Thaçi: Ligjin e Punës e pritëm 10 vjet
Kryeministri Hashim Thaçi e ka cilësuar si një punë të mirë të qeverisë aktuale, miratimin e Projektligjit të Punës, më 30 prill në Qeverinë e Kosovës dhe procedimin e tij më 7 maj në Parlament.
Duke iu përgjigjur kritikave të një deputeti të opozitës për vonesën e miratimit të ligjit, Thaçi ka thënë se për këtë ligj, punëtorët e Kosovës kanë pritur tash e dhjetë vjet.
“Gjithë atë që kam bërë unë dhe Qeveria është miratimi i Projektligjit të Punës nga Qeveria e Kosovës më datë 30 prill 2010. Puna që ne kemi bërë është ajo punë që e kemi pritur për dhjetë vjet. Nuk ka qenë çështje ditësh, por kemi pritur qe dhjetë vjet”, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.
Thaçi i bëri këto komente në seancën e Kuvendit të Kosovës gjatë kohës së pyetjeve parlamentare, i shtyrë nga pyetja e deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kada-Bujupi, e cila e ka konsideruar miratimin e këtij ligji nga Qeveria, më shumë si blerje kohe, në prag të protestave të punëtorëve, që u mbajtën në fillim të majit.
Sipas tij, ky projektligj është i harmonizuar me faktorin ndërkombëtar, ku përfshihen të drejtat e punëtorëve, pagat, beneficionet, ndërprerja e punës, dispozitat ndëshkimore, dispozitat kalimtare etj., ndërkaq qëllimi i tij është të rregullojë të drejtat dhe detyrimet, kontratën kolektive dhe kontratën e punës, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Thaçi nuk ka bërë të ditur sa do të jetë kostoja financiare e ligjit dhe kur pritet të nisë implementimi i tij.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se edhe Projektligji për Pensionistët do të procedohet brenda periudhës njëmujore, për ç’gjë deputetja Kada ka thënë se do ta mbajë për fjale. /express/
Krijoni Kontakt