Hiqet paga e 13, vetëm 10 mijë lekë shpërblim
Këshilli i Ministrave ka vendosur heqjen e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe zëvendësimin e saj me një shpërblim prej 10 mijë lekësh. Por edhe ky nuk dihet se kur do të merret. Në fletoren zyrtare është publikuar vendimi i qeverisë në lidhje me këtë çështje, ku urdhërohet që në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet fondi i veçantë, në masën 5 për qind të fondit të planifikuar për pagat. "Ky fond përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie", - thuhet në VKM-ë. Sipas tij, shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore në vit. Përjashtimisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit nuk duhet të jetë më shumë se 2 (dy) paga mujore në vit. Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil. Për DPT-në kriteret e shpërblimit me mbi një pagë përcaktohen sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm. Të gjitha shpërblimet për rezultate të mira në punë do të përballohen nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve. "Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur në ligj janë parashikuar burime të tjera specifike, të ndryshme nga fondi i veçantë i pagave. Në këtë rast, kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimeve përcaktohen me udhëzime përkatëse", - thuhet në VKM-në me numër 1151. Për sa i takon shpërblimit të fundvitit, qeveria ka parashikuar që për çdo punonjësi të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë, pavarësisht shpërblimit sipas pikës 3 të këtij vendimi.
Albania
17 Dhjetor 2009
Krijoni Kontakt