LUSHNJË - Me paratë e fituara nga shitja për skrap e një predhe të madhe që daton prej kohës së Luftës së Dytë Botërore, traktoristi Kastriot Toshkollari, banues në fshatin Kashtëbardhë të Lushnjës, bleu farën e grurit. Edhe pse kanë kaluar 63 vjet që nga Lufta e Dytë Botërore, nëntoka në fshatin Kashtëbardhë vazhdon të ruajë predha lufte, për më tepër ende aktive. Banorët e zonës kanë frikë të gërmojnë dheun, sepse prej tij dalin vetëm predha. E megjithatë, fermerët kanë shpallur një konkurs të panjoftuar për gjetjen e predhave sa më të mëdha. Çdokush që gjen të tilla i mburret tjetrit, duke u shprehur se nëntoka e tij është më e pasur. Fillimi i punimeve të tokës për mbjelljet e vjeshtës ka sjellë daljen në sipërfaqeje e të paktën 150 predhave luftarake. Por banorët thonë se që prej tragjedisë së Gërdecit, frika nga shpërthime të mundshme është rritur ndjeshëm. “Pak kohë më parë, teksa plugoja tokat e mia, hasa me traktor në një predhë që ishte më e madhja e gjetur në këtë zonë”, thotë Toshkollari. Plugu nxori papritur diçka të fortë nga toka, por për momentin ai nuk pa asgjë. “U largova disa metra dhe sytë më panë diçka të vjetër të mbuluar me dhe. Zbrita nga traktori, dhe kur u afrova, sytë më zunë një predhë gjigante, që më pas, sipas më të vjetërve, dyshohej të ishte raketë lufte. Mendja më shkoi tek paratë, - vijon tregimin fermeri, - ndaj kur e nxora krejtësisht nga toka, pesha e raketës që mbaja në krah m’u duk e madhe dhe mendova ta shes për skrap”. Kështu, të parën raketën që ai gjeti, pasi u sigurua që nuk ishte e rrezikshme për shpërthim, e shiti për skrap në kombinatin metalurgjik të Elbasanit. “Me paratë e fituara kam blerë farën e grurit”, thotë më tej për “Korrierin” Toshkollari. Tajar Qerreti është një prej të lënduarve nga plasjet e predhave. Djali i tij 8-vjeçar për pak humbi jetën, teksa luante me një predhë të nxjerrë nga toka, rreth një vit më parë. Fatmirësisht, fëmija humbi vetëm gishtat e dorës. Banorët thonë se njoftojnë për gjetjen e predhave policinë e Lushnjës, por vetëm pasi grumbullojnë një sasi të caktuar municioni. “U themi fëmijëve të mos luajnë me to, sepse janë të rrezikshme”, thonë ata. Vetëm gjatë kësaj periudhe, me rastin e punimeve të tokës për prodhimet që mbillen në këtë kohë, fermerët kanë hasur në rreth 150 predha që kanë dalë gjatë plugimit në sipërfaqe. Më të moçmit e fshatit thonë se dikur, shumë vite më parë, një magazinë ushtarake italiane ndodhej në hyrje të fshatit, saktësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Askush deri më tani nuk është përpjekur të kryejë pastrimin e zonës, me gjithë ankesat e banoreve. Këta të fundit çdo ditë vazhdojnë të nxjerrin predhat nga toka.
Traktoristët punojnë në zonë të minuar
Për më të vjetrit situata duket alarmante, pasi rreziku i shpërthimit të ndonjërës prej tyre është i pranishëm në çdo moment. Sipas specialistëve, predhat janë të kalibrave të ndryshme. Të gjitha janë aktive, madje ka midis tyre nga ato që klasifikohen si tepër të rrezikshme, sepse djegoret janë të pahequra, ose siguresa në majë është ende e pashpërthyer. Më të rrezikuar për momentin janë traktoristët, të cilët duke punuar tokat në Kashtëbardhë, kanë nxjerrë prej andej predha të shumta. Sipas tyre, të ecësh këtu do të thotë të hedhësh këmbën si në zonë të minuar.
I vadit predhat çdo ditë, sikurse prodhimet
Tingëllon e çuditshme, por është e vërtetë. Një tjetër banor i zonës së Kashtëbardhës, Enver Agolli, tregon se ka qenë tepër i stresuar që nga dita kur ka gjetur predhat në oborrin e shtëpisë, gjatë gërmimeve për sistemimin e kopshtit. Predhat janë gjetur në muajin maj. Deri në fund të gushtit, e sidomos gjatë ditëve të nxehta, ai u ka kryer shërbim të njëjtë me prodhimet bujqësore. “I kam vaditur çdo ditë, për t’i mbajtur të njoma nga frika se mos plaste ndonjëra. Këtë punë e kryenim me radhë të gjithë anëtarët e familjes”, tregon Agolli. Histori të tilla të çuditshme sa herë nxjerrin predha nga tokat tregohen ne Kashtëbardhë. Fshatarët përpiqen të mbjellin tokat, por në vend të prodhimeve bujqësore janë “duke korrur” predha.
Korrieri
Krijoni Kontakt