Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192

    At Vincenc Prennushi

    At Vincenc Prennushi


    Informacioni u shkëput nga faqja shkodrane


    At Vinçens Prennushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Boton më 1911 në Sarajevë vëllimin e parë të "Visaret e kombit", me titull "Kangë popullore gegnishte" (Veri, Kosovë, Shqipni e Mesme), më 1918 botoi "Fjala e Zotit" si dhe "Grueja shqyptare", më 1924 "Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë", etj. Përktheu gjithashtu disa vepra nga Dante, Wisseman, Slenklevicz, etj.
    Dënohet pa faj me 20 vjet burg më 1947, por vdes më 19 mars 1949 nga astma. Shpallet "Martir i Demokracisë" më 8 maj 1993 në Durrës.

    Kuq e zi (28 nanduer)

    Fishkllon veri, ushton duhija,
    Bjeshkët për rreth mbushen me borë:
    Por kjo stinë për ne â me orë,
    Qysh se i lule me rrit desht:
    Rriti lulen kuq e zi,
    Qi â ma e bukra e ksajë Shqypni.

    Ngjyra e sajë, njomsi prendvere,
    Përtrin viset e Shqypnis;
    Lule â kjo, lule lirike,
    Qi ne nderën n'vend na e çon,
    T'falem, lule kuq e zi,
    Si ty s'rritë mâ kjo Shqypni.

    Kuq si gjaku, si përhera
    N'dej t'Shqyptarve idhtë pat vlue,
    Zi si futa, qi pat mlue
    Njat anmik qi me e njoft s'desht.
    T'falem, lule kuq e zi,
    S't'ka kush, jo, posë ksajë Shqypni.

    Ty t'bajnë burra nder lamije,
    Vashvet parzmat jau stolise;
    Je nderue nder kome e fise,
    Si dhanti e t'Naltit Zot.
    Shejtë â lulja kuq e zi
    E â ma e çmueshmja e ksajë Shqypni.

    N'çdo kremtim, n'gzime komtare
    Mbledhë Shqyptari çetë mas çete,
    Gjallnim s'ka, nuk nep shej jete,
    Kur ket lule ngjet s'e shef.
    Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi
    Qi â ma e hiejshmja e ksajë Shqypni.

    Rueje, pra, Shqypni fatlume,
    Ket dhantin e t'Përgjithmonit,
    Afer lterit, afer fronit,
    Nder dir gzimit e n'mjerim,
    Rueje lulen kuq e zi
    Qi s'ka shoqen n'ket Shqypni.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Fiori : 11-07-2008 më 09:35

  2. #2
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625

    At Vinçenc Prennushi

    Pa leje te parit te fese nga GJETH E LULE

    Ushtari i vogel

    Veshë e njeshë kshtu si ushtar,
    Si ushtar e si Shqyptar,
    Shpatë per bri e pushkë nder duer,
    Me i rresht çmime në krahnuer,
    M'ndieni, burra, n'po u tham:
    Kqyrni se sa i bukur jam!

    A thue vjen per mue kurr ditë,
    E kto armë, qi shof tuj ndritë.
    Njekto armë, qi sot un bari,
    T'i shti n'punë si i shtjen Shqyptari;
    T'i shti n'punë per me qindrue
    Per vend t'em, p'r Atdhe t'bekue?

    T'ishem sot n'ushtri me tjerë,
    Me korrë kishem nam e nderë;
    Punë fort t'mdha kishem me krye,
    Edhe anmiqt kishem me i thye:
    Me qindresë e dalë-kadalë
    General kishem me dalë.

    General! s'a' punë me luejtë:
    Me ra n'luftë edhe me muejtë;
    Me drejtue gjith at ushtri,
    Veshë e njeshë per bukuri.
    Por ç'dobi, se ndolla i vogel,
    As s'di ç'ujë e ban ket gogel.

    Njizet vjet kishem me dashtë,
    E atëherë kend s'kishem me drashtë:
    Me m'ndigiue kish' gjith ushtrija;
    Me m'permendë kish' gjith Shqypnija;
    N'luft un kish' me ra si rrfe,
    Gjall a dekë, veç per Atdhe.

    Nji ditë baba bisedote
    E ne djelmve kshtu na thote:
    Per ke dekë bjen për atdhe,
    Mos t'thonë diq, por t'thonë ka le.
    Edhe unë pra, sado qi fmi,
    Me dekë kishem per Shqypni.

    Por ma parë un due me mujtë,
    Due me i pa anmiqt të prujtë,
    E: masi, me ndimë të Zotit,
    T'suguroj tokët e Kastriotit,
    Edhe anmiqt un do t'i fali,
    Mjaft qi t'më thonë: Rrnoftë generali.

    General! s'a' punë me luejtë:
    Me ra n'luftë edhe me muejtë,
    Me drejtue gjith at ushtri;
    Veshë e njeshë per bukuri.
    Por ç'dobi se ndolla i vogel
    e s'di ç'ujë e ban ket gogel.



    Nana

    M'i kande hyjt, qi ndrisin
    Aq bukur atje n'qiell;
    I due lulet e kandshme,
    Kur njomshem çilin n'Priell.

    Knaqem sa herë m'bjen zogun
    Me e ndie pyllës tuj vallzue.
    A i ve un veshin prronit,
    Kah rrshet, tuj gurgullue.

    Por lulet aq s'i due
    S'i due aq hyjt vizluesa,
    As m'knaqë blerimi i tokeve,
    Me sa janë zogj kënduesa,

    Sa m'knaqë perherë mue nana:
    Virtytesh nji pasqyrë,
    Nuk ka nevojë me m'folun,
    Kam mjaft kur ajo më kqyrë.



    Nji fmis të dekun

    Mi at vorr t'vogel, rishtas çilun,
    Qi ndryn trupin t'and, o fmi,
    Shtrova lule e n'at njomsi
    S'di se ndjeva ndo 'i mjerim.

    E pse t'kjajshem, shpirt i paster,
    Masi t'diejshem t'pshtuem, n'lumni,
    Ku ty Zoti, gjith dashtni,
    T'kishte thirrë per me t'dhanë gzim?

    Deka e jote, di me thanë,
    Nuk kje dekë: Zotin ndigjove,
    E aj lumni ty n'qiell t'ka dhanë.

    Shkputë prej ferrash, shkputë morrizit,
    Ejëll i tretun, qiellët kerkove,
    Edhe i gjetë n'gzim t'Parrizit.



    Shekullit

    Jo, lumnis s'ate kurr mos i lakmosha,
    Pse nuk jam le me kndue n'kafaza ari;
    Edhe n'm'perbuzsh, n'm'qitsh jashtë, kurr falë
    Kam Zotin t'em, aj asht e mira e eme mos t'kjosha.

    Merr gjan qi kam e n'treg, po deshte, qite,
    Shite, se ma s't'a lypi: randë e pata:
    S'due qi t'm'kursejsh, e di se nuk mund t'prite:
    Mue nji send m'mjafton: Dashtnija e t'Naltit.

    Malin do t'marr, po kje se s'don me m'pa
    Nder fushë, e larg do t'tres un tejet;
    N'atdhe n'mos m'laç, po m'ndoqe ti pa da,
    Qiellen a mund t'm'a pritsh? Un jam i Zotit!



    Në rrymë të moteve

    Lodhun
    mi tokë ngulë kamë
    nji plak, prej motit zbardhë,
    e, gjurmët e jetës tuj njehë, aj lshon nji gjamë:
    nji plak, prej motit zbardhë,
    mi tokë ngulë kamë
    lodhun.

    N'at udhë
    s'i ra me ndie
    t'i thotë kush fjalë dhime;
    n'gojë kush s'e xen, s'permendet emni i ti:
    t'i thotë kush fjalë dhime
    s'i ra me ndie
    n'at udhë.

    Verbue,
    aj i pa fe,
    dishmoi se ç'zemer kishte:
    mizuer me vedi e me tjerë mi dhe,
    dishmoi se ç'zemër kishte
    aj i pa fe,
    verbue.

    Vetun,
    perkulun shtatit,
    nen peshë t'dhunive t'veta
    kalon edhe e percjellë perbindshi i mkatit:
    nen peshë t'dhunive t'veta,
    perkulun shtatit,
    vetun.

    T'falem!
    qe, vjen nji Fmi,
    ma i kandshem se prendvera;
    Sa drandofillet shtrojn rrugen e ti!
    ma i kandshem se prendvera
    qe, vjen nji Fmi:
    t'falem!

    Eja,
    agimi ndritë
    mi ata dy sy të kthjelltë;
    sheklli i trazuem me t'knaqun asht tuj t'pritë:
    mi ata dy sy të kthjelltë
    agimi ndritë
    eja:

    Uli,
    Zot, mnit qi shtohen,
    udhen e marrë gatoje
    e idhujt e ksajë botë ti ban qi t'rrxohen:
    udhen e marë gatoje,
    Zot, mnit qi shtohen
    uli.

    Pagja,
    flamuri i bardhë,
    Zot, t'shtillet m'tana komet.
    Mretnija e jote n'ket shkreti tuj ardhë,
    Zot, t'shtiellet m't'tana komet
    flamuri i bardhë,
    pagja!

    Kqyrni!
    Krygja m'tokë ngulet
    e des per t'gjith i Drejti,
    e, pagjë ka' uron, me rrajë, qe mkati zhgulet;
    e des per t'gjith i Drejti,
    Krygja m'tokë ngulet:
    kqyrni!

    Krishti,
    ngallnimi i jonë:
    Dashtni e Fe bashkue!
    Lum kush i ndjekë: do t'gzojë aj me Tenzonë,
    Dashtni e Fe bashkue,
    ngallnimi i jonë:
    Krishti!



    Blegtorja Hyjnore

    Njiqind kjenë, per bukuri,
    E ma t'bardha se vetë bora,
    Kjenë t'kullueta e t'pafajni
    Delet qi me kullotë mora.

    Por shka kje qi nji, nder sa,
    Un po e shof sot shtatit zhye?
    Po n'ç'farë baltash mujt me ra?
    Ku m'vojt dam, ku m'u perlye?

    Ajo e mjera! da prej meje,
    Largue shoqesh, tretë nder ara,
    Kaloi shtigje e kaperceje,
    S'm'ndigjoi mue, qi e vuna para.

    Fort e lypa edhe e kerkova,
    Shpesh i thirra; s'desht me ndi;
    Mjaft i fola e mirë e msova,
    Por m'rrin larg e ka marrë mni.

    Kalon dita, nisë e erret,
    E, n'vathë t'emin sugurue,
    Nji ka nji kthyen t'tana berret:
    Ajo fshan e asht pendue.

    T'fshamet t'ua mirë i ndjeva,
    T'fshamet t'ua m'lypin dhimë:
    Eja, e shkretë: kurr s'u kurseva,
    per ke, vajshem, m'lypi ndimë.

    Hec, pusho prap n'ket krahnuer
    Qi ty t'desht, pse di me t'thanë:
    N'mos kjosh ti si kjo dikuer,
    Un s'ndrroj kurr, jam gjithmonë nanë.

    Porsa t'dalë e bardha ditë
    Un, tuj lutë, kam me t'ndihmue:
    Do t'baj prap n'shoqe me ndritë,
    N'gurrë hyjnore tuj t'pastrue.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e puroshkodran
    Anëtarësuar
    07-02-2008
    Postime
    3,635
    Pader Vinçenc Prendushi ndër dorëshkrime të panjohuna

    Kolec Çefa


    Françeskanët shqiptarë kanë xjerrë nga radhët e tyre figura të mëdha. E, ndoshta, më i ndiejshmi, më i afrueshmi, më i përzemërti qe Imzot Vinçenc Prendushi, fetari i fesë së gjallë e atdhetari i veprimeve kombëtare, letrari i gjinive të ndryshme e folkloristi i këngëve popullore të zgjedhura, lëvruesi i gjuhës amtare e gojëtari i fjalës patriotike.
    Fisi Prendushi ka dhanë disa figura të denja për monografi: Pader Vinçenci, martiri i idealeve të binomit; Pader Matija nipi i Dom Matisë, tri herë i dënuem me vdekje: krajl Nikolla i Malit të Zi e dënoi me vdekje për pjesëmarrje në kryengritjen e 1911-ës, Zogu për pjesëmarrje në kryengritjen e 19126-ës, e partia komuniste e dënoi si agjent i Vatikanit etj. dhe e ekzekutoi pa faj; P. Karlo Prendushi veprimtar i njohun në luftërat për pavarësi; Dom Kolec Prendushi, autor kryeartikujsh, persekutuar nga diktatura; Pader Vinçenci ndenji larg partive politike, por afër politikës gjithëkombëtare. I propozuan pozita të larta shtetërore, por nuk i pranoi, pelqeu hierarkinë kishtare. Një monografi të pasun vlerësuese e të vlerësueshme për Pader Vinçensin ka shkrue Profesor Alfred Çapaliku. Por unë, në këtë 4 shtator të 125-vjetorit të tij të lindjes, po vë në dukje disa vlerësime të panjohura, xjerrë nga dorëshkrime kolegësh së tij.

    Vlerësimet e Fishtës


    Fishta: “Nji çdo rregulltar që mban nën disiplinë idetë e mendjes, shiset e trupit, të prumët e jetës, fjalët e gojës, sjelljet në shoqnì, ai asht i dashun e njiheri i nderuem prej gjithkuj”.
    Me rastin e emërimit ipeshkëv, pra, të largimit nga kuvendi i fretërve, Fishta shkroi: “Provinca po bjerr njanin nder ma të vjevshmit bij të vet, që edhe per gjashtë vjet aq me urti, dashunì e zell e pat marështrue. E kush ma fort se pader Vinçenci me u ndejë rrëfimeve më te, me u gjetë ma i gatshëm per predke, ma i zellshëm per lulëzim e shkelqim të lavrimit hyjnuer? Ai per fjalë të ambla e këshille të mbara, ai me rysë mendet e me zbutë zemrat, ai per shkrim e perparim, ai per të vobegë e pasanikë e per myslimanë e të kështenë, per fe shejte e atdhe të dashun”.

    Një dorëshkrim i Pader Marin Sirdanit

    At Vinçenc Prendushi kje nder françeskanët ma të dalluem të kohëve të fundit. Kje rregulltar i përpikët e atdhetar i flakët. Veprimi i tij i pandamë, me pendë e me fjalë, per të mirën e fesë e të atdheut; dy dhanti me të cilat Zoti e pati stolisë, e banë të ishte i çmuem e i dashun prej gjithkuj që pati punë me tê.
    Ky lindi në Shkoder, me 4 shtatuer 1885. Qyshë i vogël hyni në Kolegjën Françeskane të këtij qyteti e aty bani këndimet fillore e gjimnaziare; filozofinë e teologjinë i kreu në Tirol të Austrisë, ku u shugurue meshtar, me 1908.
    Si ktheu në Shqipni, prej zotësisë që kishte e cilësive të mira, të parët e lanë në Shkoder, si qander veprimi që ishte, ku i ra me u pershkue nepër të gjitha zyret e ndryshme të Provincës Françeskane të Shqipnisë.
    Kje puntuer i qitun. Vështirë me ia gjetë shokun ta çmonte kohën si ai. Nuk shihej kurr pa punë. Mbasi zotnonte mirë gjuhën italishte, latinishte e gjermanishte, mblodh gjithçka gjeti të hijshme në fjalë e në frazeologji në qytetin e Shkodrës, u vu, kur i dilte ndonji grimë kohë e lirë, me përkthye vepra prej atyne gjuhëve. Kje përkthyes aq i mirë, sa mos me u kujtue lehtazi se janë përkthime shkrimet e tija. Gjuha e tij asht thjeshtë e Shkodrës. “Na shkrimtarët e sotshem, thonte ai, kemi me i ba një shërbim të madh gjuhës sonë, po kje se kemi me bâ të lexojë populli me andje shkrimet tona. Sot, kur analfabetizmi asht ende tepër i madh e perdorimi prej turqishtes prej muslimanëve, i greqishtes e i sllavishtes prej ortodoksëve e i italishtes prej katolikëve, me u bâ ballë me nji gjuhë të papunueme, ishte nji vështirësi jo e vogël, por me duresë e mund t’i arrihet këtij qellimi”.
    Për me ia bâ të kandshem leximin popullit në gjuhën amtare, ishte i mendimit, se ne e parë duhej me shkrue secili simbas krahinës së vet, tue mbledhë gjithçka ishte e hijshme në fjalë e në frazeologji; kështu pos që populli kishte për ta shijue leximin në gjuhën e vet, kishte me u gatue edhe material për trajtimin e gjuhës së përbashkët. Mbas këtij drejtimi ai shkrou e botou shumë mirë. Për me ia dalë këtij qellimi, ai, tue ndejë larg neologjizmave e të përziemit të trajtave dialektare, përdori thjeshtë gjuhën e Shkodrës sa ma të pasun e të pastër. Shkruente, kështu, me andje, pse pos që kjo ishte trashiguesja e gjuhës së përdorun prej shkrimtarëve të vjetër, mund të lexohej pa mërzi, jo vetëm në krahinën e saj, por edhe prej shqiptarëve të Malit të Zi, të Kosovës, e deri diku, edhe në Shipninë e mesme, tue mos pasë ndryshime të mëdha ndermjet. Me fjalë të tjera, librat e botuem ashtu mund t’u përhapshin në pjesën ma të madhe të Shqipnisë.

    Shkrimet e At Justin Rrotës

    Vlerën e shkrimeve të At Vinçenc Prendushit kështu e bjen At Justin Rrota në Letratura shqipe:
    “At Vinçenc Prendushi âsht françeskan prej qytetit të Shkodrës… Si meshtar ndej gati gjithë kohën në Shkodër; kështu që edhe ndër shkrimet e tij zotnon ma fort ambelsimi i këtij dialekti. E, në mënyrë që At Fishta mund të thirret për kah trajta e gjuhës, poeti i Gegnìs, pse dijti me ia vjedhë popullit, të malit e të fushës bukuritë ma të pikatunat e të shprehunit, kështu At Prendushi mund të mbahet si poet i qytetit të vet, mbasi gjithçka gjeti të hijshëm në fjalë e në frazeologji të këtij dialekti e mblodhi si bleta e e vendoi me shije të madhe ndër shkrimet e veta.
    Shija estetike, sidomos, natyrësia e fjalës âsht cilsia karakteristike e këtij shkrimtari. Një mjeshtri mandej, faret e posaçme ka ky shkrimtar, me u dhanë shpirtin e karakterin e shqypes copave të përkthyeme. Për pa e dijtë përpara nuk mund të njihet se s’âsht origjinal nji përkthim që ta ketë marrë në dorë ky.
    Mundin ma të madh të vet e derdhi perreth fletores “Posta e Shqypnìs” e të revistave “Hylli i Dritës edhe “Zani i Shna Ndout, ku kemi për të gjetë artikuj shembuj gjuhet”.
    At Prendushi na ka lanë disa vepra të botueme e të pabotueme. Vjetin 1911 përmblodhi e botoi në Sarajevë nji ble 106 faqesh, “Kangë Popullore Gegënishte”: nji visar i vertetë i kombit, ma i madhi perpilim i kangëve të popullit që kemi të botuem dei atëherë.
    Vjetin 1919 shtypi dramin “E tradhtuemja”, punue shqip ma bukur, ndoshta, se në origjinal. Në tê këndohen dialogje, krejt me njatë thjeshtësi të natyrshme, si ndiehen në jetën familjare të qytetit.
    Në vieti 1924 botoi me titullin “Gjethë e lule” të gjitha lirikat origjinale dhe të përshtatuna që kishte qitë deri atëherë aty-këtu të cilat nuk kishin subjekt thjeshtë fetar. “Nder to jehon gjithkund ai ambelsim i stilit, përherë i kumbueshëm. Ma në shej janë: “Shpata e Skanderbegut”, “Grueja shqyptare”, “Burri shqyptar”, “Fëmija mbi vorr të nanës”.
    “At Prendushi, thotë Cordignano, asht poeti sidomos i sendeve tanë njomësi e përmallim, ku na paraqitet geni i imtë i tij, ndiesia tanë butsi, por edhe e kthellët e sendevet të njoma e të hijshme”.
    “Në verset e Prennushit, thotë Dr. Eqrem Çabej ndihet ritmi i poezisë romantike katolike (Manzoni) dhe i poezisë patriotike italiane e shekullit XIX. Poezia e Prennushit shquhet për notën e saj të butë e njerzore. Kjo është e ëmbël dhe e qetë”.
    “Prej robnie në liri”, dramë pesë veprimesh, punue me nji mjeshtri të pashoqe e me nji stil të ambël e të rrjedhshem që e ndanë në shêj.
    “Nana shqyptare”, nji epizod i luftave për liri të kombit.
    “Lumnitë e Kalvarit e dhunitë e paganizmit”.
    “Për çka dij unë, thotë Cordognano, asht ma e para provë që bahet në hartë ndër vjersha shqype madhninë e kangës pertrarkeske e leopardiane. E gjuha shqype u diftue e zoja për ket rodë tubzash. Por don vu oroe se brumi asht doktrinar e At Prendushi ka shtri ndër tubza nji tezë filozofike-religjioze, veç e ka zhvillue disi ma fort si Dante në Convivio, si Petrarka në Canzoniere e Leopardi ndër Canti të vetat, ku njeri gjenë pajë imagjinacioni ma shumë hov e flakë”.
    Në romancin “Fabiola” i dha leteratyrës shqype fletë prozet, shembuj në çdo pikëpamje. Në tê, si edhe ngjeti, fjala i rrjedh së vetit, e ambël e e lëmuet. U ikë fort neologjizmave, edhe duket se nuk mbetë kurr ngusht për me shprehë mendimet edhe ma delikatet, rrafshon pa të vështirë pendimet ma të fortat që ndeshë në përkthimet e autorëvet të huej”. Na duket se magjia e stilit, që ndanë në shej vera e At Vinçencit në ket përkthim ka mbërrijtë në përfeksionin e plotë të vetin…Në gjuhën shqype kjo do të mbesi si prozë narrative shembull. Këtu provohet kjartas se edhe gjuha jonë, kur të përdoret prej pendës së nji mjeshtrit, mundet me kapë naltsi të pamendueme.
    “Quo vadis?” Randësia e vlera e këtij romanci âsht e njohun anë e kand në botë. Gjuha e ambël, e rrjedhshme e e gjallë e shkrimtarit tonë andshem terhjek lexuesit shqyptarë ta shijojnë ket vepër arti letrar.
    “Burgjet e mija”, Dreizehn Linden” .
    Siç âsht çekë sypri, P. Vinçenci na ka lanë të botueme disa vepra e broshura të perkthyem me subjekt fetar. Prej dishirit me u vjeft besimtarëve tue u dhanë me lexue në gjuhën e vet gjana të përshpirtshme me subjekt thjeshtë fetar, ai përktheu e botou disa libra e broshura me mësime, uratë e devocione, si “Java e madhe”. “Nder lamije të demokracisë së vërtetë”, âsht nji bisedë e mbajtun në rasë të nji mbledhjes meshtarësh, ku paraqitet, simbas shembullit të shteteve tjera, mënyra ma e perdorshme për organizimin e katolikëvet. Vijnë mandej vepra, si: “Jeta e Shna Ndout”, “Bijat me Nanen”, “Fjala e Zotit” etj.
    Por At Vinçenci jo vetëm me shkrimet e veta të bukura, me kallëzime të kandshme e me vjersha të thekshme bani me u lexue prej shumkuj vera e tija, por edhe me fjalën e vet gjithmonë t’ambel, të kumbueshme e të rjedhshme, preku zemrat e ndigjuesvet. Bani predke e fjalime aq të matuna, sa nuk i binte fjalë në tokë. Ndigjuesve u vinte keq kur mbaronte ligjerata e tij. Me fjalë tjera ky kje nji ndër shkrimtarë dhe oratora të dalluem të kohës së vet.
    Në vjetët e para të pavarësisë kombtare, kur shumkushi pritonte me u eksponue, ky bante shpesh fjalime e ligjerata publike në mitingje e demonstrata për mbrojtjen e të drejtave kombtare.
    Zelli për fe e atdhe e shtynë që mos të linte me kalue rasë pa shtie në veprim gjithë fuqinë e vet për të mirën e shoqnisë. Me stimën që kishte fitue në popull, si rregulltar shembull e atdhetar i flakët, ai nderhyni shpesh e vuni paqen në familje e shkatërroi ngatrresa të kapërthyeshme, e ma se nji herë pajtoi edhe gjaqe. Në sy të veprimtarisë së tij kombtare e fetare, atdheu, per me ia shperblye, në vieti 1919, e pati zgjedhë për senator, zyre të cilën ai nuk e pranoi; e Selia Shejte e zgjodh në vietin 1936 ipeshkëv të Zadrimës e katër vjet mbas, 1940, kryeipeshkëv të Durrësit.
    Emni i tij permendet edhe sot me nderim prej gjithkuj.
    At Vinçenci na ka lanë të pabotueme disa dorëshkrime:
    1) I hueji në shpi të vet” (Sh’Aleksi)-
    2) “Kujtime udhëtimesh”: Kallëzime e përshkrime udhtimesh të dy vizitave baritore që bani si provincial i françeskanëve në vise të ndryshme të Shqypnisë në vjetin 1931 e vjetin 1934, ku ka shumë kallëzime e përshkrime interesante.
    3) “Kujtime shpirtnore”, në dy vëllime.
    4) Dreizehn Linden”, ba gati për shtyp, por u botue vetëm nji pjesë.
    Prej vjetit 1914-1936 kjenë shfaqë në shkollën e stigmatineve, të thuesh për vjetë ka nji dramë, të përkthyeme prej At Prendushit. Ndër to, posë “Prej robniet në liri”, “E tradhtuemja” kjenë botue, tjerat mbetën të pabotueme. Ma në shej kjenë “Motra për vëlla”, “E panjoftuna”, “E grabituna etj.

    Dorëshkrimet e Bernardin Palajt


    Ndër dorëshkrimet e pabotueme të P. Bernardin Palaj, mbledhësit besnik e studiuesit ma të thellë e serioz të ciklit të Mujit e të Halilit, poetit të talentuem që vdiq ndër qelitë e komunizmit mizor, po xjerri diçka që ka shkrue për Vinçencin:
    “Nacionalistat kishin mbetë pak vetë e pak fort. I papërkulun mbet ndera e vedit dhe e Urdhnit Pader Vinçenc Prendushi ofm që nuk e la uzdaja as ndër ditë ma të ngushta, kohës së kompromisit, ishte i vetmi në qytet që ia kishte mbushë menden vedit se s’mujt me shkue në vend kompromisi, e i ndej gjithëherë besnik programit të Urdhnit të vet: me punue për popull e me popull e ma fort popull të vet se për kurrkend. Zotni konsull Perricone ka mërrijtë me i thanë D.Jak Bushatit, si na dëshmoi vetë Dom Jaku faqe P.Vinçencit etj. : quel P. Vincenzo oppure è Jugoslavo o pazzo, tue e mbajtë në atë hipotezën e vet burri i Italìs t’mkambunit e nji Shqipnie thjeshtë indipendente per nji marrì.
    Në nji frali që mbajti në Fushë të Druve ditën 28 Nanduer, mbasi duel Austria u tha të huejve trup: “Deri sa të valëvisin ky shej kombsiet (tue kapë bajrakun) ky kapar i Perendisë e shqyptarët të jenë të lidhun me dekë rreth tij, i huej kushdo që të jetë s’ka shka ban nder ne, por të ngarkojnë rraqet e veta e të kerkojë vend ngjeti”. Populli brohoriti njajzë. T’huejt, italianët sidomos e kanë ndie fort ket fjalë.
    U mundue me të drejtë me i ba mirë popullit, me i ndihmue, me i lehtësue travajët e trishtimet me fjalë të ambël t’veta, ku ka mujtë aq sa deri muslimanët mërrijtën me e thirrë Meleku i Perendisë.
    Ka punue për Shqipni e për shqiptarë e për kurrkend tjetër. Aq kishte simpati në popull, sa nuk bahet mbledhje kombtare, ku fjala e këtij oratori t’ambël, mos ta bajë popllin me i harrue ngushticat e travajët.
    Zoti na e ruejtë ne e Shqipnisë!

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Kush na e sjell te plote poezine e famshme te at Prendushit..

    grueja shqyptare
    (amë e bi)

    Ka ra rrezja nder bajama....

    ..



    Eshte nje nga kryeveprat e poezise shqipe..



    ..

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e puroshkodran
    Anëtarësuar
    07-02-2008
    Postime
    3,635
    Grueja shqyptare (Amë e bi)

    Ka ra rrezja nder bajama!
    T' bin e vet kshtu e pvetë e ama:
    - C'ke, moj bi, qi kjan e fshan?
    Kjan e fshan, e vetllat vran? -

    - Kjava shum, mori lum nana,
    Tuj qindisë e m' ra gjylpana;
    M' ra gjylpana nen balkue,
    E jam ulë tash me e kerkue. -

    - Po cka kje qi lodt t' i xori?
    Ku kje dhima, a ku kje zori?
    A por, drue, mos m'je harlisë,
    Qysh se kjan - o tuj qindisë.
    Pasha nanen nuk mund t' bari,
    Qi të me ndezet bija zhari!
    Do t' a dije e zeza nanë,
    Pse ti vetllat shpesh m' i vranë;
    Pse c' kah mot, moj, buza s' t' qeshet
    E n' argtime zemra s' t' ndeshet. -

    - Nuk a' gja, moj nanë s' a' gja;
    Por po t' tham, se as kot s' jam vra:
    Dicka vlon n' ket cerdhe zanash;
    Vlon dashtni, si n'bija nanash!
    Nane, dashtnija m' ka molisë,
    Prandej kjaj - o tuj qindisë! -

    - T'u thafët goja, bi, c' po thue?
    A kaq shpejt ti m' je terbue?
    Po shikjo, moj bi kercuna,
    Se, po bana 'i herë e t' xuna,
    Bana e t' pava tuj m' dalë n' derë,
    Nuk m' ke pshtim, jo metsha e mjerë! -

    - Jam shqyptare e bi shqyptari,
    E ato fjalë, nanë, s' mund i bari:
    S' ke me m' pa, jo, tuj dalë n' derë,
    Si kujton, pse m' ke per nderë;
    As, moj nanë, nuk jam harlisë
    Vec pse kjaj - o tuj qindisë,
    E shka n' zemer m' ka pengue,
    Asht gja e dejë, o nanë, per mue. -

    Fillon nana tash me u vra:
    Dicka nakel së mjerës i asht ba;
    Don me cilë të ngriten gojë;
    Por dro e mjera mos t' gabojë:

    - Fol, moj bi, mos m' len nder grepa,
    Mos më mshef gja, moj, se do djepa
    I kam luejtë der tash e m' ke
    Dhelpen t' vjeter: Ty sot be
    T' paca lshue, tash me m' diftue,
    Se pse zemra peshë t'asht cue. -

    - Nanë, dashtnija m' ka molisë,
    Prandej kjaj - o tuj qindisë. -

    Bindej nana, gja s'kuptote,
    Por, te miren kah i a dote
    Muer me t' amel e i tha e mjera:

    - Mori bi, moj si prendvera,
    Pash njat diell e pash njat hanë,
    Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,
    M' difto sot, c' sokol ke xanë? -

    - C' farë sokolit thue, moj nanë?
    T' thacë, moj, t' thacë se s' m' a ban ndera,
    S' m' a ban shpija, as s' m' a ban dera
    Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:
    S' i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.
    E po t' tham: Se n' t' endun t' motit,
    Po t' tham, po, me besë të Zotit,
    Ty due fjalët me t' i ndigiue,
    As s' kam mend me t' u largue.
    Zemren dysh un s' mund e daj:
    M' len t' qindisi, m' len të kjaj! -

    U ngri nana, lodt i pshtuen;
    Para s' bis fort syt i u xuen.

    Kaluen dit e kaluen net,
    Vajza ma me gojë s' po flet:
    Me gojë s' flet edhe na a' smue,
    Rat e mjera a' tuj lingue:
    Lingon keq n' at shtroje deket
    E shpesh paket edhe meket.
    Ftyra e sajë porsi flok bore;
    Mndash, gjylpanë s' i hjekë prej dore;
    Por punon e tuj punue,
    Shef pelhuren se a' marue:
    I lshon syt mi te me mall
    Edhe e puthë e e ven në ball.

    Nana vajzen tuj dihatë
    Shpesh e ndien e: - Mori e ngratë,
    A njimend s'don me m' diftue,
    Se pse zemra peshë t' asht cue? -

    - Nanë, dashtnija m' ka molisë;
    Kjava mjaft-o tuj qindisë!
    Kjava mjaft... - Ma desht t'ligjrojë,
    Por i u kput ksajë fjala n' gojë.
    Si fjalë tjera nuk mund të xori,
    Mndash, gjylpanë prap n' dorë i mori;
    Por dy duerët, porsi florini,
    Mi pelhurë deka i a ngrini.

    - Kuku nana kjan me lot,
    Se c' me gjet mue t'meren sot!
    Se c' e gjet të zezen nanë
    Nen ket diell e nen ket hanë! -

    Merr pelhuren, qi pat enë
    Bija e sajë; kishte pasë kenë
    Kuq e zi e m' te qindisë
    Gjet dashtnin qi e kisht' molisë.
    N' krye t' flamurit kisht' punue,
    Per rreth shqypje, m' dorë prarue,
    Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:
    Se Shqypnia asht e Shqyptarve;
    E nder skaje fjalët "liri".
    Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,
    Qi, pa njofët tjeter dashtni,
    Ishte shkri vec per Shqypni.

    Eni bija, zana malit,
    Ju qi kjani n' dekë t' njij djalit,
    E, permysë mi ket bujare,
    N' te nderoni bin shqyptare;
    E tuj puthë e mall e vajë
    Njat flamur, qi dora e sajë
    Diejti aq bukur me qindisë,
    Pse dashtnija e kisht' molisë;
    Lidhniu tok: Per herë dashtnija
    Per vend t' uej t' u jet stolija;
    Pe, po kje qi, si kjo bi,
    Rriten vashat në Shqypni,
    N' vend do të shkojë-o fjala e t' Parve,
    Se Shqypnia asht e Shqyptarve.
    Lidhniu tok, si bajshin motit
    Ato bijat e Kastriotit,
    E broh'ritni n' gzim e n' vajë:
    Rrnofte Shqypnija e flam'ri i sajë

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    me ne fund dhe kjo kryeveper e poezise ndodhet tash ne forum.

    shum flmn o shkodra..

Tema të Ngjashme

  1. Vinçenc Prenushi
    Nga Anton në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 20-12-2012, 18:48
  2. Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944-1990
    Nga Anton në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 10-12-2011, 12:41
  3. At Vinçenc Malaj
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-04-2006, 19:40
  4. Denigrimi i Fishtës e Vinçenc Prenushit
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 11-09-2005, 10:19

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •