Turqit të kënaqur me Komunën e Vushtrrisë
Të vendosur kryesisht në qendër të Vushtrrisë, turqit janë komuniteti i vetëm minoritar që lirisht flasin dhe qarkullojnë pa asnjë problem...
Por, jo vetën kaq e drejta e tyre për zyrtarizmin e gjuhës dhe për shkollim në gjuhën turke në Vushtrri, është shumë afër realizimit, ku vlen të përmenden iniciativat dhe negociatat e disa intelektualëve turq të cilët këtë nismë e kanë filluar muaj më parë. Por edhe Komuna e Vushtrrisë në krye me Muharrem Shabanin, ka pasur konsideratë dhe ju ka ofruar bashkëpunim të plotë dhe shqyrtim të kësaj kërkese të bërë nga komunitetit turk i Vushtrrisë. Kërkesa e turqve është vënë në shqyrtim edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë e cila ka qenë si pikë e veçantë, por që pritet që të dërgohet një përgjigje nga Komuna e Vushtrrisë në lidhje me këtë kërkesë. Për sa i përket kuadrit dhe objektit shkollor brenda disa vitesh turqit vushtrrias, do të mburren, pasi nuk është i vogël numri i atyre të rinjve që po studiojnë turqishten si në Kosovë ashtu edhe në Turqi. Edhe komuna e Mamak-ut nga Ankaraja, e cila tashmë është e binjakëzuar me Vushtrrinë, është duke mbledhur të holla për ndërtimin e një shkolle të re në Vushtrri, na njoftoi Arif Kera, udhëheqës i turqve në Vushtrri dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dega në Vushtrri, sipas të cilit janë afro 89 nxënës turq që mësimin e zhvillojnë në gjuhën shqipe. Kurse për sa i përket bashkëpunimit me Muharrem Shabanin, kryetar i KK-së të Vushtrrisë, Kera shprehet tejet i kënaqur, madje ai e potencon se Shabani me ndihmën e turqve është operuar në Turqi. Do theksuar edhe këtë se turqit vushtrrias tanimë kanë një shoqatë kulturore, ku merren me aktivitet të ndryshme. Agim Myftiu, i cili është kryetar i shoqatës shqiptaro-turke ''Çeshme'' dhe anëtar i KDTP-së në Vushtrri, pohon për marrëdhënie të mira me komunën, sipas tij në këtë shoqatë janë të anëtarësuar më se 200 anëtarë turq, shqiptar dhe të tjerë. Dhe me ndihmën e Drejtoratit për Kulturë, ata kanë arritur që të mbajnë koncerte në disa qytete të populluara me komunitetin turk, madje kanë arritur edhe të prezantohen në festivalin e Eshmes në Turqi. Edhe këtë vit kjo shoqëri kulturore ka qenë e pranishme në një festival në Turqi, ku është vlerësuar mjaftë. Kurse disa nga monumentet e trashëgimisë kulturore në Vushtrri, që posedojnë vlera arkitektonike dhe që përbëjnë thesarin e trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë por edhe të Kosovës e që kanë lidhje në njëfarë mënyre me popullin turk janë: Kështjella e qytetit, Hamami i qytetit, Çeshmja, Ura e gurit, Xhamia e Çarshisë, Xhamia Gazi Ali Beg, Xhamia Karamanli, Teqeja, varreza të ndryshme si edhe shumë objekte tjera banim si edhe komplekse të ndërtesave dhe dyqaneve të vjetra.
E përgatiti : Hajdin ISLAMI
(Autori është gazetar nga Vushtrria-Kosova)
Krijoni Kontakt