Close
Faqja 3 prej 8 FillimFillim 12345 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 75
  1. #21
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 17


    Mënyra se si sllavët u vendosën këtej Danubit – Të prekur nga ajo se si Gjoni IV i ribleu skllevërit e tyre, shumë fise konvertohen – betimet e tyre - organizimi i tyre politik – vendosja e bullgarëve në Myzi – Italianët dhe Grekët

    Nën Maurikun dhe Fokasin, avarët e gjetën më të leverdisëshme të dërgonin sllavët për të shkatërruar Ilirinë për llogari të tyre. Dhe, së fundmi, ata dërguan një numër aq të madh syresh, sa nuk ishte më e mundur, as ti thërrisje pas, e as të ndaje me ta plaçkën e luftës që u merrej Romakëve. Dhe atëhere e gjithë Iliria, por Shqipëria më pak se Maqedonia, Dardania, Myzia dhe Thraka, u përmbyt pëllëmbë për pëllëmbë dhe u mbulua nga një popullsi e re. Po në atë kohë u rrënua edhe Salona (v. 639). E atëhere, më në fund, -thotë Konstantin Porfirogjeneti -të dëbuar nga Hercegovina prej sllavëve, popullsitë romake kaluan një palë në Dalmaci, të tjerët në Durrës (v. 610-640). Autorët pretendojnë se Herakliu ishte bërë shkas që sllavët të vinin në Iliri. Qëllimi i tij ishte të ripopullonte fushat e shkretuara dhe të krijonte një barrierë përkundër Avarëve. Por punët nuk shkuan kështu. Gjithçka që mund të bënte Herakliu ishte të mos përpiqej të ridërgonte ata që nuk mund ti dëbonte më nga Ballkani dhe Pindi. Ka mundësi ti ketë angazhuar, më pas, për të mbrojtur prej Avarëve tokat e braktisura, fshatrat dhe qytetet që ata i kishin në zotërim. Të prekur nga ajo që bënë Papa Gjoni IV dhe Abati Martin, vikari i tij, duke riblerë robërit iliro-romakë që kishin rënë në duart e Sllavëve, të Serbëve dhe Kroatëve, me një fjalë të shumë prej këtyre barbarëve, vetë ata nga ana e tyre kërkuan të bëheshin të krishterë (v. 640). Dhe meqënëse të gjitha këto vende bënin pjesë në vikariatin ilir, domethënë ishin nën varësinë e papës, atëherë Herakliu iu drejtua atij për tu pajisur me priftërinj dhe ipeshkvë. Kjo e vërtetë është edhe më pak e dyshimtë pasi është ruajtur nga një perandor grek, Konstantin Porfirogjeneti.
    Sllavët e pagëzuar -shton ky autor -betoheshin me një sakrament që ia kushtonin Shën Pjetrit, se ata do të rronin në paqe e urti me të krishterët e tjerë, dhe si shkëmbim papa iu premtoi atyre mbrojtjen e tij dhe atë të Zotit. Vërejmë se sllavët e emigruar nuk përbënin as ndonjë shtet dhe as ndonjë konfederatë. Ishte një masë e amullt dhe e dobishme si një popullsi bujqish, por e pambrojtur nga pushteti perandorak. Çdo fis udhëhiqej nga një Zhupan, një lloj koxhabashi, dhe ndikimi i tij shtrihej pak a shumë në përpjestim me numrin dhe forcën e fisit. Vidimiri, një nga Zhupanët kryesorë të tyre, në pagëzim kishte marrë emrin e Viatoplokut (Viati-Pelek) “fëmi i shenjtë”, dhe kur vdiq, ai u varros në katedralen e Dioklesë, në Shqipërinë e Epërme. Sllavët ilirikë ishin, në pjesën më të madhe të tyre, të krishterë, dhe autorët grekë dhe veçanërisht Konstantin Porfirogjeneti, i dallojnë ata nga vëllezërit e tyre të mbetur në Moravia, në Galici dhe në Bukovinë, duke i emërtuar si Sllavë të krishterë dhe Sllavë paganë. Shihet, po ashtu, se cilësohen paganë ata të trevave të Hercegovinës, të cilët u pagëzuan shumë më vonë. Duke qenë në thelb bujqër, dhe pasi u mungonte një kryetar i përbashkët, duket se fiset sllave, për një kohë të gjatë, nuk i krijuan telashe të mëdha perandorëve bizantinë. Por nuk ishte kështu me Bullgarët. Dikur ata patën rrethuar Bizantin, të bashkuar me ilirët katolikë, në kohën e perandorit Anastas, në vitet 514 dhe 518. Ata e rrethojnë përsëri atë, të bashkuar me avarët, në vitin 625.
    Duke dalë më pas nga tutela e Avarëve, Kuvrati, prijësi apo mbreti i tyre, kërkon miqësinë e Herakliut (v. 640), në të njëjtën kohë kur Amroni mori Egjiptin. Por, më pas, Kuvrati vdes dhe kombi ndahet mes pesë bijëve të tij. Djali i pestë i drejtoi njerëzit e tij për në Itali. Asparuhu, i dyti, vendoset me të tjerët në Myzi (v. 678). Konstantin Pogonati nxiton sakaq nga Kostandinopoja dhe kërkon ti dëbojë prej andej. Por ai mundet në grykëderdhjet e Danubit. Dhe që prej asaj dite, Greko-Bizantinët do të kenë dy armiq kryesorë për të luftuar: -Bullgarët në Europë, dhe Avarët në Azi dhe në Afrikë.

    Shënime:
    -Foka -perandor i Lindjes (602-610).
    -Herakliu -perandor i Lindjes (610-641).
    -Konstantin Porfirogjeneti -perandor i Lindjes (913-959), autor i “Administrimi i Perandorisë”, i dhënë pas artit, letërsisë,
    ngriti një numër monumentesh e ndërtesash.
    -Konstantin Pogoniati -perandor i Lindjes (668-685).
    -Asparuhu -khan i Bullgarëve, i vendosi ata në jug të Danubit, në Myzi dhe Thrakë.

  2. #22
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 18


    Vendosja e Bullgarëve sllavë në Maqedoni,
    sipas autorëve bizantinë


    Dy elementë kryesorë iu dhanë dorë Bullgarëve të bëhen armiqtë më të frikshëm që Bizanti ndeshi në atë që Romakët e quanin Iliri, dhe që sot quhet gadishulli Ballkanik. Nga Adriatiku deri në Detin e Zi, populli nuk i pranonte dy herezitë, për më tepër në anën e Bizantit, dhe të cilat i ushtronin perandorët dhe patriarkët: monotelizmi dhe ikonolatria. Çfarë bëjnë Bullgarët kur arrijnë këtu nga Vollga? Marrin nën mbrojtjen e tyre ata që përndiqeshin prej Grekëve. Për të thënë të vërtetën, ata nuk ishin vetë të krishterë, por me anë të politikave të zhdërvjellta, u vetëshpallën mbrojtës të të gjithë popullsisë iliro-romake apo të romanizuar, domethënë të Shqiptarëve, Vllehëve, Thrakasve, dhe të Myzianëve. Nga kjo vjen si rrjedhojë që të gjejmë emra bullgaro-sllavë në Shqipëri dhe në vende të tjera, ku nuk ka pasur kurrë popullsi bullgaro-sllave. Pasi atëkohë emrat bullgaro-sllavë ishin ashtu siç janë sot pasaportat greke. Për të gëzuar proteksionin, në të cilin bullgarët ishin aq dorëlëshuar, si janë sot grekët për pasaportat e tyre, mjafton të kishe, të merrje ose ktheje në gjuhën bullgaro-sllave emrat që Shqiptarët, Vllehët dhe Thrakët, u kishin dhënë vendeve të tyre, fshatrave, maleve dhe lumenjve, secili sipas gjuhës së tij. Elementi i dytë, për të cilin ne duam të flasim, është ngulimi në Iliri i popullatave të ndryshme nga ato Iliro-Romake. Të krishterët iu drejtuan mbrojtjes së Bullgarëve prej parimit të zemëgjerësisë. Po ashtu, për t’iu shpëtuar taksimeve të tepërta bizantine, fiset sllave që kishin zënë vend në tokat e Perandorisë së Poshtme, kërkuan po këtë mbrojtje. Dhe nga kjo vjen që, herë për diçka e herë për një tjetër, mbrojtja bullgare u bë shkaku i luftës së parreshtur midis mbretërve bullgarë dhe perandorëve bizantinë.
    Autorët grekë pretendojnë në ditët e sotme se ai ishte nga Sllavo-Maqedonasit ashtu si nga Vllehët. Si njëra palë dhe tjetra erdhën më vonë, domethënë nga fundi i Perandorisë së Poshtme. Diku tjetër ne kemi provuar se vendosja e Vllehëve në Shqipëri shkon deri tek Pal-Emili. Këtu ne do të provojmë se zëvendësimi i Iliro-Romakëve nga fiset sllave shkon deri në periudhën e perandorëve monotelistë dhe ikonoklastë. Katër autorë bizantinë, Teofani, Nikifori, Kedreni dhe Zonara, thonë se në vitin 687, nëntë vjet pas themelimit të mbretërisë bullgare këtej Danubit, popullsia e Maqedonisë ishte tashmë bullgaro-sllave. Ata thonë në të vërtetë se, në këtë kohë, Justinian Rinometi nuk pranoi tu paguajë bullgarëve tributin e pranuar nga ati i tij, por ngriti një ushtri të fuqishme dhe mundi në fushat e Thrakës një ushtri bullgare që kishte ardhur të ndeshej. Ai, më pas, u kthye drejt perëndimit dhe përparoi deri në Selanik, duke i nënshtruar me anë të dhunës, ose duke i marrë me bindje, popullsitë e panumërta sllave, që ishin nënshtetas të mbretit bullgar.Perandori Konstantin Porfirogjeneti shton se Justinian Rinometi i vendosi Bullgaro-Sllavët në pellgun e Strimonit, dhe iu besoi atyre shtigjet nëpër të cilat depërtohej aty. Deri në këtë kohë, Bullgaro-Sllavët e vendosur në Maqedoni, dhe pikërisht në temën ose vilajetin e Strimonit, mund të shiheshin si pushtues. Por nënshtrimi i tyre ndaj sovranit të vendit i bënte të përligjura vendngulimet që kishin ngritur, dhe ato që mund të shtonin përsëri më vonë.
    Çështja është se, në të vërtetë, Bullgaro-Sllavët nuk ishin të gjithë të trajtuar po kaq mirë nga Justiniani. Ata që treguan njëfarë qëndrese ndaj perandorit grek gjatë ekspeditës së tij në Maqedoni, u shpërngulën përtej Bosforit, brigjeve të Helespontit, Propontidës, dhe Thrakës. Mënyra se si u soll me nënshtetasit tij, e xhindosi edhe më tepër mbretin e bullgaro-sllavëve. Ai erdhi me një ushtri të panumërt, e priti perandorin bizantin në grykat e Rodopeve, dhe e ktheu në të vrarë e të plagosur pjesën më të madhe të ushtrisë së tij. Vetë Justiniani ishte në rrezik të madh dhe mezi arriti deri në Bizant. Numri i popullsisë bullgaro-sllave të zhvendosur matanë Bosforit, nuk na bëhet i ditur me saktësi, por historia na lejon ta çojmë deri në njëqintmijë vetë. Katër vjet më vonë, -thonë në të vërtetë autorët greko-bizantinë (v. 691) - Justiniani mblodhi 30 mijë të tillë, dhe i udhëhoqi vetë kundër Kalifit Abdel-Melek. Kur ushtritë ishin përballë 20 mijë bullgaro-sllavëve të komanduar nga Nebuli, patriotët e tyre kaluan në anën e Arabëve.
    Gratë, fëmijët, pleqtë e plakat, e të arratisurve nuk kishin faj për këtë dezertim, dhe as për shpartallimin e perandorit bizantin. Megjithatë, gjatë kthimit të tij në Bosfor, Justiniani shkatërroi në Leukastër (kështjella e bardhë) pranë Nikomedit, pjesën tjetër të këtij kombi fatkeq. Nga lartësia e një shkëmbi që binte thikë mbi det, ai i lëshoi në fund të humnerave (Historia e Perandorisë së Poshtme, libri 62, k. 9). Pas një akti të tillë barbar, nuk duhet të çuditemi kur shohim 20 mijë bullgaro-sllavë të emigruar, e të futur në rradhët arabe, ti bëjnë një luftë të pamëshirshme Perandorisë së Poshtme, dhe kur të shohim, nën mbretërimin e Niqiforit (v. 802-811), Bullgaro-Sllavët e Peloponezit që bashkohen me Arabët e Afrikës për të rrethuar Patrën në Akai. Në kronikanët bizantinë, del edhe çështja e ushtrisë së Bullgarëve të vendosur në Maqedoni. “Këtë vit -thotë Niqifori -perandori Konstantin i ktheu në robër një pjesë të popullsive sllave të Maqedonisë dhe ia nënshtroi të tjerat perandorisë romake”.
    Teofani thotë diku tjetër se, në kohën e Irenës (v. 782-783), patrici Staurak u dërgua kundër kombeve sllave në Selanik dhe në Greqi, se ai ia nënshtroi vendin Perandorisë së Poshtme, dhe i detyroi banorët të paguajnë tribut. Duket qartë se ende përbëjnë çështje popullsitë bullgaro-sllave, dhe shihet se ato shtriheshin, jo vetëm në Maqedoni dhe Greqinë kontinentale deri matanë Athinës, por edhe në Peloponez. Për më tepër, në Peloponez, kolonët bullgaro-sllavë ishin aq të shumtë sa, sipas perandorit Konstantin Porfirogjeneti, “të gjitha vendet, domethënë i gjithë gadishulli, ishte bërë barbar”. Po për këtë çështje, i njëjti perandor tregon ngjarjen e mëposhtme. Kur vjen në Kostandinopojë, një nga personalitetet më të shquar në Peloponez u mburr me origjinën e tij. Gramatikani në zë Eufenau, u tall me këto pretendime, dhe i tha duke qeshur: -”Me të vërtetë ju bëni mirë që mburrni origjinën tuaj helene, ju, në figurën e të cilit vjen era e sllavizmit”. Edhe sa të tjerëve të ashtuquajtur helenë do t’u thuhej më pas: “Është turp të duash të hiqesh për helen, ju, figura dhe emri i të cilëve mbajnë erën e Bullgarit, Vllehut, Shqiptarit, Aralit, Italianit”.
    Por le të kthehemi tek Teofani, Niqifori, Kedreni, Zonara. Këta autorë merren me çështjen e pellgut të Strimonit, rrethinat e Selanikut, dhe të lumejve që i lagin ato.Dëshmia e Kameniatit është shumë më pak e dyshueshme, pasi ai e shkruan po në Selanik, dhe e përshkruan rrënimin e këtij qyteti nga Leon Tripoliti, si dëshmitar okular. Le të shtojmë se ai vetë ishte bullgaro-sllav, dhe kjo mund të gjykohet edhe nga emri i tij. Në bullgarisht kamen do të thotë “gur, shkëmb”, ndërsa në greqisht ky emër nuk ka kuptim. Kameniati na bën të ditur se rrafshina e Selanikut ishte e zënë nga Skitët (Bullgaro-Sllavë). Një palë -thotë ai -si Dragobitët dhe Sagunditët, i paguanin tribut qytetit, të tjerët kombit skit (bullgaro-sllav). Pasi në bullgarisht, drag, në asnjëanëse drago, do të thotë “i mirë”, dhe sagundit sigurisht vjen nga shagun, emër që fshatarët bullgarë të vendosur në Maqedoni ende i japin një lloj mantoje ose jagmurluku me lesh dhie dhe dele. Vllehët e quajnë shagunin barca, grekët tambara, dhe në Thesali gabinica. Selaniku -shton Kameniati -zhvillonte një tregëti të madhe. Dhe kjo në sajë të Skitëve, qytetet e të cilëve ishin shumë të populluara, dhe prodhimet fitimprurëse të tyre vërshonin drejt këtij metropoli. Kameniati vë në dukje, veç tjerash, se rrafshina e Selanikut lagej nga lumej të mëdhenj, dhe të gjithë këto lumenj buronin nga vendi i Skitëve (Bullgarë), të cilët ndihmonin në mbajtjen e begatisë në qytetin që Skitët nuk e lanë më qysh se u pagëzuan.Megjithatë, kur Leon Tripoliti sulmoi Selanikun në vitin 904, duka i Strimonit nuk desh t’i vinte në ndihmë qytetit. Kjo pasi varej nga Simeoni, mbret i Bullgarëve, dhe Bullgarët ishin në atë kohë në luftë me Bizantinët.
    Kameniati vëren se “Vetëm Sllavët përqark i pritën mirë letrat e Niketës, guvernatorit të qytetit, dhe dërguan luftëtarë. Por, kur qyteti u morr nga Saraçenët, këta sllavë të trupave ndihmëse ia mbathën një palë nga porta perëndimore, të tjerët, në veçanti komandantët e tyre, ia mbathën nga porta e kalasë pasi kishin marrë çelësat e saj”.
    I mbrojtur keq nga Grekët dhe i braktisur nga bullgaro-sllavët, Selaniku u pushtua, dhe Leoni dërgoi aty 22 mijë banorë.

    Shënime:
    -Justinian Rinometi (Hundëpreri) -perandor i Lindjes (685-695 dhe 705-711), i biri i Konstantin Pogoniatit.
    -Pellgu i Strimonit -Struma e sotme, mes Maqedonisë dhe Thrakës, themë në kohën e Bizantit dhe vilajet në Perandorinë
    Osmane.
    -Propontida -emri i vjetër i detit Marmara.
    -Helespont -emri i Dardaneleve.
    -Nikomedia -Izmiri i sotëm në Turqi, Bitinia e vjetër.
    -Konstantini (Kopronimi) -perandor i Lindjes (741-775).
    -Irena -mbajti titullin mashkullor të perandorit, pasi kishte rrëzuar të birin, nga 797-802.
    -Perandoria Romake -autori duke iu referuar Niqiforit e quan Bizantin si Perandori Romake, pasi në të vërtetë ajo kështu
    mbahej edhe në këto kohë si Perandoria Romake e Lindjes, dhe shpeshherë, banorët e perandorisë quhen Romakë.
    -Arali -aluzion për mongolët e ardhur nga Azia, ku gjendet edhe deti Aral, pellgu prej nga erdhën hordhi të shumta
    barbare.
    -saraçenët -fis arab i mesjetës.

  3. #23
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 19


    Për hakmarrje perandori grek i anekson patriarkatit të tij ikonoklast disa ipeshkvi që ishin nën papën - Primatia ilire u ruajt deri në vitin 1767, e tillë siç ishte ngritur qysh në fillim nga selia apostolike - Në koncilin e tetë ekumenik ajo nuk ekziston si çështje


    Për perandorët e Bizantit, padyshim, nuk ishte punë e lehtë të mbronin shtetet e tyre prej Bullgarëve nga njëra anë, dhe prej Arabëve nga ana tjetër. Por, sado që po i qëndronte kohës Perandoria e Poshtme, ata më tepër merreshin me pështjellimin e Kishës se sa me mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Midis perandorëve tmerrësisht heretikë dhe persekutorë, një vend të dukshëm zë Leon Izauriani. Në fillim ai ngre një patriark ikonoklast në selinë e Bizantit (v. 726), pastaj ai i imponon ikonolatrinë Kostantinopojës, dhe grekët i binden. Mbetet papa. Tashmë, jo vetëm Gregori II e kundërshton me tmerr një herezi të tillë, por edhe vetë Italianët morrën armët dhe e dëbuan nga Roma, Beneventoja dhe Ravena. Atëhere ai dërgoi flotën e tij kundër Ravenës, por ajo u përpi nga dallgët buçitëse të Adriatikut. Duke mos mundur t’i bënte të keqe tjetër papa Gregorit II dhe papa Gregorit III, perandori grek i anekson selisë ikonoklaste të Konstandinopojës gjithçka që mundi tu hiqte kishave dhe ipeshkvive nën selinë apostolike. Çfarë ndodh atëhere në Shqipëri dhe në Maqedoni? Kjo nuk dihet. Megjithatë, është e mundur që, për të mos bërë popullin të ngrihej si në kohën e Anastasit, Leoni nuk bën luftë ndaj figurinave. Dhe atëkohë marrëdhëniet hierarkike mes papës dhe ipeshkëve ilirë, në vend që të ishin publike, mbetën të fshehta. Po ashtu, ipeshkvët nën Primatinë e Ohër-Justinianës, në përputhje me kanonet e vjetra, duhej ta zgjidhnin ata vetë primatin e tyre. Meqë miratimi i zgjedhjes së tyre ishte i rezervuar vetëm për selinë apostolike, atëhere ishte edhe më e lehtë për papën t’ua dërgonte atë në mënyrë të fshehtë, pasi lidhjet midis Italisë dhe Ilirisë kanë qenë përherë të thjeshta e të shpejta. Nga fundi i shekullit të gjashtë, meqënëse primati i Ilirisë kishte vdekur dhe ipeshkëve ilirë duhe tu jepej një drejtues i ri, sipas zakonit të vendosur, Shën Gregori i Madh u jep këtë përgjigje:
    “Gregori u drejtohet gjithë ipeshkëve të Ilirisë: -Gatishmëria juaj ndaj nesh është e madhe. Por mbani mend diçka, asgjë nuk do të ishte më e kënaqëshme për ne dhe dorëzania më e sigurt për harmoninë tonë se sa ruajtja e zakoneve të vjetra. Tashmë, del nga letrat që na sjellin prifti Maksimian dhe xhakoni Andre në lidhje me Gjonin, vëllain dhe bashkëipeshkvin tonë, se zgjedhja e tij ka bashkuar votat tuaja dhe miratimin e perandorit të përndritur. Zgjedhja e një personi që ka bashkuar votat tuaja na ka dhënë gëzimin më të madh. Kështu, me vullnetin tonë të lirë, ne pranojmë dëshirat tuaja dhe me miratimin tonë e krezmojmë vëllanë dhe bashkëipeshkvin tonë në postin hiearkik që i ishte premtuar. Dërgimi i Paliumit ju dëshmon se ne kemi miratuar shugurimin e tij. Dhe, sipas zakonit, ne e emërojmë si përfaqësuesin tonë, ne e quajmë për detyrë të porosisim vëllazërinë tonë që ti bindet atij për gjithçka që i përket urdhërit dhe frymës kishtare, dhe për gjithçka që nuk bie në kundërshtim me Kanonet e Shenjta. Vullneti juaj për t’iu bindur atij, do të na dëshmojë se zgjedhja juaj ka qenë e sinqertë” (ind.13, viti 594-595).
    Letra që paraprin u shoqërua nga një tjetër për vetë Gjonin. Shën Gregori e përgëzon atë për zgjedhjen që iu bë atij. Ai e emëron si përfaqësues të tij dhe i jep udhëzimet e nevojëshme për të përmbushur detyrat e funksionit të tij të ri. Më vonë, Gjoni mori edhe dy letra nga Shën Gregori, që kanë të bëjnë me Shqipërinë. E para ishte në lidhje me Palin dhe Nemesin, ipeshkvë të Dioklesë. Pali, i mbështetur nga autoritetet civile, kishte shpërndarë pronat e Kishës, dhe e mundi Nemesin që ia kishin caktuar si pasardhës. Shën Gregori kërkon që Gjoni, legati i tij, të marrë, së bashku me Konstantinin-metropolitin e Shkodrës, masat e nevojëshme për ti dhënë fund këtyre skandaleve të urryeshme. E dyta ishte në lidhje me titullin e patriarkut ekumenik që mori Gjoni i Kostantinopojës, dhe që tashmë e kemi përmendur. Ja si zhvilloheshin ngjarjet në Iliri deri në vitin 732, dhe si ato rrodhën që prej atëhere. Vendi iu nënshtrua politikisht perandorëve grekë, mbretërve bullgarë, sulltanit të Turqëve. I vetmi ndryshim thelbësor që ngjau në çështjet kishtare u provokua në vitin 1767 nga patriarku grek, dhe kjo u bë për të përmbysur edhe më tepër në Iliri strukturën e vjetër të kishës katolike.
    Me këtë rast ia vlen të vemë diçka në dukje. Kjo del nga reskripti i Justinianit I në lidhje me primatinë ilire, dhe nga korrespondenca e Shën Gregorit të Madh, se Prevalitania, dhe posaçërisht Shkodra, vareshin nga ana kishtare prej Ohër-Justinianës. Po ashtu, shihet nga Konstantin Porfirogjeneti dhe Lukari, se Diokleatët apo Prevalitanët përbënin një principatë të pavarur, qysh nga koha e Justinianit (v. 527) e deri tek Bazili Maqedonasi (v. 876). Nëse duhet besuar Dy Kanzhi, kjo principatë kishte për kufinj Kotorrin në veri dhe Durrësin në jug.Vemë në dukje, gjithashtu, se, në një hapësirë kohore prej 227 vitesh, Primatia Ilire, sido që jo e gjitha, por të paktën një pjesë e ipeshkëve të saj, nuk iu nënshtrua Perandorisë së Poshtme. Ajo as nuk arriti të hiqej nga selia apostolike, dhe as ti aneksohej selisë ikonoklaste të Bizantit, nga Leon Izauriani. Prandaj, më pas, Adriani I i shkruan Sharlemanjës: -”Iu përgjërova perandorëve grekë ti kthejnë selisë apostolike pronat që ia kanë konfiskuar dhe krahinat që i kanë shkëputur, por ata as nuk denjuan të më kthejnë përgjigje”. Ai përmend ato të bashkësive të devotëshme dhe ipeshkvëve të vendosur në Siçili, në Kalabri, në Ravenë dhe në Greqi, por jo ato të primatisë ilire dhe të ipeshkëve të saj. Edhe më tepër duhet përjashtuar Durrësi, bashkë me disa ipeshkvë të Epirit e të Thesalisë, nga përfshirja në Perandorinë e Poshtme. Po ashtu, pushteti i perandorëve grekë ishte vetëm sa për emër, qoftë në Iliri, qoftë në Greqi, pasi qysh me largimin e Herakliut, vendi ishte mbuluar nga një popullsi bullgaro-sllave. Një dëshmi e pakundërshtueshme për këtë është se Grebeneja, megjithë pozicionin e saj të avancuar, gjithherët ka bërë pjesë në Primatinë ilire. Kështu pra, nuk ishte çështja e Primatisë Ilire ajo që zuri vend në debatet në lidhje me Bullgarët, që shpërthyen në Kostantinopojë tre ditë pasi koncili i tetë ekumenik u shpërnda dhe kur të gjitha shkresat ishin nënshkruar, -pasi, në këtë kohë Bullgarët kishin Preslavën (më parë Markianopli, dhe më pas Shumla) për kryeqytet. Vetë Borisi, i neveritur nga gjithçka, u tërhoq në një manastir, rrënojat e të cilit shihen në rrethinat e Shumlas.
    Veç kësaj, duket, në rrjedhën e këtyre debateve të famshme, se janë vënë re që pretendimet greke të rrotulloheshin mbi të njëjtin keqkuptim. Bullgarët, në të vërtetë, nuk kishin qënë kurrë persekutorë, dhe gjithmonë midis tyre ka patur të krishterë të shumtë. Nën urdhërat e Vitalianit, a nuk kanë qënë vallë ata në Kostantinopojë për të mbrojtur Krishtërimin prej persekutorit Anastas? Dhe, më 756, Stefani I Riu, a nuk u këshilloi murgjëve të tjerë të shkonin e të gjenin mbrojtje prej bizantinëve ikonoklastë, në malet e Skitisë (Ballkanet), tek Partinët (Shqiptarë), dhe në Itali (Hefeli, vëll. 4, fq. 306). Pra, gjithmonë ka patur ndër Bullgarët priftërinj dhe ipeshkvë romanë. Por ja që Grekët, të gjithë sa ishin, a nuk shtireshin duke thënë dhe duke u vetëshpallur Romanë, atë çka bëjnë edhe sot, pavarësisht se ata nuk flasin as latinisht, as vllahisht, as bullgarisht, as shqip. Me fjalë të tjera, nëse do të vërehet më mirë nga afër, do të kuptohet se në qendër të diskutimeve që pasuan koncilin e tetë ekumenik, ishte çështja e Bullgarisë lindore, ose Skitia e vogël, por jo ajo e Shqipërisë. Nuk përbënte çështje as Bullgaria perëndimore.

    Shënime:
    -Leon Izauriani -perandor i Lindjes (717-741).
    -Bazil Maqedonasi -perandor i Lindjes (867-886), prej dinastisë maqedonase (867-959).
    -Sharlemanja -Karli i Madh (742-814), perandor i Perëndimit.
    -Adrian I -papë (772-795).
    -Grebeneja -qytet në jug të Kosturit, në veri ë Thesalisë.
    -Preslava -Markianopoja, në jug të Shumlës së sotme, në verilindje të Bullgarisë së sotme, mbi Ballkanet e Vogla.
    -Vitaliani -papë (657-672).
    -Stefani i Riu -papë (752-757).

  4. #24
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 20


    Ajo çka bënë Foti dhe Bazil Maqedonasi, më 869, për të përfshirë Bullgarinë dhe primatinë e Ohrit brenda patriarkatit grek – Profecia e Papa Gjonit VIII drejtuar mbretit të Bullgarëve

    Falë mbrojtjes së Bullgarëve, primatët e Ohrit, jo vetëm që ruanin besimin e vërtetë, por ata, po ashtu, dalëngadalë i kishin parapërgatitur Bullgarët dhe Sllavët që të ktheheshin vetë ata në të krishterë. Përsa kohë ishte vetëm çështje pune parapërgatitëse ajo që bëhej në Iliri, Greko-Bullgarët nuk dukeshin shumë të interesuar për këtë. Për më tepër, ata kishin më për zemër ngadhënjimin e monotelizmit dhe ikonolatrinë. Por, në kohën kur Bullgaro-Sllavët deklarojnë se dëshirojnë të jenë të krishterë, dhe kishin dërguar ambasadorët në Romë dhe në Gjermani, një zgjim i menjëhershëm ndodhi në Bizant. Më parë, nuk ishte tjetër veç çështje monotelizmi dhe ikonolatrie. Tashmë, mendohej vetëm për mënyrën se si të përfitohej nga kthesa rrënjësore në vështrimin fetar, që zhvillohej këtej Danubit. Dhe ja, shkurtimisht, ajo çka bëri Bizanti për këtë qëllim. Diku tjetër do të themi se ç’ndodhi në Bullgari dhe në Shqipëri, në mbretëritë e Preslavës dhe të Prespës. Një koncil ekumenik u mbajt në Kostandinopojë për vendosjen e Injacit, të cilin Bardasi dhe Mikel Pijaneci e kishin zëvendësuar me Fotin. Debatet ishin mbyllur që prej tri ditësh kur, me rastin e ambasadorëve bullgarë që Bazili i thirri të vinin me ngut, Grekët përsëritën skenën që kishte ndodhur në koncilin e Kalkedonisë. Këtë herë nuk ishte çështja për të ngritur selinë e Kostandinopojës në rangun e patriarkatit, por për të shtrirë juridiksionin e saj mbi Bullgarinë. Duke parë kthesën që morën debatet në klubin e ri, Marini dhe kolegët e tij nxorrën nga dosja e tyre një letër të posaçme të papës drejtuar Shën Injacit, dhe filluan të lexonin: -”Zoti më ruajtë nëse merrem me pretendimet kundër nderit të selisë apostolike. Unë nuk jam as aq i ri sa të më çudisni, dhe as aq plak për të llomotitur, apo për të bërë vetë atë çka unë qortoj tek të tjerët”.
    Këto fjalë shkaktuan tek Injaci një hidhërim të madh dhe një pakënaqësi të thellë për atë çka bëhej para syve të tij. Por, meqë ishte ringritur nga Bazili dhe nga papa, ai e dinte, gjithashtu, se Foti ishte në paradhomë i gatshëm të bënte gjithçka që donte Bazili. Tashmë Bazili donte dy gjëra: -1. Të njihej kryezot i mbretërisë bullgare. Prandaj vuri në gojën e përfaqësuesve të Lindjes fjalët e famshme, duke iu përgjigjur atyre të papës: -”Nuk është e drejtë që, ju që kini lënë Perandorinë e Grekëve..., të ruani ndonjëfarë juridiksioni në perandorinë e princit tonë (Bullgari)”. -2. Bazili donte të mbushte Bullgarinë me priftërinj, murgjër dhe peshkopë grekë. Përse? Për të depërtuar me anë të një kleri grek, frymën dhe prirjet greke në shpirtin e një populli neofit, por, mbi të gjitha, për të patur tek këta peshkopë, priftërinj dhe murgjër, sa më shumë spiunë dhe agjentë politikë. Ja ajo çka donte Bazili, atë që përfaqësuesit nuk e kishin kuptuar mirë, por Injaci, si grek i vërtetë e kuptonte mjaft mirë. I favorizuar mjaft, ai nuk e kishte lexuar letrën e papës, por kishte thënë mjaft prej saj për të angazhuar Bazilin që të kthehej ndaj Fotit. Gjithashtu, shohim sakaq që Foti të rimarrë funksionet episkopale. Ai la, pra, Slenosin/Slenian, ku kishte qënë degdisur, dhe vjen e vendoset në pallatin e Manjaurit pranë Serail Burnusë. Në Manjaurë -thotë Rorbaher -ai vendosi arkimandritët dhe bënte shugurimet.
    Çfarë shugurimesh? Historia nuk e thotë, por kjo merret me mend. Injaci nuk donte të bënte asgjë kundër vullnetit të papës dhe hirit të selisë apostolike. Bazili iu drejtua Fotit, dhe Fotin nuk mund ta brente ndërgjegjia kur shuguronte peshkopë dhe arkimandritë për Bullgarinë, pasi ai nuk ishte shuguruar nga askush, dhe gjithmonë kishte vepruar sipas dëshirës së tij për të sfiduar selinë apostolike. Thuhet se Foti kishte fituar shpërblime të mëdha nga Bazili, duke i sajuar atij një gjenealogji. Përse nuk e kishte fituar duke bërë gjëra të tjera? Ajo që i vlente më pak vrasësit të Mikelit III ishte një gjenealogji e gënjeshtërt, se zmadhimi i shteteve të tij. Në një letër, nga e cila ne kemi vetëm një fragment, Gjoni VIII i thoshte Injacit: -” Ju na keni shkruar se priftërinjtë dhe ipeshkvët tanë janë dëbuar me turp nga Bullgaria”.
    Megjithatë, historia nuk e pranon që një letër e kësaj natyre ti përkasë Injacit, ndërsa një letër e tillë është në harmoni të përkryer me karakterin e Fotit. Por thuhet se Foti, në atë kohë, ka falsifikuar firmën e Injacit. E përse të mos e bënte? A nuk ishte vërejtur në mes të koncilit ekumenik, dhe në prani të vetë perandorit, se Foti kishte falsifikuar atë të Bazilit, dhe të shumë të tjerëve? A nuk ishte konstatuar në mes të koncilit se ai kishte sajuar aktet e një koncili imagjinar? Tekembramja, a nuk e çoi kuturisjen e tij deri në falsifikimin e letrave të Papa Gjonit VIII? Nga pohimi i Papa Gjonit VIII, del se kishte në Bullgari priftërinj të bashkësisë së Fotit. Përse nuk ishin të gjithë të bashkësisë dhe të llojit të tij? Përveç kësaj, është me interes të dëgjosh nipin e Bazilit të na tregojë atë çka kishte bërë gjyshi i tij: -”Ndonëse kombi bullgar -thotë Konstantin Porfirogjeneti -dukej se ishte konvertuar dhe u ishte përshtatur riteve kristiane, e gjitha kjo ngjante me një gjethe që e merrte era, pa qëndrueshmëri dhe e brishtë. Më së fundi, falë nxitjeve të perandorit Bazil dhe pritjeve të shkëlqyera, të shumë mirësjelljeje dhe mbi të gjitha bujarie të mahnitëshme, si dhe të dhuratave, ua mbushi mendjen atyre të pranonin ndër ta një arkipeshkv, të krijoheshin atje ipeshkvi të shumta, e të nguliteshin përfundimisht aty. Kështu pra, -shton Konstantin Porfirgjeneti -me anë të këtyre peshkopëve, gjithashtu, me ndihmën e murgjërve të shumtë që perandori i kishte tërhequr nga malet dhe guvat dhe që u dërguan në këtë fushatë, i bëri ata të braktisnin zakonet e të parëve të tyre, dhe më në fund ra i gjithë kombi në rrjetën e Krishtit”.
    Në këtë fragment interesant, padyshim, ka gjëra të rreme dhe të tepruara. Megjithatë, nuk mbetet më pak e vërtetë se, në sytë e Konstantin Porfirogjenetit, Injaci nuk ishte aspak për dërgimin e këtyre peshkopëve dhe murgjërve, për lutjet e bëra ambasadorëve apo ministrave të mbretit bullgar, dhe për dhuratat e shumta të shpërndara njërës palë dhe tjetrës. E gjitha kjo është vepër e Bazilit,- na thotë nipi i vogël dhe panegjeristi i tij. Por, nëse pastori i vërtetë i mbeti besnik detyrave të tij, kush mundi t’ia sajojë Bazilit këtë arkipeshkv, këta peshkopë dhe murgjërit?
    Kush i shuguronte, dhe kush ia diktonte atyre këta murgjër? Duket qartë se Foti. Ky që uzurpoi selinë e Kostandinopojës mbi patriarkun e ligjshëm, uzurpoi, po ashtu, Bullgarinë në kurriz të papës. Mikel Pijaneci e ndihmoi për të arritur të parën. Vrasësi i tij e ndihmoi për tjetrën.Pak kohë më pas, Papa Gjoni VIII, duke i shkruar mbretit bullgar, thotë ndër të tjera: -”Kurrë Grekët nuk kanë qëndruar pa një herezi apo pa një tjetër, herezi e krijuar herë nga patriarkët, herë nga perandori i Kostandinopojës. Gjithmonë Grekët iu kushtuan sofizmave dhe dinakërisë. Duke e konvertuar prej paganizmit kombin e Gotëve, ata e molepsën me blasfemitë e arianizmit. Një fatkeqësi e ngjashme mund të ndodhë edhe me kombin e Bullgarëve”.


    Shënime:
    -Bardasi -daja i Mikelit III, vëllai i Teodorës që zhvilloi ikonoklazmën.
    -Mikeli III Pijaneci -perandor i Lindjes (842-867).
    -Magnaure -Manjuari, Universiteti laik që ngriti Bardasi për dijetarët si vatër.

  5. #25
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 21


    Arabët në Shqipëri – Raguza – Principata diokleate – skizma greke – ipeshkvët ilirë nuk marrin asnjë anë

    Në historinë e Arabëve nga Dedillot, ne lexojmë (vëll.1, fq. 309): -zotër të Palermos, Arabët përfituan nga ngatërresat e pasardhësit të Sharlemanjes me bijtë e tij, dhe të Grekëve të Puljes me dukët lombardë të Beneventos, për të pushtuar Brindizin dhe, disa vjet pas tij, Barin. Duke zotëruar një port mbi Adriatik, ata mundën të shkretojnë pa u ndëshkuar brigjet e Dalmacisë dhe ato të Italisë lindore, të kërcënojnë Peloponezin dhe ishujt Jonianë, që ishin lënë pa ndihma nga perandorët e Kostandinopojës. Në të vërtetë, kur u bënë zotër të Siçilisë, Tarentit, Barit, dhe vendeve të tjera italiane, Aglabitët ose Saraçenët e Kairuanit nuk lanë mbrapshti pa bërë, në Siçili nga njëra anë, dhe në Shqipëri nga ana tjetër. Në vitin 811 ata u bashkuan me Sllavët për të rrethuar Patrën, qytet në Peloponez. Duke depërtuar më pas në Adriatik ata plaçkitën një numër të madh vendesh dhe u fortifikuan në disa të tjera. Në qendër të Shqipërisë, ata u vendosën në Amantia, San Severin (pranë Tepelin) dhe në Tropas. Prej andej, ata i shtrinë shkatërrimet e tyre mbi gjithë Shqipërinë, duke marrë fëmijët për ti përgatitur për haremet e tyre, dhe burrat për të punuar fushat e tyre në Afrikë. Por, duke nisur me marrjen e Barit (v. 850), shkatërrimet e tyre nuk njohën më kufinj. Në Itali, ata plaçkitën Romën, në Shqipëri bënë prè të gjithë qytetet deri në Raguza. Më në fund e rrethuan këtë qytet për 16 muaj, derisa perandori Bazil Maqedoni i dërgoi në ndihmë një flotë të komanduar nga Horifa. Me tu liruar Raguza, Horifa thirri në ndihmë të gjithë popujt e Adriatikut: Raguzinët, Kroatët, Hercegovinët, Serbët, Kanalitët, dhe, të gjithë së bashku, shkuan përmes detit të rrethonin Barin, të cilin një ushtri franceze e kish rrethuar nga toka. Rrethimi zgjati në kohë, qoftë pse fortesa ishte e qëndrueshme, qoftë edhe se Horifa nuk binte në marrëveshje me perandorin Luigj. Megjithatë, Luigji i dha fund, duke e shtënë në dorë, më 15 shkurt 871. Perandori grek i ankohet për këtë perandorit gjerman, i cili i përgjigjet me këto fjalë: -”Cilën pjesë mund të pretendojnë Grekët në marrjen e Barit? Pasi kanë bërë një paradë boshe trimërie në një apo dy sulme, a nuk e kanë braktisur rrethimin, duke ia lënë francezëve të gjitha barrët e të gjitha rreziqet? Në vend që të mbante larg anijet saraçene që i sillnin ndihma qytetit të rrethuar, komandanti i tyre Horifa, e përdori flotën e tij veç për të shkatërruar brigjet e Esklavonisë Franceze”. Kësaj përgjigjeje, Luigji i shton një kërcënim dhe një ftesë: -një kërcënim për shpagim të egër, nëse nuk dëmshpërblente nënshtetasit e porteve që i kishin pritur, -dhe një ftesë për t’iu mbyllur gjirin e Adriatikut Saraçenëve meqënëse, pasi ti kishte dëbuar nga Italia, ai do ti përzinte edhe nga Siçilia. Nga ky diskutim -thotë Lë Bo -del si rrjedhojë se Bazili dëshironte më mirë të kishte Saraçenët se sa Francezët si fqinjë e si aleatë (Lib. 71, k. 17). Sidoqoftë, duhet të pranojmë se Bizantinët i bënë një shërbim Shqipërisë qendrore, pasi ata përzunë Saraçenët nga Amantia, San Severini dhe Tropasi, me ndihmën e Malësorëve shqiptarë. Pra, malësorët sulmonin nga toka ata që Bizantinët u prisnin në det lidhjet me Afrikën. Megjithëse në krye të trupave të elitës: Kartëve (kolonë), Thrakëve, Kapadokianëve dhe Maqedonasve, gjeneral Maksenti -thotë Pukëvili (vëll. 1. fq. 338) -nuk arriti t’i dëbonte Arabët. Ishte Niqifor-Foka që çliroi vendin. Saraçenët depërtuan edhe më vonë (v. 1072) nëpër Adriatik, dhe bënë shkatërrime të mëdha këtyre anëve. Por trupat u bashkua përsëri e i zmbrapsën fuqishëm inkursionet e tyre.
    Meqë Perandoria e Poshtme nxorri Arabët nga Shqipëria, mund të mendohet se ajo mbeti në zotërim të saj. Ky zotërim duhet të ketë qënë i kufizuar në ato qytete bregdetare, që i trembeshin kthimit të Arabëve. Edhe Shqipëria e epërme pati vuajtur mjaft nga Arabët. Po ashtu, Prevalitanët (Diokleatët, Zetanët) u bashkuan me Bazil Maqedonin për të shpëtuar Raguzën, të cilën anijet pirate afrikane e kishin bllokuar që prej 15 muajsh. Konstantin Porfirogjeneti pretendon se Zetanët apo Prevalitanët iu nënshtruan Perandorisë së Poshtme. Ky është një gabim. A pranuan ata një lloj protektorati, në këmbim të shërbimeve që flota e tij u kishte dhënë atyre? Kjo është e mundur. Vetë Dalmatët, duke qënë se i detyroheshin Grekëve më tepër sesa Zetanët apo Prevalitanët, pranuan veçse një lloj protektorati të Perandorisë së Poshtme. Kjo ështe e vërtetë -thotë Lë Bo -pasi shuma të mëdha u ofruan në atë kohë për të emëruar këtë apo atë guvernator, qoftë të Raguzës, qoftë të ndonjë vendi tjetër, por perandori e hodhi poshtë ofertën e tyre dhe “u lejoi Dalmatëve ti zgjidhnin vetë prefektët dhe magjistratët e tyre”. Kështu pra, principata shqiptare duket se ka qenë në shekullin e shtatë, po ajo që do të jetë në atë të pesëmbëdhjetin. Konstantin Porfirogjeneti, që dihet se është konsultuar me arkivat e Bizantit, e çon pavarësinë e saj deri në kohën e Herakliut. A s’duhet thënë se, duke mos shpresuar në asnjë ndihmë nga Bizanti, Shqipëria veriore mblodhi forcat e saj, i organizoi, dhe nën drejtimin e një Skënderbeu tjetër, ndaloi dyndjet e Sllavëve në rrëzë të Sharr-dagut (Scardus), dhe ato të Arabëve në bregdetin e saj?
    Më vonë (v. 865), Bullgarët kërkuan të konvertohen. Grekët i bllokonin ndërlidhjet nëpërmjet Durrësit, dhe ndaj ishte principata Shqiptare rruga prej nga kalonin ambasadorët që shkonin e vinin nga Roma në Bullgari. Më mirë se të gjithë dokumentat e tjerë, letra e Papa Gjonit VIII (v. 879) drejtuar Princit Sedeslav, na jep të kuptojmë frymën e Shqiptarëve në këtë periudhë, dhe atë se çfarë Roma mendonte për ta.
    “Kemi dëgjuar të flitet mjaft për mirësinë tuaj, për njerëzit, dhe për dashurinë tuaj ndaj Zotit, që ne marrim guximin t’iu porosisim në emër të apostujve, Shën Pjetrit dhe Shën Palit, që të bëni të mundur kalimin shëndoshë e mirë të ambasadorit tonë të tanishëm tek biri ynë Mikel, mbret i lavdishëm i Bullgarëve. I siguroni atij, po ashtu, për hir të Zotit, ushqimet e veshjet për të cilat do të ketë nevojë, dhe të jeni të sigurtë bij të shtrenjtë, se Zoti do t’ua shpërblejë në jetën e përtejme”.
    Ne nuk e dimë nëse papa e mësoi qëllimin e mbretit bullgar prej dukës shqiptar apo prej ipeshkvit të Raguzës. Por është e sigurt se nga ky lajm, ai dërgoi ipeshkvin e Raguzës në Diokle për të lehtësuar nga njëra anë, dhe për të shpejtuar në anën tjetër, çastin e dëshiruar kur mbreti bullgar dhe populli i tij do të merrnin bekimin. Shihet, gjithashtu, nga kronika e Dioklesë se ky vend pati princër dhe guvernatorë të veçantë në gjithë shekujt e dhjetë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë. Kjo kronikë ishte përpiluar nga një prift i mbetur anonim. Ajo na çon deri në vitin 1163, koha kur prifti duket se ka vdekur.
    Në vitin 875, me urdhër të Papa Gjonit VIII, në Shqipërinë e Epërme u mbajt një koncil, ku u rregulluan çështjet e vendit, me praninë e Pauliminit, mbretit të Dalmacisë, të dukës së Kroatëve, Zhupanit të Serbisë, dhe të përfaqësuesit të Bazilit, perandor i Kostandinopojës. Mes tjerash, u vendos që selia metropolitane e Shqipërisë së epërme të zhvendosej nga Shkodra në Diokle. Paulimini kishte lindur në Romë, dhe ishte thirrur nga Dalmatët. Glutomiri, Zhupani i Rashës (Serbia e lashtë), i cili nuk pranonte të nënshtrohej, ishte mundur brigjeve të Limit dhe ishte vrarë nga njerëzit e tij. Pasi paqëtoi vendin, Paulimini i kërkoi papës mbajtjen e koncilit të lartpërmendur, ku u caktuan kufijtë e krahinave, juridiksioni i magjistratëve, dhe ndarja e dioqezave. Paulimini vdiq në Trebinjë, në fillim të shekullit të dymbëdhjetë. Paulimini dhe pasardhësit e tij kishin në pjesë Zetën dhe Luginën e Drinit të cilave iu bashkuan Zhupanitë e Ulqinit, Budvas dhe Kuçievos.
    Pamë se çfarë ka ndodhur në këtë kohë në Shqipërinë veriore. Kalojmë në qendër dhe në jug. Dy ipeshkvë, Luçiani i Durrësit dhe Zakaria i Janinës, gjenden në koncilin e mbajtur në Kostandinopojë, që të kërkojnë tërheqjen e Fotit (v. 879-880). A e miratuan atë çka u bë atje? Kjo është e mundëshme, duke qënë të gënjyer nga falsifikimi i letrave papnore. Veç kësaj, sot mund të thuhet se çfarë është bërë në të vërtetë në këtë koncilabul. Pasi është e sigurt se Foti retushoi aktet, se futi në to çfarë deshi, dhe se shtoi vetë dy seanca sipas mënyrës së të tij. Sa i përket Janinës, është hera e parë që shohim atje një ipeshkv. Dhe është diçka e habitëshme, se Aravantini nuk ka zbuluar, deri në vitin 1383, që Zakaria të kishte patur pasardhës. Mjaft mirë mund të ketë qënë “një nga ata peshkopë që Foti sajoi, me qëllim që të rriste numrin e ithtarëve të tij”. “Pasi -shton Hefeli -në aktet e këtij koncilabuli, ne gjejmë seli episkopale që nuk përmenden askund tjetër” (vëll. 6, fq. 36).
    Përsa u takon primatëve ilirë, ne nuk gjejmë as nënshkrimet e tyre, as të ipeshkëve të tyre, në aktet e koncilit të mbajtur me rastin e skizmës greke. A nuk është kjo një dëshmi e qartë se ata nuk merrnin fare pjesë në këto debate të zjarrta. Nga ana tjetër, përse të përziheshin ndër nismat greke, ndërkohë kur ishin nën mbrojtjen e mbretërve bullgarë dhe princërve diokleatë.

    Shënime:
    -Aglabitët (Saraçenët) -dinasti arabe që sundoi në pjesën lindore të Afrikës Veriore (800-909), në Tunizi.
    -Kairuan -kryeqyteti i emiratit arab.
    -Niqifor Foka -nga Kapadokia, perandor bizantin (963-969), Bardas Foka (971 dhe 987-989).
    -Zetanë, prevalitanë, diokletianë -me këtë emër nënkuptohen banorët e trevave veriperëndimore të Shqipërisë së vjetër,
    duke iu referuar themës së Prevalitanisë, principatës së Diokletisë, dhe Zetës më të vonë, të cilat pak a shumë rrihnin
    në të njëjtat kufinj, në veri të kufizuar nga Dalmatët, dhe me Shkodrën kryeqendër.
    -Shar-dag (Skardus) -malet e Sharrit në Shqipërinë lindore.

  6. #26
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 22



    Mbretëria shqiptaro–bullgare e Preslavës – Dërgatat e Borisit në Romë dhe në Gjermani – Cilët janë patriarkët e vërtetë – Kleri morav zëvendëson klerin grek- Shën Klementi dhe Shën Naumi në Ohër – liturgjia bullgaro-sllave i zë vendin liturgjisë greke – mbretërimi i carëve Simeon dhe Pjetër – mbretëria bullgare e Preslavës e shkatërruar nga Greko-Rusët



    Në periudhën ku gjendemi (v. 865), kombi bullgar i drejtohet me anë të një dërgate të dyfishtë Papa Nikolës dhe Luigjit të Riut, perandorit gjerman. Ai kërkon jo vetëm pagëzimin, por edhe institucionet politike. Kush i kishte frymëzuar këto përçapje? Kush i drejtonte këto përfaqësi? Të krishterët e vendit. Pra, Pjetri dhe Romanët e tjerë të vendit, a do iu kishin dhënë të tilla këshilla Bullgarëve nëse ata vetë nuk do të kishin qënë katolikë, dhe nëse nuk do të kishin njohur për prijës shpirtëror, udhëheqësin e madh të katolicizmit? Vëmë në dukje, gjithashtu, se e gjithë Shqipëria, prej veriut në jug, me përjashtimtë Durrësit dhe disa krahinave epirote, duhet të ketë qenë atëkohë politikisht e varur prej princërve bullgarë, jo se Bullgarët e kishin nënshtruar vendin, por pasi vendi kishte parapëlqyer mbrojtjen pagane të mbretërve bullgarë kundrejt mbrojtjes ikonoklaste të perandorëve bizantinë. Sidoqë të jetë, të kthyer të krishterë, mbretërit bullgarë i kërkojnë papës, jo vetëm institucionet politike, por edhe se cilët janë patriarkët e vërtetë, dhe përse ata vetë të mos mund të kishin një të tillë? Përgjigjia e papës ishte se patriarkët e vërtetë janë ata të Aleksandrisë, Antiokisë, dhe Jeruzalemit, por, në mungesë të titullit kanonik, ai i Kostandinopojës ishte vetëm një patriark oborri, dhe, më në fund, se ai do tu japë një patriark vetë bullgarëve, sapo kristianizmi të jetë përhapur dhe forcuar në vendin e tyre. I informuar për atë çka ndodhi midis oborrit të Romës dhe oborrit të Preslavës, oborri i Bizantit nxitoi të ndërhynte. Ai derdhi para me shumicë, -thotë Konstantin Porfirogjeneti -bleu moralin e një përfaqësie që ajo kishte kërkuar, dhe bëri ç’është e mundur që institucionet e krishtera të dërguara prej papës, të mbeteshin në letër, dhe që kleri i kërkuar Papa Nikolës prej Borisit të rikthehej mbrapsht në Itali.
    Në këtë mënyrë mbetën punët deri me ardhjen e Car Simeonit, nipit të Borisit, në fronin e Bullgarisë, në vitin 888, dhe me ardhjen e Formozës në krye të selisë së Shën Pjetrit (v. 891). Tashmë, Simeoni dhe Formoza ishin njohur në Bullgari, në kohën e Borisit. Duke u bërë ai vetë mbret i Bullgarëve dhe mundës i Grekëve, Simeoni i kërkon mikut të tij të vjetër një kurorë mbretërore (perandorake thonë Bullgarët), kurorë që Formoza ia dha me dëshirë. Nga ana tjetër, kleri i ngritur në Moravi nga bullgarët Cirili dhe Metodi, i shpëtoi në arrati rrënimeve të kryera nga Gjermanët dhe Hungarezët. Simeoni, mblodhi atë çka mbeti, dhe i kërkoi papës të zëvendësonte Gorazdin, Klementin dhe shokët e tij në klerin bizantin që ai kërkon ta dëbojë nga shtetet e tij. Formoza jep përsëri miratimin. Për më tepër, ne shohim shumë shpejt, si njërin dhe tjetrin, të nxisin klerin e ri që të përkthejë liturgjinë greke për Bullgarët, ashtu si Cirili dhe Metodi kishin përkthyer atë romane për Moravët. Duke qëndruar në pritje, dhe për të mbuluar më mirë kthesën rrënjësore që përgatisnin punimet e tyre liturgjike, Klementi dhe shumë të tjerë do të jenë të angazhuar për kristianizimin e popullsisë iliro-romake, që shtrihej dhe mbulonte rrethinat e Ohrit dhe, e cila nuk e njihte ende, ose e njihte shumë pak, Ungjillin. Më i tërhequr pas vetmisë se sa të tjerët, një prej tyre, Shën Naumi, u veçua në një kodrinë në jug të liqenit të Ohrit dhe aty ndërton një manastir, rrënojat e çmuara të të cilit mbetën gjithherët të shquara. Meqë Simeoni vdes (v. 941), Pjetër Surzubuli, jo vetëm që pajtohet me Grekët që i kishin sjellë kaq të këqija Bullgarëve, por ai, gjithashtu, martohet me një greke. Sjellja e tij nuk i pëlqeu kombit të vet. Shpërthyen kryengritje, dhe të mundurit gjetën strehë në Epir, ku ata kolonizuan Nikopojën (v. 945). Pra, Nikopoja nuk kishte qënë e shkatërruar, por ajo kishte humbur rëndësinë e saj qysh në kohën kur, për tu hakmarrë ndaj Nikopojasve, Leon Izauriani e kishte zhvendosur në Naupakt të drejtën e metropolit.
    Kur Pjetri vdiq, Grekët pretenduan se Bullgarët duhet të pengojnë Hungarezët që të arrijnë në tokat e tyre dhe, meqënëse Bullgarët nuk pranuan të ishin xhandarët e tyre, ata ftuan Rusët që të shkatërronin Bullgarinë. Sviatoslavi arriti, dhe vrau e preu gjithë çka gjeti në të. Grekët u turrën aty nga ana e tyre, dhe nuk e dorëzojnë mbretin bullgar pa i xhvatur diademën, e dërgojnë atë në Bizant, dhe vëllanë e tij e kthejnë në eunuk (v. 971). Janë Grekët, të bashkuar me Rusët, ata që shkatërruan mbretërinë e Preslavës. Janë, po ashtu, Grekët e bashkuar me Rusët, ata që rrënuan mbretërinë e Prespës. Por lufta këtu do të jetë krejt ndryshe, e gjatë, e ashpër, dhe e përgjakëshme. Këtu Greko-Rusët do të gjenden më pak përballë Bullgarëve sesa Vllehëve dhe Shqiptarëve.


    Shënime:
    -Antioki -Antakia e sotme në jug të Turqisë në kufi me Sirinë, kryeqendër e selxhukidëve.
    -Pjetër Surzubuli -i biri i car Simeonit (897-927), që zuri vendin e Simeonit, birit të Borisit. U martua me një bizantine
    dhe u kthye nga Kostandinopoja.

  7. #27
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 23

    Revolucion paqësor – Grekët kthejnë mbrapsht nga Bullgaria klerin latin që vetë Bullgarët e kishin kërkuar - Providenca dërgon nga Moravia një kler sllav që ata vetë e dëbojnë – Gorazdi, Shën Klementi, Shën Naumi, të dërguar nga Borisi në Ohër në Shqipëri – Punët e tyre apostolike, punët e tyre letrare – rrengu që Grekët i luajnë dërgatës së Gjonit X – Shën Klementi zëvendëson në Bullgari librat grekë me librat bullgarë dhe shkronjat greke me shkronja klementine

    Sipas pohimit të perandorit Konstantin Porfirogjeneti në Jeta e Bazilit, gjyshit të tij, oborri i Bizantit korruptoi, në vitin 869, përfaqësuesit bullgarë të cilët ai i kishte kërkuar për koncilin e tetë ekumenik. Qëllimi i Bazilit dhe këshilltarit të tij Foti ishte që ti jepej patriarkut grek njëfarë juridiksioni kishtar, që do ti lejonte atij të ndërhynte ai vetë, më pas, në çështjet bullgare, dhe të gëzonte të drejtat politike mbi Bullgarinë. Mbreti bullgar i njihte, atyre kohëve, tepër pak Grekët që të arrinte të kuptonte kurthin. Por në një letër drejtuar Mikel Vladimirit, Gjoni VIII i bën me dije atij: -”Të jeni i sigurt se, pasi të kenë korruptuar mbretin tuaj, Grekët do të përmbysin mbretërinë tuaj”. Por, tashmë e keqja ishte kryer, kleri latin ishte zëvendësuar nga kleri grek, dhe oborri bullgar nuk mund të bënte tjetër veç të pranonte kryerjen e aktit të ri që do të shohim më tej. Tashmë është koha kur, pasi nën të likshtin Mikel Vladimir, intrigat bizantine kishin gjetur rrugë të lirë në Bullgari, dy bullgarë me origjinë nga Selaniku, themelojnë në Moravi një kishë të ritit latin, por me gjuhë sllave dhe me shkronja glagolitike. Dhe, menjëherë pas dëbimit të tyre nga Moravia dhe Panonia, nga Gjermanët e bashkuar me Hungarezët, dishepujt e tyre do të themelojnë në Ohër një kishë greke, por me gjuhë sllave dhe me gërma cirilike, apo më mirë klementine. Papët, mbi të gjitha Adriani II dhe Gjoni VIII, kishin mbështetur Metodin dhe Cirilin kundër Gjermanëve. Tashmë, Formoza dhe pasardhësit e tij, veçanërisht Gjoni X, do të dalin përkrah mërgimtarëve moravë kundër Greko-Bizantinëve (v. 914-928). Ende ipeshkv i thjeshtë i Portos, Formoza kishte qënë misionar në Bullgari, dhe një fakt i tillë do të na e bëjë njëkohësisht më të qartë, edhe marrëveshjen e tij me Carin Simeon, edhe përkrahjen që ai u jepte emigrantëve moravo-panonian.
    Në vitin 886, në fillim të burgosur dhe më pas të dëbuar nga Moravia, dishepujt e mësuar nga Shën Metodi iu prezantuan Borita-Khanit, strateg bullgar në Beograd. Jo vetëm që u pritën me nderime, por, për më tepër, Borita-Khani e ndjeu si detyrë ti dërgonte tek ish-cari Boris, i tërhequr në një manastir pranë Shumlas. Borisi donte, jo vetëm të bisedonte me mërgimtarët, qoftë për vuajtjet e tyre, qoftë për ngjarjet politike të ndodhura në Moravi, por ai dëshironte më tepër të shpjegoheshin shkrimet e shenjta në gjuhën amtare, të tregohej historia e martirëve, dhe të përktheheshin shkrimet e Atit të Shenjtë. Borisi do ketë dashur ti mbante ata, por, mesa duket, nuk mund ti vinte ata në vend të klerit grek, të ardhur në Bullgari nën mbulojën e një vendimi të koncilit të tetë ekumenik. Megjithatë, duke siguruar miratimin e papës, ai i dërgoi në Shqipëri, në krahinën e Kutmiçevicës që varej nga selia e Ohrit, dhe ku patriarku grek nuk kishte mundur të dërgonte as prift e as peshkop. Sipas gjitha gjasave, selia e Ohrit nuk kishte njeri në krye në atë kohë, ose duhet të ketë qenë e lirë pak më vonë. Nga kjo vjen si rrjedhojë që Gorazdi, i caktuar nga Metodi, dhe i emëruar nga papa, metropoliti i Moravisë, me të mbërritur në Bullgari u vendos në krye të selisë së Ohrit, me bashkëpunimin e njëzëshëm të mbretit bullgar dhe të selisë apostolike. Prej këtej rrjedh, gjithashtu, që në katalogun e ipeshkëve, të përmendur nga Lekyjen, ne gjejmë Gorazdin në krye të hierarkisë së re. Nga ana tjetër, oborri bullgar me seli në Preslava (Markianopli i lashtë), në Bullgarinë lindore, nuk kishte arritur të bëhej çështje në koncilin e tetë ekumenik, si një vend nën juridiksionin e papës në bazë të urdhëresave të lëshuara nga Justiniani dhe Papa Vigjili. Baroni d’Avril është i mendimit se Gorazdi ishte i veshur me titullin e metropolitit, por, -shton ai -këtij titulli nuk i ishte bashkangjitur aspak ndonjë vend i caktuar.
    Të flasësh në këtë mënyrë do të thotë të mos i kushtosh vëmendje faktit se vikariati apostolik i Ohër-Justinianës, i përvehtësuar në vazhdimësi, herë nga njëri e herë nga një tjetër, qëndron parreshtur deri në vitin 1767, e po në këtë vit u suprimua -sipas katalogut grek të patriarkëve grekë -kryesisht për shkak të lidhjeve që arkipeshkvët mbanin me papën. Atëhere duhet të pranohet se Gorazdi mori nga selia apostolike një funksion të lartë, atë të metropolitit, dhe se ai ishte vikari apostolik. Aq më pak mund të vihet kjo në dyshim kur marrëdhëniet midis oborrit bullgar dhe selisë apostolike ishin atëkohë nga më të përzemërtat. Për këtë vijnë si dëshmi, edhe shenjat dalluese mbretërore të akorduara nga papa për mbretin Simeon, edhe letrat e shkruara për këtë monark nga Papa Gjoni X, letra të përmendura në letërkëmbimin e Nikola Mistikut, patriarkut grek, i botuar kohëve të fundit nga kardinali Mai, edhe, më së fundi, letrat që vetë ky patriark shkroi për mbretin bullgar.
    Historia, në të vërtetë, na bën me dije se, i rrethuar nga afër prej ushtrive bullgare, oborri bizantin nuk gjeti rrugëzgjidhje më të përshtatëshme se sa ndërhyrja e Papa Gjonit X, për të arritur paqen. Me kërkesën e Grekëve, Papa Gjoni X nisi atëhere dy përfaqësues, të cilët, pasi të kishin vendosur paqen në kishën greke, duhet të ktheheshin në Bullgari. Por, si grek i vërtetë, Nikola Mistiku e kundërshtoi udhëtimin e tyre, duke pretenduar se mbreti bullgar nuk çante kokë aspak për të drejtat e njerëzve, dhe se pushteti i të parit të apostujve s’mund të kishte asnjë ndikim mbi një monark, për të cilin e drejta e njerëzve nuk ka asnjë vlerë. E sidoqoftë, ai i thotë, midis tjerash, mbretit bullgar: “Ju nuk duhet të shpërfillni përfaqësuesin roman të fesë, ashtu si na keni përbuzur ne. Respektoni, pra, qortimin që ai ua drejton ju, për arsye se, nëse e fyeni atë, të parët e apostujve mbi hiret e të cilëve ai kushton çdo ditë vetëmohimin, ata do ta shohin këtë fyerje sikur iu është bërë vetë atyre, dhe do t’iu ndëshkojnë me ashpërsi”. Ja me çfarë fjalësh patriarku grek i shkruan Simeonit, pasi pengoi të dërguarit, me pohimin e tij, që të ktheheshin në Bullgari. Mënyra e njëmendtë për të shtyrë monarkun bullgar që të bënte atë që duhej tamam ishte t’i dërgoje atij të bënte vërejtjet e mësipërme nga vetë përfaqësuesit. Por, në atë kohë, dhe në rrezik për të kompromentuar suksesin e misionit apostolik, Nikola nuk veproi si grek. Është viti 920 kur patriarku Nikola shkroi letrën, tekstin e së cilës Baroni e ruajti dhe që e ka riprodhuar Rorbaheri (Vëll. 12, fq. 544). Simeoni vdiq në vitin 927. Shën Klementi kishte vdekur në Ohër më 916. Qysh në fillim, si misionar i devotshëm, ai konvertoi popujt ende paganë të rrethinave të Ohrit dhe të Devollit (Korça). Më pas, i ngritur nga Gorazdi në selinë e Belisës, në perëndim të liqenit të Ohrit, dhe jo larg Strugës, me vdekjen e Gorazdit ai ngjitet në krye të selisë së Ohrit me titullin e vikarit apostolik. E shkruar nga një prej ithtarëve të tij, Jeta e Shën Klementit u shtyp më 1742 në Moskopojë, nën pseudonimin e Teofilaktit, njërit prej atyre ipeshkëve që oborri i Bizantit e ngriti në krye të selisë së Ohrit, më tepër për tu bërë qejfin Bullgarëve. Duke qënë vetë nxënës i Shën Klementit, ai na tregon punën dhe virtytet e mjeshtrit të tij.
    “Ne që kemi jetuar përherë me të, dhe që kemi parë e kuptuar gjithë çka ai bënte dhe thoshte, nuk e mbajmë mend të ketë rreshtur ndonjëherë punën. Ai mësonte fëmijët. Disave u shpjegonte vlerën e shkronjave, të tjerëve kuptimin e fjalës së shkruar, dhe ai vetë u drejtonte dorën të shumtëve prej tyre që tu mësonte të shkruajnë. Edhe natën ai punonte duke u lutur, duke lexuar e duke shkruar. Nganjëherë, ai vetë, kopjonte shkronjat dhe njëkohësisht u mësonte të tjerat. Nga këta nxënës ai pregatiste lektorë, nënxhakonë, xhakonë dhe priftërinj. Ai dërgoi afro treqint prej tyre në krahina të ndryshme të perandorisë bullgare. Metodi i madh përbënte gjithherët modelin e tij. Ai, në mënyrë të parreshtur, mbante parasysh jetën e tij dhe veprimet e tij, ashtu si një piktor vështron një tablo që e admiron dhe që dëshiron ta riprodhojë. Askush si ai nuk e njihte jetën e Metodit, pasi, qysh në rini të tij, ai kishte qënë shok i të gjitha udhëtimeve dhe sipërmarrjeve të tij”.
    Duke folur për Romën, biografi ynë përshkruan gëzimin që ndjeu Papa Adriani për arritjen atje të Cirilit dhe Metodit, dhe përmend pritjen që u bëri atyre i gjithë kleri i këtij qyteti. Mësojmë më tej, se ata i rrëfejnë papës për përkthimin që u kishin bërë ata vetë shkrimeve të shenjta, se Papa e emëroi Metodin ipeshkv të Moravisë e të Panonisë, se Cirili, duke ndjerë fundin e afërm të tij, riveshi rrobën e murgut, dhe se ai u varros në kishën e Shën Klementit Papë. Biografi rikthehet, më pas, tek Shën Klementi i Ohrit dhe punimet e tij letrare. “Duke e parë -thotë ai -se populli nuk e kuptonte aspak përmbajtjen e shkrimit të shenjtë, pasi veç nga halli priftërinjtë kishin mësuar të lexonin librat grekë, dhe nuk e kapnin domethënien… Ai përgatiste për të gjitha festat predikime të thjeshta dhe të lehta, me të cilat, ti vetë do të mundesh, duke iu drejtuar leximit, të mësosh parimet e besimit tonë… A dëshiron ti të njohësh normat e sjelljes të dëgjuara nga etërit në kishë? Do ti gjesh të shkruara në bullgarisht nga eruditi i madh Klement. Me një fjalë, të gjithë librat në të cilat shpirtërat mund të gjejnë ngushëllim, Klementi na i ka lënë ne bullgarëve”.
    Të zëvendësoje me libra të shkruar në gjuhën bullgare librat e shkruar në gjuhën greke, të cilën vetë priftërinjtë nuk e kuptonin, kjo përbënte padyshim fillesën e një revolucioni të njëmendtë, por të zëvendësoje shkrimin grek me një lloj tjetër shkrimi, do të thoshte ta bëje të pamundur përgjithherët përthithjen e Bullgarëve nga Greko-Bizantinët. Grekët e kuptuan rëndësinë e kësaj dhe protestuan. Por, selia apostolike më së fundi e kish kuptuar se të tërhiqte kishën greke nga humnera e skizmës ishte diçka e pamundur. Ajo, për këtë arsye, e mbështeti Klementin në Bullgari përkundër grekëve, ashtu siç kishte mbështetur në Bohemi Metodin dhe Cirilin kundër gjermanëve. Por, ashtu si Cirili dhe Metodi kishin gjetur shkrimin glagolitik në përdorim midis Sllavëve paganë të cilët ata duhet ti konvertonin, po ashtu Klementi, me mbërritjen e tij nga Moravia, gjeti shkrimin grek të përdorej midis Bullgarëve të krishterë. Për këta këtu gjendja kalimtare kishte qënë shumë e gjatë në kohë. Pra, nga njëra anë, duhet të ruhej renditja e shkronjave alfabetike, dhe nga ana tjetër të ndryshohej forma e tyre. Këtë bëri kleri i ri, i inkurajuar nga mbreti bullgar dhe nga selia apostolike. Me anë të shkronjave të reja grafike, Simeoni donte të mbronte popullin e tij prej frymës së Grekëve, dhe papa prej doktrinës së tyre. Dhe nga kjo rrjedh që tekstet liturgjike janë shkruar me shkronja glagolitike për vendet e veriut, dhe me shkronja klementine për vendet e jugut, si njëra dhe tjetra palë në sllavisht. Siç mund të përfytyrohet, kjo u pasua nga një përplasje e madhe midis Grekëve dhe Bullgarëve, thelbin e së cilës na e ka ruajtur murgu Krabri. “Ç’gjë të jashtëzakonëshme kemi bërë? -përgjigjej ky murg. -Ju Grekët keni imituar Fenikasit. Po ne a nuk mund të bëjmë mbi shkrimin tuaj atë çka ju keni bërë mbi shkrimin e të tjerëve?”. Klementi u dhuroi Bullgarëve një shkrim më të volitshëm se ai i përdorur nga Cirili dhe Metodi në Moravi dhe Panoni. Ja çfarë Baroni d’Avril duket se ka hequr, dhe që ne këtu vetëm sa e kemi plotësuar.

    Shënime:

    -Belisa (Belica) -në perëndim të liqenit të Ohrit, afër Strugës.
    -Bohemia -pjesa perëndimore e Çekisë.
    -Moravia -në lindje të Bohemisë në Çeki.

  8. #28
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 24


    Mbretëria shqiptaro–vllehe e Prespës – Shqiptaro-Vllehët nuk e pranojnë sundimin grek – origjina e Samuelit – kryeqyteti i saj – kohëzgjatja e luftës – beteja e Sperkios – Humbja e Durrësit – Greko-Rusët u nxjerrin sytë banorëve të Pelagonisë – Marrja e Cimba-longut – Bazili nxjerr sytë e 15 mijë ushtarëve shqiptaro-vllehë – Vdekja e Samuelit



    Iliria perëndimore, sipas grekëve, nuk kish qenë e pushtuar nga mbretërit bullgarë. Vetë banorët kishin kërkuar mbrojtjen bullgare, dhe me dëshirë, me vullnet të lirë, ata u kthyen drejt prijësve të tyre. Më vonë, Grekët e bashkuar me Rusët, shkatërruan mbretërinë e Preslavës dhe menduan se Iliria perëndimore do ta pranonte si fakt të kryer. Por, nuk ishte kështu. Duke lënë Bullgaro-Myzët në fatin e tyre, Shqiptaro-Vllehët zgjodhën për mbret kontin Samuel, njeri i pasur dhe me një guxim të admirueshëm. Autorët armenë, midis tjerëve Matieu i Edesës, na bëjnë të ditur se Samueli ishte me prejardhje armene, dhe se, me afrimin e ushtrisë arabe, familja e tij kishte braktisur Armeninë, kishte marrë me vete pasuritë e saj, dhe ishte vendosur në Maqedoninë e epërme. Një gjë është e sigurt se Samueli pranoi të ngrinte në Pind flamurin e mposhtur të Ballkaneve, dhe, duke pasur përpara një luftë të pashmangshme, ai zgjodhi për kryeqytet këtë ishull të vogël të rrumbullakët, që shihet ende në mes të liqenit të Prespës, dhe që quhet Kasaba (qytet i vogël), ku tashmë nuk ka më shtëpi. Me të marrë masat, Samueli nisi luftën. Ajo duhet të ketë qënë e gjatë dhe e tmerrshme. E filluar në vitin 976, ajo përfundoi veç më 1017, me marrjen e Ohrit. Ajo zgjati në një hapësirë kohore prej 41 vitesh, përmes një vargu të pandërprerë të llahtarshëm mbarësish e humbjesh. Megjithatë, humbjet u bënë të pandreqshme me vdekjen e Samuelit (v. 1014). Nga ana e Shqiptaro-Vllehëve kjo ndodhi më tepër nga mungesa e prijësve sesa nga mungesa e guximit. Kronikanët grekë e cilësonin Samuelin si mbret bullgar, pasi në sytë e tyre mbretëria e Pindit vazhdonte atë të Ballkaneve.
    Por është e sigurt se struktura e Samuelit kishte përherë më pak në themel elementin bullgar sesa elementin shqiptaro-vlleh. Vite të tëra në vijimësi, Samueli ishte pothuaj gjithherët fitimtar. Ai tashmë e kishte mbartur luftën në Thrakë, dhe dy herë, më tej, në Greqi. Në Larisa ai mori për herë të parë reliket e Shën Akilit, relike që ai i vendosi në një kishë të ndërtuar ad hoc mbi një nga ishujt e vegjël të Prespës. Por herën e dytë, dhe kjo ishte pas kthimit të tij nga Peloponezi, i sulmuar nga një ushtri greke në shtegun e Sperkios, humbi atje ushtrinë e tij (v. 995). Duke qënë fitimtarë, Grekët duhej, të paktën, të groposnin kufomat, por ata nuk e bënë një gjë të tillë. Dhe kronikanët bizantinë na bëjnë të ditur se, 21 vjet më vonë, perandori Bazil sodit me një kënaqësi barbare eshtrat e ushtrisë shqiptaro-vllehe, të shpërhapura mbi bregun e djathtë të Sperkios. Në vitin pasues, Samueli humbi edhe qytetin, edhe fortesën e Durrësit, për shkak të tradhëtisë së grekut Azot, me të cilin ishte martuar e bija e tij. Këto mënxyra sollën të tjerat, dhe diçka e habitëshme se Bazili, sa më shumë korrte fitore, aq më shumë bëhej çnjerëzor. I përforcuar me trupa ruse, ai dërgoi tu nxirrnin sytë të gjithë banorëve të Pelagonisë (rrafshina e Manastirit) dhe, një ditë tjetër, ai i ndan në tre pjesë robërit e zënë: e para për Rusët, e dyta për ushtrinë e tij, dhe e treta për atë vetë. Më vonë, Samueli mëson se perandori do të vinte përsëri të shkatërronte shtetet e tij. Sakaq ai ngre një ushtri të fortë dhe shkon ta presë atë në grykat e Cimba-longut dhe të Klides, jo larg Seresit. Dhe në të vërtetë, Bazili nuk vonoi të shfaqej. Të penguar në kalimet e lartpërmendura, Grekët u përleshën, duke pritur që një prej gjeneralëve të tyre të kthehej nga malet, dhe ti dilte armikut pas shpine. Atëhere ushtria shqiptaro-vllehe u kap në befasi, ashtu si dikur ushtria romake në bigëzimet Kaudine.
    Por në bigëzimet Kaudine, Samnitët u sollën si njerëz, ndërsa në Cimba-long Grekët u sollën si barbarë të llojit më të poshtër. Në fillim u therrën -thonë autorët grekë -një mori njerëzish të pambrojtur, pastaj, me përjashtim të një ndër njëqind, të cilin e lanë me një sy që tu prinin të tjerëve për tek Samueli, ata iu nxorrën sytë të gjithëve. Duke parë 15 mijë burrat me dy sy të nxjerrë, zemra e Samuelit nuk u mbajt më. Ai u zalis dhe, tre ditë më pas, vdiq nga hidhërimi në kështjellën e Prilepit (v. 1014).


    Shënime:
    -Sperkio -lumë në Thesali.
    -Larisa -qytet në Thesali, në lindje të Trikallës.
    -Cimbalong dhe Klide -vende dhe shtigje malore në verilindje të Selanikut, pranë qytetit Seres.
    -Samnitët -fis italik i lashtë i racës sabine, në Italinë qendrore, që në vitin 321 p.e.s, në luginën e Kaudinës rrethuan mes
    dy malesh dy legjione romake të cilat u detyruan të dorëzohen. Prej këtej rrjedh termi furkat Kaudine.

  9. #29
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 25



    Vladislavi vrau Vladimirin dhe Gabrielin me nxitjen e perandorit – Ai vetë u vra në selinë e Durrësit – Marrja e Ohrit – Arritja e Normanëve – Vrasja e Ibacit, Dragomirit dhe Sermit – Katër ushtri greke u shpartalluan në Shqipërinë e epërme


    I mbështetur nga Vladimiri, dukë i Trimalies (tre maleve) ose Zetës, kunati i tij Gabrieli, i biri i Samuelit dhe i mbiquajtur Romani, tashmë kishte hapur luftën, kur ata u vranë njëri pas tjetrit nga kushëriri i tyre, Gjon Vladislavi, i biri i Aharonit, vëllait të Samuelit. Ky Vladislav i kishte kaluar vitet e tij në Kostandinopojë. Ai ishte ende atje kur Samueli vdiq, dhe me nxitjen e Grekëve ai vjen në Prespë. Megjithatë, nga pohimi i autorëve, del se ai i kishte premtuar Bazilit të qeveriste në emër të tij Shqiptaro-Vllehët, dhe nuk ka dyshim aspak se ai i ka vrarë dy kushërinjtë e tij me nxitjen e vetë Bazilit. Por, as Bullgarët, as Shqiptaro-Vllehët nuk donin tu nënshtroheshin Grekëve. Vladislavit iu desh ta vazhdonte luftën dhe, më në fund, ai vetë u vra në rrethimin e Durrësit. Atëherë u arrit në gjendjen e arratisë dhe shkurajimit të përgjithshëm. Shumica e gjeneralëve dhe qeveritarëve pranuan propozimet e Bazilit dhe u nënshtruan edhe ata vetë. Por, të tjerët iu kthyen qëndresës, mes tyre, Ibaci i tmerrshëm që kishte shfarosur një ushtri greke në Pelagoni. Është e kotë të shtojmë se edhe ata vetë u vranë, dhe se Bazili përfitoi nga kjo rrëmujë për të plaçkitur Ohrin dhe thesaret që i kishte lënë aty mbreti i fundit i Shqiptaro-Vllehëve (v. 1017).
    Për të siguruar fronin e Prespës, Vladislavi kishte shkatërruar familjen e xhaxhait të tij Samuel. Tashmë, familja e tij do të binte krejtësisht në duart e Bazilit, i cili e çoi në Kostandinopojë dhe e nxorri në atë triumf makabër, në kohën kur Bizanti i dha titullin e urryer të Bullgaroktonit. Tregohet se pa ndërhyrjen e Bazilit, të bijat e Gabrielit kishin copëtuar në Kostur gruan e vrasësit të babait të tyre. Sidoqoftë, në vitin 1017, Grekët shtien në dorë Ohrin me mënyrat që janë parë. Por, në vitin pararendës, domethënë të njëjtin vit kur agjenti i Bazilit therri familjen mbretërore të Prespës, mbërrin nga Franca në Itali, pararoja e Normanëve të famshëm që do të dëbojnë Grekët përgjithmonë nga Italia, do ti mundin nën muret e Durrësit, duke i ndjekur deri në Vardar. Shumë shpejt do të rikthehemi në Shqipërinë qendrore. Por, tashmë, të themi me pak fjalë se çfarë ndodhi në Shqipërinë veriore. Më 22 maj 1015, në afërsi të Elbasanit, Vladimiri, duka i Trimalies (tri maleve), u therr nga vrasësit e paguar të Gjon Vladislavit. Kronika e Dioklesë na bën të ditur se mbi varrin e tij ndodhnin mjaft mrekulli. Kedreni, nga ana e tij, e cilëson si princ të drejtë, paqësor dhe të virtytshëm, dhe e quan Trimalie vendin ku mbretëroi ky princ i virtytshëm. Sipas asaj që thonë Kedreni dhe Kronika e Dioklesë, gjykohet se shtetet e Vladimirit shtriheshin nga Durrësi deri në Raguza. Meqë Vladimiri nuk la fëmijë, xhaxhai i tij Draguimir i zmbrapsi Grekët që shkuan nga Durrësi në Shkodër. Por, në vend që të luftonte me forca të barabarta, Bazili kërkoi ndihmën e vrasësve, dhe Draguimiri u vra nga thika e një vrasësi të paguar, në një kishë të kushtuar Shën Gjergjit, pranë Kotorrit. Autorët grekë nuk flasin për këtë vrasje, por Kronika e Dioklesë i akuzon pikërisht ata dhe, për të thënë të vërtetën, perandori grek ishte pjesëmarrës në këtë goditje. Tashmë, ai kishte vrarë, më 1018, Ibacin me anë të Eustatit, qeveritarit të Ohrit. Dy vjet më pas, ai përsëri vret princin e Serbisë me anë të Diogjen Sermit. Nga ana tjetër, dëshmi e pakundërshtueshme se perandori grek kishte vrarë Draguimirin, ishte se, menjëherë pas vdekjes së tij, ai pushtoi ushtarakisht principata të ndryshme ose Zhupani, të cilat përbënin shtetet e princit shqiptar, dhe se, të birin e tij Dobroslavin, e dërgoi në Kostandinopojë.
    Më vonë, duke mësuar se një lëvizje e madhe po ziente brenda shteteve të tij atërore, dhe se për të masakruar grekët kudo që ishin duhej veçse një prijës, Dobroslavi shpëton nga duart e tyre. Ai pritet si çlirimtar nga Diokleasit (v. 1039), Dalmatët dhe Serbët. Ai grumbulloi trupa dhe i shtypi njëra pas tjetrës ushtritë që Bizanti i kundërvuri atij, domethënë atë të Teodor Erotikut, atë të Hermenopulit, dhe atë të Gjergj Probatit. Atëhere Bizanti dërgon një ushtri edhe më të madhe. Ajo përbëhej nga 60 mijë burra. Por, në një betejë të vetme, Dobroslavi i vrau 40 mijë trupa, bashkë me ta edhe shtatë gjeneralë (v. 1043). Kjo betejë e fundit e çliroi tërësisht vendin prej Grekëve. Dobroslavi kthehet atëhere ndaj banëve apo qeveritarëve të Rashës (Novi Pazar), të Bosnjes dhe të Zaklominit (Hercegovina), të cilët kishin marrë anën e Grekëve. Pak kohë i mjaftoi atij për ti shtypur të gjithë, dhe për ti dëbuar nga vendi. Duke parë, më pas, se po vdiste, ai ia jep principatën e Shkodrës ose të Dioklesë, Radoslavit, njërit prej bijve të tij (v. 1047).


    Shënime:
    -Bazil Bullgaroktoni -perandor i Lindjes (976-1025), i mbiquajtur kasapi i bullgarëve për mizoritë e tij ndaj bullgarëve, shqiptarëve dhe vllehëve.

  10. #30
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 26



    Fragment i një krisobule të Bazil Bullgaroktonit – Leoni i Ohrit – Shkatërrimi i arkivave të metropolit ilir – ndryshimi i disiplinës midis Ohrit dhe Bizantit


    Fragment i një krisobule të Bazil Bullgaroktonit për Gjonin, arkipeshkvin e Bullgarisë: -”Nga të gjitha mirësitë që Perëndia, në kohë të ndryshme, i ka dhënë perandorisë sonë, mirësi shumë të mëdha e të panumërta, më e rëndësishmja është se jemi të gjithë të bashkuar nën të njëjtën bashkësi. Si rrjedhojë, kemi miratuar që murgu Gjon të bëhet arkipeshkv i Bullgarisë, dhe të gjitha çështjet që varen nga arkipeshkvia bullgare të jenë nën drejtimin e tij. Dhe, meqë na është kërkuar që ky arkipeshkv të kishte me shkresë numrin e klerikëve dhe të famulltarëve që shërbenin në kisha dhe famulli, si edhe numrin e ipeshkëve nën varësi, ne i kemi dhënë atij këtë krisobulë të pajisur me vulën e perandorisë sonë. Sipas kërkesës që na është bërë, ky ipeshkv do të ketë në kështjellat (kastra) e dioqezës të tij, domethënë në Ohër, Prespë, Makron, Kishavë (Krushevë), dyzet klerikë dhe tridhjetë famulltarë (protopopë). Ipeshkvi i Kosturit do të ketë në kështjellat e dioqezës së tij, domethënë, në Kostur, Kirestrou, në Kalonè, në Devoll, në Boazan dhe në Moron, dyzet klerikë dhe tridhjetë famulltarë. Meqë më parë ka patur më shumë, ne nuk duam që numri i tyre të kalojë atë të klerikëve dhe famulltarëve të arkipeshkvisë. Përsa i përket ipeshkvit të Gllavinicës, ne urdhërojmë që ai të ketë si në Gllavinicë, si në Kaninë, si në Neanisk dyzetë klerikë dhe dyzetë famulltarë. Ipeshkvi i Meglenit do të ketë qoftë në Meglen, qoftë në Prosak, qoftë në Muriqovë, qoftë në Setinë, qoftë në Ostrovë, qoftë në Zaodria, pesëmbëdhjetë klerikë dhe pesëmbëdhjetë famulltarë. Ipeshkvi i Bitoles do të ketë, si në Pelagoni, si në Përlep (Prilep), si në Devret, si në Velisë (Velesh), pesëmbëdhjetë klerikë dhe pesëmbëdhjetë famulltarë. Ipeshkvi i Strumnicës do të ketë, edhe në Strumnicë, edhe në Radovisht, edhe në Konecè, dymbëdhjetë klerikë. Ipeshkvi i Morovizdës (ndoshta Malëshovë) do të ketë, qoftë në Morovizdë, qoftë në Koziak, qoftë në Slavistë, qoftë në Stletivë (Slatin ose Slatina), qoftë në Dukoviz, qoftë në Pianicë, qoftë në Nealasuvan, pesëmbëdhjetë klerikë dhe pesëmbëdhjetë famulltarë. Ipeshkvi i Belezbudit (Velesvoda) do të ketë, si në Velesvodë, si në Shën Sinxhakon, si në Germani, si në Tepimeri, në Stop (Istip), si në nën-Suadisfion, dhe në Raslogë, pesëmbëdhjetë klerikë dhe pesëmbëdhjetë famulltarë. Ipeshkvi i Triadisës (Sofia) do të ketë, qoftë në Triadisë, qoftë në Pernikon…”.
    Këtu ndërpritet fragmenti që Zz.Rali dhe Pote thonë se e kanë nxjerrë nga një dorëshkrim i Gjerasimit, ipeshkvi i Argolidës, dhe që ata e kanë përfshirë në koleksionet e tyre (Vëll. 5, fq. 266). Zgjedhja e murgut Gjon duket se nuk ka qenë kundër kanoneve. Të paktën nuk mund të nxirret ky përfundim nga krisobula e mësipërme. Por, më pas, perandorët grekë i dhanë të drejtën vetes për të zgjedhur vetë primatin e Ilirisë, ashtu siç i kishin dhënë të drejtën vetes për të zgjedhur patriarkun e Kostandinopojës. Arkivisti Leon, thotë katalogu i ndjekur nga Lekyjen, ishte greku i parë që u ngjit në selinë e Ohrit.
    Tashmë, meraku i parë i ish-arkivistit të Shën Sofisë ishte të shkatërronte arkivat e metropolisë Ilire, dhe nuk mund të prisje tjetër prej tij. Foti e kishte ndaluar leximin e Ungjillit në latinisht në kishat e Kostandinopojës, ndërsa Mikel Cerulari i kishte mbyllur kishat latine atje. Dhe ishte mëse e natyrshme që bashkëpunëtori i Mikelit të shkulte të gjitha monumentet latine të vikariatit latin të Ilirisë. Megjithatë, dëshmia se ky vikariat ekzistonte ende në kohën kur Grekët thyen përgjithmonë unitetin e kishës, unitet i krijuar nga Papa Shën Agapiti dhe nga Justiniani në vitin 535, është se ishte mbajtur si Primati ose kishë autoqefale nga Grekët pushtues, ajo që kishte bërë Justiniani, dhe që u ripohua nga Bazil Bullgaroktoni rreth 480 vjet më vonë. Nga Justiniani deri tek Bazili, domethënë, në një hapësirë kohore prej rreth pesë shekujsh, gjenden prej nesh vetëm katër arkipeshkvë në selinë e Ohër-Justinianës: Kateliani dhe Gjoni, pastaj Filipi dhe Davidi. Megjithatë, nuk mund të mendohet se kishat e Ilirisë kanë qëndruar pa primat në një periudhë prej afro pesë shekujsh. Nga ana tjetër, shohim në arkivat bullgare, se papa Inoçenti ishte këshilluar që Simeoni, Pjetri dhe Samueli, të merrnin një kurorë perandorake nga selia apostolike. Nuk mund të supozohet se papa, qysh në fillim, të mos u ketë dhënë vazhdimësinë hierarkike kishave që gjendeshin në shtetet e këtyre princërve, dhe që këta princër të mos e kenë pranuar këtë në betimet e tyre, në këmbim të kurorës mbretërore-perandorake që kishin marrë. Vëmë në dukje, më tej, se disiplina e kishave të Ilirisë afrohej më shumë me atë të kishës romane, pasi ato ndiqnin liturgjinë dhe vareshin drejtpëdrejtë prej saj. Ajo e Bizantit ishte krejt ndryshe, dhe, pikërisht mbi këto ndryshime, ata u bazuan në skizmën e tyre. Për Grekët, një ndryshim disiplinor arrin të kthehet në një ndryshim dogmatik. Sapo u vendosën në selinë e primatisë Ilire, uzurpatorët e dërguar nga Bizanti e quajtën për detyrë të zëvendësonin me zakonet e tyre, zakonet e kishave të Ilirisë, dhe të zgjeronin hapësirën e skizmës së tyre.
    Disa autorë nuk e kanë vënë re këtë ndryshim midis disiplinës së Grekëve dhe të Bullgarëve dhe kur, më pas, arkipeshkvët e Ohrit, të bazuar mbi disiplinën e moçme të vendit, kryenin veprime që nuk i bënin patriarkët grekë, këta kanë përfytyruar se primati nuk i kryente detyrat e tij. Këtij ndryshimi të disiplinës i duhet atribuar kurorëzimi i një martese midis fëmijësh jashtë kurore, të cilën nuk kish dashur ta bënte, më 1183, Patriarku grek Teodori, dhe që e kreu primati i Bullgarisë. Këtij ndryshimi i duhet atribuar përgjigja e Dimitër Kamoterit të Ohrit drejtuar Kabazilës, ipeshkvit të Durrësit, mbi qëndismat e stolive priftërore, dhe, më së fundi, shenjtërimi i Bastardit të Epirit si perandor, pavarësisht protestave të peshkopit të Selanikut.


    Shënime:
    -Ohër, Prespë, Makron, Krushevë -dioqezë që përfshinte Ohrin dhe vendet përqark saj, Makroni dhe Krusheva në verilindje të Ohrit.
    -Kosturi, Kirestrou, Kaloneu, Devolli, Boazani, Moroni - dioqezë që përfshinte Kosturin dhe vendet përqark, në lindje të Korçës.
    -Megleni, Prosaku, Murikova, Setina, Ostrova, Zaodria -dioqezë që përfshinte vendet në juglindje të Manastirit.
    -Bitola, Pelagonia, Përlepi, Devreti, Velisa (Velesh) -dioqezë që përfshinte Manastirin dhe vendet në verilindje të tij, në perëndim të Vardarit.
    -Strumnica, Radovishta, Koneci -dioqezë në perëndim të lumit Strumicë, deri në Kystendil.
    -Morovizda (Malëshova), Koziaku, Slavista, Stletiva (Slatina), Dukovizi, Pianica, Nealasuvan -dioqezë me vendet në perëndim të Manastirit.
    -Belezbudi (Velezvoda), Shën-Sinxhakoni, Germani, Tepimeri, Stopi (Shtipi), Suadisfioni, Rasloga -dioqezë me vendet në pjesën lindore të Vardarit të poshtëm, nga Shtipi deri në Raslogën e sotme në Bullgarinë jugperëndimore.
    -Triadisa, Pernikon (Perniku) -dioqezë me Sofjen e sotme dhe qytetin e Pernikut në jug të Sofjes.
    -Mikel Cerulari -Patriark i Kostandinopojës që, me luftën ndaj kishave latine, solli ndarjen zyrtare të vitit 1054.

Faqja 3 prej 8 FillimFillim 12345 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •