Gruaja 70 vjeçe i vjedh 4 mijë lekë komshiut teksa udhëtonin me linjën Kinostudio-Kombinat
TIRANE- Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur dje në njërin prej autobusëve urbanë të linjës Kinostudio- Kombinat, ku një shtetase e moshuar është arrestuar nga forcat e policisë duke grabitur qytetarët e ndryshëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:30 të mëngjesit ku në njërin nga stacionet e linjës Kinostudio-Kombinat është vënë re nga qytetarët, grabitja e shtetasit Ibrahim R., 68 vjeç, i cili është komshi i autores së krimit. Sipas burimeve zyrtare pranë policisë së Tiranës, autori i kësaj grabitje është shtetasja A. Zeka, 70 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ka mundur t’i vjedhë shtetasit të sipërcituar shumën e parave prej 4 mijë lekësh të reja. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë specialistët e seksionit kundër vjedhjeve pranë komisariatit nr. 3 filluan procedimin penal në gjendje të lirë për 70-vjeçaren Zeka dhe të gjitha materialet hetimore në ngarkim të saj ju deleguan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme. E moshuara është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, të cilët në cilësinë e provës materiale i kanë sekuestruar edhe shumën financiare prej 40 mijë lekësh të vjetra. Përpara tyre 70-vjeçarja ka pranuar veprimin kriminal të kryer në autobus dhe ka kërkuar falje për gjestin e turpshëm. Mirëpo pendesa e saj nuk ka shërbyer për t’ju shmangur drejtësisë, pasi oficerët e komisariatit nr. 3 kanë ngritur ndaj saj akuzën e vjedhjes. Në njërin nga stacionet që ndodhet në rrugën e Kavajës është vënë re të hipë një zonjë e moshuar, e cila në njërën dorë mbante edhe një çantë të zezë. Shumë shpejt asaj i është liruar një sedilje në mënyrë që ajo të ulej, pasi si pasojë e moshës së madhe ajo nuk mund të qëndronte në këmbë në autobusin që ishte me drejtim lëvizjeje Kombinat-Kinostudio. Shumë shpejt para saj është ulur edhe shtetasi 68-vjeçar Ibrahim R. Duke mos ditur qëllimin kriminal të 70-vjeçares, ky i fundit gjatë rrugës bisedon me shtetasen e proceduar. Mirëpo gjatë kësaj kohe A. Zeka arrit t’ia fusë dorën në xhep të moshuarit, duke i grabitur shumën e parave prej rreth 4 mijë lekësh të reja. Veprimin e turpshëm dhe të paprecedentë e kanë vënë re personat që ndodheshin në ato momente në autobus. Menjëherë ata kanë lajmëruar faturinon e autobusit, i cili i ka kërkuar të moshuarës të dorëzonte shumën e parave të grabitura. Por Zeka nuk ka pranuar të kryejë këtë gjë, duke pohuar se nuk kishte grabitur asnjë shumë financiare. Ka qenë pikërisht viktima Ibrahim R. që pasi ka konstatuar mungesën e parave i ka kërkuar në mënyrë të prerë të moshuarës të dorëzonte lekët ose në rast të kundërt ai do të lajmëronte policinë. Kjo fjalë nuk e ka trembur 70-vjeçaren, e cila ka vazhduar të mos dorëzoje paratë.
Precedenti pak muaj më parë
Çifti i moshuar që shpërndante kokainë
Edhe të moshuarit përfshihen në vepra të ndryshme kriminale. Një rast pak a shumë i ngjashëm me këtë është shënuar më 28 prill të këtij viti ku pas një operacioni antidrogë, në banesën e dy të moshuarve janë sekuestruar 6 porcione kokainë. Duket se dy të moshuarit, burrë dhe grua, përveç pensionit të marrë nga shteti, kishin gjetur një punë ekstra për të shtuar edhe më të ardhurat e tyre. Shtëpia ku ata banonin, përveçse “strehëzë” e tyre për të kaluar pleqërinë, ishte shndërruar edhe në vendin nga ku fshihej droga e llojit kokainë, e cila më pas hidhej në treg për t’iu shitur përdoruesve të kryeqytetit. Pas një hetimi të kryer, specialistët e Seksionit Kundër Drogës në kryeqytet ndërmorën një aksion, ku vunë në pranga të moshuarit, Kadri dhe Fiqirete Kadriaj, 67 dhe 62 vjeçe.
Krijoni Kontakt