Në takimin e liderëve të katër partive politike të enjten është besuar për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të shtetit si dhe për ndryshimet në Kodin zgjedhor gjegjësisht garantimin e 10 vendeve për pakicat.
Në këtë takim partitë shqiptarë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptarë (PDSH) nuk janë pajtuar me idenë e kryeministrit Nikolla Gruevski që të hiqet cenzusi prej 51 për qind për zgjedhjen e presidentit, e as me propozimin për garantimin e dhjetë vendeve për pakicat. Liderët shqiptarë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi vlerësojnë pozitivisht fillimin e bisedimeve për këto çështje, ndërsa në takimet tjera paralajmërojnë se do të hapen edhe çështjet tjera siç janë rastet e Hagës, përdorimi i flamurit shqiptar, përdorimi i gjuhës shqipe, njohja e Kosovës dhe të tjera.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se me rëndësi të madhe është të bisedohet për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se ka propozuar që kryetari i shtetit të zgjedhet në Parlament, duke marrë shembullin e Gjermanisë dhe Italisë si vende të BE-së si dhe nga vendet fqinje siç është Kosova, Shqipëria por edhe Greqia. “Ne kërkojmë që këto tema të zgjidhen me konsensus të gjerë”, tha Ahmeti. Sa u përket vendeve të garantuara, Ahmeti tha se për këtë çështje ka kërkuar sqarime nga ministri i Drejtësisë për të cilat do të bisedohet.
Në pyetjen nëse ka krizë në koalicionin qeveritar lideri i BDI-së, Ali Ahmet tha se koalicioni funksionon shumë mirë në të gjitha aspektet.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se në takimin e liderëve ka kërkuar që në rend dite në bisedime të jenë edhe çështja e rasteve të Hagës, njohja e Kosovës, përdorimi i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit shqiptar. Thaçi tha se heqja e cenzusit për zgjedhjen e presidentit të shtetit është në dëm të shqiptarëve pasi që i eliminon shqiptarët për të vendosur në raundin e dytë në zgjedhjen e kryetarit. “Propozova të hapen bisedime për nënkryetarin e shtetit pa marrë parasysh nëse ai do të zgjedhet në Parlament apo në zgjedhje të drejtpërdrejta. Nëse kandidati për kryetar ka kandidat shqiptar për nënkryetar nuk do të ketë probleme për cenzusin”, u shpreh ai. Sa i përket idesë për vendet e garantuara Thaçi u shpreh se kanë propozim për 30 vende të garantuara. Sipas tij, në këtë rast 12 vende deputetësh do të ishin për maqedonasit, 8 për shqiptarët ndërsa 10 vendet tjera për pakicat më të vogla.
Gruevski tha se kërkesat e tij për Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë janë në harmoni me vërejtjet e OSBE-së, që të hiqet cenzusi.
Ai nuk komentoi procesuimin e katër rasteve të Hagës, dhe kërkesën e Gjykatës për marrjen e imunitetit të dy deputetëve të BDI-së.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pas takimit tha se partia e tij do të mbështesë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me votimin e diasporës. Partia maqedonase në opozitë nuk ka dashur të komentojë kërkesën e partive shqiptare, që nënkryetari i shtetit në të ardhmen të zgjedhet nga bashkësia etnike shqiptare.
Krijoni Kontakt