KAPITULLI 27
Rrjedha e ngjarjeve në Primatinë Ilire
Vijmë përsëri në primatinë e Ohër-Justinianës. Në bazë të kanoneve, juridiksioni i saj shtrihej nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Por Leon Izauriani, për të cilin çështjet kishtare nuk kishin vlerë, për hakmarrje i kishte shkëputur asaj qytetet bregdetare të Adriatikut që vareshin prej pushtetit të tij civil, dhe ia kishte bashkangjitur selisë ikonoklaste të Kostandinopojës. Megjithatë, është e sigurtë se nga Adriatiku deri në Detin e Zi, brendësitë e vendit mbeten nën juridiksionin e metropolisë ilire, në fillim në bazë të marrëveshjes së arritur midis Justinianit dhe Papa Vigjilit dhe, mbi të gjitha tashmë, për shkak të pavarësisë së principatës diokleate në perëndim, dhe mbretërisë bullgare në lindje. Përpara se të përqafonin krishtërimin, mbretërit bullgarë i rekrutonin ushtarët vetëm mes bashkatdhetarëve të tyre paganë. Të krishterët e Ilirisë, në atë kohë, ishin politikisht të varur nga mbretërit bullgarë, ashtu si sot të krishterët raja varen nga padishahët otomanë, dhe ata mbroheshin prej tyre përkundër perandorëve bizantinë. Falë mbrojtjes së dyfishtë bullgare dhe diokleate, primati i Ilirisë drejtonte, pra, dhe administronte kishat, sipas kanoneve të vjetra dhe në rast nevoje, edhe në përputhje me urdhërat që merrte nga Papa, me të cilin, asnjëri prej mbretërve bullgarë nuk pati kurrë as më të voglin debat, kur për çdo ditë kishte të tilla me perandorët bizantinë. Më në fund, vetë Bullgarët u konvertuan, dhe mbreti i tyre Boris iu drejtua papës. Gjithashtu, arkivat bullgaro-vllehe dëshmojnë se pasardhësit kryesorë të Borisit, për të patur një kurorë perandorake, i drejtoheshin selisë apostolike.
Meqënëse arkivat romane u shkatërruan përgjatë trazirave të shekullit të dhjetë dhe njëmbëdhjetë, Inoçenti III iu lut Juanisit (Asenit) të konsultohej me arkivat e tij përsa u takon lidhjeve të mbretërve bullgaro-vllehë me selinë apostolike: -”Shihet nga arkivat tona -përgjigjet Juanisi -se parardhësit e mi, Simeon, Pjetër dhe Samuel, kishin marrë nga selia e Shën Pjetrit një kurorë perandorake dhe një bekim apostolik, kurorën dhe bekimin që unë vetë po ua kërkoj sot”. Nga kjo del, pra, se të gjitha vendet që kishin lidhje me Primatinë e Ohër-Justinianës, dhe politikisht vareshin, një palë nga princërit diokleatë (ilirë), të tjerët nga mbretërit bullgaro-vllehë dhe bullgaro-shqiptarë, nuk ishin vetëm katolikë me hope si Grekët, por ata mbetën katolikë deri në vitin 1017, atyre kohëve kur në Bizant perandorët dhe patriarkët pranonin çdo lloj doktrine. Më në fund, në vitin 1017, Bazil Bullgaroktoni (kasapi i Bullgarëve dhe i Shqiptaro-Vllehëve) ripushton, i ndihmuar nga Rusët, vendet të cilat, qysh prej vitit 640, domethënë prej rreth katër shekujsh, nuk vareshin nga Bizanti. Dhe atëherë çfarë shohim?
Çfarë ndodh? Bazili nuk guxon të prekë rregullin e taksave. “Ashtu si në kohën e Samuelit -thonë autorët bizantinë -çdo karro vazhdon të paguajë një karroqe grurë, një me mel, dhe një masë vere”. Nga fragmentet e krisobulës së publikuar nga Rali dhe Pote, një kopje e plotë e së cilës gjendet në Malin Sinai, shihet se organizimi fetar nuk e përfshin Primatinë e Ilirisë nën selinë e Bizantit. Por më vonë, në vitin 1040, shpërtheu një kryengritje e përgjithshme ndër popujt që dikur vareshin nga mbretërit bullgaro-vllehë. Shkaku për këtë ishte vjelja e taksave. Përherë ato ishin marrë në natyrë dhe, tashmë, eunuku i madh i perandorit grek kërkon që të paguheshin në para. Duke kuptuar se, gjithandej, pritej veçse një prijës për të marrë armët, Vllahu Doçean u arratis nga Kostandinopoja, thirri nën armë Vllahët e Serbisë, bashkoi trupat, shtiu në dorë vendet nga Nishi dhe deri në Yskup (Shkupi), dhe u drejtua për në Shqipëri. Shkon të luftojë në pellgun e Dibrës kur komandanti i Durrësit, Bazil Sinadeni, pranoi zëvendësimin e tij. Atij i zë vendin Mikel Dermokati që nis betejën dhe mundet. Maqedonia dhe Shqipëria, Epiri dhe Thesalia iu dorëzuan atëhere fitimtarit, i cili dërgoi 40 mijë burra për të rrethuar Selanikun. A kishte qenë Aluziani, i biri i Gjon Vladislasit, ashtu si i jati i tij? Me fjalë të tjera, a ishte ky një agjent bizantin? Megjithëse u mund në Selanik, ai e kap me tradhëti Doçeanon, i nxjerr atij sytë, dhe ua jep Grekëve (v. 1041).
Shënime:
-Juanisi (Aseni) -themeluesi i mbretërisë së dytë bullgare, Ivan Aseni që, në vitin 1187, merr titullin e carit të bullgarëve dhe grekëve, dhe shtriu sundimin e tij nga Tërnova (kryeqendra e mbretërisë në verilindje të Bullgarisë) deri në detin Egje dhe Detin e Zi.
-bullgaro-vllehë dhe bullgaro-shqiptarë -është fjala për popullsitë shqiptare dhe vllehe, si dhe territoret e tyre, që shtriheshin nën sundimin politik të dinastisë bullgare.
Krijoni Kontakt