Postuar më parë nga
Duaje Siveten
Tirana Observer, Thursday, 13 September 2007
Belishova dhe Parllaku: Pse duhet të përfitojmë dhe ne
Dy ish-zyrtarët e lartë të kohës së komunizmit kërkojnë që shteti të dëmshpërblejë dhe ata si të përndjekur politikë të Enver Hoxhës. Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë dhe Rahman Parllaku, gjeneral i ushtrisë, kanë deklaruar dje para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë pse duhet të marrin dëmshpërblim, ashtu si dhe të dënuarit e tjerë politikë.
Liri Belishova deklaroi se ajo ka vuajtur po aq sa të dënuarit e tjerë, ndërsa Rahman Parllaku nuk mund të veçohet kur është akuzuar si agjent vetëm prej fjalëve të Enver Hoxhës. Dy ish-zyrtarët e lartë renditën argumentet e tyre për të marrë dhe përfituar dëmshpërblimin në të holla për vitet e burgut dhe internimit. Muajt e fundit debati më i madh ka qenë nëse do të përfshihen ish-zyrtarët e regjimit që u dënuan si tradhtarë apo agjentë të atij sistemi.
Parllaku dhe Belishova
Krahas përfaqësuesve të shoqatave, në seancën e djeshme dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë kanë qenë të pranishëm edhe dy ish-zyrtarët e lartë të regjimit komunist, ish-anëtarja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, Liri Belishova dhe ish-gjenerali i ushtrisë, Rahman Parllaku. Ata kanë paraqitur para Komisionit të Ekonomisë arsyet pse duhet të përfitojnë dhe ata dëmshpërblimin nga projektligji i qeverisë. Parllaku ka kërkuar që të përjashtohet neni 6 i projektligjit, sipas të cilit nuk përfitojnë ata që kanë pasur poste në kohën e atëhershme, që janë dënuar si agjentë apo tradhtarë. Ish-gjenerali, tashmë 80-vjeçar, tha se është dënuar si agjent, por pa prova. Kanë qenë vetëm fjalët e Enver Hoxhës ato që e kanë dënuar si të tillë. Për këtë ai kërkoi përjashtimin e nenit 6. Ndërsa ish-anëtarja e Byrosë, Liri Belishova, shprehu një kategorizim të ri të të internuarve politikë. Sipas saj, ata duhet të dëmshpërblehen në dy kategori. "E para, të jetë një mijë lekë dita për ata që kanë jetuar në kampe pa tela ose në kondita të rrepta izolimi. E dyta, të jetë 300 lekë të rinj dita për të internuarit që u shpërngulën, por u detyruan të punojnë në punë të rëndë", tha ajo.
Rahman Parllaku
"Ne jemi dënuar pesë veta, Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, Rahman Parllaku. Jemi dënuar nga neni i "tradhtisë" dhe jemi quajtur agjentë vetëm nga fjalët e Enver Hoxhës. Unë kam qenë gjeneral dhe nuk mund të dënohesh pa pasur dokumente, vetëm në fjalët e Enver Hoxhës. Nuk ka dënime kolektive, por ka dënime individuale. Prandaj do të kërkoja që neni 6 të përjashtohet nga projektligji, pasi nuk ka dënime kolektive".
Liri Belishova
"Unë do të flisja pak për çështjen e të internuarve, që në projektligj thuhet që do të shpërblehen me një mijë lekë dita e burgut. Aty thuhet që përfitojnë të internuarit në kampe me tela me gjemba, që ka qenë vetëm kampi i Tepelenës, pasi ashtu ka pasur dhe kampe të tjera. Këtu nuk përfitojnë as të internuarit që kanë punuar në kushte shumë të rënda dhe në presion. E dyta, të jetë 300 lekë të rinj dita për të internuarit që u shpërngulën, por u detyruan të punojnë në punë të rëndë. Ky ligj është përgatitur shumë keq".
Kurt Kola
"Ju thoni që fatura është shumë e papërballueshme, le të jetë dhe 500 mijë dollarë dhe 600 mijë dollarë, por do të thosha që, kur Presidenti Bush ka ardhur në Shqipëri, ka thënë që demokracia erdhi nga dy forca. Njëra janë forcat e brendshme, që iu kundërvunë sistemit dhe tjetra, forcat e jashtme, pra, Amerika. Ne e kemi një vlerësim moral nga tempulli i demokracisë".
Tanush Kaso
"Ne jemi sot këtu, por ju nuk keni faturën ekonomike në dorë. Dhe, nëse shteti nuk ka para, në Shqipëri janë dhe vepra të ndërtuara nga të burgosurit, siç është aeroporti i Rinasit, tharja e kënetës në Durrës, etj., të cilat i kemi ndërtua ne. Ne nuk kemi këtu as përfaqësues të Ministrisë së Financës që të na tregojë faturën ekonomike të projektligjit për dëmshpërblimin tonë".
Krijoni Kontakt