Koalicioni qeveritar në IRJM është në krizë?!
Maqedonia në prag të krizës politike. BDI paralajmëron se nëse në parlament kalon ligji i propozuar nga partneri i tyre i koalicionit VMRO DPMNE për ‘branitellat’, atëherë ministrat e Ahmetit do t’i thonë lamtumirë kryeministrit Gruevski. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi në një brifing me gazetarë tha se Gruevski ka shkelur marrëveshjen për formimin e Qeverisë. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit që kishte me Filip Rikerin, kërkoi nga partneri i tij kryeministri Nikolla Gruevski që ta respektojë marrëveshjen për koalicion. “Kjo situatë nuk është e përpunuar, ne kemi marrëveshje për koalicion për katër vitet e ardhshme dhe mendoj që është shumë parimore të respektohet marrëveshja për koalicion. Mendoj se duhet të shqyrtohet marrëveshja dhe të konsultohet marrëveshja” , tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi në brifing me gazetarë, tha gjithashtu se tash pasi VMRO DPMNE-ja ka shkelur marrëveshjen dhe ka propozuar një ligj të tillë, atëherë deputetët e Ahmetit do të intervenojnë me amendamente me qëllim që i njëjti ligj t’i përfshijë të gjithë qytetarët e dëmtuar në konfliktin e vitit 2001 pavarësisht përkatësisë etnike, që do të thotë që ai të vlejë edhe për ish ushtarët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve. Ademi tha se nëse këto amendamente refuzohen nga partia e Gruevskit, atëherë ajo do të ndikojë dukshëm në marrëdhëniet ndëretnike dhe do të vë në pikëpyetje funksionimin e Qeverisë. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi përkujtoi edhe bisedimet për formimin e Qeverisë aktuale: ‘Gjatë kohës së negociatave për formimin e Qeverisë aktuale, VMRO DPMNE-ja kishte propozuar të njëjtin ligj. Qëndrimi i partisë sonë ka qenë i prerë, se ne jemi të gatshëm që të hapen këto tema në mënyrë që edhe ne si parti të propozonim një ligj për zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së. Pas këtij qëndrimi të BDI-së, ishe vet VMRO DPMNE-ja ajo e cila kishte vendosur që të tërhiqet nga kërkesa duke thënë se gjatë këtij mandati nuk do të hapin këtë çështje”, ka thënë Ademi i cili ka kryesuar grupin e BDI-së në negociata me VMRO DPMNE-në. Ai madje tha se VMRO DPMNE në atë kohë kërkonte që si kompensim për amnistinë, të kalonte të njëjtin ligj, por sipas tij, kjo gjë nuk ka qenë e pranueshme për partinë e Ahmetit. Ademi nuk përjashtoi mundësinë që ky hap i Gruevskit që të propozojë këtë ligj të jetë si reagim pas ngjarjes në Sllupçan, kur ministrat shqiptarë të shoqëruar edhe nga oficerë të ARM-së nderuan dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e konfliktit të vitit 2001. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi, tha se qëllimi kryesor i BDI-së ka qenë që t’i nderojë të gjithë të rënët në konfliktin e 2001, përfshirë këtu edhe pjesëtarët e policisë së Maqedonisë, me qëllim që të arrihet pajtimi mes palëve. Alsat
Krijoni Kontakt