Vritet një shqiptar në veri të Mitrovicës
Është vrarë me armë zjarri afër shtëpisë së tij në “Kodrën e Minatorëve”, në veri të Mitrovicës, Hakif Mehmeti, i njohur me emrin Kika.
Ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 21.40, ndërkohë që ai është transferuar në spitalin që ndodhet në veri, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij, njofton rtv21.
Shkaqet e vrasjes nuk dihen, ndërsa policia ka dalë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet. Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, i cili ka deklaruar se është në pyetje një vrasje me armë zjarri, ku viktima është një shqiptar i lagjes “Kodra e Minatorëve”.
“Njësitë rajonale të Policisë së Kosovës janë duke mbledhur informacionet fillestare rreth rastit, ndërkohë që kryesit dhe motivi i këtij akti kriminal janë për momentin të panjohur”, ka deklaruar Hoti. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt