Ë N D R R A
Oh, sa dëneste çanta e Albit, tok me fletoret dhe librat. Kishin për t’iu dhembsur secilit. Ato duke dënesur, i dëgjoi princesha e ëndërrave, dhe së pari e pyeti çantën:
- Ç’ke, moj mike, pse dënesë ashtu me të madhe?
- Si mos të dënes? Shih sa e bukur jam! Por, ç’vlerë ka bukuria ime, kur kam rënë në duar të një vogëlushi i cili fare nuk kujdeset për mua? Ai më hudhë kudo, mu si një top...
Pastaj princesha e ëndërrave i pyeti fletoret:
- Po ju fletoret, pse dënesni?
- Si t’ju themi, ky vogëlush Albi, me ne sillet shumë keq. Për çfarëdo që i nevojitet, ai i gris fletat tona ... pastaj shih si na ka njollosur dhe përlyer! - e lotët sërish u rrokullisën faqeve të fletoreve.
Në fund, princesha e ëndërrave i pyeti edhe librat:
- Po juve librave ç’ju gjeti të dënesni?
- Eh, eh... Shihni si na i ka bërë fletët tona. Të gjitha fotografitë na i ka prerë, të gjitha tekstet i ka masakruar! – ia kthyen librat.
- Vërtet paskeni arsye të dënesni! – u tha princesha e ëndërrave, - por ta dini se unë këtë punë kam për ta rregulluar! – dhe treti rrëmbimthi.
Së shpejti erdhi mbrëmja.
Albi kishte rënë për të fjetur.
Duke menduar për lojërat e reja, gjumi e zuri me të shpejtë.
Princesha e ëndërrave iu afrua lehtë dhe ia dhuroi një ëndërr.
Albi ëndërronte çantën e vet, fletoret dhe librat.
Së pari u ngrit çanta e Albit, dhe i tha një vogëlushit të panjohur:
- Hej vogëlush, a më merr mua me vete, mbase ky Albi me mua luan si me top!
- Po të marr me gjithë dëshirë! – ia ktheu çantës vogëlushi i panjohur.
Dhe, çanta u nis nga vogëlushi i panjohur.
- Çanta është imja, çanta është imja! Ç’më përzihesh tash ti? – i bërtiti Albi vogëlushit të panjohur.
- Hej vogëlush, na merr edhe neve? – i thanë edhe fletoret e Albit.
- Po, me gjithë dëshirë! – iu gjegj fletoreve vogëlushi i panjohur.
Edhe fletoret u nisën drejt vogëlushit të panjohur.
- Fletoret janë të miat, fletoret janë të miat! Ç’përzihesh ti tash me fletoret e mia? – i bërtiti Albi vogëlushit të panjohur.
- Hej vogëlush, do të na marrish edhe neve? – i thanë librat vogëlushit të panjohur.
- Po, me gjithë dëshirë! A dini sa i dua unë librat! – ia ktheu vogëlushi i panjohur, librave të Albit.
Albi rrokullisej me siklet në shtrat.
Atë e thirri e ëma, dhe e zgjoi nga gjumi:
- Çfarë ke biri i nënës?
- Nënë, nënë! Ku është çanta ime? Ku janë fletoret e mia? Ku ikën librat e mi? Ku vajti ai vogëlushi, nënë?
Nëna buzëqeshi duke ia fshirë djersën e ftohtë nga balli.
- Këtu, këtu i ke biri im!
- Jo nënë, çanta ime, fletoret dhe librat, ikën me një vogëlush të panjohur! – pastaj Albi i tregoi fill e për pe nënës...
Nëna e Albit qeshi sërish, duke e puthur në të dyja faqet, e gëzuar i tha:
- Ke ëndërruar, biri i mamit!
- Oh, nënë! Të betohem, se nga dita e sotme, do të kujdesem si për sytë e ballit edhe për çantën, edhe për fletoret, edhe për librat e mi!
Nëna e kënaqur, ia përkëdheli flokët e mëndafshtë.
Kështu princesha e ëndërrave i shpëtoi çantën, fletoret dhe librat e Albit...
1985
Krijoni Kontakt