03-07-2011 17:08 CET
Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në bisedime teknike me Serbinë, Edita Tahiri, gjatë një konference për medie pas mbërritjes në Kosovës nga Brukseli, bëri të ditur se tri marrëveshjet e arritura në Bruksel do të fillojnë së implementuari nga 1 nëntori i këtij viti.
“Marrëveshjet fillojnë të zbatohen nga 1 nëntori i këtij viti. Nga kjo datë do të zbatohet ligji në gjithë territorin e Kosovës dhe do të eliminohen strukturat paralele, kurse qytetarët do të lëvizin lirshëm”, ka theksuar ajo.
Tahiri ka ripërsëritur se marrëveshjet e arritura të shtunën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë hapi i parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
Ndërkaq, vlerësimet e Tahirit i ka hedhur poshtë homologu i saj serb, Borko Stefanoviq, i cili, në disa deklarime për mediet serbe, theksoi se këto marrëveshje nuk kanë të bëjnë aspak me njohjen e Kosovës nga Serbia.
Edhe ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper, ka theksuar se “këto marrëveshje s’kanë të bëjnë fare me statusin dhe qëndrimet e palëve rreth statusit”. /zëri/
Krijoni Kontakt