Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike IFIMES ka bërë një analizë lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë dhe koalicionimet e mundshme pas këtyre zgjedhjeve.
Instituti IFIMES me seli në Lubjanë të Sllovenisë ka përshkruar gjendjen e partive politike dhe koalicioneve të reja si dhe parashikimet për formimin e Qeverisë së ardhshme.Bëhet e ditur se PDK ka momentin më të duhur për të fituar këto zgjidhje, duke pasur parasysh dobësimin e LDK-së, shkuarjen e Ramush Haradinaj në Hagë dhe me këtë forcohen shanset për fitore në këto zgjedhje.
Lidhur me pozicionin e LDK pas zgjedhjeve të saj brenda partiake, IFIMES vlerëson se lideri i ri Isa Mustafa ka bërë dy gabime strategjike. “Pritja zhgënjyese për ndryshime rrënjësore në parti de ndryshimet kozmetike, duke mos ofruar figurë të re brenda LDK-së. Dhe gabimi i dytë është që nuk ka arritur që ta mbajë Ukë Rugovën brenda LDK-së. Vlerësimet janë se nëse Ukë Rugova do të ishte në LDK në rolin e nënkryetarit, ky do të ishte një tandem i fitores“, vlerëson instituti slloven.
Për AAK-në vlerësohet se këto zgjedhje të jashtëzakonshme edhe pa praninë e Ramush Haradinaj në fushatë do të jenë të suksesshme për këtë parti politike.
Lidhur me dy forcat e reja politike që garojnë në këto zgjedhje FER dhe “VETËVENDOSJE!“, Instituti Slloven shkruan se këto dy parti tubojnë një numër të madh të votuesve të rinj dhe të papërcaktuarit për asnjë parti tjetër politike.
“Gjithsesi pritet të jetë e sigurt se Qeveria e re e Kosovës vështirë se do të formohej pa njërën prej këtyre dy forcave politike“.
Edhe forcat politike serbe do të kenë rolin e tyre në këto zgjedhje, edhe përkundër thirrjes së Beogradit zyrtar për të mos dalë në votime. Sipas IFIMES, serbët pas zgjedhjeve sipas shumë paralajmërimeve do të koalicionojnë me PDK-në.
Instituti Ndërkombëtar IFIMES në raport vlerëson se, këto zgjedhje do të japin edhe përgjigjen se a do të paraqitet një lider shqiptar, i cili do të jetë në gjendje për të integruar rreth 20 për qind të territorit të Kosovës, i cili nuk është nën kontrollin e Qeverisë së Kosovës, por nën kontrollin e Beogradit dhe se ky territor a do të jetë nën ombrellën e Kosovës apo gjithmonë do të jetë i humbur. (INA)
Krijoni Kontakt