Gazeta Tema, 7 Maj 2008
PD dhe heshtja kompromentuese për Gërdecin
Nga Mero Baze
Figurat kryesore politike të Partisë Demokratike në pushtet kanë shmangur në bllok komentet e tyre për tragjedinë e Gërdecit, edhe gati dy muaj pas saj. Pavarësisht zhvillimeve të forta brenda kësaj partie, sidomos në kohën që kaluan ndryshimet kushtetuese për reformën elektorale dhe mandatin e presidentit, të gjitha palët duket se u bashkuan, dikush me heshtje dhe dikush me dëshirë, me idenë që tragjedia e Gërdecit të mos prodhonte qëndrime politike brenda partisë. Pas kalimit të ndryshimeve kushtetuese kjo gjë po bëhet gati e pamundur, pasi, çdokush që do të guxojë të shfaqë qëndrimin e tij, duhet të llogarisë koston e heqjes nga lista e deputetëve.
Por problemi më serioz në këtë çështje nuk ka të bëjë vetëm me faktin se dikush duhet të ketë një mendim ndryshe nga mendimi zyrtar i qeverisë. Problemi kryesor është se gjithkush në atë parti po përpiqet ta shikojë atë jo si një çështje korruptive, jo si një standard të lartë korrupsioni, por si një fatkeqësi që iu ra për pjesë atyre. Në këto kushte nuk kemi sot asnjë zë të artikuluar ndryshe për tragjedinë e Gërdecit. E vetmja pëshpërimë, nëse mund ta quajmë kështu, është fjalia e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që ngul këmbë të mos e quajë aksident tragjedinë e Gërdecit. Nëse Oketa e thotë këtë, se kështu është i bindur, ky është një hap serioz përpara në debatin politik brenda PD. Nëse e thotë për rutinë, ngaqë nuk e kupton mirë diferencën mes të qenit “shpërthim i tmerrshëm”, siç e quan kryeministri dhe korrupsion i tmerrshëm, siç është në të vërtetë, atëherë dhe dalja e tij publike është nul.
Por më i ndjeshëm bëhet ky fakt, kur shikon se dhe grupet kritike ndaj Berishës brenda PD i bashkon në qëndrime publike me të tragjedia e Gërdecit. Opozita e qartë e Besnik Mustafajt për shembull errësohet dukshëm, kur bën lobing për të mbrojtur Fatmir Mediun nga hetimi. Kundërshtimi i hapur nga Biberaj apo Leskaj për shumë nisma ligjore të Berishës turbullohet tërësisht nga lotët që ata derdhin se mos iu shkon në burg Fatmir Mediu.
Gati të gjitha figurat e konsideruara me individualitet brenda PD janë bërë aq banale dhe të rëndomta në këtë pikë, sa ngjajnë të gjithë me Flamur Nokën, që bën punën e komisarit në çdo punë ku duhet qëndrimi zyrtar i PD.
Nevoja për zëra të qartë që të artikulojnë tragjedinë e Gërdecit si një pasojë e korrupsionit arrogant të pushtetit, është më shumë sesa nevojë për shoqërinë, nevojë për PD dhe autoritetin e saj nesër. Tragjedia e Gërdecit mund të ishte harruar, nëse do të ishte e ngjashme me varkën e mbytur në Farkë. Por ajo në të vërtetë është një histori që nisi nga lobimi i njerëzve që kishin vendosur të bënin pará me pushtetin dhe çoi, për shkak të arrogancës së tyre, në një katastrofë njerëzore.
Asnjë qeverie në botë nuk i kanë vdekur kaq njerëz dhe nuk i janë shkaktuar kaq shumë dëme nga arroganca e hajdutëve të veshur me pushtet. Çdokush brenda asaj partie që mendon se do të jetë jetëgjatë në politikë duke e quajtur Gërdecin “aksident teknologjik”, siç e quan faqja zyrtare e qeverisë dhe jo tragjedi të shkaktuar nga korrupsioni, do ta ketë shumë të vështirë të ngrejë gishtin nesër ndaj kujtdo që vret për të vjedhur në këtë vend.
Shoqëria shqiptare e ka të qartë se çfarë ka ndodhur në Gërdec. Hetimet shpresojmë të nxjerrin dhe përgjegjësinë zyrtare dhe administrative për këtë çështje. Por fenomeni politik që mbron Gërdecin nuk është një krim që hetohet nga prokuroria. Ai është një krim që gjykohet nga qytetarët. Dhe qytetarët shqiptarë po shikojnë një shumicë memece që hesht, duke mos dashur ta gjykojë këtë krim. Asnjë zë i vetëm, përveç Gazmend Oketës, nuk ka thënë një gjysmë fjale të ndryshme nga qëndrimi zyrtar për këtë tragjedi. Dhe kjo është një gjë që njerëzit e mbajnë shënim. Mbajnë shënim dhe besojnë më shumë ato që thuhen në rrugë për lidhjet e qeverisë dhe kryeministrit me njerëzit që shkaktuan tragjedinë. Dhe heshtja e shumicës e bën të besueshme këtë.
Krijoni Kontakt