• Babai i foshnjës është njëherazi edhe babai i nënës që e ka lindur atë. Nën kërcënimin e armës, Ferit Jaupi e ka përdhunuar të bijën më 14 gusht 2006
Një ngjarje e pazakontë ka tronditur fshatin Gjerë në Gramsh. Familjes Jaupi i është shtuar një anëtar tjetër, por pjesa dërrmuese e familjarëve nuk kishin dijeni për ardhjen në jetë të foshnjës. Vajza e madhe A.J. 15 vjeçe, kishte lindur bebin në muajin qershor të këtij viti. Nëse do deshifrohej e gjithë ngjarja me pak nota “emancipuese”, mbase gjithçka do të kalonte me atë shprehjen: “Çudia më e madhe tri ditë zgjat”. Por, ngjarja në fjalë mbart akoma dhimbje e perversitet brenda saj. Babai i foshnjës është njëherazi edhe babai i nënës që e ka lindur atë. Nën kërcënimin e armës, Ferit Jaupi e ka përdhunuar të bijën më 14 gusht 2006. Më 13 qershor 2007, e bija vetëm 15 vjeçe, ka lindur në maternitetin e Elbasanit foshnjën e seksit vajzë. Ngjarja ka mbetur e pazbuluar për gjithë këto kohë, derisa e zonja e shtëpisë (gruaja e përdhunuesit dhe nëna e viktimës) ka mësuar të vërtetën. Për nëntë muaj, e bija dhe i shoqi arritën t’i fshehin krijesën që rritej në barkun e vajzës. Shëndeti i saj, trupi pak i kërrusur dhe gjoksi i madh, i kanë dhënë 15- vjeçares shanset për të kaluar gjithë shtatzëninë pa rënë në sy të askujt. Datën e lindjes e ka çuar vetë i ati në maternitetin e Elbasanit. Vajza është regjistruar me gjenealitetet e sakta. Fëmijën e ka justifikuar tek infermieret si një shtatzëni jashtë martese, duke mos pasur më dëshirën ta rrisë vetë. Pas procedurave përkatëse, materniteti i Elbasanit e ka çuar foshnjën në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës. Policia e Gramshit ka arrestuar babain “monstër”, pasi në dyert e saj kanë behur nënë e bijë. Ato kanë denoncuar 42-vjeçarin për incestin brenda familjes, fryt i së cilës ishte dhe vajza e vogël. 15 vjeçarja, në gjendje të rëndë psikologjike ka deponuar ngjarjen në polici, ndërsa ka shfaqur urrejtje për babain, që e detyronte të kryente vepra perverse nën kërcënimin e armës prej më shumë se një viti.
Si ka ndodhur ngjarja?
Babai më kërcënoi me armë, kur nuk ishte nëna në shtëpi. Më përdhunoi dhe më ka detyruar edhe më vonë për marrëdhënie.
Çfarë ndodhi më pas?
Pas disa muajsh kuptova se kisha mbetur shtatzënë. Babai më kërcënoi të mos i tregoja askujt. E kam mbajtur të fshehur për nëntë muaj, derisa e linda. Edhe në fshat askush nuk e dinte.
Si mundët t’ia mbani të fshehur nënës suaj?
Rrija shumë larg saj, në dhomë e ku mundja. Mbase dhe shëndeti im dhe trupi pak i kërrusur më dhanë mundësinë t’ia fshehja…
Kur lindët dhe si u regjistruat në maternitet?
Më çoi babai në maternitetin e Elbasanit. U regjistrova me emrin e saktë. Infermiereve u thamë se lindja ime ishte jashtë martese dhe nuk pranuam ta merrnim me vete. Linda vajzë. E lashë në spital dhe u largova. Që atëherë nuk e kam parë më fëmijën tim.
Si u zbulua e vërteta, kur i treguat nënës?
Nuk ia mbaja dot më të fshehtë, i tregova gjithçka kishte ndodhur, pasi kisha frikë se e njëjta gjë mund të m’i ndodhte edhe motrës tjetër. I kam treguar 10 ditë më parë nënës dhe vendosëm ta denoncoj tim atë.
Krijoni Kontakt