21 janari zbret në parlament. Deputeti i opozitës godet me grusht në fytyrë Palokën
Parlamenti shqiptar u kthye fatkeqësisht në një arenë dhune të ngjashme me atë të 21 janarit, ku ashtu sikurse forcat e rendit u goditën në fillim të protestës me hunj dhe drurë pa asnjë shkak, ashtu u godit edhe deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka. Pamjet e momentit të dhunës janë të qarta. Deputeti Edi Paloka po fliste nga karrigia e tij kur socialisti Paulin Sterkaj i tërheq mikrofonin me dhunë. Pavarësisht nga acarimet e momentit të dy deputetët e mbajtën veten dhe situata nuk degjeroi në dhunë. Por krejt papritur, pa asnjë motiv deputeti tjetër i PS, ai i Qarkut të Lezhës Armando Prenga ka goditur Palokën me grusht në fytyrë. Seanca, edhe pse filloi e qetë u tensionua shumë shpejt. Në fillim e morri fjalën kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i cili akuzoi kryeministrin Berisha për vrasjen e viktimave të 21 janarit.
Gramoz Ruçi: ““Erdhëm me përgjegjshmëri në këtë seancë që të vinim përpara përgjegjësisë urdhëruesit dhe ekzekutorët e atyre shqiptarëve që nuk jetojnë më. Në vend që të ndodhte kështu, ju me qëndrimin që mbajtët, treguat se jeni bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës me ngjarjen makabre të 21 janarit. Kjo qeveri nuk sheh interesat e veta, por ato personale. Ju pret gjyqi i drejtësisë, por edhe ai i shoqërisë”
Menjëherë u përgjigj kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi i cili bëri përgjegjës për vdekjen e katër protestuesve kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama dhe strategjinë e tij.
Astrit Patozi: “Unë nuk dua ta identifikoj Partinë Socialiste me atë bandë që sulmoi Kryeministrinë, por me sa ka ndodhur pas 21 Janarit, e kam të vështirë ta ndaj atë nga përpjekja për të marrë pushtetin me dhunë. Përfytyroni o shqiptarë, se çfarë fytyre do të kishte qeveria e imagjinuar prej Ramës, me ata horra dhe bandita që sulmuan Kryeministrinë. Rama një gjë duhet ta dijë mirë, se nuk do të ketë më shans për të sulmuar shtetin me dhunë Sot bëre sërish thirrje për dhunë, por duhet ta dish mirë dhe ta harrojë kush se duhet të shantazhojë mazhorancën legjitime, do keni përgjigjen e merituar”
Seanca u ndërpre disa herë pasi deputetët socialist pushtuan foltoren e kuvendit duke kërkuar praninë e kryeministrit dhe ministrit Basha.
Kjo seancë që mund të quhet me plot gojën skandaloze e që vijoi më pas pa praninë e opozitës, vjen një ditë pas mesazheve të hapura e të prera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet gojës së Zv/Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Countryman ku kërkohej që të vendoseshin ura dialogu mes mazhorancës dhe opozitës dhe ku u bë e qartë se bojkoti i zgjedhjeve dhe i parlamentit ishin një strategji destabilizuese e aspak e pranueshme.
TV Klan
Krijoni Kontakt