Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 17
  1. #1
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708

    Ambasadori Danez mbi gjëndjen aktuale në Shqipëri

    INTERVISTA PA DORASHKA/ Ambasadori danez: Kam qenë pranë vdekjes disa herë, militantët i jepnin makinës në mënyrë moskokëçarëse në Bllok

    SHENIM: Dy herë kemi botuar ekstrakte nga intervista ‘pa dorashka’ e ambasadorit danez në Tiranë, herën e parë për çështjen e Piramidës dhe herën e dytë për numërimin e votave në Tiranë. Kjo është intervista e plotë e tij, një intervistë e fortë, me nota të qarta kritike.




    Nga: Ervin Qafmolla, MAPO


    “Vetë shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë një histori suksesi evropiane”. Ky duket të jetë mesazhi qendror që ambasadori danez në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen hedh në këtë intervistë ekskluzive, e cila mund të konsiderohet pa rezervë si e bujshme. Zoti Jensen fokusohet në të gjithë listën e problemeve dhe krizave që po e mbajnë vendin tonë larg Europës. Ai e bën këtë me një gjuhë të hapur dhe jashtë formatit klasik të diplomatit

    Si e shikoni perspektivën e Shqipërisë në të ardhmen, pas tre vitesh këtu, dhe si përfaqësues i presidencës së ardhshme të BE-së në Janar të vitit tjetër?

    Shqipëria është një vend shumë i bekuar: me një natyrë të bukur, me bollëk burimesh natyrore, me klimë të mrekullueshme, me popullsi të arsimuar, të palodhur, jashtëzakonisht mikpritëse dhe miqësore. Shanset për sukses, pasuri dhe lumturi janë nga më të mirat në Europë. Sikurse e kam thënë publikisht më parë, kam besim të patundur se Shqipërisë me të vërtetë që nuk i mungon asgjë për t’u shndërruar në një histori të suksesshme europiane. Shqipëria mund të jetë Estonia e Europës Jugore: Në kohë rekord, të jetë në gjendje të kapërcejë nga varfëria në begati.

    Por, Shqipëria gjithashtu, duket sikur është e mallkuar, me një gen vetëshkatërrues. Nuk di si ta përshkruaj ndryshe. Kjo është menjëherë e dukshme për shumë të huaj. Nocioni se për të fituar vetë duhet të shkatërroni armikun, se shkatërrimi është rruga e duhur, mendoj se është një mendësi tepër unike e klasës politike shqiptare, e cila po bllokon përparimin. Në shumicën e vendeve përparimi vjen nga ndërtimi mbi arritjet e të kaluarës; nga kuptimi i të mirës së përbashkët dhe interesit kombëtar; nga të pranuarit se, nëse kontribuoni për ta bërë tortën më të madhe për shoqërinë, edhe feta juaj do të jetë më e madhe. Megjithatë, koncepte të tilla, edhe nëse janë dëgjuar ndonjëherë, janë të rralla në debatet politike shqiptare.

    Në të vërtetë mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët t´i bëjnë vetes një pyetje ekzistenciale: Përse tashmë nuk jemi një anëtar i suksesshëm dhe i begatë i BE-së? Përse ne shqiptarët nuk jemi aty ku estonezët janë sot?

    Për një vëzhgues të jashtëm, përgjigjja fatkeqësisht është e drejtpërdrejtë: Gjatë 20 viteve të fundit politikanët estonezë kanë bërë vazhdimisht zgjedhjet e duhura në interes të kombit të tyre. Politikatët shqiptarë në shumicën e rasteve kanë bërë zgjedhjet e gabuara.

    Është koha, sa nuk është vonë, që ky model të prishet. Shqiptari i thjeshtë nuk meriton më pak. Nëse ndodh, jam i bindur se zelli dhe vrulli i jashtëzakonshëm i popullit shqiptar do të bëjë që ai të fitojë të paktën ca nga koha e humbur.

    Por shumë shqiptarë pyesin se përse ndërkombëtarët nuk luajnë një rol shumë më aktiv. Duket sikur kritikat vijnë në rritje për rolin e ndërkombëtarëve. Dukeni sikur nuk i përmbushni pritshmëritë apo edhe më keq sikur i përkeqësoni çështjet kur veproni.

    Më duhet të shpreh atë që në të vërtetë është një fakt i qartë: Shqipëria është një vend sovran. Pikë. Votuesit shqiptarë vetë i zgjodhën ata që duan t’i përfaqësojnë. E vërteta është se zgjedhjet nuk përmbushën standardet europiane, por në përgjithësi politikanët shqiptarë janë ata që elektorati shqiptar i vendosi vetë atje.

    Ajo që mund të bëjmë dhe po bëjmë ne ndërkombëtarët është të japim këshilla, ndihmë dhe të këmbëngulim në përmbushjen e angazhimeve të marra më parë. Nëse politikanët apo populli shqiptar, nuk dëshiron të veprojë sipas këshillave tona, apo ta përdorë ndihmën në mënyrë efektive, atëherë me të vërtetë që nuk na mbetet shumë për të bërë, për t’i shtyrë gjërat përpara.

    Fatkeqësisht ne nuk kemi një ”shkop magjik” si Harri Poter. Fuqitë tona janë kryesisht negative. Dhe çdokush heziton të gërmojë në atë arsenal, sepse mund të preken të pafajshmit. Dhe Zoti e di që populli shqiptar ka vuajtur shumë më tepër seç i takonte. Prandaj ndërkombëtarët përpiqen shumë më tepër, me të vërtetë.

    Por mesazhet e ndërkombëtarëve janë shpesh të mbështjella me gjuhë diplomatike, aq sa është e vështirë për ata që nuk janë diplomatë, ta kuptojnë se çfarë ata duan të thonë në të vërtetë. Përse, të paktën, nuk flisni në atë mënyrë që njerëzit ta kuptojnë?

    Nga njëra anë jemi të ftuar në këtë vend. Asnjë i ftuar nuk dëshiron të ofendojë të zotin e shtëpisë. Për më tepër në Shqipëri, ku ndërkombëtarët, përshëndeten më një ngrohtësi dhe mikpritje të jashtëzakonshme nga të gjitha anët.

    Nga ana tjetër, Shqipëria kërkoi të bëhej një kandidat për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, dhe qeveritë pasardhëse kanë nënshkruar marrëveshje, duke premtuar përmbushjen e disa standardeve të caktuara. E tërë kjo, besoj, e ka mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar.

    Prandaj, ne ndërkombëtarët, për mendimin tim, kemi një detyrim, të themi qartë se çfarë i duhet Shqipërisë, dhe popullit shqiptar për të arritur qëllimin e tij. Dhe mendoj, se ne të gjithë përpiqemi, me terma të paprecedentë, të paktën sipas standardeve diplomatike. Por, siç duket, nuk funksionon. Përfundimi im pas tre vitesh këtu është se duhet thënë e vërteta e lakuriq, që të ndihmosh realisht. Edhe nëse rrezikon që ndoshta të ofendosh të zotin e shtëpisë.

    Zoti ambasador, cilat janë disa nga të vërtetat lakuriqe, për të cilat folët?

    Njëra është gjendja e mjerueshme e sektorit publik, pas 20 vitesh përpjekje ndërkombëtare. Taksapaguesit europianë kanë shpenzuar shuma të jashtëzakonshme parash, vetëm BE, si institucion më vete, 40 milionë Euro. Po ashtu, kohë dhe përpjekje të qeverive të shumta të vendeve anëtare të BE-së, institucioneve, individëve, etj. për të ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë një sektor publik mirëfunksionues.

    Përse? Sepse një sektor publik modern, profesional dhe efektiv, është absolutisht thelbësor për një vend, që të përmbushë standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Pa të, ka pak ose aspak shanse që Shqipëria të përmbushë kriteret për anëtarësim në BE, ndoshta as për statusin e kandidatit në një afat të shkurtër apo të mesëm. Në botën e sotme, një sektor publik efektiv është thelbësor për të ecur përpara.

    Por, akoma ky mesazh nuk duket se po kuptohet apo merret seriozisht. Pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, LSI kërkoi dhe mori 20% të të gjitha pozicioneve publike. Shumë njerëzve të kualifikuar dhe me eksperiencë iu desh të largoheshin nga puna e tyre, për t’i bërë vend, në shumë raste, militantëve më pak të kualifikuar. Kur opozita është në pushtet, vihet re një model i ngjashëm.

    Le të shohim faktet: Përveç ndihmës shumëvjeçare ndërkombëtare, sektori publik shqiptar ndodhet në një pozicion, ku mund të pretendohet rekordi botëror për qarkullimin e personelit, ku vetëm 5% e punonjësve janë nëpunës civilë. Apo e thënë ndryshe, një shumë prej 5% janë pjesë e një sistemi profesional të përhershëm që siguron vazhdimësi, cilësi e stabilitet. Imagjinoni një spital me një përbërje dhe normë qarkullimi të ngjashme. Do të donit të ishit pacient aty?

    Deficiti në këtë fushë vendimtare jetësore është nga arsyet kryesore, se përse Shqipëria ka mbetur pas të gjithë fqinjëve të saj (përveç Kosovës), me rrezikun real që tani mund të mbetet prapa. Ndoshta edhe për të ruajtur arritjet që ka në të kaluarën.

    Dhe më duhet të them se kjo, gjithashtu vë pikëpyetje para disa vendeve donatore, nëse përpjekjet e tyre për investime të vazhdueshme ia vlejnë vërtet.

    Si mendoni, përse ndodh kështu?

    Besoj se problem themelor është mentaliteti “fituesi i merr të gjitha” dhe nocioni se marrja e pushtetit dhe e pozitës në çdo nivel, është i barabartë me fitimin e një llotarie. Kjo praktikë, po e dëmton seriozisht të ardhmen e Shqipërisë. Në fakt, po dëmton edhe të tashmen.

    Nëse Shqipëria nuk bën një ndarje me mentalitetin “klientelist” dhe të fokusohet te aftësitë, arritjet dhe meritat, unë shoh pak shpresë që Shqipëria të arrijë ndonjëherë potencialin e vendit dhe të popullit të vet. Ndoshta edhe për të ruajtur atë çka është arritur deri tani: anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, marrëveshjet e BE-së, rritjen e lartë ekonomike, etj. Ato janë përgjegjësi, të cilat duhen mbajtur, dhe zhvilluar me standartet më të larta profesionale, me qëllim që Shqipëria të vazhdojë të jetë e suksesshme.

    Siç tha një kolegu im publikisht pak kohë më parë: Shqipëria nuk mund të pretendojë se është në tranzicion, pas më shumë se 20 vitesh në demokraci. Gjatë kësaj kohe, Estonia kaloi nga një pabarazi ekstreme, në një anëtar me të drejta të plota dhe i begatë i BE-së. Përse jo Shqipëria? Mendoj se shumica e shqiptarëve e dinë përgjigjen në zemrat e tyre. Dhe vetëm populli shqiptar ka fuqinë të imponojë ndryshimet e nevojshme.

    Cili është mendimi juaj mbi zgjedhjet lokale?

    Unë isha vëzhgues i ODIHR-it dhe vizitova një numër të madh qendrash votimi ditën e zgjedhjeve. Kalova shumë orë në qendrat e numërimit, veçanërisht tek njësia nr. 5, në ditët në vijim, për të vëzhguar procesin e numërimit.

    Ndërkombëtarët ia kishin bërë të qartë të gjitha palëve se këto zgjedhje ishin një test jetësor për gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar udhëtimin e saj të trazuar drejt anëtarësimit në BE. Populli shqiptar e kaloi testin. Klasa politike ngeli. Ishte e trishtueshme të shikoje rrjedhën pas ditës së zgjedhjeve. Sikurse aludoi ambasadori Amerikan në një intervistë ne TV, kohët e fundit, sikur 14 Maji të ishte dita e fundit e zgjedhjeve, kjo do t’i kishte shërbyer për mirë reputacionit të Shqipërisë.

    Megjithatë, nuk e kam ekspertizën të komentoj mbi betejat ligjore që po zhvillohen. ODIHR , eventualisht, do të paraqesë një mendim të konsoliduar për zgjedhjet, por në raportin e tyre paraprak ata treguan probleme thelbësore, përfshirë natyrën partizane të vendimeve të KQZ-së.

    Megjithatë, ajo çka dua të them është kjo: në një demokraci të pjekur dhe të vërtetë, është e paimagjinueshme, të ndryshohen rregullat pas faktit të ndodhur. Nëse, për arsye shumë shumë bindëse, është e rëndësishme që rregullat apo praktikat të specifikohen më tej, gjatë procesit, kjo bëhet me KONSENSUS. Një maxhorancë e arsyeshme, nëse ajo e ka apo jo fuqinë apo epërsinë ligjore, nuk i ndryshon rregullat apo praktikat, pas faktit të ndodhur. Sidomos, jo në avantazhin e vet. Kjo është kundër vetë frymës së demokracisë, por që në Shqipëri ndodh shpesh.

    Nuk po marr përsipër argumentat ligjorë këtu. Fakti është që të dy partitë e mëdha, të paktën pjesërisht, ndajnë përgjegjësinë për bërjen e këtyre rregullave që kanë politizuar atë që duhet të ishte një proces i pastër teknik. Që do të thotë, thjesht regjistrim i vullnetit të votuesve në ditën e zgjedhjeve.

    Shpresoj që të gjitha partitë të kenë mësuar nga procesi dhe të përqendrohen tek e ardhmja. Ka kaq shumë rrezik për Shqipërinë në këtë moment, dhe them se, sado e pandjeshme të tingëllojë kjo tek ata që ndihen të mashtruar, Shqipëria si komb nuk mund ta lërë të ardhmen e vet pezull, për shkak të dështimit demokratik në një raund zgjedhjesh për kryetar bashkie.

    Xhejms Bejker, ish Sekretari Amerikan i Shtetit dhe një mik i madh i Shqipërisë, arsyetoi kohët e fundit në një revistë të njohur, “Foreign Affairs”, se partitë duhet të përmbushin përgjegjësitë kombëtare dhe të lejojnë gjykatat të vendosin për rezultatin, sikurse Amerika bëri gjatë polemikës Bush-Gor.

    E lexova artikullin e Xhejms Bejker dhe mendoj se ai u jep një këshillë shumë të mençur politikanëve shqiptarë. Personalisht, kam respekt të madh për Z. Bejker, të cilin kam patur fatin ta shikoj në veprim disa herë gjatë karrierës time, përfshirë në çështjet shqiptare.

    Megjithatë, besoj se këshilla e Bejker bazohet në një numër supozimesh të gabuara, p.sh. se institucionet shqiptare janë të pavarura, po aq sa dhe institucionet amerikane, dhe se zgjedhjet ishin të pastra nga mashtrimet.

    Demokracia si një sistem i Kontrollit dhe Ekuilibreve dhe i Pushteteve të Ndara ndërmjet institucioneve të shtetit, nuk është e pranishme në Shqipëri. Dhe vitet e fundit kanë treguar një zvogëlim të dukshëm të çdo lloj ndarjejeje pushtetesh që ekzistonte. Erozioni i këtij parimi themelor të një demokracie moderne, është pjesërisht rezultat i ndryshimeve ligjore, disa edhe të zbatuara me konsensus nga dy partitë e mëdha politike, dhe pjesërisht për shkak të zhvillimeve politike dhe ekonomike.

    Por, përfundimi është se ”shteti i së drejtës” nuk po zbatohet akoma. E them këtë në terma absolutë, sepse ”shteti i së drejtës” është një koncept absolut. Ekziston ose nuk ekziston. Dhe është për të gjithë, pavarësisht pasurisë, pushtetit politik etj.


    A mund të jeni pak më specifik?

    Shembujt janë të shumtë: politikanë që përpiqen të ndërhyjnë në punën e Prokurorit të Përgjithshëm, gjyqtarë që shqyrtohen sipas kritereve politike në parlament, si rrjedhim emërohen gjyqtarët më pak të kualifikuar; sistemi ligjor i njohur me nam për korrupsion dhe si pasojë kemi vendime “të çuditshme”; Presidenti i zgjedhur nga shumica në parlament, dhe jo p.sh. nga publiku; shembuj të shumtë të pushtetarëve që edhe publikisht përpiqen të ushtrojnë presion mbi institucionet, të cilat duhet të jenë të pavarur; “pushteti i katërt”, shtypi, të cilit i bëhet presion në mënyrë të hapur dhe të fshehtë dhe ku përmbajtja editoriale është e ekspozuar ndaj interesit ekonomik. Së fundmi, dhe jo vetëm: pozicionet që duhet të jenë profesionale dhe të paanshme, mbahen nga militantë politikë etj.

    Me fjalë të tjera, funksionimi i demokracisë shqiptare lë shumë për të dëshiruar. E di që shumë shqiptarë nuk pëlqejnë ta dëgjojnë këtë. Madje edhe mund ofendohen. Por është vërtet mënyra më diplomatike e përshkrimit të gjendjes së vajtueshme të punëve në Shqipërinë e sotme, nëse do të zbatoheshin standardet ndërkombëtare. Dhe ato duhet të zbatohen, nëse Shqipëria akoma dëshiron të bëhet anëtare e BE-së.

    Fakti dëshpërues është se disa nga parimet themelore të Demokracisë dhe Shtetit të së Drejtës, nuk kanë hedhur rrënjë, pavarësisht 20 viteve në liri.

    Megjithatë, kam shpresa të mëdha për të ardhmen. Tani që shqiptarët e thjeshtë janë në gjendje të lëvizin lirisht, mendoj se shumë prej tyre do të fillojnë të kuptojnë më mirë parimet e lirisë që iu ishin mohuar për një kohë të gjatë. Dhe do të kërkojnë zbatimin e tyre.

    Zoti Ambasador, t’i kthehemi një teme komplet tjetër: e di se jeni i dhënë pas diskutimit për fatin e Piramidës.

    Po, piramida është një ndërtesë e spikatur në Tiranë. Është unike, ashtu si Kulla Eifel është për Parisin; Piramidat për Egjiptin; Qyteti i Ndaluar për Pekinin, Kronborg për Danimarkën. Është një nga ndërtesat tërheqëse të Shqipërisë – të paktën kur mbulohej nga mermeri i bukur.

    Ajo është gjithashtu pjesë e historisë. Mendoj se e kuptoj, aq sa dikush mund të kuptojë diçka kur nuk i ka vuajtur dhimbjet, pse shumë shqiptarë e shikojnë monumentin si një kujtim jashtëzakonisht të pakëndshëm dhe të vazhdueshëm të së shkuarës. Një gjemb i madh në sy.

    Por mënyra e kundërvënies së të kaluarës nuk është shkatërrimi i të gjitha mbetjeve të saj, por i përballjes me të. P.sh. të hapësh arkivat e SHISH dhe të Komitetit Qëndror që të gjithë të shikojnë, të përballen me historinë e ta pranojnë atë. Shqipëria është një nga vendet e pakta, mes diktaturave të kaluara, që nuk është marrë me të shkuarën. Në Shqipërinë e ditëve të sotme, e kaluara është si “Shpata e Demokleut”, që varet mbi politikën shqiptare – nganjëherë edhe e përdorur si e tillë. Sigurisht që pas më shumë se 20 vitesh, duhet të jetë e mundur të përballesh me të shkuarën dhe të vësh pikat mbi “i”.

    Por të kthehemi te Piramida. Piramidën nuk e ndërtoi Enver Hoxha apo e bija. Punëtorët e palodhur dhe të shtypur shqiptarë e ndërtuan. Ata edhe paguan për të. Ashtu siç është rasti i Piramidave në Egjipt ose për atë arsye, shumë, në mos shumica e atyre që sot janë atraksionet kryesore turistike në botë.

    Sigurisht që këtë nuk më takon mua ta vendos, por unë besoj fort se do të ishte një gabim i rëndë të rrafshohet një pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare. Dikush mund të mos e pëlqejë të kaluarën, por duhet ta respektojë atë, apo të paktën ta pranojë atë. Kam vënë re se një numër i madh adhuruesish të arkitekturës dhe të tjerë të interesuar për ndërtesën, apo për këtë hapësirë të qetë në mes të Tiranës, kanë dalë kundër shkatërrimit. Edhe kryebashkiaku i ri i Tiranës është shprehur kundër planit.

    Mendoj se zor se mund të gjeni një vend tjetër të qytetëruar, ku një ndërtesë e rëndësishme e spikatur është piketuar për t’u shkatërruar, duke ndeshur kështu në kundërshtim kuptimplotë profesional, politik dhe publik.

    Nëse merrni parasysh dhe Top Channel-in, nga këndvështrimi i lirisë së shtypit, duket se është një shembull tjetër ku, të paktën, fryma e demokracisë nuk vihet në veprim.


    Por a nuk është e vërtetë se demokracia parlamentare në Shqipëri meriton kushte pune më të mira? Edhe anëtarët e opozitës po ankohen rreth kushteve të këqija fizike në ndërtesën ekzistuese parlamentare.


    Siç e kuptoj unë, kushtet fizike të punës të parlamentit lënë shumë për të dëshiruar, pavarësisht rinovimit të dukshëm, që është kryer vitin e kaluar. Megjithatë, krahasuar me kushtet me të cilat shumica e shqiptarëve duhet të përballen përditë, ato janë padyshim mjaft të mira.

    Pyetja themelore, megjithatë, është nëse kushtet fizike të punës janë me të vërtetë problemi më i madh për demokracinë parlamentare në Shqipëri? Apo për Shqipërinë? Disa raporte progresi të BE-së, ODIHR, Transparency International, kanë cilësuar njerëzit dhe partitë si shkaktarët kryesorë të keqfunksionimit parlamentar. Asnjë nuk ka përmendur ndërtesat. Në fakt, një ndërtesë e re parlamentare nuk bën pjesë gjëkundi në listën e gjatë të prioriteteve, që BE i ka caktuar Shqipërisë, që ajo të përparojë dhe avancojë në drejtim të anëtarësimit në BE.

    Ju gjithashtu duhet të krijoni përparësitë mes kostove të jashtëzakonshme të një parlamenti të ri dhe tërë atyre problemeve të shumta emergjente, të kushtueshme, me të cilat përballet Shqipëria dhe shtetasit e saj, të cilëve u duhet të përballojnë mungesën e energjisë, përmbytjet, shkollat në gjendje të mjerë, spitalet etj. Pa harruar disa milionë euro para publike, që janë investuar së fundmi në ndryshimin e piramidës, sipas një plani të mëparshëm.

    Por, është në dorë të përfaqësuesve të zgjedhur nga populli, të krijojnë këto prioritete. Pastaj është në dorë të donatorëve të gjykojnë nëse këto prioritete janë në përputhje me parimet e “qeverisjes së mirë” dhe parametrave të tjerë të dhënies së ndihmës.

    Dukeni shumë kritik ndaj klasës politike shqiptare. Por të dy blloqet duket të jenë pak a shumë në linjë me atë çka duan votuesit. Të paktën, ata i votojnë vazhdimisht për në parlament. Dhe lëvizjet mes blloqeve nga zgjedhjet në zgjedhje janë të vogla. Çfarë mund të bëjnë ndërkombëtarët?

    Po veçoj klasën politike, sepse ajo ka një përgjegjësi të veçantë. Votuesit i besojnë asaj të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Ajo ka përgjegjësi për marrjen e vendimeve gjatë 20 viteve të fundit, të cilat e kanë sjellë Shqipërinë në gjendjen e sotme. Dhe me vendime kam parasysh vendimet e marra dhe jovendimet.

    Çfarë mund të bëjnë ndërkombëtarët? Ne mund të flasim hapur, siç po veproj unë sot. Ose në heshtje, ta gatuajmë pasojat, në lidhje me ndihmën, anëtarësimin në BE etj. Por ne nuk kemi shkopin magjik. Atë e kanë votuesit në dorë.

    Çfarë doni të thoni me fjalën “jovendimet”?


    Një mosveprim, mund të jetë një mënyrë tjetër e të thënit. P.sh. duke mos bërë ç’është e mundur për të zbatuar shumë ligje të mira, që janë aprovuar gjatë dekadës së kaluar.

    Por ligjet e mira nuk vlejnë as për letrën në të cilën janë shtypur, nëse ato nuk pasohen nga veprime efektive. Për ta bërë këtë, duhet të këmbëngulni për shtetin e së drejtës, dhe duhet të keni një aparat profesional që të kryejë atë që në fakt kërkon ligji. Ju duhen numrat, ju duhen aftësitë. Nëse keni nevojë për një operacion në tru, ju duhen mjeket dhe infermierët, si dhe një kirurg për trurin. Jo militantët politikë.

    Një shembull tjetër: Jam i sigurt se shumica e shqiptarëve një ditë kanë dëgjuar politikanët e tyre të flasin rreth arsimimit, si prioritet kryesor; ditën tjetër kanë parë të njëjtët politikanë që heqin nga puna arsimtarë të talentuar, për të hapur vende për miqtë politikë të tyre apo familjarët dhe shokët e tyre, duke injoruar kështu parimet bazë të shtetit të së drejtës.

    Ndërkombëtarët nuk janë të shurdhër, as të verbër. Ne gjithashtu, shpesh vëmë re mospërputhje midis asaj që është thënë e asaj që është bërë. Dhe ne jo rrallë biem edhe vetë viktimë. Një kolegu im, ambasador, sa nuk qante kur më tregonte rreth një projekti të suksesshëm në arsim, të cilin ky person e kishte bërë realitet me kosto të lartë personale e shpenzime për qeverinë dhe taksapaguesit e tij, vetëm për t’i parë të gjithë të pushoheshin nga puna, kur ndodhi një ndryshim pushteti. Padyshim, ky person do të mendohet mirë herën tjetër. Nëse do të ketë herë tjetër. Jam i sigurt se shumica, në mos të gjithë ndërkombëtarët, kanë përvoja të ngjashme. Lirisë së dhënë për të vepruar dhe tolerancës ndaj një sjelljeje të tillë po i vjen shpejt fundi. Shumica e vendeve donatore po përballen me probleme të mëdha financiare, dhe u duhet të shikojnë fort mirë sesi shpenzohen paratë. Shqipëria nuk mund të pretendojë më se është një vend në tranzicion. Ajo e pati shansin e saj më të mirë. Fatkeqësisht klasa e saj politike, shpesh, nuk e përdori atë me zgjuarsi.

    Realiteti i ashpër është se sot më shumë se kurrë, është në dorë të vetë shqiptarëve ta kapin atë shans.

    Mos janë fjalë shumë të ashpra këto?


    Po, por fatkeqësisht ky është realiteti trishtues. Pak duan ta thonë këtë me zë të lartë, por unë besoj se duhet thënë, me qëllim që të ndihmohet Shqipëria për t’u kthyer në rrugën e duhur. Dhe kjo duhet të ndodhë tani. Një vërejtje optimiste: Nëse ka ndonjë komb që ka aftësitë dhe vrullin për ta bërë kryesisht vetë këtë, është Shqipëria dhe Shqiptarët.



    Në intervista të tjera keni folur për potencialin e madh ekonomik të Shqipërisë vecanërisht si një vend turistik. Si i vlerësoni zhvillimet? Duket sikur është një nga fushat ku Shqipëria ka sukses?


    Përgjigjja e shkurtër është se potenciali është akoma këtu, por po shkatërrohet me një ritëm që nuk e kisha imagjinuar.


    Kur isha një ithtar i madh për turizmin – dhe duke e shprehur në këtë mënyrë, ju do ta kuptoni që kam ndërruar mendim – mendoja tre vjet të shkuara për Shqipërinë, me plazhe të pastra dhe me infrastrukturën e nevojshme, rrugë, spitale, sisteme kanalizimi etj, për ta mbështetur atë.

    Por, ajo që po ndodh tani, është me të vërtetë një fatkeqësi e stërmadhe për vendin, sepse shumë nga çfarë po ndodh, do të jetë e vështirë, në mos e pamundur, të zhbëhet. Pakujdesitë ndaj mjedisit do t’i lenë një faturë jashtëzakonisht të madhe për të paguar brezave të ardhshëm. Më i dukshëm është shkatërrimi i unikalitetit të Shqipërisë – pasurisë së saj më të madhe nga pikëpamja e turizmit. Po ndodh në Sarandë, Vlorë, Durrës, në Tiranë, po, kudo, kryesisht nga ndërtimet e pakontrolluara.

    P.sh. shpesh shkoj në Durrës. Durrësi dikur ka qenë një nga gurët e çmuar të Shqipërisë, por çdo herë që shkoj, ndihem pak i prirur për t’u kthyer atje. Tani po ndërtohet dhe në ujë, për të hapur vend për hotele, diskoteka e bare të zhurmshëm. Dhe në TV shoh shumë shqiptarë me interesa vetjakë në turizëm, që flasin për lejimin e motorëve të ujit apo skafeve.

    Jam i sigurt se Shqipëria akoma do të vazhdojë të tërheqë turistë. Por nëse gjendja e tanishme nuk ndryshon shpejt dhe në mënyrë drastike, dyshoj shumë se Shqipëria do të tërheqë ata lloj turistësh që ajo dëshiron. Shqipëria shfaqet si një vend turistik i lirë, me cilësi të ulëta, kur ka shansin të jetë më e shtrenjtë dhe një destinacion cilësor.

    Sigurisht që i kuptoj interesat e pronarëve individualë të hoteleve e bareve për të ndërtuar kudo ku mund gjejnë hapësirë, për të siguruar jetesën. Por kjo me të vërtetë që është një fushë ku politikanët, si kujdestarë të interesave kombëtare, duhet të ngrihen. Që vite të shkuara. Nuk e bënë, dhe ka prova të bollshme se shumë politikanë dhe miqtë e tyre janë të përfshirë në këtë shitje shkatërrimtare të thesareve më të mirë të Shqipërisë. Është me të vërtetë shumë, shumë trishtuese ta shohësh.



    Përfundimi i asaj që po thoni, është se “e ardhmja e shqiptarëve është në dorë të shqiptarëve”?



    Saktë. Sa më parë të kuptohet kjo aq më mirë është. Kam besim të thellë te populli shqiptar. Sikurse kam thënë shumë herë, zor se gjeni popull më punëtor, të palodhur e miqësor. Kjo është arsyeja që unë besoj me vendosmëri se shqiptarët, nëse përqëndrohen te detyra, mund ta çojnë këtë vend në BE në një kohë rekord.

    Por për ta bërë këtë të ndodhë, nuk është çështja vetëm te ndryshimi i bazave të politikës. Populli shqiptar duhet gjithashtu të ndryshojë mënyrat e sjelljes së tij. Më lejoni ta ilustroj me një temë të preferuar për shumicën e ndërkombëtarëve, vizitorëve dhe timen: trafikun.

    Mund të kisha shkruar një dizertacion doktorature për çfarë është e gabuar në drejtimin e makinës në këtë vend, por mjafton të them se shumica e drejtuesve të mjeteve nuk respektojnë rregullat bazë. Dhe policia shpesh nuk ua imponon ligjet, edhe kur shkelja ndodh përpara syve të tyre. Në Danimarkë, nga ku vij, dhe ku normalisht jetoj, në një vit të tërë, ka të ngjarë të shikoni një ose dy drejtues mjetesh të kalojnë me dritë të kuqe. Në Tiranë, do ta arrini këtë numër nëse rrini në një kryqëzim të kontrolluar për pak sekonda. Madje edhe me policë qartazi të pranishëm. Shumica e shqiptarëve as që mendojnë për këtë. Por siç e shikojmë unë dhe shumë vizitorë të tjerë, kjo tregon se shqiptarët nuk janë gati të respektojnë rregullat bazë të shoqërisë moderne. E thënë ndryshe, kur qytetarët shqiptarë nuk respektojnë rregullat bazë të drejtimit të mjetit, si mund të kemi besim te shqiptarët që të respektojnë rregullat shumë më të komplikuara të “trafikut” që kërkohen nga anëtarësimi në BE?

    Ky paradoks bëhet absurd, parë nga këndvështrimi ndërkombëtar, kur ndeshni militantë me flamuj blu, në disa raste edhe rozë që udhëtojnë nëpër qytet, duke thyer të gjithë rregullat e trafikut, duke rrezikuar jetën e të tjerëve.

    Personalisht kam qenë pranë vdekjes disa herë më shumë nga ç’dua të kujtoj, sepse militantë kanë drejtuar makinën në mënyrë moskokëçarëse rreth zonës së Bllokut, ku punoj. Kjo nuk është një deklaratë politike. Por një deklarim i faktit. Qartësisht, për këtë vëzhgues, këta militantë nuk e ndihmojnë Shqipërinë të hyjë më shpejt në BE, sepse me sjelljen e tyre, ata tregojnë një mungesë të thellë të të kuptuarit të asaj se çfarë është BE-ja.

    Pra, një përgjigje e thjeshtë e pyetjes së përse Shqipëria akoma nuk është në rrugën e shpejtë drejt BE-së, është kjo: Sepse shumë shqiptarë nuk respektojnë rregullat e trafikut të shoqërisë, në trafik dhe në fusha të tjera.

    Mendojeni këtë herën tjetër që kaloni me dritë të kuqe apo parkoni ilegalisht. Sepse mesazhi që u dërgohet ndërkombëtarëve nga një sjellje e tillë, është i qartë dhe i fortë: Ne, shqiptarët, nuk jemi gati të pranojmë rregullat. Ne, shqiptarët, nuk jemi gati për në BE. Jam i sigurt se nuk është ky mesazhi që Shqiptarët duan të dërgojnë me të vërtetë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Hyllien : 18-07-2011 më 20:56
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    qeveria por dhe bashkite duhet ta bejne kte interviste si nje doracak si nje leksion qe duhet ta lexoje cdo nepunes shteti... qe nga kryeministri deri tek kryetaret e komunave..

    shum nga cfar ka then danezi qendrojne e duhet nxjerr mesim..

    ..

  3. #3
    Moderator Maska e benseven11
    Anëtarësuar
    10-09-2002
    Vendndodhja
    new jersey-usa
    Postime
    13,816
    Njelloj si ne kohen e Enverit,vetem 5 % e administrates shteterore ishin kompetente dhe profesioniste te vertete.
    Njerzit me fuqi drejtimi ne shtet viheshin nga politikanet,nga partia.
    E njejta gje edhe sot.Ja perse gjykates,prokurora,drejtues ne administrate nuk
    mund te punojne dot te pavarur,pasi jane vene ne ate pune nga nje parti
    dhe nuk i drejton ato profesionalizmi, por partia qe i ka fut ne ate pune.
    Mentaliteti duhet te krijohet dhe filloje te arsimimi,kualifikimi i vertete,i punonjesve ne shtet,
    qe con ne profesionalizem dhe pune te mire me cilesi.
    95% e punonjesve,punojne si amatore.Shume keq.
    ≈♥♠♣♦≈ovguide.com/movies

  4. #4
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Nuk do te kisha folur asnje fjale me ndryshe se Z.Karsten ne kete interviste. Jane keto gjera qe me bene te mos jetoj shumicen e kohes ne Shqiperi...

  5. #5
    Sa bukur paska folur, tamam realitetin e vendit tone... ! Shqiptaret e kane ne dore te ardhmen e Shqiperise, por ja qe nje perqindje e larte mban shpresa vetem te te huajt...

    La vita non si spiega, si VIVE!

  6. #6
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Citim Postuar më parë nga kleadoni Lexo Postimin
    Sa bukur paska folur, tamam realitetin e vendit tone... ! Shqiptaret e kane ne dore te ardhmen e Shqiperise, por ja qe nje perqindje e larte mban shpresa vetem te te huajt...
    Shqiptaret e kane ne dore, por shqiptaret nuk po duan qe Shqiperia te kete nje te ardhme te mire. Si t'ia bejme? Sic e tha dhe ambasadori, shqiptareve ende nuk i eshte larguar gjeni i shkaterrimit te tjetrit. Me mire e sheh fqinjin duke vuajtur, se sa ta shohe ate me te pasur se vetja. Ende nuk mendohet si nje shoqeri, por si individ, individ qe mendon si e si te shkaterroje shoqerine, per te fituar sadopak vete. Nese fqinji ka me teper se ty, kjo do te thote qe copa jote do te jete me e madhe, por ne Shqiperi shumica mendon se kjo do te thote qe fqinji ka gjithe torten...

  7. #7
    Citim Postuar më parë nga Edvin83 Lexo Postimin
    Shqiptaret e kane ne dore, por shqiptaret nuk po duan qe Shqiperia te kete nje te ardhme te mire. Si t'ia bejme? Sic e tha dhe ambasadori, shqiptareve ende nuk i eshte larguar gjeni i shkaterrimit te tjetrit. Me mire e sheh fqinjin duke vuajtur, se sa ta shohe ate me te pasur se vetja. Ende nuk mendohet si nje shoqeri, por si individ, individ qe mendon si e si te shkaterroje shoqerine, per te fituar sadopak vete. Nese fqinji ka me teper se ty, kjo do te thote qe copa jote do te jete me e madhe, por ne Shqiperi shumica mendon se kjo do te thote qe fqinji ka gjithe torten...
    Ekzakt! Ky eshte mentaliteti yne... asnjehere nuk themi dicka ne lidhje me veten ne menyre precize, por e themi gjithmone duke bere krahasim me te tjeret.

    La vita non si spiega, si VIVE!

  8. #8
    -
    Anëtarësuar
    21-01-2009
    Vendndodhja
    -
    Postime
    2,081
    Me pak fjalë Z.Ambasador na citoi Bajronin e famshëm, që para 200 vjetësh këndoi:

    Fierce are Albania's children, yet they lack
    Not virtues, were those virtues more mature.

    Domethënë, ju keni cilësira plot po jeni pak të trashë.

    Ambasadori as me shumë e as më pak po ka tallur BYTHËN me ne. Dhe e ka tallur fort.
    Vetë ambasadori i nxjerr zgjedhjet si të manipuluara dhe sistemin politik e nxjerr pak a shumë mafioz (pra grabitës dhe të kriminalizuar) dhe pastaj fajëson votuesit shqiptarë.

    Tani ose sistemi është i drejtë dhe votuesit janë këta që janë, domethënë njerëz të trashë,...
    ose sistemi është mafioz dhe votuesin s'e menderos njeri hiç.

    Ambasadori na përmend edhe mister Furrxhiun. Po mire ky furrxhiu prej Ameriqie nga e nxorri atë "hallvën" e çekut të bardhë dhe të terapisë së shok-ut?

    Por meqë qenka puna kaq kollaj,domethënë populli qenka i mirë po politikanët të këqinj pse nuk flet hapur Europa:

    O popull, ju keni politikanë horra dhe ne nuk hamë darka e dreka nëpër Krokodila e Shimpazera me horra e matrapazë. Kur të zgjidhni politikanë të ndershëm na bëni një zile. Deri atëhere ju dëgjofshim të mirën.

    A nuk ishte ajo Europë që deri para zgjedhjeve po na mburrte për "arritjet tona" (pra të politikanëve tanë)...dhe na hoqi edhe vizat?

    Pse Europa ka 20 vjet që as e marton e as e lëshon Shqipërinë?

    Shkut e qartë, Shqipëria është si ato të dashit. Aq sa të pavarura janë ato nga dashi, aq të pavarur jemi ne nga Superfuqitë.

    A u pyet Shqipëria për kufijtë që ka sot?
    A u pyet populli shqiptar në do zgjidhte të ishte me sllavët apo me amerikanët?
    Nuk po flas për pas '90 se vetë z.Ambasador e ka thënë troç që sistemi është i korruptuar dhe shtrembëron rezultatet.

    Kaq të trashë na kujton zoti Ambasador sa me shprehje të tipit "keni shumë cilësira por politikanë të këqinj" kujton se neve do na vijë ëmbël kur të na q....?

    Po mirë, kaq të trashë jemi ne sa akoma nuk e kemi kuptuar që "elita politike" ka qenë thjesht regjencë e emëruar dhe aspak e zgjedhur?
    Akoma nuk e kemi kuptuar ne që shoku Sali nga sekretar i organizatës bazë na katapultohet në kryesi të Partisë Demokratike?
    Po ish-kryebashkiaku që vjen nga urat e Parisit, na bëhet Ministër Kulture kush e katapultoi? Populli?
    Po që kandidon si kandidat apolitik dhe pastaj na bëhet kryetar partie edhe kjo "zgjedhje populli"...jo katapultim?

    Shkurt muhabeti, k.... Europë polli dobiçin, na e la në dorë, dhe tani na thotë "T'ju rrojë se vetë e pollët".


    PS. Kur do vijë ajo ditë që të mos blegërijmë më të nënshtruar përpara "ndërkombëtarëve" që vijnë e na shesin moral e leksione si para një tufe gjimnazistësh?
    Kur do e shohim njëherë të vërtetën në sy: Fajin e kemi ne që nuk ruajtëm "lopën"...po edhe ai që e "vodhi" nuk mund të vijë e të na bëjë moral për fajet tona. Të pranojë njëherë padrejtësitë që i janë bërë dhe i bëhen hapur dhe fshehurazi shqiptarëve dhe pastaj flasim edhe për fajet tona.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Kavir : 20-07-2011 më 12:59
    -

  9. #9
    Citim Postuar më parë nga Kavir Lexo Postimin
    Kaq të trashë na kujton zoti Ambasador sa me shprehje të tipit "keni shumë cilësira por politikanë të këqinj" kujton se neve do na vijë ëmbël kur të na q....?

    Po mirë, kaq të trashë jemi ne sa akoma nuk e kemi kuptuar që "elita politike" ka qenë thjesht regjencë e emëruar dhe aspak e zgjedhur?
    Akoma nuk e kemi kuptuar ne që shoku Sali nga sekretar i organizatës bazë na katapultohet në kryesi të Partisë Demokratike?
    Po ish-kryebashkiaku që vjen nga urat e Parisit, na bëhet Ministër Kulture kush e katapultoi? Populli?
    Po që kandidon si kandidat apolitik dhe pastaj na bëhet kryetar partie edhe kjo "zgjedhje populli"...jo katapultim?

    Shkurt muhabeti, k.... Europë polli dobiçin, na e la në dorë, dhe tani na thotë "T'ju rrojë se vetë e pollët".


    PS. Kur do vijë ajo ditë që të mos blegërijmë më të nënshtruar përpara "ndërkombëtarëve" që vijnë e na shesin moral e leksione si para një tufe gjimnazistësh?
    Kur do e shohim njëherë të vërtetën në sy: Fajin e kemi ne që nuk ruajtëm "lopën"...po edhe ai që e "vodhi" nuk mund të vijë e të na bëjë moral për fajet tona. Të pranojë njëherë padrejtësitë që i janë bërë dhe i bëhen hapur dhe fshehurazi shqiptarëve dhe pastaj flasim edhe për fajet tona.
    Edhe jo mos thuaj! Boll ketu ne forum ke prova evidente se sa te trashe jemi ne... se sa shume persona nuk i kane kuptuar ende ato qe ti ke vene si pyetje.
    Kemi nevoje per te huajt, edhe shume madje. Te gjithe syte nga europa i kemi drejtuar... mjaftoj nje anetaresim ne Nato e nje liberalizim vizash per ti bindur shqiptaret se udhehiqemi nga njerez me nivel, nga njerez qe "lene koken per vendin e tyre".

    Te pakten, ky ambasadori i ka thene gjerat troc, ndryshe nga shume te tjere qe kane folur nga te cilet nuk mbaj mend te kem lexuar ndonje shpjegim kaq te qarte. Padrejtesi n'a jane bere ngaqe i kemi dhene mundesine, se po te ishim cik te zotit ne nuk do ia kishim lejuar.

    La vita non si spiega, si VIVE!

  10. #10
    -
    Anëtarësuar
    21-01-2009
    Vendndodhja
    -
    Postime
    2,081
    Citim Postuar më parë nga kleadoni Lexo Postimin
    Edhe jo mos thuaj! Boll ketu ne forum ke prova evidente se sa te trashe jemi ne... se sa shume persona nuk i kane kuptuar ende ato qe ti ke vene si pyetje.
    Kemi nevoje per te huajt, edhe shume madje. Te gjithe syte nga europa i kemi drejtuar... mjaftoj nje anetaresim ne Nato e nje liberalizim vizash per ti bindur shqiptaret se udhehiqemi nga njerez me nivel, nga njerez qe "lene koken per vendin e tyre".

    Te pakten, ky ambasadori i ka thene gjerat troc, ndryshe nga shume te tjere qe kane folur nga te cilet nuk mbaj mend te kem lexuar ndonje shpjegim kaq te qarte. Padrejtesi n'a jane bere ngaqe i kemi dhene mundesine, se po te ishim cik te zotit ne nuk do ia kishim lejuar.
    S'kam ç'them. Unë për t'i bërë qejfin vetes përmenda "blegërimën". Më anoi kandari pak nga ana jonë, ti qenke më i drejtpërdrejtë.
    Nuk thonë kot amerikanët "Kur të thonë njëherë "gomar" futja me grusht. Po të thanë dy herë, mendohu mirë. Po të thanë herën e tretë, shko bli samarin". Ndoshta e meritojmë samarin që na kanë 100 vjet që na e kanë vënë.
    -

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •