshkopësh dhe disa murgjërish injorantë. Dhe kur, më pas, Mikel Paleologu përndiqte skizmatikët e Kostandinopojës, ai nisi të perndiqte katolikët. Nga shkresat e tij del se ipeshkvët e Trikallës dhe të Patraxhikut vdiqën në burg nga uria dhe të ftohtët. Në mes të këtyre mënxyrave, Durrësi u shkatërrua fund e krye nga një tërmet i llahtarshëm. Brenda një nate të vetme të gjitha shtëpitë dhe të gjitha ndërtesat u shembën. Megjithatë, nuk vdiqën shumë njerëz, pasi një ushtimë e nëndheshme që bëhej përditë e më e fortë, i kishte larguar banorët. Vetëm peshkopi Niketa nuk ndoqi shembullin e të tjerëve. Disa ditë më pas, ai u nxorr nga një pirg gurësh, me trupin të dërmuar dhe të mbuluar nga plagët (mars 1269). Përmbysja e Durrësit ishte një goditje e Perëndisë. Bashkë me këtë metropol, u përmbys përgjithmonë në Shqipëri sundimi bizantin kaq i dëmshëm e kaq i kobshëm për vendin. Tash e tutje, ky sundim do të mbeste veçse lokal dhe i pasigurt. Megjithatë, do të shohim se Durrësit dhe rrethinave të tij do t’ia vërë flakën sundimi serb (v. 1389). Si njëri dhe tjetri sundim do t’ia dorëzojnë sundimit otoman, edhe Durrësin, edhe gërmadhat e tij, edhe rrethinat e tij të shkreta. Çfarë nuk është thënë për Turqit? Por në Shqipëri, ashtu si edhe gjetkë, Bizanti, a iu la atyre gjë tjetër veç rrënojave? Është e pakundërshtueshme se Durrësit dhe Ohrit i rikthehen rolet më të mëdha në Shqipëri: Durrësit një rol politik, Ohrit një rol kishtar. Durrësi luan rolin e tij politik për dy arsye kryesore: -vendodhjes së tij bregdetare në qendër të Shqipërisë, -dhe, mbi të gjitha, rrugës Egnatia. Në të vërtetë, në sajë të rrugës Egnatia u krijuan marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit, që në kohën e pushtimeve romake dhe deri në epokën kur Bizanti humbi zotërimet e tij në Itali. Edhe kur rruga Egnatia pushoi së qëni arteria kryesore e ndërlidhjes, ajo mbeti si një peng politik midis perandorëve bizantinë dhe Normanëve të Italisë. Nën Normanët, duket se do të jetë rindërtuar, por nën Turqit, ajo arriti të humbë rëndësinë e saj dhe banorët e saj.
    Një udhëtar francez që e vizitoi më 1862 thotë mes tjerash: -”Fragmente të shumta të japin ende idenë e morisë dhe të mrekullisë së ndërtimeve të ngritura nga Romakët. Muratura turke përmban pjesët kryesore të një harku triumfi. Mbishkrimet përmendin një ujësjellës të ndërtuar nga perandori Adrian, dhe një bibliotekë të ngritur nga Trajani. Asnjë pjesë prej këtyre ndërtimeve nuk ka mbetur më këmbë…”.

    Shënime:
    -Vodena -qytet mes Follorinës dhe Selanikut, Edesa e vjetër.
    -Përlep dhe Velez -qytete shqiptare në perëndim të Vardarit.
    -Serfixhe (Katerini i sotëm) dhe Patraxhik -qytete në Maqedoninë juglindore pranë Kozanit dhe Grebenesë.
    -Trikalla (Tërhalla) -qytet në Thesali në krahun e Pindit.
    -Mikel Paleologu -perandor i Lindjes (1259-1282), mori Kostandinopojën prej Latinëve duke rikthyer qendrën e perandorisë nga Nikeja në Kostandinopojë.
    -Perandoria e Poshtëme -autori e quan Perandorinë Bizantine kështu, duke pasur parasysh se ishte pjesa lindore dhe jugore e Perandorisë Romake në kohën e ndarjes.
    -komanët -fise uralo-altaike të vendosura në anën tjetër të Danubit.
    -Maqedonia cis-axieme -është fjala për Maqedoninë perëndimore dhe jugperëndimore.

  10. #50
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 46


    Vendosja franceze në Shqipëri – beteja e Beratit – Mikel Paleologu dhe Prokida masakrojnë 8 000 francezë në Siçili – ai vdes në çastin kur shkakton masakrimin e Vllehëve prej Tartarëve

    Duke u dëbuar nga Kostandinopoja prej Mikel Paleologut, Boduini i jep përsëri mbretit të Napolit, Karlit d’Anzhu, zotërimin e drejtpërdrejtë të tokave që despoti Mikel i kishte dhënë bijës së tij, Helenës, kur ishte martuar me Manfredin (v. 1267). Këto toka të dhëna për prikë, -thotë Bysho -përbëhen nga Butrinti, Siboti, Kanina, Vlora dhe Korfuzi. Filip d’Eskinard, admirali i Manfredit, kishte dashur ti mbante për vete, por atë e helmoi Mikeli i Epirit. Megjithatë, Mikeli vdiq më 1270 dhe, një vit më pas, i sigurtë në të drejtën e tij, Karli d’Anzhu dërgoi Zhan dë Klerin të merrte në zotërim këto toka-prikë.Të pavarur ata vetë nga perandorët e Kostandinopojës, banorët e Durrësit dhe të rrethinave ofrojnë bindjen e tyre ndaj Karlit d’Anzhu, me kusht që tu jepej garancia për privilegjet e tyre të vjetra. Karli ua jep me gjithë zemër (v. 1272) dhe, kur më pas Paleologu donte të rifitonte zotërimet e tij të Durrësit dhe të rrethinave, Shqiptarët e zmbrapsën ushtrinë greke. Kështu, i vendosur në bregdetin shqiptar, Karli ruante çastin e volitshëm kur mund të zbarkonte në Shqipëri, dhe të shkonte përpara deri në Maqedoni e deri në Selanik. Sidoqoftë, Mikel Paleologu nuk i mbajti zotimet që kishte marrë në koncilin e Lionit, dhe formohet një lidhje kundër “saraçenëve të bardhë” (kështu quheshin asokohe Grekët).Duke marrë zemër nga lidhja e Viterbos, Karli nisi Hyg dë Sylin me forca të mëdha. Sapo zbarkuan, Hygu drejtohet për në Berat dhe vendos rrethimin. Por kalaja ishte e pajisur me gjithçka. Përleshje të shumta u bënë midis rrethuesve dhe të rrethuarve, dhe pasi Grekët nuk pranojnë betejën sipas rregullave, Napolitanët zgjatën heqjen e rrethimit, duke lënë Hug dë Sylin në duart e Grekëve. Kjo disfatë e trishtoi Karlin, por nuk e shkurajoi aspak. Tashmë, ai kish bërë shumë pregatitje të reja, tepër i vendosur që të çonte luftën deri në zemër të perandorisë greke, kur ndërkohë ndodhi masakra e cilësuar “mbrëmësoret siçiliane”. Kjo masakër ishte organizuar nga Gjon Prokida dhe Mikel Paleologu. I maskuar si murg, Prokida kishte qenë në Kostandinopojë dhe në Spanjë. Më në fund, ai përshkoi Siçilinë dhe organizoi aty komplotin, viktima të të cilit mbetën 8 000 francezë (v. 1282). Në kohën kur Mikel Paleologu therrte 8 000 francezë në Siçili, i kërkoi tartarit Nogaja një ushtri me trupa të pafèsh për të therrur Vllehët e Pindit. Cila ishte fajësia e Vllehëve? Ata kishin përfituar nga trazirat e Bizantit për të shpëtuar nga varësia e padenjë e perandorëve grekë. Megjithatë, çfarë ndodhi? “Gjithmonë e matur për të ndëshkuar krimet -thotë Pakimeri -Perëndia nuk la pa e ndëshkuar këtë krim të fundit”. Mikeli ndahet nga kjo botë tamam në kohën kur udhëhiqte të pafetë për masakra të reja në Thesali dhe në grykat e Pindit (v. 1282).
    Mikeli vdes. Androniku, i biri dhe pasuesi i tij, në të vërtetë nuk e udhëhoqi këtë trupë Tartarësh kundër Vllehëve, por e dërgoi kundër Serbëve. Gjatë gjithë jetës së atit të tij, Androniku II i kishte kundërshtuar në heshtje veprimet e tij. Duke u bërë perandor, mendoi se mund të merrte me anë të intrigave të ulëta, atë çka Mikeli e kishte kërkuar me armë, por nuk ia del mbanë këtij qëllimi. Kjo për arsye se Perandoria e Poshtme ishte një mekanizëm i vjetëruar. As krimet e urryera të babait, as intrigat e neveritshme të të birit, nuk e vonojnë rënien e saj të pashmangëshme.

    Shënime:
    -Boduini -ose Balduini, perandori i fundit i Perandorisë Latine të Kostandinopojës (1228-1231 nën regjencën e së ëmës, dhe1237-1261 me rënien e kësaj perandorie).
    -Viterbo - qytet në Latium në qendër të Italisë.
    -Tatarët (tartarët) -fise turke dhe mongole që u dyndën në Perëndim në shekullin XII.
    -Androniku II Paleologu -perandor i Lindjes (1282-1328), i biri i Mikel Paleologut.
    -Gjon Prokida -ndërmjetës midis Mikel Paleologut dhe Pjer Aragonit për kryengritjen ndaj Karlit d’Anzhu të vitit 1282, që përfundon me dëbimin e Karlit nga Siçilia.
    -”mbrëmësoret siçiliane”-me këtë emër njihen masakrat ndaj francezëve me rastin e kësaj kryengritje.

Faqja 5 prej 8 FillimFillim ... 34567 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •