Berisha në Kuvend: Fazlliç është miku im. Për të jam gati për mocion debati!
Kuvendi nisi sot pasdite me debate të ashpra mes opozitës dhe maxhorancës në lidhje me skandalin e fundit të lidhjes së kryeministrit Berisha me Damir Fazlliç. Ky i fundit konsiderohet si super-sekseri i Ballkanit dhe është akuzuar për mashtrim financiar dhe trafik armësh nga prokurori e Bosnjës. Kryeministri Berisha ka reaguar duke thënë se është i gatshëm të përballet me PS dhe mocionin e kërkuar prej tyre. Madje Berisha tha se ai është i gatshëm të sjellë edhe Fazlliç në Shqipëri por kjo, sipas kryeministrit, nuk i leverdis opozitës.
TIRANË - Në minutat e para të seancës së pasdites në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Berisha ka deklaruar se pret me padurim mocionin për debat kërkuar nga Partia Socialiste. “Zonja kryetare po të betohem që e pres me kënaqësinë më të madhe atë mocion. Vetëm dua që të përgatiteni për transparencën më të madhe të historive të këtij vendi të arkivës së krimit. Unë vetëm kaq dua. Kam mbajtur një heshtje që mezi e kam mbajtur”.
Në këtë mënyrë i është përgjigjur kryeministri Berisha akuzave të opozitës për lidhje të tij me Damir Fazlliç, serbo-boshnjakun e arrestuar për mashtrim financiar dhe trafik armësh. Më tej Berisha tha se do të ftojë Fazlliç në Shqipëri dhe do të zbardhë të vërtetat. “Unë ju sjell këtu Damir Fazlliç”, tha Berisha duke shtuar se sipas tij opozita nuk e do një gjë të tillë.
Me ironi kryeministri Berisha tha se është i gatshëm për debat dhe madje falënderon Ramën që e nxiti për të thënë të vërtetën. Një e vërtetë që sipas tij ai ka prej kohësh që e mban. “Unë di shumë gjëra po nuk i them”, tha Berisha përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Në lidhje me këtë kryetarja e grupit parlamentar të PS Valentina Leskaj e ka cilësuar këtë deklaratë një fyerje për parlamentin dhe një kërcënim të kryeministrit Berisha. “Berisha të ftojë Fazlliç në Shqipëri, ne nuk trembemi nga e vërteta”, ka deklaruar Leskaj. Të gjithë folësit e opozitës që kanë marrë fjalën gjatë seancës kanë hedhur akuza të rënda në adresë të kryeministrit për lidhjet e tij me Fazlliç.
Nënkryetari i Grupit të PS, Braçe ka zbardhur lidhjet që sipas tij ekzistojnë mes kryeministrit dhe të afërmve të tij me Fazlliç. Braçe ka listuar një sërë emrash të cilët sipas tij kanë bërë të mundur që Fazlliç të pastrojë para në Shqipëri dhe ka kërkuar hetimin e kësaj mega afere.
“Fazlliç ka hapur 3 firma në një ditë në Shqipëri por në total ai ka 5 firma në vendin tonë. Këto firma Damir Fazlliç i ka hapur fill pas ardhjes së partisë Demokratike në pushtet”, deklaroi Braçe në seancë. Në vijim ai i ka kërkuar nëpërmjet një apeli që të autoriteteve të zbatimit të ligjit që të hetojnë këtë xhiro kriminale.
Sot, burime shumë të besuara i konfirmuan “Balkanweb” se ajo ka hapur një hetim për faktet e denoncuara nga media për bizneset e Fazlliç në Shqipëri.
(a.s/Balkanweb)
Krijoni Kontakt