Close
Faqja 2 prej 8 FillimFillim 1234 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 75
  1. #11
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 8


    Administrimi romak në Maqedoni dhe në trevat e Ilirëve


    Maqedonia, Iliria dhe Epiri, duke nisur nga viti 147 para Kr., në vend të mbretërve apo të pretorëve, kishin veçse prokonsuj ose magjistratë romakë si guvernatorë. Këta guvernatorë padyshim që nuk ishin të gjithë të mirë, por, edhe nuk ishin të gjithë të këqinj. I pari, që historia tregon se u soll keq, u denoncua në senat dhe, me të arritur në Romë, babai i tij i tha: -”Nuk të njoh më, ti nuk je i denjë për mua, as për familjen tonë: jashtë prej shtëpisë sime”. Pizoni, edhe ai, u denoncua në Romë, dhe u ndoq ligjërisht nga i mirënjohuri Ciceron. Në fjalimin para popullit romak, të cilin e kemi ndër duar, ky gojëtar i thotë Pizonit: -”Ju jeni i vetmi nga të gjithë prokonsujt e Maqedonisë që nuk keni hyrë në Romë nga porta e triumfit, -ju jeni i vetmi që, duke u kthyer nga Maqedonia, nuk keni fituar nderet e triumfit” (k. 23). Në Ilirinë dhe Maqedoninë, tashmë të pushtuara, Roma dërgon 15 komisionerë: 5 në Iliri dhe 10 në Maqedoni. Ata kishin për detyrë të riorganizonin vendin, dhe udhëzimet për to -thotë Tit-Livi (Lib. 45) -u diskutuan gjerësisht në senat. Midis tjerash, ata duhej të hiqnin taksat e vendosura mbi minierat dhe të përgjysmonin tributin që u paguhej mbretërve: -”Me këto masa -thotë Tit-Livi (libri 45, k. 18), -populli romak dëshmon se ai nuk u sillte skllavërinë njerëzve të lirë, por lirinë atyre që ishin skllevër”. Maqedonasit kërkuan një legjislacion të ri. Ai iu dha atyre, dhe po ky legjislacion ishte ende në fuqi në kohën që Tit-Livi përpilonte analet e tij. Kantu vëren veç tjerash (vëll. 5, fq. 205) se, për të rrënjosur sundimin e saj, Roma, gjithherët, kishte si kujdes parësor që tek të mundurit: -të asgjësonte fuqinë publike dhe lirinë konstitucionale, -të shkrinte konfederatat, -të fuste në ato vende një popullsi romake, -tu akordonte të drejtën e qytetarisë të gjithë vendasve që ishin të denjë për të. Jeta e 150 mijë familjeve të shpërngulura, dhe 70 qytetet e rrënuara në Epir me urdhër të senatit Romak, e bëri të vuante shumë grekun Plutark në biografinë e tij për Pal-Emilin (k. 29). Por çfarë provon këtë? Se Plutarku i gjykonte ngjarjet si grek, kurse Tit-Livi si romak.
    Nga ana tjetër, Thesalianët e masakruar apo të shndërruar në skllevër prej Grekëve, si dhe 150 mijë familjet e shpërngulura nga Pal-Emili, u zëvendësuan sakaq me të tjerë, me Vllehët e dërguar nga Italia dhe të organizuar në koloni nëpër Duumvire. Nëse vendi nuk do ishte ripopulluar nga kolonët e sjellë prej tjetërkund, si do kish mundur Pompeu të rekrutonte ushtarët po prej këtyre viseve, kur dijmë mirë se Roma, në këto kohë, rekrutonte ushtarë vetëm midis kolonëve dhe qytetarëve. Në komentaret e Çezarit, tashmë është çështja jo për aleatë por për rekrutë të vërtetë. Lexojmë këtu se as ushtarët e as kalorësit, nuk kishin braktisur Çezarin për të kaluar me Pompeun. Në vend të kësaj, çdo ditë vinin ushtarë të kampit të Pompeut drejt Çezarit, kryesisht nga ata që ishin rekrutuar në Epir, në Thesali dhe në zona të tjera që Çezari kishte nënshtruar. (Bellum Civile. libri 3, kap. 61).
    Pasi pushtohej një vend, kujdesi parësor i Romës ishte të lidhte kryeqytetin me anë të rrugëve ushtarake. Këtë bëri ajo edhe në Iliri dhe në Maqedoni. Rruga Egnatia, për të cilën flasin Polibi dhe Straboni, kishte dy degëzime në Adriatik: -e para në Apolloni, e dyta në Dyrrah, ku si njëra dhe tjetra takoheshin në Klaudiana. Duke iu ngjitur më pas maleve Kandave, ajo u shtri në fillim deri në Trakë, më vonë deri në Bosfor, dhe më tej edhe deri në Persi. Distancat shënoheshin me gurë ushtarakë. Çdo përrua, çdo lumë i madh apo i vogël, kishte nga një urë shumë të fortë. Kuajt e postës vendoseshin në distanca të caktuara. Çdo guvernator apo çdo zyrtar udhëtonte lirisht, por për civilët ishte e nevojëshme një leje ad hoc.
    Piloni ose Diavati ndante Ilirinë nga Maqedonia. Rruga Egnatia kalonte nëpër të. Duke u zgjatur më tej në Barnum ose Barnuntum (Perister), ajo arrinte në Heraklea të Pelagonisë. Duke kaluar, më pas, vendin e Linkestëve (Follorina) dhe të Eordëve (Ostrova), ajo merrte drejtimin për në qytetet e Edesës (Vodena) dhe të Pelas drejt Selanikut. Mbi Rrugën Egnatia, përpara Diavatit apo Pilonit, ne gjejmë Lyhnidin dhe liqenin e tij, Pont Serviliumin mbi Drin në rrethinat e Strugës, stacionin e Tre Tabernave (ose tre khanët e Domuzderit), qytetin e Skampinit, bigëzimin e Klaudianës në rrethinat e Elbasanit, pastaj Durrësin në veri mbi Adriatik, dhe Apoloninë në jug, domethënë në derdhjen e Vjosës. Duke folur për këtë rrugë që ai duket se e ka përshkuar, Straboni i emërton Epirotë kombet ose fiset shqiptare që ajo kishte në të djathtë, dhe Ilirë ata që kishte në të majtë. Në jug ishin malet e Kandavisë, dhe në veri malet ilirjane. Në ditët e sotme thuhet Gegët në veri dhe Toskët në jug. Ciceroni është një nga personalitetet më të shquar që ka përshkuar Rrugën Egnatia. I përndjekur nga Klaudi, të cilin e vrau Miloni më vonë, ai u kthye në Selanik, ku qe dëshmitar i orgjive të Pizonit dhe trupave të tij greke. Por rrethanat po ktheheshin në favor të tij, kështu që ai la Selanikun, iu afrua Romës, dhe u vendos në Durrës deri në ditën kur një senatus-consulte i dha fund ekzilit të tij. Kishte shpërthyer lufta civile midis Pompeut dhe Çezarit dhe përreth Dyrrahut u zhvillua beteja e parë. Falë pozicioneve që kishte zënë dhe përgatitjeve të kohëzgjatura, Pompeu arriti këtu të parën fitore. Por, në vitet në vazhdim, ai humbi një betejë vendimtare në Farsala të Thesalisë (9 gusht 48 para Kr.).
    Çezari kishte rrjeshtuar, megjithatë, veçse 22 mijë legjionarë dhe 1000 kalorës, kundër një këmbësorie të dyfishtë në numër, dhe një kalorësie shtatë herë më të madhe. Por, qysh prej dhjetë vitesh, trupat e tij jetonin nëpër çadra. E paktë në numër, ushtria e tij kishte epërsi në disiplinë dhe në përkushtimin ndaj prijësit. Mbi të gjitha, ai kishte një pararojë të pakrahasueshme ose legjionin kelt, që e bëri Çezarin sundimtar të Romës dhe zot të botës. Më vonë, Çezari u vra (viti 44), por, Oktavi, nipi i tij, dhe Antoni, një nga gjeneralët e tij më të mirë, ndoqën vrasësit dhe i shpartalluan në Filipe (42 para Kr.). Shumë shpejt shpërtheu një luftë e re, -ishte e treta midis Oktavit dhe Antonit, pasi ky i fundit i kishte lënë të motrën. Një betejë vendimtare u zhvillua në Epir, dhe fitorja mbeti në anën e nipit të Çezarit të madh (31 para Kr.). Pra, në Maqedoni, -në fillim në Thesali e më vonë në Filipe, -e, më në fund, në Epir, ishte caku ku u vendos fati i botës në tre variante të ndryshme. Pas Filipesë, Oktavi kishte qënë i pamëshirshëm: koka e Brutit u pre dhe u vendos në Romë nën këmbët e statujës së Çezarit. Pas Aktit, ai u tregua zemërbutë: -askujt prej robërve që kërkuan tu falej jeta, nuk iu refuzua kërkesa. Në Ilirinë e Epërme (Dalmaci dhe Myzi) u zhvilluan luftime të shumta midis ithtarëve të Pompeut dhe të Çezarit. Ishte veçse një rrjedhojë e luftës civile, dhe përplasja ndodhte Romak me Romak. Por, në kohën e Augustit, vendi u rebelua dhe u derdh mjaft gjak në rrethimet e qyteteve Andretium dhe Arduba. Tiberi, i cili u ngarkua të nënshtronte kryengritësit, thirri Baton, prijësin e tyre, dhe e pyeti se cili ishte shkaku që i kishte shtyrë të ngrinin krye.
    “Sepse -iu përgjigj me guxim Batoja, -ju vini ujqërit të ruajnë kopenë, në vend që t’ua besoni kopenë barinjve”.

    Shënime:
    -Klaudiana (Klodiana) -qendër e lashtë pranë Peqinit të sotëm, stacion rrugor ku takohen dy degëzimet e rrugës Egnatia,
    e Durrësit dhe e Apollonisë.
    -Pilon -Diavat -qytet në juglindje të liqenit të Ohrit.
    -Barnus -qytet në Maqedoninë jugperëndimore (theksojmë këtu se me Maqedoni, nënkuptojmë konceptin e vjetër
    gjeografik në kufijtë e Thesalisë, të Egjeut dhe Thrakisë, dhe jo konceptin politik të sotëm).
    -Heraklea -Manastiri i sotëm; Edesë (Vodena) -në Maqedoninë jugore.
    -Pela -qytet në Maqedoni mbi gjirin e Selanikut, kryeqyteti i Maqedonisë prej 400-168, e quajtur dhe Dioklecianopoja.
    -Ponservili -stacion rrugor në lindje të Tre Tabernave, stacionit rrugor pranë Qukësit.
    -Skampin -qytet i lashtë pranë Elbasanit.
    -Farsala -qytet në jug të Thesalisë.
    -Filipè -qytet në kufijtë e Maqedonisë dhe Thrakës, në lindje të Selanikut, pranë detit Egje.
    -Akti -liman në Epir në gjirin e Ambrakisë, ku u zhvillua beteja e famëshme detare mes Oktavianit dhe Antonit në
    vitin 31 p.e.s.
    -Arduba (Arduha) -kështjellë në veri të Dalmacisë.
    -Andretium -qytet i lashtë në Dalmaci, në veri të Salonës.
    -Myzia -krahinë ilire mbi Dardaninë, afërsisht në territoret e Serbisë së sotme.

  2. #12
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 9


    Epoka kristiane


    Atëkohë u vendos një heshtje e thellë në të gjithë universin, dhe, në mes të kësaj heshtjeje të thellë, lindi Jezu Krishti, paqëtori më i madh i popujve dhe i shpirtërave. Vetë Augusti e ndihmoi, pa e ditur, në vënien në jetë të dekreteve hyjnore. Profetët kishin thënë se Mesia, shpresa e popujve, kishte lindur në Betlehem. Regjistrimi i popullsisë, i urdhëruar nga perandori i madh, e detyroi Jozefin dhe Marien të shkonin atje. Mbretërimi i demonit do të pasohej nga perandoria e Jezu Krishtit dhe e Kishës së tij. Megjithatë, Augusti donte të përjetësonte kujtimin e fitores së tij. Ai e rrethoi me mure të fortë vendin ku ai kishte shtrirë fushimin e tij në Akti, duke ngritur ndërtesa të hijëshme dhe duke ua dhuruar ato një pjesë banorëve të Ambrakisë, dhe të tjerat banorëve të shumë qyteteve epirote që luftërat e mëparëshme i kishin shkatërruar. Në kohën kur Straboni viziton Nikopojën, popullsia e këtij qyteti ishte e shumtë në numër dhe tregëtia e saj lulëzonte. Nipi i vogël i Augustit dhe djali i vogël i Antonit, Germaniani, përfitoi nga çasti kur riparoheshin aty anijet e tyre, për të parë Nikopojën. Ai e vizitoi atë në tërësi, si dhe kampin e të mundurve dhe monumentet e ngritura nga ngadhënjyesi. Dhe kjo ishte për të - thotë Taciti -një ndijim i dyfishtë gëzimi dhe dhimbjeje. Krishtërimi u predikua këtyre anëve nga një prej apostujve më të mëdhenj. Shën Pali na bën me dije se ai vetë kaloi në Nikopojë, në dimër të vitit 64, dhe se dha një pritje në Shën Tite (Letra 3. 12). Në këtë kohë, vetë apostulli kishte predikuar tashmë Ungjillin në Maqedoni, sidomos në Filipe, Selanik dhe në Bereja (Veria). Letra që ai i shkroi nga Roma banorëve të Filipesë, dhe dy letra që ai shkroi nga Korinti banorëve të Selanikut, figurojnë midis librave të Testamentit të Ri.
    Ky apostull ishte në Azinë e Vogël, kur një ëngjëll iu shfaq në formën e një plaku, dhe e ftoi të kalonte në Maqedoni pasi tashmë populli ishte i gatshëm të priste lajmin e ri.
    Në letrën e tij shkruar Romakëve (15. 19), Shën Pali thotë se ai kishte predikuar Ungjillin deri në Iliri, por nuk dihet nëse ai ka kaluar nëpër Maqedoni apo nëse ka ardhur nga Adriatiku. Pasi u kishte predikuar Ungjillin popujve të Skithisë, Ilirisë dhe të Epirit, Shën Ndreu vdes në Patra. Për ti dhënë rëndësi e për të çoroditur të paditurit, patriarkët e Kostandinopojës ia atribuan këtij apostulli themelimin e qytetit të tyre. Nestori ia atribuoi atij edhe themelimin e selisë në Kiev. Pohime të tilla nuk i qëndrojnë dot kritikës, por është e vërtetë se vëllai i Shën Pjetrit predikoi Ungjillin në Bizanc. Vetëm Grekët e bënë atë të harronte atë çka kishte dëgjuar prej Jezu Krishtit ti thoshte Shën Pjetrit, dhe të bënin Prodromin ose Gjon Pagëzorin e një Foti. Aristarku, i martirizuar në kohën e Neronit, është i pari ipeshkv që ne gjejmë në Selanik. Por, me sa duket, ky qytet nuk duhet të ketë pasur vikarë apostolikë përpara Shën Askolit, të cilin e shohim të pagëzojë perandorin Teodori i Madh. Shën Dimitri ishte martirizuar këtu në kohën e Dioklecianit, në vitin 307. Heliodori, i pari ndër ipeshkvët që e gjejmë në Nikopojë, nënshkroi letrën e shkruar për kishat nga koncili i Sardikës ose Sofias. E njëjta letër ishte nënshkruar, po ashtu, nga Paregori, i pari ipeshkv që e gjejmë në Shkup. Në Shkodër ne nuk gjejmë ipeshkvë para Basit (fundi i shekullit të katërt), dhe Dyrrahu, që duket se ka qënë i drejtuar nga ipeshkvi Apolon, në kohërat apostolike u ngrit në metropoli vetëm në shekullin e pestë. Ipeshkvi Shën Ast, Peregrini, e shumë të tjerë, vuajtën mjaft aty nën Trajanin. I dëbuar nga Roma prej Domicianit, bashkë me filozofët e tjerë grekë, Epikteti u tërhoq në Epir, dhe qëndroi këtu deri sa ishte gjallë ky perandor (v. 90-96). Megjithatë, perandori Adrian e vlerësonte shumë atë. Por Lukiani tallet me një njeri që pagoi tre drahme për llampën që përdorte Epikteti. Blerësi kishte besuar se, duke punuar nën dritën e kësaj llampe, ai merrte nëpërmjet saj dijet e ish zotëruesit të saj. Përveç kësaj, filozofia e Epiktetit ishte ajo e filozofëve idhujtarë. Një i krishterë nuk i jep shumë rëndësi, meqënëse ka në Ungjill dhe në shembujt e shenjtorëve, parimet e mira dhe modelet më të larta.
    Papa Eleuteri, që mbajti mbajti selinë papnore nga viti 177 deri në 186, ishte nga Nikopoja. Atij iu kërkua nga një mbret i Anglisë të bëhej i krishterë. Për atë dhe gjithashtu për parardhësit e tij, Shën Ireneu, arkipeshkv i Lionit na jep këtë dëshmi:
    -Prej këtyre Papëve na është ruajtur tradita dhe predikimi apostolik. Duket qartë se besimi i madh fetar i këtyre ipeshkëve është i njëjtë me atë të apostujve, dhe se na është përcjellë prej tyre me të gjithë pastërtinë e tij. Nikopoja u rimëkëmb nga perandori Julian rreth vitit 361 pas Kr. Pallatet e saj - thotë Mamert -u shembën një kohë nga të gjitha anët, portikët e saj nuk kishin më çati, ujësjellësit nuk sillnin më ujë, dhe lojrat e tyre publike, të krijuara nga Augusti, e të hedhura poshtë nga të krishterët, nuk tërhiqnin më njeri aty. Nikopoja ishte pushtuar dhe plaçkitur nga Xhenseriku, në vitin 475. Ambasadori grek iu ankua atij duke e cilësuar si një akt armiqësie, dhe Xhenseriku u përgjigj:
    -”Kisha të drejtë të veproja atëhere si armik. Tashmë, ju më propozoni paqen, unë jam gati të mirëkuptohem me ju”.
    Nikopoja u rrënua, gjithashtu, edhe nga mbreti i Gotëve, Totila, në vitin 542. Flitet se qyteti u shkatërrua edhe nga ardhacakët bullgarë të vitit 933. Kedreni shkruan se, vetëm duke qënë të detyruar të linin Bullgarinë, ithtarët e një farë Mikeli gjetën aty strehë. Qyteti u mor nga Dolioni më 1040, -shton Kedreni. Shkatërrimi i Nikopojës, pra, ishte ose vepër e kohës, ose e Grekëve. Nikopoja, për një kohë të gjatë, ishte metropolia e gjithë Epirit. Roli që luajtën ipeshkvët e saj ishte nga më të nderuarit. Ne gjejmë Heliodorin në koncilin e Sardikës, Donatin në atë të Efesit, Atikun në atë të Kalkedonisë. Eugjeni jetoi nën perandorin Zenon, Alkizoni nën Anastasin, Danieli nën Leon Dijetarin. Kur në shekullin e 12-të, Nikopoja ishte shkretuar, qoftë për shkak të Saraçenëve të Kartagjenës, qoftë prej shkaqesh të tjera, të drejtat e saj të metropolit i kaluan në fillim Naupaktit (Lepanto), në vijim Artës, e më tej Janinës.
    Por çfarë ndryshimi midis ipeshkëve të Janinës dhe atyre të Nikopojës. Për të mos u kthyer më në këtë qytet, le të themi më së fundi se, në vitin 1792, një konsull i Francës, M. dë Lasal, u vra atje nga një ushtar i kapedan Lepeniotit, dhe se, në vitin 1798, një trupë prej 280 francezësh u zhduk në këto rrënoja të vjetra, pasi luftoi aty shumë ditë kundër forcave 20 herë më të mëdha të Ali Tepelenës.
    Ata që mbijetuan -thotë Pukëvili -u dërguan në Janinë, të ngarkuar me kokat e shokëve të tyre, të cilat ua kishin rrjepur për së gjalli.
    Nga goja e tyre, Pukëvili mësoi vuajtjet e pësuara gjatë robërisë në Shtatë Kullat e Kostandinopojës. Por, sa mizorisht e kanë pësuar Suljotët dhe Prevezasit tradhëtinë e tyre ndaj francezëve.


    Shënime:
    -Nikopoja -qytet në Epirin e vjetër, Preveza e sotme.
    -gjendja e dyfishtë e Germanianit -Duke qënë nipi i Augustit dhe i biri i Antonit, duhej të përjetonte ngadhënjimin e
    të parit dhe humbjen e të dytit, në betejën e njohur të Aktit.
    -Bereja -Veria e sotme, qytet mbi gjirin e Selanikut, në jug të Edesës.
    -Patra -qytet në bregun veriperëndimor të Peloponezit.
    -Serdika -qytet i vjetër, në Sofjen e sotme.
    -Trajani (98-117 e.s), Domiciani (81-96), Adriani (117-138), Juliani (361-363) -perandorë romakë.
    -Epikteti -filozof stoik i shekullit I, lindur në Frigji.
    -Lukiani -shkrimtar i lindur në Siri (125-192).
    -Kedreni -autor bizantin me Përmbledhje historish për mesjetën.
    -Totila -mbreti i Ostrogotëve (541-552).
    -Xhenseriku (428-477) -mbreti i parë i Vandalëve që u instaluan në Afrikën Veriore.
    -Efes -në veriperëndim të Azisë së Vogël; -Kalkedonia -në Azinë e Vogël.
    -Zenoni (474-491), Anastasi (491-518), Leon Dijetari (866-912) -perandorë romakë të Lindjes (Perandorisë Bizantine).

  3. #13
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 10



    Romanizimi i Ilirisë


    Në shekullin e katërt para Krishtit, historianët grekë quanin Iliri bregun lindor të Adriatikut, që prej kreut të këtij deti në veriperëndim, deri në malet Arokeraune në jug, ku fillonte Epiri. Në brendësi të tokës, Iliria shtrihej deri në Sava në verilindje, dhe në lindje deri në degën e Drinas midis Bosnjës e Serbisë. Mali Skardus i ndante më tej, nga Maqedonia dhe Traka.E përshkuar nga verilindja dhe juglindja nga zgjatimi i Alpeve Juliane, ajo ishte e pasur me ishuj, strofulla të piratëve, dhe ndahej nga tre lumenj kryesorë: Kerka ose Tatius që derdhet në det në Skardona, Narenta ose Naro, dhe Drini jugor ose Drilo. Iliria jugore përfshihej midis Drinit dhe maleve Akrokeraune. Roma fillimisht pushtoi vetëm Ilirinë jugore, Maqedoninë dhe Epirin. Pushtimi i Ilirisë veriore ishte vepër e Oktavit para betejës së Aktit. Por, këtu, është me rëndësi të përmendim atë çka vë në dukje Apiani.
    -”Romakët -thotë ky autor -nënkuptonin me emrin e përbashkët të Ilirëve, jo vetëm Dalmatët dhe fiset fqinje, por edhe Panonët, Myzët, dhe të gjithë popujt që gjendeshin në të djathtë të rrjedhës së poshtëme të Danubit. Unë nuk kam arritur të zbuloj -shton historiani i lartpërmendur -se kujt i ka lindur kjo bindje. Por, padyshim, kjo dëshmohet në ditët e sotme, dhe tributi që paguhej prej gjithë këtyre popujve, që prej Pont Euzinës (Deti i Zi) e deri në Istria, quhet në mënyrë të përbashkët tributi Ilir”.
    Puansinjo e shpjegon emrin e përbashkët të Ilirisë si të dhënë gjithë këtyre popujve prej kthimit të Ilirikumit në dukat ose në qeverisje ushtarake. Por Desdevizi e gjen arsyen në një homogjenitet të racës, se të gjithë këta popuj ishin ilirë (Maqedonia e lashtë, fq. 59). Sidoqë të jetë, duke u bërë provincë e perandorisë së madhe romake dhe duke u shtrirë, -përfshirë këtu Maqedoninë dhe Epirin, -nga Adriatiku deri në Detin e Zi, Iliria bënte shumë më tepër një jetë të përbashkët se në të gjitha të tjerat, në Francë, në Angli, në Spanjë, në Itali. Dhe në këtë jetesë të përbashkët, ajo mori formën romake dhe pranoi zakonet që ishin krijuar në krahun lindor të qytetërimit kristian, pa intrigat antikristiane të frymës bizantine. I nisur nga viti 168 para Kr., me pushtimin e Shqipërisë, Epirit dhe Maqedonisë, romanizimi i gadishullit ilirjan u përmbush në vitin 46 të erës kristiane, me shndërrimin e Trakës në provincë romake.
    Dy elementë kontribuan për këtë: shkollat dhe legjislacioni. Me thënë të vërtetën, Roma nuk iu diktonte të mundurve, as gjuhën dhe as ligjet e saj. Por ajo ngrinte një shkollë latine në të gjitha qendrat kryesore, në mënyrë që të mund të kuptoheshin me guvernatorët, pasi guvernatorët duhet të flisnin vetëm latinisht, madje edhe në Greqi. -thotë Maksim Valeri. Roma u jepte, ndër të tjera, një legjislacion të veçantë atyre që ia kërkonin atë. Maqedonasit e morën një të tillë pasi ia kishin kërkuar Pal Emilit, dhe -thotë Tit-Livi, -”ai duket si të ishte hartuar, jo për armiq të mundur, por për aleatë që kishin kryer shërbime të rëndësishme” (lib. 4, k. 32). Ka të ngjarë që Anici të ketë përpiluar të tillë të ngjashëm për gjithë Shqipërinë, prej gjirit të Kotorrit deri tek ai i Ambrakisë.
    Por për të respektuar zakonet kombëtare, Roma i jepte emrin e qytetarit romak kujtdo që e meritonte atë. Ka të ngjarë që, qysh në kohën kur perandori Karakala e shtriu të drejtën e qytetarisë romake në të gjithë qytetarët e perandorisë, zakonet vendase duken se shfuqizohen në parim (viti 211-217). Sidoqoftë, romanizimi tashmë kishte vepruar aq shumë në Iliri mbi elementët kombëtare të cilët përbënin vendin, dhe kishte arritur ta bënte atë, falë krishtërimit, një vend pothuaj aq homogjen, saqë Konstantini i Madh i ktheu krahinat ilire në një shtet të dallueshëm, të udhëhequr nga nipi i tij Dalmati. Kush ishte ai që shfuqizoi urdhëresat testamentare të perandorit të madh? Fraksioni helen i lidhur pas arianizmit dhe që ishte i gjithëpushtetshëm në atë kohë. Ky fraksion veproi kundër vullnetit të Konstantinit. Dalmati që kishte ardhur në Kostandinopojë, u masakrua. Shtetet e këtij princi, duke ndjekur idetë e Konstantinit, duhej të krijonin një bashkësi të aftë për tu rezistuar barbarëve.
    Por të përçarë, të dobësuar, të kthyer në të paaftë të përballonin armikun, ata do të bëhen pronë pasi kishin qënë prè e tyre. Qëllimi ynë nuk është të ripërshkruajmë tallanditë e dhimbshme të gadishullit ilir në kohën e dyndjeve barbare. Por, kjo është një pikë mbi të cilën, sot më tepër se në çdo kohë tjetër, është e rëndësishme të krijohet një mendim i qartë. Si ndodhi në të vërtetë, që në Romania (provincat ilirjane), nuk ndodhi ashtu si në Francë, në Itali, në Spanjë, madje edhe në vetë Anglinë? Me fjalë të tjera, si ndodhi që sllavizmi mbizotëroi këtu mbi romanizmin? Cili ka qënë shkaku? Pafuqia e Grekëve dhe fryma e tyre përçarëse. I vendosur në Bizant në qendër të romanizmit, helenizmi i mori emrin, por nuk kreu veprat e tij. Në vend që t’i përmbahej vendimeve të paevokueshme të koncilëve ekumenikë, dhe të linte pushtetin civil të përqëndronte vëmendjen e tij në mbrojtjen e kufijve, ai e ktheu pallatin perandorak në një arenë teologjike. Dhe është diçka që bie në sy se, pikërisht në ato kohë kur kufiri ishte më i kërcënuar se kurrë, dhe kur krahinat ilire pësonin shkatërrimet më të rënda nga Gotët, Hunët, Avarët, -Grekët ziheshin me më shumë tërbim. Me një fjalë, në momentin kur krahinat binin njëra pas tjetrës në duart e barbarëve, ata bënë saktësisht atë çfarë do të bënin edhe në çastin kur Turqit pushtuan Kostandinopojën (Studime historike mbi Vllehët e Pindit, fq. 213-214).


    Shënime:
    -Skardus (Skardi) -malet e Sharrit, në veriperëndim të Shkupit.
    -Alpe juliane -Pjesa më lindore e alpeve që ndajnë Istrinë nga Panonia. Nëpër këto alpe kalonte rruga nga Emona
    (kryeqendër në veriun dalmat) në Akuila që lidhte Italinë me Ilirikun.
    -Kerka ose Tatius -në veri të Dalmacisë.
    -Skardona -qytet i Liburnisë, në qendër të Dalmacisë, mbi Salona.
    -Narona (Narenta) -qytet buzë lumit Narenta, përballë ishujve dalmatë, në veri të Malit të Zi.
    -Apiani -historian i lindur në Aleksandri të Egjyptit, (fundi i shekullit I-170 e.s.), autor i “Historia Romake”
    (Luftërat civile), ku jepet kuptimi i Ilirisë në këndvështrimin romak.
    -Valeri Maksimi -shkrimtar romak i fillimit të shekullit I, autor i “Ngjarje e thënie të shënuara”.
    -Karakala -perandor romak (211-217), djali i Septim Severit.
    -Dalmati -M.A.Probi i lindur në Sirmium (qytet në Myzinë veriore, mbi Sava), perandor romak (276-282).
    -Grekët -ky përcaktim nuk është për grekët si kombësi, por për fraksionin kundër Konstantinit që krijoi ndarjen e
    perandorisë prej sektit arianist.

  4. #14
    i/e regjistruar Maska e cool_shqype
    Anëtarësuar
    30-05-2007
    Vendndodhja
    jetoj me lemoshat e nanes natyre
    Postime
    1,024
    Pune E Shkelqyer...

  5. #15
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 11


    Legjionet ilire dhe perandori Sever
    Protesta e tyre kundër shitjes së perandorisë nga pretorianët



    Perandori Sever nuk ishte aspak shqiptar nga prejardhja, por ai komandonte legjionet ilire në kohën kur, apo pasi kishin therur Pertinaksin, rojet perandorake i shitën perandorinë romake Ded Julianit me një çmim prej 6.250 drahmesh për ushtar. Senati, duke mos patur pushtet, e lejoi këtë, por një pazar i tillë shkaktoi zemërimin e të gjithë legjioneve romake. Ato të Anglisë shpallën perandor gjeneralin Albin, ato të Sirisë Peçen Negrin, dhe ato të Ilirisë Septim Severin. Tashmë legjionet ilire rekrutoheshin veçanërisht në Shqipëri dhe në Maqedoni. Për të mos nxitur ambicien tek kolegët e tij, Severi nuk dëshironte që ta merrte vetë funksionin perandorak. Ai priti që t’ia impononte ushtria e tij. Vetëm se -thotë Herodiani (libri 2), -ai fitoi bindshëm kundër gardës pretoriane. Midis të tjerash, ai e akuzoi atë (gardën) se kishte masakruar Pertinaksin pasi i ishte betuar për një besnikëri të shenjtë, dhe ai do donte që një burrë energjik të hakmerrej për vdekjen e tij dhe të vendoste nderin e perandorisë. Dhe këto fjalë -shton Herodiani -iu erdhën për shtat ushtarëve të Ilirisë, të cilët kishin shërbyer nën Pertinaksin në kohën e Mark Aurelit, dhe kishin admiruar dashurinë e tij ndaj ushtarëve, po aq sa edhe guximin e tij. Duke parë tek ata nderimin e thellë për Pertinaksin dhe mllefin ndaj atyre që e vranë, Severi shfaqej mospërfillës ndaj gjithçkaje tjetër, përveç hakmarrjes aq të dëshiruar prej ushtarëve.
    Ushtarët e besuan -thotë Herodiani -pasi, aq sa ishin shtatviganë dhe turreshin sypatrembur nëpër luftime, po aq pak ata ishin të aftë të kuptonin ndjenjat e vërteta të atyre që i rrethonin. Plotësisht të bindur se Severi nuk mendonte aspak për lartësimin e tij, ata u dhanë me shpirt pas tij, dhe e shpallën perandor.

    “Nuk e prisja kurrë -u përgjigj Severi -ta shihja veten në këtë vend ku më kini ngritur. Lidhja me sovranët e mi të ligjshëm më kishte penguar të pretendoja për diçka të tillë, por pasi ju ma ngarkuat si detyrë, as ju, as unë, nuk duhet ta lëmë perandorinë për një kohë të gjatë në këtë llum.
    Qortimet që mund të bëheshin për Komodin, nuk mund ti adresoheshin Pertinaksit, këtij plaku, vlera dhe urtësia e të cilit do të mbeten përgjithnjë në kujtesën time.Pretorianët, jo vetëm që guxuan të ngrenë duart e tyre të mallkuara mbi të, por, për më tepër, ata nuk patën turp të shisnin me çmim poshtërues një perandori që shtrihej tejetej, mbi tokë e mbi det. Po aq sa janë të poshtër, aq më pak janë për tu pasur frikë. Këta janë ushtarët e paradës e të ceremonisë. As për nga guximi, as për nga numri, ata nuk krahasohen dot me ju.Në të vërtetë, ju jeni, ju, të mësuar të shihni armikun përballë, të duroni marshimet më të gjata, të qëndroni të paepur karshi të ftohtit dhe vapës, etjes dhe urisë, e të kapërceni lumenjtë e mbuluar nga akujt. Përkundrazi, kohortat pretoriane, të zhytura mes luksit dhe qejfeve të Romës, nuk do të dijnë t’i bëjnë ballë pranisë suaj”.

    Sapo mbaron këtë fjalim, ai niset drejt Romës. Kudo tmerri i paraprinte shfaqjes së ushtrisë së Ilirisë. Vetë pretorianët dalin përpara pa armë. Duke i rrethuar me legjionet e tij, Severi nisi t’i qortojë për vdekjen e Pertinaksit dhe për pazarin e turpshëm me Dedin. Ai iu hoqi flamujt ushtarakë, dërmoi kohortat e tyre, dhe theu mbrojtjen e tyre në rrethinat e Romës. Kështu ra, në sajë të legjioneve ilire, kjo gardë turbulluese, prej jeniçerësh të vërtetë otomanë dhe strelicësh të vërtetë rusë. Fillimet e saj ishin të errëta, dhe ajo do të mbaronte duke përvetësuar të drejtën për të shitur perandorinë në ankand.

    Shënime:
    -Septim Severi -perandor romak (193-211).
    -Pertinaksi -perandor në vitin 193, zëvendësoi Komodin, por u vra po atë vit nga garda pretoriane.
    -Ded Juliani -rival i Septim Severit, me origjinë siriane.
    -Mark Aureli -perandor romak (161-180).
    -Komodi -perandor romak (180-192), djali i Mark Aurelit.
    -Herodiani -shkrimtar me prejardhje nga Siria (shekulli II-III e.s.), shkroi për historinë e Romës pas vdekjes së
    Mark Aurelit.

  6. #16
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 12


    Shën Gaji, Shën Donati dhe Shën Askoli – filozofët paganë – ndarja e perandorisë romake



    Shqipëria e jugut (Epiri) i pati dhënë një papë Kishës Katolike. Shqipëria veriore i dha një tjetër. Ne dëshirojmë të flasim për Shën Gajin, nipin e perandorit Dioklecian, që për 12 vjet (283-296) mbuloi drejtimin e selisë së Shën Pjetrit. Një Shqiptar, pra, gjendej në krye të Kishës, në të njëjtën kohë kur xhaxhai i tij ishte në krye të perandorisë. Tashmë, fakti që nipi i perandorit Dioklecian ishte papë, dhe se gruaja e tij Priska dhe e bija e tij Valeria ishin të krishtera, dëshmon bindshëm se numri i të krishterëve duhet të ketë qënë i madh në oborrin e tij, dhe se ai vetë pak rëndësi do ti ketë kushtuar paganizmit. Por, duke mos qeverisur dot vetëm, ai u rrethua nga njerëz që e detyruan të përndiqte kristianizmin. Ky ishte shkaku fillestar i gabimeve që e bënë të urryer kujtimin e tij. Midis tjerash, thuhet se ai shpresonte të bënte për vete Galerin, duke e martuar me Suzanën, mbesën e Papa Gajit. Por, meqë pati bërë betimin e virgjërisë me duart e papës, xhaxhait të saj, Suzana refuzoi dorën e Galerit. Dhe kjo solli si rrjedhojë urrejtjen e skëterrëshme kundër të krishterëve që dallojmë tek Galeri. Valeria, e bija e Dioklecianit, u detyrua atëhere të martohej me Galerin dhe të hiqte dorë nga kristianizmi. Por sa fatmjerë ishte ajo pas kësaj! Të arratisura për një kohë të gjatë, dhe të kërkuara më kot prej Dioklecianit, Valeria dhe Priska përfunduan të fshehura në Selanik. Por Licini, duke zbuluar strofkën e tyre, i detyroi të hidheshin në det. A e kish parashikuar se, ai vetë bashkë me të birin e tij, do të vriteshin po aty, më pas, nga Konstandini i Madh?
    Dy filozofë të Epirit, Prisku dhe Hifikli, luajtën një rol të madh në oborrin e Julianit. Në kohën e Valentinianit, Prisku u akuzua për magji. Por doli i pafajshëm dhe u dërgua përsëri në Epir, ku vdiq nga dhimbja prej lajmit se tempulli i Eleuzisë, ku idhujtaria ishte e mbrojtur si në një fortesë, ishte përmbysur nga Alariku (v. 396). Hifikli, filozofi tjetër i Epirit, por filozof cinik, kishte qënë, gjithashtu, mik i afërt me Julian Apostatin. I ngarkuar prej Epirotëve të shkonte në oborrin e Valentinianit për ti bërë lëvdata guvernatorit Probi, ai e teproi kaq shumë, saqë Valentiniani e pyeti nëse lëvdatat e tij ishin vërtet të sinqerta. “Madhëri, -iu përgjigj Hifikli -midis zhvatjeve që na bëjnë të rënkojmë, lëvdata që Probi shkëput prej nesh, është ajo që na kushton më pak”.
    Duke mësuar më pas, se të gjithë Epirotët e shquar që ai kishte njohur, ishin vrarë ose më tepër kishin kërkuar strehë përtej detit, Valentinianit i hipi një zemërim i madh, pasojën e të cilit Probi do ta kishte ndjerë patjetër, nëse Valentiniani nuk do kish vdekur nga një tërbim edhe më i madh (v. 375). Në momentin kur, prej filozofisë së tyre të vjetëruar, Prisku dhe Hifikli nderonin në Epir paganizmin që po jepte shpirt, Donati, ipeshkvi i Evorit, nderonte atje kristianizmin në sajë të virtyteve të tij të pashembullta. Autorët thonë se kryheshin shumë mrekulli në varrin e tij. Donati rrojti deri në kohën e perandorit Teodos. Nuk dihen as koha e as hollësitë e vdekjes së tij të mirësishme. Në po atë periudhë, kur Shën Donati e bënte shembull Epirin me virtytet e tij, Shën Askoli lartësonte të gjithë Ilirinë me të tijat. Shën Askoli ishte me origjinë nga Kapadokia dhe mik i veçantë i Shën Bazilit të Madh. Duke patur frikë se mos ngjitej në fronin episkopal, ai u arratis në Akai. Aty ai ishte murg kur u zgjodh për selinë e Selanikut. Një zgjedhje e tillë ishte mëse e pranueshme për Papa Shën Damazin, aq sa ai i besoi atij dhjetë krahinat që krijonin në atë kohë vikariatin e Ilirisë dhe që përfshinte, ndër të tjera, të gjithë Shqipërinë.
    Duke qenë i sëmurë në Selanik, Teodosi i Madh e thërret Askolin dhe e pyet nëse ishte arian apo katolik. Katolik, -u përgjigj Askoli -dhe, falë Zotit, e gjithë Iliria ka ruajtur të paprekur besimin e Nikesë, pavarësisht ndonjë intrige që u përdor për ta shtyrë atë drejt humbjes së këtij besimi. I kënaqur pamasë nga kjo përgjigje dhe nga ky takim, Teodosi lejoi pagëzimin, dhe, i shëruar pas pak ditësh, shpalli besimin cunctos populos, ku iu ndalohej heretikëve të merrnin emrin e katolikëve (v. 380). Një vit më parë (v. 379), u realizua ndarja midis perandorëve Gracian dhe Teodos. Për këtë duhet besuar Le Bo (lib. 20, k. 44), se Graciani i la Teodosit Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa Selaniku do të bëhej kryeqyteti i Ilirisë lindore. Dhe në Epir u tërhoq Alariku, pasi kishte plaçkitur Greqinë në vitin 396. Ai qëndroi aty fillimisht tre vjet, dhe, më pas (v. 405), kaloi dimrin në të, duke pritur të vinte Stilikoni e ta ndihmonte për të pushtuar Ilirinë. Por, meqë Stilikonin e kishin vrarë, ai kaloi në Itali, dhe atje plaçkiti Romën (v. 410).
    Përpara se të vdiste, Konstandini i Madh e pati ndarë perandorinë tepër të madhe të Romës, midis tre bijve dhe dy nipërve të tij. Pjesa e Dalmatit përbëhej nga Maqedonia dhe Shqipëria në qendër, në jug nga Greqia dhe ishujt, në lindje nga Thraka, dhe në veri nga Dakia. Me trupat dhe burimet e një shteti të tillë, Dalmati mund të ndalte barbarët e veriut, dhe kjo ishte pikërisht ajo çka dëshironte Kostandini. Por ai u vra prej fraksionit greko-arian, dhe përherë, që prej asaj kohe, kufiri i vendit mbeti i hapur ndaj sulmeve barbare. Të bashkuara sërish me në krye Teodosin e Madh, të gjitha krahinat e perandorisë u ndanë përfundimisht midis dy bijve të tij: Arkadit dhe Honorit. Rodopet në jug, Eski (Iskra, lumë i Sofjes) në veri, shërbyen si kufij për dy perandoritë. Maqedonia dhe Shqipëria, Greqia dhe Dakia (bullgaro-serbe) i përkisnin perandorisë së Perëndimit. Duke mos patur guxim t’ia hiqte këto krahina oborrit të Milanos, ku kishte selinë Honori, oborri i Bizantit i la ato të shkatërroheshin nga Alariku, prijësi i Gotëve (v. 396). Stilikoni vrapoi në ndihmë të tyre. Gotët u shtypën në Epir kur, për të shpëtuar Alarikun, Bizanti e shpalli atë komandant të ushtrisë. Të sulmoje atëhere atë ishte si të fusje në një luftë vëllavrasëse të dy perandoritë. Stilikoni parapëlqeu të kalonte përsëri në Itali. Që prej asaj kohe, dhe pa asnjë të drejtë, Shqipëria dhe Maqedonia, Greqia dhe Dakia, iu aneksuan perandorisë së Lindjes (v. 405).

    Shënime:
    -Diokleciani -perandor romak ((284-305), me origjinë ilire nga Salona, reformator vendosi tetrarkinë, ndau perandorinë
    në dy dioqeza. U shoqëruan në perandori nga Maksimiani dhe dy çezarë (Konstanc Klori dhe Galeri).
    -Galeri -perandor romak (293-311), dhëndrri i Dioklecianit.
    -Julian Apostati -perandor romak (361-363), nipi i Konstantinit, u shkëput nga kristianizmi dhe iu kushtua paganizmit.
    -Valentiniani I-perandor romak (364-375), me origjinë ilire nga Panonia, u shoqërua nga Valensi.
    -Valentiniani II -perandor romak (371-392), i biri i Valentianit I.
    -Valensi -perandor romak (364-378), shoqëroi vëllain e tij Valentinian I në krye të perandorisë, duke mbuluar pjesën
    lindore.
    -Alariku -mbret i Vizigotëve (395-410).
    -Evori -qytet në Epir.
    -Kapadokia -në Azinë e Vogël, qendra e perandorisë hitite, një prej vatrave të para të kristianizmit.
    -Akai -provincë në veri të Peloponezit.
    -Nikè -qytet në Azinë e Vogël (Anatoli), por edhe qytet në Lokridë në gjirin e Korinthit, si dhe qytet në Maqedoni.
    -Graciani -perandor romak (375-383), lindi në Sirmium, i biri i Valentinianit I.
    Teodosi (I Madh) -perandor romak (379-395), ndau perandorinë romake mes bijve të tij: Honorit (perandor i Perëndimit
    (395-423) i thyer nga barbarët), dhe Arkadit (perandor i Lindjes (395-408).
    -Rodope -male në Thrakë.
    -Eski (Iskra) -lumë që buron nga Rodopet.

  7. #17
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 13


    -Përpjekja e patriark Atikut mbi Ilirinë – Përgjigjia e Teodosit II drejtuar Honorit - tridhjetepesë vjet të skizmave - përgjigje e ipeshkëve ilirë - Koncilet e mbajtura në Iliri.


    Meqë Bizanti kishte rrëmbyer krahinat që Teodosi i kishte dhënë më të voglit të fëmijëve të tij, Atiku, peshkopi i këtij qyteti, nuk vonoi të nxirrte një dekret perandorak për të kaluar në tribunalin e tij gjykimet e çështjeve madhore në Iliri (v. 421). Ende prift i thjeshtë, po ky Atik kishte kontribuar më shumë se çdokush tjetër për të çuar në ekzil Shën Krisostomin, me anë të intrigave, shpifjeve dhe dëshmive të rreme të tij. Përvehtësues i selisë së Kostandinopojës, nuk është për tu çuditur që Atiku ndërmorri edhe uzurpimin e pushtetit të papës në Iliri. Megjithatë, papa kërkoi të drejtën e tij. Ai iu drejtua me një letër perandorit Honor i cili, nga ana e tij, i shkroi Teodosit II:
    “Nën perandorët kristianë -i thotë, midis tjerash, Honori -kisha romane nuk duhet të humbasë atë çka nuk e humbi nën perandorët paganë”.
    Atëhere, në një letër që ne e kemi ende, Teodosi i përgjigjet xhaxhait të tij se ai kishte dhënë urdhërat, dhe se asnjë ndryshim nuk do të bëhej në shtetin e moçëm për çështjet kishtare. Papa Siksti u shkroi ipeshkëve të Ilirisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Dardanisë dhe Greqisë, të mbledhur në Selanik (v. 435), se, në vend të Rufit që kish vdekur pak kohë më parë, ai ia kalonte juridiksionin e tij ipeshkvit Anastas. Prej kësaj letre kuptohet se ndryshimi i një vikari nuk sillte asnjë ndryshim në çështjet kishtare.
    “Me pëlqimin e Anastasit çdo metropolit do të bënte shugurimet në krahinat e tij. Por, përpara se të paraqitej një kandidat para vikarit apostolik, atij duhet ti kontrolloheshin me kujdes cilësitë dhe të metat e tij. Më së fundi, të gjitha problemet kryesore në lidhje me çështjet fetare do ti raportoheshin vikarit apostolik”.
    Në këtë periudhë nuk vërehet të ketë pasur ndryshime në Shqipëri dhe në pjesën tjetër të Ilirisë. Por, në Kostandinopojë ne shohim patriarkun Akas të nisë një skizmë 35-vjeçare. Ipeshkvët e Ilirisë, jo vetëm që nuk morën pjesë në asnjërin krah, megjithë ndonjë nxitje që u bëhej atyre nga Kostandinopoja, por, për më tepër, i shohim të shfaqin hapur besnikërinë e tyre ndaj selisë apostolike. Domethënë, për bindjen e tyre ndaj pushtetit që ajo mori nga Jezu Krishti me anë të figurës së Shën Pjetrit. Duke iu përgjigjur Papa Shën Gjelasit, ata thonë se kanë shmangur molepsjen kutërbuese të Akasit, të Pjetër Mongesë dhe të idhtarëve të tyre, dhe se ata do të mbeten të nënshtruar paprekshmërisht ndaj selisë së Shën Pjetrit, dhe se do të ruajnë të pacënuar besimin ortodoks, predikues i të cilit është Shën Gjelasi. Lauranti i Ohrit njofton, gjithashtu, papën se letrat e parardhësit të tij kundër Akasit dhe ithtarëve të tij, ishin lexuar në kishën e Selanikut dhe në të gjitha kishat e krahinës.
    Gjithçka ishte në paqe në kishat e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Greqisë, dhe të Dakisë, në kohën kur skizma e Akasit dhe herezia e Eutikut shpërthyen në Lindje. Dhe, ashtu si besimi mbeti i paprekur, administrimi i të gjithë kishave mbeti deri në perandorin Justinian, ai që kishte qënë gjithmonë, domethënë, në duart e një vikari apostolik. Por më vonë, Justiniani kërkoi, dhe u lejua nga Papa Shën Agapit (v. 535) dhe nga Vigjili (v. 545), që vikariati apostolik i Selanikut të ndahej midis ipeshkëve të Selanikut dhe Justinianës. Megjithatë, Justiniana, rrënojat e të cilës shihen pranë Kystendilit, u shkatërrua nga Avarët. Atëhere u desh të tërhiqej në Ohër vikaria apostolike e Ilirisë së Epërme, dhe aty mbeti deri në vitin 1767, kur intrigat fanariote ia dolën në krye ta heqin atë nëpërmjet një perandori otoman. Sa i përket vikariatit të Selanikut, ai tashmë ishte hequr që në vitin 735 nga perandori grek Leon Izauriani. Ky perandor, ikonoklast vetë, kishte ngritur një patriark ikonoklast në selinë e Kostandinopojës, dhe, për ta shpërblyer atë për apostazinë e tij, ai i dhuroi vikariatin e Selanikut, që i ishte hequr papës, si dhe ipeshkvitë e tjera që i ishin hequr Patriarkut të Antiokisë.
    Përpara se të ecim më tej, le të themi disa fjalë për koncilet kryesore të mbajtura në Iliri. Ai që mblodhi perandori Valentinian në vitin 375, dhe ku u gjendën ipeshkvët e Ilirisë, meriton të përmendet në mënyrë të veçantë. Të molepsur nga arianizmi, lindorët nuk donin aspak të pranonin Trininë e shenjtë. Sipas tyre, aq sa ka tek Perëndia persona aq ka dhe entitete: tre persona e si rrjedhim tre Perëndi. Siç shihet, ky ishte një rikthim në paganizëm. Ipeshkvët e Ilirisë e dënuan këtë herezi dhe e shoqëruan dekretin e tyre dogmatik me një letër drejtuar ipeshkëve të Azisë së Vogël dhe të Frigjisë. Vetë Valentiniani, i cili atëkohë ishte në Iliri, bashkëshoqëronte njërin dhe tjetrën me një reskript perandorak, ku ai këmbëngul për atë që, t’i jepej Perëndisë ajo çka i takon Perëndisë, dhe Çezarit ajo çka i takon Çezarit. Valensit i duhej të përkrahte vëllanë e tij. Ai pëlqeu të mbështeste arianizmin dhe t’ua diktonte atë Gotëve, të cilin Hunët e çuan përtej Danubit. Të porsa arianizuar, Gotët do të bëhen katastrofa e perandorisë, dhe aty për aty, ata do të djegin Valensin në një kasolle në afërsi të Adrianopojës (v. 378).
    Tre sinodet e tjera, që historia thotë se u mbajtën në Iliri, në vitet 415, 516, dhe në 550, nuk ofrojnë ndonjë gjë të veçantë. I pari është në lidhje me Perigenin, ipeshkv i Korintit, të cilin nuk e pranonin aspak ipeshkv në Patra, -i dyti për herezinë eutikiane, -dhe e treta për dhunimet e ushtruara nga Justiniani kundrejt Papa Vigjilit dhe Benenatit, primat i Ilirisë, në lidhje me tre kapitujt. Vetë ipeshkvët ilirë ishin të mendimit se nuk duhej ngatërruar një autor me shkrimet e tij, dhe, me fjalë të tjera, mund të jenë shkruar gjëra të gabuara dhe të jenë tërhequr më pas, dallim që perandori grek nuk e bëri dhe nuk e pranoi. Prej kësaj rrjedhin dhunimet e urryeshme kundër papa Vigjilit dhe pjesës tjetër të ipeshkëve ortodoksë.



    Shënime:

    -Eutiku -herezist bizantin (378-454), sajoi doktrinën monofiziste, të dënuar nga koncili i Kalkedonisë.
    -Akasi -(471-489), patriark i Kostandinopojës, skizmatik, i mbrojtur nga perandori.
    -Justiniana (Bederiana) -qytet në Dardani, në lindje të Shkupit.
    -Leon Izauriani -perandor i Bizantit (717-741).

  8. #18
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 14


    -Iliria nën Anastasin, Justinin dhe Justinianin –
    pritja e legatëve të Papa Shën Hormizdasit në Aulonë, në Skampin, në Ohër – shkresa 131 e Justinit.



    Ne kemi parë se perandori Dioklecian ishte nga Dioklea, për rrjedhojë Shqiptar. Perandori Anastas, po ashtu. Ai lindi në Dyrrah, në vitin 430. Prindërit e tij ishin të varfër, por ai vetë nuk dukej të ishte pa vlera. Më 491 ai u ngjit në fron nga perandorja Ariadna. Më parë ai duket se ka qënë zemërndjeshëm por, pasi u bë perandor, u soll njëlloj si të tjerët, domethënë si njeri i pafè. Qysh në fillim, -thotë Lë Bo (libri 3, k.11) -në kurriz të bashkatdhetarëve të tij, ai ngriti rreth Dyrrahut një mur mbrojtës të trefishtë, pastaj ai i detyroi provincat të jepnin në para atë çka deri tani e kishin dhënë në natyrë, për mbajtjen e trupave, në të të cilat shfaqej një rrëmujë e paanë. Më vonë, Justiniani rivendosi mënyrën e vjetër të vjeljes së taksave. Atë e akuzojnë, gjithashtu, se i ka vënë zjarrin edhe vetë akteve origjinale të Koncilit të Kalkedonisë. Por a iu dha mundësia atij që ta bënte këtë? Dy lloj çështjesh arritën të vendoseshin në këtë koncil: -çështja e besimit dhe çështja e disiplinës. Patriarkët e Kostandinopojës pranuan vendimin e së parës, por ambicia e tyre i shtyu ta refuzojnë të dytën, dhe të mos pranonin kufij mbi të. I mërzitur nga grindjet e tyre -edhe me papën, edhe me patriarkun e Aleksandrisë, -i lodhur gjithashtu nga kotësitë e përditshme, Anastasi dërgoi të merreshin aktet e koncilit dhe i flaku në zjarr. Duke ditur nga njëra anë se arkipeshkvi i Selanikut duhej të qeveriste në emër të papës Maqedoninë, Shqipërinë, Greqinë dhe Dakinë, e nga ana tjetër, duke parë se patriarkët e Kostandinopojës kishin arritur ta korruptonin atë, -ipeshkvët e Maqedonisë dhe Shqipërisë u bashkuan rreth 40 vetë, dhe, në një koncil krahinor, ata hodhën poshtë njëzëri juridiksionin e paligjshëm të Doroteut. Meqë Alizoni, Arkipeshkvi i Nikopojës, kishte vdekur në Kostandinopojë, ipeshkvët e krahinës caktuan një tjetër në vend të tij me miratimin e papës. Doroteu i tërbuar nxiti guvernatorët të përndiqnin ipeshkvët. I njoftuar për intrigat e tij, Papa Shën Hormizdas i shkroi në vitin 517:
    -”Nuk është Gjoni i Nikopojës, por jeni ju vetë që shkelni me këmbë zakonet e vjetra. Si legat i selisë eprore, ju keni padyshim juridiksionin mbi Ilirinë perëndimore, por me çfarë të drejte ju pretendoni të ruani privilegjet prej atyre, urdhëresat e të cilëve ju sot nuk i respektoni? Si guxoni ju të kërkoni një bindje ndaj një feje kur ju vetë nuk e kini? Respektoni si duhet Zotin, dhe do të merrni me lehtësi atë çka njerëzve u takon të marrin”.
    Një vit më vonë (518), Justini u ngjit në fronin e Kostandinopojës dhe solli një varg ndryshimesh në të. Me inortodoksinë e tyre, dy parardhësit e tij, Zenoni dhe Anastasi, e kishin turbulluar kishën e shtetin jo më pak sesa pesë apo gjashtë patriarkë për arsye të ambicjes së tyre. Për të qetësuar njërën dhe tjetrin, Justini iu drejtua Papa Shën Hormizdasit. Legatët e papës, të thirrur nga Justini, përshkuan Shqipërinë dhe kudo u pritën si të dërguar të Zotit. Në Aulonë pritja që iu bë atyre ishte e mahnitëshme, dhe entusiazmi i përgjithshëm. Diçka krejt tjetër ishte në Skampin (Elbasan) dhe në Lyhnid (Ohër). Në Skampin ipeshkvi Troi doli para tyre bashkë me klerikët dhe popullin e tij. Burrat dhe gratë mbanin qirinj. Ushtarët mbanin kryqe. Troi nënshkroi më pas deklaratën e ortodoksisë, të dërguar nga Roma, dhe predikoi për popullin e mbledhur në kishën e Shën Pjetrit.
    “Është e vështirë -thanë legatët, duke i shkruar papës, -të gjesh një popull me kaq përkushtim, kaq lotë, kaq gëzim”.
    Në Lyhnid pritja ishte e ngjashme me atë të Skampinit. Formulari i papës u lexua më pas në kishë dhe u nënshkrua nga ipeshkvi Teodoret. Në Kostandinopojë ai u nënshkrua nga më tepër se dymijë ipeshkvë, priftërinj dhe murgjër. Pastaj u fshinë nga diptikët emrat e gjashtë patriarkëve: Akasi, Praviti, Timoteu, Eufemi, Makedoni dhe Timoteu, të cilët kishin turbulluar kishën. Duke shoqëruar në fillim në perandori xhaxhain e tij Justinin, pastaj duke u bërë vetë perandor, Justiniani shndërroi në qytet të shkallës së parë fshatin Taurezi, ku ai kishte lindur. Me urdhër të tij, ai u rrethua nga mure të fortë, u zbukurua me portikë, dhe u ndërtuan në të kisha të hijëshme (shih Prokopin). Si e kreu këtë punë, Justiniani i kërkoi -siç thuhet -Papa Shën Agapitit që vikariati i Selanikut të ndahej më dysh në favor të Justinianës, atdheut të tij. Shën Agapiti i mirëpriti dëshirat e Justinianit, dhe këtij perandori i dërgoi reskriptin në Katili (v. 535). Vigjili ripohoi veprën e parardhësit të tij, siç del nga shkresa 131 (v. 545), ku vetë perandori thotë pë të:
    “Arkipeshkvi fatlum i Justinianës së parë, atdheut tonë, do të ketë nën proteksionin e tij Dakinë Mesdhetare, Dakinë buzë lumenjve, Prevalitaninë, Dardaninë, Myzinë e epërme, dhe Panoninë. Ai do të shugurojë ipeshkvët e krahinave të lartpërmendura, do të jetë i shuguruar nga këshilli i tij, dhe, në hapësirën e juridiksionit të tij, ai do të jetë në vend të selisë së Romës, gjithçka në përputhje me atë që ka përcaktuar i shenjti Shën–Papa Vigjili”.

    Shënime:
    -Anastasi -perandor i Lindjes (491-518), nga Durrësi, mbrojti monofizizmin.
    -Justini -perandor i Lindjes (518-527), lindi në Bederiana (Justiniana Prima) në Dardani.
    -Justiniani I -perandor i Lindjes (527-565), lindi në Tauris në Dardani, pranë Shkupit, hartues i kodeve juridike dhe
    konstruktor i shumë qyteteve dhe fortesave në Ballkan.
    -Prevalitania -një nga ndarjet e Ilirisë në Perandorinë Romake që përfshinte trevat nga veriu i lumit Mat
    (Ardaksani i lashtë) deri në Drina (Drinosi i lashtë) në Bosnjë, me Shkodrën kryeqendër, me kufij lindor Myzinë,
    në jug me Epirin e Ri dhe në veri me Dalmacinë.
    -Prokopi -historian i shquar bizantin (shekulli V-VI) i kohës së Justinianit, autori i “Mbi ndërtimet”, “Historia e luftërave”,
    “Historia e fshehtë”. Përshkruan veçanërisht ndërtimet në Iliri.

  9. #19
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 15


    Vargu i parë i ipeshkëve të Ohrit – Shën Gregori i Madh ngrihet kundër titullit të patriarkut ekumenik – Muhameti



    Shën Denisi është i pari i ipeshkëve të Ohrit që përmend Lekyjeni në librin e tij Oriens christianus. Shën Denisi merrte pjesë në koncilin e Sardikës ose Sofias (v. 346). Ky koncil vendosi që, për të nderuar autoritetin e dhënë nga Jezu Krishti Shën Pjetrit, i duhej drejtuar papës, mëkëmbësit të tij, për të gjitha çështjet dhe hollësitë kryesore midis klerikëve. Shën Denisi, jo vetëm që nënshkruante vetë aktet e koncilit të madh, por gjithashtu, nënshkruante qarkore që ai u drejtonte gjithë kishave në favor të Shën Athanasit të madh të Aleksandrisë. Antoni është ipeshkvi i dytë që e gjejmë në Ohër. Kur arrin në Efes në vitin 449, ai rradhitet në anën e oborrit bizantin, dhe nënshkroi aktet e koncilabulave ose kaçakërisë. Por, më pas, e gjejmë nënshkrimin e tij në fund të letrës drejtuar perandorit Leon nga Sinodi i Epirit. Shën Proteri ishte vrarë në Aleksandri nga ithtarët e Eutikut, dhe, para se të vepronte kundër vrasësve, Leoni deshi të merrte mendimin e ipeshkëve. Me papën në krye, mendimi i njëzëshëm i ipeshkëve ishte që vrasësit e Proterit duhej të ndëshkoheshin. Lauranti duket se ka qënë pasardhësi i drejtpëdrejtë i Antonit. Duke ditur se Shën Gjelasi do të hipte mbi fron në selinë e Shën Pjetrit, Lauranti e njoftoi për ecurinë e letrës së Shën Feliksit, parardhësit të tij. Qarkorja e Shën Feliksit, drejtuar ipeshkëve të Ilirisë, ishte lexuar në Selanik, dhe në të gjitha kishat e tjera të vikariatit apostolik. Duke përfunduar, Lauranti kërkon edhe për vetë atë, edhe për ipeshkvët e tjerë, një përgjigje qetësuese. Përgjigja e papës është e vitit 495. Shën Gjelasi u përgjigjet ipeshkëve ilirë se “po të kishte qënë ai patriark, peshkopi i Kostandinopojës do t’u bindej jo më pak ligjeve kishtare, dhe se duhej të dënohej kur nuk i kryente detyrat e tij apo përhapte një doktrinë të gabuar, siç kishte ndodhur me shumë patriarkë grekë”. “Veç kësaj -shton papa, -sado që Akasi ta mbajë veten për patriark, ai nuk është i tillë”. Për ta bërë kishën e tyre një patriarkat, Bizantinët iu drejtuan Papa Shën Leonit, dhe Shën Leoni e hodhi poshtë kërkesën e Anatolit, të perandorit Marsian dhe të senatit. “Më në fund, -vazhdonte Gjelasi -vetë Anatoli arriti të pranojë se vetëm papa mund të lartësojë ipeshkvë të tjerë në pozitën e patriarkut”.
    Më vonë, ishte Lauranti që mbrojti fenë kundër perandorit Anastas, dhe guximin e tij e pagoi me shtatë vjet burg në qelitë e Bizantit. Aty ai edhe u paralizua. Por ndodhi mrekullia, dhe ai u shërua në kishën e Shën Kozmit dhe Shën Damianit ku qe dërguar. Me kthimin e tij në Ohër, Lauranti vdiq aty në moshën 80-vjeçare, në të njëjtin vit me persekutorin e tij (v. 518). Teodoreti duket të jetë ngjitur në selinë e Ohrit gjatë kohës së burgimit të parardhësit të tij. Ka të ngjarë, po ashtu, që ai të jetë ngritur në krye të kësaj selie nga vetë Papa Shën Hormizdasi, pasi në një letër drejtuar Shën Avitit, njërit prej ipeshkëve të Francës, Shën Hormizdasi thotë: -”Kishat e Dardanisë dhe të Ilirisë na kanë kërkuar ipeshkvë, dhe ne i kemi shuguruar atje ku ishte e nevojshme”. Në këtë kohë, Arkipeshkvi i Selanikut kishte kaluar nga ana e heretikëve, dhe kishte humbur të gjithë pushtetin që merrte prej papës. Ja përse Shën Hormizdasi ishte i detyruar ti kalonte drejtpërdrejtë në gjendje pushimi selitë ilire. Në Ohër Teodoreti priti legatët e kërkuar nga perandori Justin. Ashtu si Zoili, ipeshkvi i Skampinit, ai bëri të lexohet në kishë dhe nënshkroi deklaratën e ortodoksisë që do të nënshkruanin në Kostandinopojë 2500 ipeshkvë, priftërinj dhe murgjër. Po ashtu, në kohën e Teodoretit, vikariati apostolik i Ilirisë u nda në dysh: në atë të Selanikut dhe atë të Justinianës (Kystendil), nga papët Shën Agapit dhe Vigjil me kërkesën e Justinianit. Benenati duket se ka qënë pasues i drejtpërdrejtë i Teodoretit. I thirrur në Kostandinopojë për çështjen e tre kapitujve, domethënë për tre shkresa të Ibazit, Teodoretit të Ankirës dhe Teodoretit të Mapsuestit, Benenati duhet të jetë marrë vesh me Papa Vigjilin se nuk duhet ngatërruar një shkresë me autorin e saj. Në koncilin e Kalkedonisë, autorët e lartpërmendur u pranuan si ortodoksë, megjithëse këto vepra të shkruara prej tyre nuk ishin të tilla. Justiniani, me maninë e tij për të dogmatizuar, ngatërronte librat me vetë autorët, dhe nga kjo rrjedhin dhunimet e gjera dhe skandaloze që iu bënë Papa Vigjilit dhe ipeshkëve me urdhër të tij.
    Më në fund u mblodh një koncil (v. 553). Tre kapitujt u dënuan, por autorët e tyre u njohën për ortodoksë, siç i kishte njohur koncili i Kalkedonisë. Kateli I, vikari apostolik i Ilirisë së epërme, njihet vetëm nga reskripti i Justinianit (v. 535). Por Gjoni, një nga pasardhësit e tij, luajti një rol të madh në letërkëmbimin e Shën Gregorit të Madh. Zgjedhja e tij ishte miratuar nga perandori Maurik, dhe Shën Gregori i dërgoi atij Paliumin (v. 591). Ligjërimi i primatit ose Patriarkatit të Justinianës-Ohrit ishte kryer nga papa me kërkesën e një perandori të krishterë, dhe është patriarku grek që, në vitin 1767, i kërkon një perandori jo të krishterë suprimimin e po kësaj primatie. Cili nga këto dy akte ishte kanonik apo kundër-kanonik, i krishterë dhe jo i krishterë. Por, një suprimim kundër-kanonik dhe kundër-kristian, a mund të ketë ndonjë vlerë në sytë e të krishterëve: - Shqiptarë, Vllehë, e të tjerë?
    Sipas gjithë gjasave, arkipeshkvi primat i Justinianës e shpërnguli vendqëndrimin e tij në Ohër, qysh në vitet e para të shekullit të shtatë. Pasi, në këtë kohë, Maqedonia, Shqipëria e poshtme, Prevalitania ose Shqipëria e epërme, ishin plaçkitur nga Avarët dhe Sllavët. I vetmi pas Kostandinopojës që nuk ra në duart e barbarëve, ishte Selaniku. Vetë Epiri mund të plaçkitej nga dita në ditë. Ja përse u dërguan në Korfuz reliket e Shën Donatit. Shumë ipeshkvë gjetën strehë asokohe në Korfuz e gjetkë. Megjithëse më pas, iu dha një juridiksion mbi kishat që i kishin mikpritur ata, Shën Gregori i Madh, vendosi që ata thjesht të kishin të drejtën e strehimit, në pritje për t’u kthyer në vendet e tyre. Ekzistojnë ende letrat e Papa Shën Gregorit drejtuar ipeshkëve të Shqipërisë në lidhje me shumë çështje, e, midis tjerash, për një ligj të perandorit Maurik që ua ndalonte ushtarëve të bëheshin murgjër. Shën Gregori i porosit legatët e tij, Euzebin e Selanikut dhe Gjonin e Justinianës, metropolitët Urbitin e Durrësit, Andrenë e Nikopojës, dhe të tjerët, që të mos pranonin as në manastire, e as në administratën kishtare, punonjës civilë dhe ushtarakë për të cilët nuk jepen të dhëna. Por nga më të shënuarat dhe më të spikaturat e letrave të tij, janë ato që i përkasin titullit të ekumenikut që mori peshkopi i Kostandinopojës. Qysh prej vitit 451, këta peshkopë nuk rreshtën për asnjë çast së shkeluri mbi të drejtat e ipeshkëve dhe patriarkëve të tjerë.
    Më së fundi, donin që ata vetë të zinin vendin që Jezu Krishti ia kishte caktuar papës, në personin e Shën Pjetrit. Deri në atë kohë ata kishin shkelur herë me njërin e herë me tjetrin, tashmë ata lakmonin të zëvendësonin gjithçka. Prej kësaj buron ajo çka Shën Gregori u shkruan patriarkëve të Aleksandrisë dhe të Antiokisë, duke u thënë: -”Mos i jepni askujt një titull të gjithësishëm pasi, duke ia dhënë atë njërit, janë zhvlerësuar të tjerët dhe, nëse arrihet deri këtu, -thotë më tej Shën Gregori -ai që emërohet në këtë mënyrë do të bjerë në gabim, ashtu siç ka ndodhur me shumë peshkopë të Kostandinopojës, dhe të gjithë do të rrëzohen bashkë me të”.
    Në një nga letrat drejtuar primatit të Ilirisë, Gjonit të Justinianës, Shën Gregori kërkon që ky titull të mos i njihej as arkipeshkvit të Kostandinopojës, as kujtdo tjetër qoftë: -”Dhe kjo -thotë ai, -pasi titulli i patriarkut ekumenik, ose i patriarkut të gjithësishëm, përjashton ekzistencën e çdo patriarku tjetër. Si do të kishte patriarkë në Aleksandri, Jeruzalem, Antioki e gjetkë, nëse ky i Kostandinopojës është patriark i krejt botës”. Ky pretendim i Gjonit Agjëruesit, për të qenë i vetmi patriark në botë, ishte frut i një ambicjeje dhe i një hipokrizie djallëzore. Për këtë arsye, vetë Shën Gregori i shkruan atij: -”Ajo që më çudit është se në fillim duket se ju i jeni larguar ipeshkvisë, ndërsa sot duket se e kërkoni atë për shkak të ambicjes. Ju e shpallnit të padenjë emrin e ipeshkvit dhe tashmë doni që ta mbani vetëm ju!” (v. 595). Në këtë epokë, Muhameti, udhëheqës i muslimanizmit, ishte tashmë 26 vjeç. Shën Gregori, në shumë letra të tij drejtuar perandorit Maurik dhe të tjerëve, shihet të nxisë një ndëshkim të pashembullt për peshkopët dhe për perandorët bizantinas. Si të parët dhe të dytët, të gjithë kishin kërkuar perfas et nefas të bënin Kostandinopojën kryeqytet të botës së krishterë. Por, shumë shpejt, do të shohim se Zoti do ta bëjë atë kryeqytet të botës muslimane.


    Shënime:

    -Ankira (edhe Angora) -emër i lashtë i Ankarasë, në Azinë e Vogël, Galati.
    -Mauriku -perandor i Lindjes (582-602).
    -peshkop dhe ipeshk -kemi përdorur dy emërtesa për të dalluar ata që vareshin nga kisha e lindjes dhe ata që vareshin
    nga selia apostolike (papati i Romës).

  10. #20
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI l6



    Shkatërrime në Shqipëri nga Vandalët dhe Visigotët – shqiptarët lënë ushtrinë greke – këshilli i luftës në Durrës - kështjella të ndërtuara apo të riparuara në Shqipëri – Principata Diokleate – Iliria e shkretuar nga Sllavët dhe Avarët - këndvështrimi i Pukëvilit mbi kështjellat dhe ligjet e Justinianit



    Në vitin 475, Xhenseriku, mbret i Vandalëve, duke ditur se do ti dërgohej një përfaqësi, nxiton ta parandalojë këtë, dhe dërgoi flotën e tij të plaçkiste qytetet e Siçilisë, të Italisë dhe të Epirit, midis tjerash edhe Nikopojën. Kur ambasadori grek, ankohet për këtë duke e quajtur si një akt armiqësie, Xhenseriku ia ktheu: -”Në atë kohë unë kisha të drejtën të veproja si armik. Tashmë ju më bëni propozime për paqen dhe unë jam gati ti dëgjoj ato”. Më 459, Teodoriku, mbret i Ostrogotëve, vjen në Shqipëri me të gjithë kombin e tij, dhe kërkon të vendoset këtu. Tashmë ai ishte zot i Durrësit në kohën kur e shkëmbeu këtë ngulim me një më të mirë, të cilin perandori Zenon ia ofroi në Myzi. Meqë Pelagonia (Manastiri) nuk pranoi tu jepte atyre ushqime për të shkuar në Shqipëri, ata e marrin me sulm dhe e djegin atë. Pak më herët, në të njëjtën mënyrë, ata kishin marrë dhe shkatërruar Gradskon (Stobin e lashtë). Për tu hakmarrë ndaj Bizantinëve të cilët u ndeshën me të për Italinë, Tolida, mbret i Ostrogotëve, dërgoi 300 barka me urdhërin për të plaçkitur brigjet e Greqisë. Ata zbritën -thotë Lë Bo -në ishullin e Korfuzit, e plaçkitën atë, dhe kapërcyen në kontinent (v. 551). Nikopoja, Onhezmi, dhe qytete të tjera deri në Dodonë, ndjenë mbi kurriz të gjithë tërbimin e Gotëve. Meqë po niseshin, ata shkatërruan të gjithë bregdetin shqiptar dhe zunë anije të shumta që sillnin ushqime në Salona, ku i pritnin ushtritë e Gjonit dhe të Nerseut (libri 48, k. 4).
    Po i njëjti autor na bën me dije edhe se, i pakënaqur nga Gjepidët, Justiniani iu dha Lombardëve vendbanime në Panoni dhe në Norik, madje hodhi shuma të mëdha parash që të shkonin e të vendoseshin në afërsi të Gjepidëve, matanë Danubit. Por të gjitha këto shpërblime nuk i penguan barbarët të rrënonin Dalmacinë dhe Ilirinë deri në Durrës. Emri i aleatit iu dha edhe më shumë guxim. Nëse ndodhte që të burgosurit iu shpëtonin nga duart, ata e quanin të drejtën e tyre për ti kërkuar përsëri ata.
    “Madje është vënë re -thotë Prokopi (libri 3, k. 33 dhe 34), -të kthehen në tokat tona për të rimarrë skllevërit e tyre nga shtëpitë, dhe duke i shkëputur nga krahët e prindërve të tyre”.
    Prokopi, po ashtu, na bën të ditur (Lufta e Gotëve, libri 3, k.11) se një pjesë e trupave shqiptare braktisi ushtritë greke, duke i marrë Italinë Totilës. Ata nxorrën si arsye se nuk paguheshin, se në mungesë të tyre Hunët kishin sulmuar befasishëm vendin e tyre, dhe se u kishin rrëmbyer gratë dhe fëmijët (v. 541). Një këshill lufte u mblodh në Durrës midis Belisarit dhe gjeneralëvë të tjerë, të dërguar në ndihmë të Romës që u rrethua nga Totila (v. 548).
    “Pak kohë më vonë -shton Prokopi (Lufta e Gotëve, libri 3, k. 39), -Sllavët u dyndën në të gjithë Ilirinë deri në Durrës, duke kryer të gjitha llojet e mizorive, vrasjeve, grabitjeve, dhe zhdukën një pjesë të banorëve. Ata morrën madje edhe disa kështjella që deri atëhere vlerësoheshin si të papushtueshme dhe përshkuan të gjithë vendin. Gjeneralët e ngarkuar për të mbrojtur Ilirinë kishin mbledhur 15 mijë burra dhe, megjithatë, e ndoqën armikun veç nga larg”.
    Nëse do të gjykosh përafërsisht shkatërrimet e kryera nga barbarët në Shqipëri në kohën e Justinianit, mjafton të hedhësh një vështrim në numrin e fortesave të cilat, Prokopi na thotë, se janë ngritur nga e para apo janë riparuar nga ky perandor. Prokopi, panegjerist dhe bashkëkohës i Justinianit, numëron tridhjetedy të ndërtuara nga e para dhe njëzetegjashtë të riparuara, në Epirin e ri apo Shqipërinë qendrore.
    Në Epirin e Vjetër, po ky autor llogarit dymbëdhjetë të tilla, të ndërtuara nga e para, dhe njëzetekatër të riparuara. Epiri i ri kishte kryeqytet Durrësin, ndërsa ai i Vjetri si qytet kryesor Nikopojën. Po përse Justiniani ndërtoi ose riparoi kaq shumë fortesa gjithandej, dhe as nuk ndreqi, as nuk ngriti në Prevalitani?
    Ja me pak fjalë. Lukari, në historinë e tij të Raguzës, na bën të ditur se një nga Gotët e parë të vendosur në Dalmaci, kishte pushtuar Prevalitaninë dhe kishte bërë Shkodrën kryeqytet të saj. I martuar me motrën e Istokut, babait të Justinianit, i kërkon më vonë Justinianit, nipit të tij, titullin e mbretit, por perandori i dha atij vetëm titullin e kontit, dhe me këtë emër përkufizoheshin guvernatorët e Prevalitanisë prej kronikanëve grekë. Dy Kanzhit i duken këto hollësira krejt të mundshme. Menjëherë sapo Visigotët dhe Ostrogotët pushtuan Dalmacinë dhe Shqipërinë e epërme, vendosën aty guvernatorët e kombit të tyre, dhe i mbajtën këto vende deri në vitin 535. Është e vërtetë se në këtë periudhë të fundit Perandoria e Poshtëme rimorri zotërimin e Dalmacisë, por populli mbeti aty. Vetëm garnizonet e Gotëve të Italisë u dëbuan.
    Diku tjetër kemi thënë se, me afrimin e barbarëve, ipeshkvët e Shqipërisë së Poshtme shpërngulën për në Korfuz reliket e Shën Donatit. Dhe ja tani mënxyrat që e bënë të nevojshëm një veprim të tillë, dhe që shpërndanë kudo llahtarinë e njëjtë me shkatërrimin e dyzet qyteteve të Dalmacisë nga Khahami i Avarëve (v. 598). Është çasti kur Justiniani shpërndau trupat e tij, në Itali kundër Gotëve, në Lindje kundër Persëve, dhe që, duke i gjetur të hapur kufijtë e Savës dhe të Danubit, Sllavët pushtuan Ilirinë me trupat e tyre. Tashmë, kur u shfaqën Avarët, trupat e tyre mbulonin edhe vendet nga Deti i Zi deri në Adriatik, nga Danubi deri në kepin Matapan. Për Avarët ishte çështje hakmarrjeje për ambasadorët e masakruar nga sllavët, por për perandorin Tiber ky ishte një rast i volitshëm për të spastruar Ilirinë. Me pëlqimin e Bajanit dhe të Tiberit, 15 mijë kalorës avarë u sulën mbi fushimet e Sllavëve dhe i plaçkitën (v. 581). Deri tani sllavët e kishin plaçkitur Ilirinë për hesap të tyre, ndërsa tash e mbrapa do ta plaçkisnin edhe për llogari të Avarëve. Vetë Avarët plaçkisin dyzet qytete në Dalmaci. Sllavët bënë prè gjithë të tjerët. Shqipëria qendrore nuk u kursye. Ajo ndjeu mbi kurriz gjëmën e të gjithë luftërave që paraprinë ngritjen dhe rënien e Perandorisë së Poshtme -thotë Pukëvili. Qytetet u shkatërruan dhe u ringritën shumë herë. Justiniani rindërtoi Tyranën, Aulonën, Musionin. Ai, po ashtu, fortifikoi shtegun e portave Kaudavikune për të ndaluar sulmet e barbarëve. Por, me kështjellat e Justinianit ngjau njëlloj si me ligjet e tij. Moria e ligjeve dhe e kështjellave nuk mund ta mbanin më në këmbë këtë kollos të ronitur nga vjetërsia (Pukëvil, Udhëtime, vëll.1, fq. 373).


    Shënime:
    -Stobi -Gradsko e sotme, qytet në qendër të Maqedonisë në buzë të Vardarit.
    -Tolida -duket se është gabim shtypi, pasi bëhet fjalë për Totilën mbretin e ostrogotëve.
    -Onhezmi -qytet i lashtë në Sarandën e sotme.
    -Salona -kryeqendër në Dalmacinë ilire (Solini i sotëm), përballë ishujve me Bratin, Farin e Isën.
    -Gjoni dhe Nerseti -duhet të jetë fjala për Gjon Troglitën dhe Belisarin, gjeneralin e famshëm, si dhe eunukun
    Nerset, të cilët ishin mbështetësit e sundimit të Justinianit.
    -Gjepidët (gepedët) -popullsi gjermanike e vendosur në Daki në kohën e Justinianit.
    -Lombardët -popullsi gjermanike e vendosur në Elbë, Oder dhe në Italinë e veriut me Pavian kryeqendër.
    -Norik -krahinë e banuar nga fisi iliroverior i norikëve, në veriperëndim të Panonisë (afërsisht në Austrinë e sotme).
    -Panonia -provincë ilire e banuar nga panonët, në verilindje të Dalmacisë, në Hungarinë e sotme.
    -”ushtri greke” -duhet pasur parasysh se me ushtri greke autori nënkupton ushtritë perandorake (bizantine) dhe jo si
    koncept identifikues për grekët si kombësi.
    -Khaham -Kagani ose Hagani, titull mbreti tek Avarët.
    -Bajani -prijësi i Avarëve.
    -Tiberi -perandor i Lindjes (574-582).
    -Musion - Museoni, qytet dhe fortesë në Maqedoni, megjithëse këtu autori duhet ta ketë fjalën për ndonjë fortesë në
    Shqipërinë e mesme afërsisht në Muzakinë e vjetër.
    -Tyrana -Tyrkana, fortesë në Epirin e Ri; -Avlona -Vlora.
    -grykat kandavikune -grykat e maleve midis Elbasanit dhe Ohrit, në malet Kandave.

Faqja 2 prej 8 FillimFillim 1234 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •