Sovrani është mbi të gjithë
Reis Ҫiҫo
(Shteti është krijuar për njeriun. Dhe jo njeriu për shtetin. Gëte.)Reis Çiço
Shtypi i huaj bëri që shqiptarët të mësojnë, se vendi i tyre ishte përzgjedhur për të magazinuar dhe shkatërruar një sasi të madhe të arsenalit kimik të Sirisë.
Ky lajm ngriti në këmbë opinionin publik, dhe ngjalli debate të shumta në shtypin e shkruar dhe median elektronike. Në fakt, gjithë furtuna e ngritur rreth këtij problemi shumë serioz na shpalosi dy anë të ngjarjes.
Qeveria nga njëra anë që mban një qëndrim misterioz, pa zbatuar detyrimet që ka ndaj opinionit publik, për të bërë transparencën hap mbas hapi të asaj që po ndodh, dhe nga ana tjetër publiku i gjerë i cili po tregon vlera të vërteta në mbrojtje të një kauze shumë komplekse, që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen mjedisore e shëndetësore të vendit.
Shumë gazeta të huaja këto ditë kanë bërë dhe humor me ne shqiptarët, si servilë që s’dinë të reagojnë, edhe kur iu preken interesa madhore, si vend që merr përsipër gjëra pa ia kërkuar kush, për t’u ndjerë protagonist dhe të vlerësuar në organizma ndërkombëtare e sidomos me amerikanët.
Reagimi i opinionit këtë radhë ishte brilant, sepse nuk ishin partitë organizatore të protestave, por shoqëria civile, e cila së bashku me median ndërgjegjësuan njerëzit për rrezikun që na kanoset.
Ndodhi ajo që askush nuk do ta mendonte.
Kulmi i reagimit erdhi kur protestuesit marshuan dhe ndaluan tek ambasada amerikane. Kjo protestë para ambasadës nga disa, u pa si fundi i botës, si sakrilegj. Por është krejt e kundërta. Në rrugën e gjatë dhe të vështirë protestat kanë qenë bashkudhëtare të zhvillimit amerikan, ato e kanë shëndoshur dhe konsoliduar demokracinë e këtij vendi.
U bënë komente të shumta, se protesta tek ambasada amerikane nuk duhej bërë, se ata janë miqtë tanë më të mirë, që na janë gjindur në momente të vështira të historisë sonë. Nuk ka njeri që t’i mohojë këto të vërteta, por protestat nuk e prishin një miqësi, aq më shumë me ShBA-në, që lirinë dhe të drejtat e njeriut i kanë baza të vlerave që kanë ndërtuar.
Amerikanët dhe në përgjithësi perëndimorët nuk gjykojnë si ne.
Ndaj dhe protesta para ambasadës amerikane, që përfaqëson një vend kampion në demokraci, jo vetëm nuk iu bën përshtypje por e konsiderojnë si një akt normal që shpreh një të drejtë dhe kulturë demokratike. Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të luftojnë krah për krah me amerikanët në zonat e nxehta të globit në luftë kundër terrorizmit, për paqen dhe stabilitetin, por këtë radhë me armët kimike të Sirisë, Shqipërisë po i kërkohet shumë, jashtëzakonisht shumë, përtej çdo mundësie që ajo ka, pothuajse një vetëflijim.
Prandaj është për t’u përshëndetur që shqiptarët filluan të reagojnë, në mbrojtje të interesave të tyre jashtë forcave politike, duke demonstruar se kanë hyrë në rrugën e një ndryshimi kualitativ. Zhvillimet e fundit ku qytetarët janë derdhur nëpër sheshe dhe po kundërshtojnë fuqishëm ardhjen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, tregojnë qartë një evolucion të madh në ndërgjegjen tonë si komb. As qeveria jonë, as Amerika apo dikush tjetër, nuk mund të marrin vendime që kanë të bëjnë me jetën tonë, pa dëgjuar dhe respektuar mendimin dhe dëshirën e opinionit publik. Sovrani është mbi ta.
Reagimi ndaj armëve kimike të Sirisë na bën dinjitozë para vetes e ndërkombëtarëve, ai po krijon një imazh shumë pozitiv, dhe mesazhi është i qartë: shqiptarët janë zotër të fateve të tyre, dhe nuk mund të anashkalohen apo injorohen.
Kjo sjellje na bashkon absolutisht me popujt europianë, që kulturën e reagimit e kanë shumë të zhvilluar ndaj kujtdo që tenton të prekë interesat e tyre.
Nëse dikush e sheh Shqipërinë si nocion gjeografik, ne e kemi shtëpinë tonë, ku kemi ndërtuar jetën, dhe do të vazhdojnë ta ndërtojnë brezat që do të vijnë.
http://mapo.al/2013/11/14/sovrani-eshte-mbi-te-gjithe/
Krijoni Kontakt