gaz. TeMa
---
Dëshmi tronditëse të barbarizmave serbe ndër shqiptarë
Nga Veli Haklaj
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është sot kryefjala e të gjitha kancelarive kryesore diplomatike dhe qendrave vendimmarrëse në Botë. Në ditët e ardhshme, pritet të marrë zgjidhje raporti dramatiko-tragjik mes serbëve dhe shqiptarëve. Ky raport u ndërtue përmes një ballafaqimi shekullor të dy strategjive: të asaj serbe në agresivitet e shfarosje të shqiptarëve dhe të asaj shqiptare në vetëmbrojtje e vetëqenie.
Genocidi serb mori formë të organizuar shtetërore, më 1844, me programin “Naçertanija“ të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, për të vazhduar me programin e kolonizimit të shqiptarëve, prezantuar në formë memorandumi parlamentit në Beograd, më 7 mars 1937, nga akademiku Vaso Çubrilloviç. Këto platforma ideologjike dhe të tjera që dolën në vitet ‘60, ‘80 dhe ’90 të shekullit të kaluar kishin si objektiv shfarosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e plotë të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Fillimet e zbatimit të këtyre platformave i gjejmë në luftën serbo-turke, 1876-1878, ku agresionet e forcave të organizuara serbe sollën pasoja shfarosëse për shqiptarët në viset e Moravës jugore, perëndimore dhe lindore. Në kujtesën e bashkëkohësve të atyre viteve llogariteshin 35 000 viktima shqiptarë të çdo moshe e seksi. Ishte fakt se fshatra, qytete e krahina të tëra zbrazeshin nga këto tmerre. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish, njoftonte se nga një lagje e thjeshtë shqiptare e Nishit, prej 300 shtëpish shqiptare, vetëm 20 shpëtuan. Të tjerat u rrafshuan me tokë. Në kazanë e Leskovcit u shkatërruan 1228 shtëpi me 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20 667 banorë; në rrethin e Përkupës, në 73 fshatra me 1771 shtëpi, shumica u dogj, ose u shaktërruan; nga 67 fshatra me 1 531 shtëpi shqiptare u shpërngulën reth 12 480 banorë. (Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike IX-1979, Prishtinë, 1980, fq. 142).
Në vitet 1912-1913 dhe në vijim politikat shfarosëse ndaj shqiptarëve marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. “Daily Chronicle” raporton më 12 nëntor të 1912-ës se therjet masive të mijëra shqiptarëve prej serbëve janë një fakt i pakundërshtueshëm. Pranë Shkupit, dymijë, dhe jo fort larg Prizrenit, pesëmijë shqiptarë janë therur pa mëshirë. Janë ndezur shumë fshatra dhe janë masakruar banorët e tyre. Serbët e kanë bërë krejtësisht të qartë se shqiptarët myslimanë duhet të shfarosen. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë 1995, f. 41)
Korrespodenti i luftës, i gazetës “Riget“, danezi Fric Magnusen, raporton nga Shkupi: “Makina e luftës në Maqedoni ka si tipar kryesor vrasjen e popullatës shqiptare. Ushtria ka shpërthyer në një luftë të llahtarshme gjenocidi. Sipas deklaratave të oficerëve dhe ushtarëve, tremijë shqiptarë janë masakruar në zonën midis Kumanovës dhe Shkupit. Pësëmijë të tjerë përqark Prishtinës. Fshtarat shqiptare rrethohen dhe u vihet flaka. Pastaj serbët presin. Presin cilindo që tenton të dalë i gjallë pa u përvëluar dhe i mbysin... Serbët mburren për këtë gjueti njerëzish“. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë 1995, f. 43)
Forcat serbe, të drejtuara nga gjenerali Jankoviq, në krahinën e Lumës shkatërruan 27 fshatra dhe vranë popullatën, deri tek fëmijët. Këtu u kryen mizoritë më të tmerrshme që njeh lufta shfarosëse kundra shqiptarëve. Këtu ndodhi që gratë dhe fëmijët, të mbështjellë me kashtë, u dogjën të lidhur përpara syve të burrave dhe baballarëve të tyre të lidhur këmbë e duar. Gra shtatzëna janë shpërthyer në mes në mënyrën më të llahtarshme dhe fëmijët e palindur janë ngritur përpjetë me bajoneta. Edhe të dorëzuarit vriteshin si në ‘kasaphanë’. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë 1995, f. 49)
Ngjarje të tilla tronditëse kemi në vijimësi deri në Luftën e Dytë Botërore, ku paradoksalisht, nën pushtimin e të huajve fashisto-nazistë, shqiptarët në Kosovë fillojnë të ndihen më mirë dhe të shijojnë ëndrrën e bashkimit me trungun Amë. Kapitullimi i Jugosllavisë, prill 1941, krijoi një gjendje të re në Ballkan. Ky shtet u copëzue nën ndikimin italo-gjerman. Mbretëria Shqiptare përfitoi një pjesë të trojeve të Kosovës, çka solli një gjendje të re për hapësirën shqiptare, duke rritur shkëmbime në të gjitha fushat, të cilat ishin ndërprerë që nga vitit 1912. Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijue Ministria e Tokave të Lirueme, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943.
Në Qeverinë e Ekrem Libohovës (18 janar-11 shkurt 1943) emërohet ministër sekretar shteti për Tokat e Lirueme Ismet Kryeziu. (Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-1905, Tiranë 2006, fq. 470)
Emërimi i Ismet Kryeziut në këtë post ministror nuk ishte rastësor. Në biografitë e ministrave të rinj të kabinetit Libohova, gazeta “Tomorri” jep këto të dhëna për Ismet Kryeziun: Lindi në në Gjakovë, në vitin 1889, bir i një prej familjeve më të njoftuna të asaj krahine. Mbasi ndoqi studimet fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes e plotësoj përgatitjen e vet në Stamboll. Kur u kthye në atdhe (Kosovën nën Serbi), zgjidhet deputet, por në Shkupcinë te Belgradit, qeveritarët serbë i përgatisin atentate, prej të cilave shpëtoi mrekullisht. Më 1926 kaloj kufirin dhe u emërue prefekt në Berat dhe pastaj me radhë në Vlorë, Durrës e Korçë. Më 1936 u zgjodh deputet i Kosovës në parlamentin shqiptar. Më vonë u emërue antar i Këshillit të Lartë të Shtetit dhe tani së fundi Zavëndësprefekt në Durrës. (Gazeta “Tomorri”, 20 janar 1943)
Me datën 17 shkurt 1943, pasdreke zhvillohet mbledhja e përgjithshme e parakohshme e Këshillit të Epërm Fashist Koorporativ, ku Kryeministri i sapoemëruar, Maliq Bushati paraqiti programin. Ai, ndër të tjera, theksoi:
“…Me qëllim që të mblidhen tok të gjithë qytetarët e ndershëm dhe besnikë të Atdheut edhe të ngrehun kështu ma të fortën mbrojë në mbrojtje t’indipendencës e t’integritetit ethnik të kombit tonë, asht vendosun me themelue “Rojen e Shqipnis së Madhe”, qi do të jetë organizata totalitare e Shtetit Shqiptar…Prandaj asht detyrë e të gjithë nacionalistave shqiptarë ta ndihmojnë Qeverin në ndëshkimin e pamëshirshëm t’atyne qi veprojnë në dam të Shqipnis së Madhe…Asht detyrë e nacionalistave të ndihmojnë me mish e me shpirt veprimet e ushtris kur ajo të thirrë me mbrojtë mbrenda Atdheut ose në kufijtë e Atdheut, Shtetin Shqiptar…
Një ndër pikat e programit të Qeverisë Bushati ishte: -Me vu Shqipnin e Madhe në kondita që me u mbrojtë nga çdo rrezik i mbrendshëm e i jashtëm që mund t’i kërcënohet.
I pari që mori fjalën mbas kryeministrit ishte këshilltari epror Z. Ibrahim Fehmiu, përfaqësues i Kosovës, duke thënë: Populli kosovar, në lidhje të pazbërthyeshme me krejt popullin shqiptar, nji mendjeje dhe nji shpirti me të, përshëndet deklaratat programatike të qeverisë Bushati zotimin e bujshëm të kryemit të aspiratave të shejta të të gjithë kombit shqiptar…Na kërkojmë, në emër të popullit që përfaqësojmë, prej qeverisë sonë nji gja të vetme: Që ajo t’i përvishet me gjithë fuqi punës së zbatimit të rrufeshëm të të gjitha pikave të programit të saj. Kët kërkim e bajmë të tanë njëzanit në një çast historik si ky i tashmi, bash pse mbas masakrave të tmerrshme që pësoj një krahinë shumë e gjanë e tepër fisnike e Shqipnisë, ku u kositnë si bari mija e mija fëmijë, gra e burra, pleq e plaka nga furija e egërsisë së mbrapshtë sllave, nga çetnikët serbo-malazezë. Në këtë çast lajme t’idhta, shumë të idhta, po arrijnë nga kufijtë tonë. Prapë po përgatiten sulme të mëdhaja kundër krahinave të Veriut, d.m.th. Prishtinës, Pejës, Plavës, Gucisë dhe Shkodrës. Koha nuk pret. Çdo minutë e bjerrun, mund të jetë e kobshme për të ardhmen tonë të përgjithshme dhe për popullsinat kosovare të kërcënuemi drejt për drejt veçanërisht…” (Gazeta “Tomorri”, 18 fruer 1943)
Ndërkohë që me dekret të Kryetarit të Këshillit të Ministravet krijohet një komision nën kryesin e shkëlqesës Iljaz Agushi dhe me anëtarë shkëlqesat Mustafa Merlika-Kruja e Dhimitër Berati, si dhe Z.Z. Hasan Dosti, Patër Anton Arapi, Hamdi Kazazi e Thoma Luarasi me qëllim që të mbledhi të gjitha dokumentat e shtypuna në çdo gjuhë qi të ndodhen e gjithçka mund të shërbejë për të vërtetue shqiptarizmën e Kosovës. (Gazeta “Tomorri”, 5 maj 1943)
Paralel me veprimet e mësipërme, nga ana e prefektëve në Tokat e Lirueme, me porosi të pushtetit qëndror, ju kërkue kryetarëve te komunave në Kosovë që të dokumentonin barbarizmat sllave të bamë ndër shqiptarë nga viti 1912 e në vazhdim. Përgjigjet e ardhura shpalosin një pjesë të tragjedisë së popullit kosovar nën sundimin serb.
Më poshtë shpaloset e plotë Dosja 58, e cila ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit, në Fondin 410 (Prefekturat dhe komunat e Tokave të Lirueme), Viti 1944.
Nr. Emni e mbiemni Vendbanimi Besimi Data e mbytjes Vrejtje
1. Ndue Frrok Prendi Kushovac Katolik 12. IV. 1941
2. Prenk Bardhok Ndou Dol „ „
3. Dedë Cuf Hoshi „ „ „
4. Musë Cuf Hoshi „ „ „
5. Nikoll Mark Biba „ „ „
6. Lekë Mark Biba „ „ „
7. Gjok Prekë Lleshi „ „ „
8. Tun Ndrek Paluca „ „ „
9. Ndue Prenk Tahiri „ „ 13. IV. 1941
10. Lilë Prenk Tahiri „ „ „
11. Hajdar Ali Mustafa „ Mysliman „
12. Tom Ndoc Beshi „ Katolik „
13. Palush Ukë Bezhi „ „ „
14. Martin Zef Marku „ „ „
15. Gjok Nikoll Leka „ „ „
16. Nikoll Prend Nikolla „ „ „
17. Frrok Prek Kizma „ „ „
18. Ded Prek Nikolla Kusar „ „
19. Gjon Prek Nikolla „ „ „
20. Simon Gjok Nikolla „ „ „
21. Kol Gjok Nikolla „ „ „
22. Tom Gjok Nikolla „ „ „
23. Çun Dedë Ndreca „ „ „
24. Franë Ndrec Deda „ „ „
25. Ndue Nikol Ndou „ „ „
26. Frok Prend Ndreca „ „ „
27. Marash Kol Maksuti „ „ „
28. Frok Nikol Ndoci „ „ „
29. Zenel Abdyl Rustemi Brekoc Mysliman „ Plagos
30. Zef Tuc Marku Kusar Katolik „ I vdekun
31. Ndrec Nikoll Marku „ „ „ Palgos
32. Dila Zef Ahmeti Dol „ „ Plagos
33. Zoja Tun Zefit „ „ „ Plagos
Kryetari i Komunës
Ndue Perlleshi d.v.
Brekoc, më 18. I. 1944
Vërtetohet
Kryesekretari i Prefekturës
/Niko Lafe/
Prizren, më 30-X-1944
(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 2)
vazhdon..
Krijoni Kontakt